Albspirit

Media/News/Publishing

Julian Vlashi: Trashëgimi iliro – arbnore

Xhupi i veshjes tradicionale të gruas mirditore, pavarësisht mbishtresëzimeve kulturore, ruan një larmi simbolesh të natyrës mitike dhe kultike, si gjurmë të kulturës së hershme iliro – arbnore.
Sipas etnologut Mark Tirta: “Në xhupin e gruas mirditore, ndeshim dendur simbole të diellit në ngjashmëri të svastikës, në rrathë koncentrik, spirale dyfishe etj… Zbukurimet me karakter mitologjik në veshjen mirditore etj (në xhubletën e Malësisë, Dukagjinit etj), pa mohuar shtresa të ndryshme dhe ndikime të mëvonshme, si origjinë duhet t’i kërkojmë tek një kohë e lashtë ballkanike”. Arkeologu Beb Jubani gjen lidhje mes figurës-simbolit në xhupin e gruas mirditore (në pjesën e shpinës) me figurën-simbolin kultik ilir në një varëse grash të zbuluar në një nga tumat ilire të luginës së Matit, në zonën e Bushkashit (periudha e hekurit të hershëm). Sipas Jubanit në veshjet e punuara hershëm ky motiv është ruajtur me besnikëri.
Ndërsa etnologia Andromaqi Gjergji, duke ju referuar lashtësisë së straveces (përparjes) së gruas mirditore, shkruan: “Përsa i përket straveces mirditore, mendoj se një paraardhëse të sajën duhet t’a shohim tek përparja e figurines neolitike të Kličevac-it, ku dallohet fare qartë, si pjesa katërkëndëshe e dekoruar me motive gjeometrike, ashtu dhe thekët e saj”.
Please follow and like us: