Joni Shanaj: Shteti shqiptar të mos e shohë si barrë kinematografinë shqiptare, por si aset që duhet ruajtur
Prodhimi kinematografik UNIK i kësaj periudhe është dhe do të mbetet pasuri kulturore historike e popullit shqiptar në arenën e kinematografisë botërore dhe artit kinematografik në të gjithë historikun e tij botëror.
Në artin kinematografik ndërthuren në çdo kohë iniciativat dhe agjensitë e talenteve individuale, interesat dhe axhendat shoqërore të frymës së kohës si dhe pandashëm interesat e financuesëve dhe këndvështrimet e të gjithë këtyre marrë bashkë, së bashku me atë objektiv të kamerës që përcjell imazhet e jetës dhe botës njerëzore si lëndë materie e vendosur në kohë.
Kinostudio është financuar nga shteti shqiptar, pra Shqipëria, financat dhe ekonomia publike e shoqërisë shqiptare.
Çfarë ka ndodhur është se Bashkimi Sovjetik i asistoi Shqipërisë në ndërtimin e kësaj ndërrmarjeje filmike si një sistem pune të një studioje prodhimi filmi si porosi e shtetit dhe institucioneve shqiptare.
Lobimi për formimin dhe ndërtimin e një studioje filmike mund t’i ketë takuar shumë individëve në dritë e në hije, por vendimin dhe porosinë për ndërtimin e tij e kanë institucionet publike të shtetit shqiptar.
Për kulturë të përgjithshme duhet të kihet parasysh se mënyra e strukturimit dhe menaxhimit të brendshëm profesional të Kinostudios, ashtu si në të gjithë bllokun lindor të kohës përfshi vetë Moskën është marrë dhe kopjuar hollësisht dhe saktësisht nga modelet e krijuara dhe të susksesshme të studiove të filmit amerikane në Hollivudin e viteve viteve 20-30.
Pra “copyright” real të ndërtimit të modelit operativ kinematografik në llojin Kinostudio e dizajnuar nga specialistë sovjetikë e kanë studiot e Hollivudit amerikan si Paramount, MGM, dhe Universal, të cilat u kopjuan nga sovjetikët dhe u menaxhuan në bazë të një sistemi tjetër menaxhimi siç ishte komunizmi apo i ashtuquajturi kapitalizmi shtetëror.
Kinostudio mbetet një shembull i sistemit të prodhimit të filmit të shpikur dhe adaptuar në Hollivud dhe të marrë e adaptuar nga shtete të centralizuara të cilat e kuptuan rëndësinë e filmit dhe kinematografisë si asete të rëndësisë të veçantë për dinjitetin kulturor të shteteve moderne.
Këtu lind dhe pyetja, nëse ka shteti shqiptar “kujtesë” institucionale për të saktësuar
në analet e tij se cilat kanë qenë transaksionet financiare dhe kush ka paguar për kinematografinë shqiptare? Informacioni se është i financuar nga Bashkimi Sovjetik mbetet për t’u verifikuar dhe nuk është i saktë.
Me sa dimë sot me siguri është se në asnjë sistem e as kohë nuk ka një “free lunch”.
Çdokush, në çdo kohë jep diçka që të marrë diçkta tjetër mbrapsht. Kemi të dhëna psh se në periudhën e miqësisë së Shqipërisë me Kinën, transaksionet që kishin të bënin me filmin, si lëndë e parë apo si mjete makineri pune zakonisht shkëmbeheshin në lëndë të parë si psh minerale etj. Këto detaje mbeten për t’u studiuar dhe parë.
Por çfarë dimë është se kinematografia shqiptare nis që me vajtjen për studime në fillim të shekullit të 20-të në studion e shpikësve të artit kinematografik në botë, vëllezërve Lumieres në Paris të Gegë (Kodhelit) Marubit, djalit të Kel Kodhelit dhe nipit të Rrok Kodhelit, kopshtarit të Pietro Marubit në Shkodër si dhe Petro Fotografit nga Korça që në fillimet fare të para të artit kinemeatografik në botë. Kolë Idromeno sjell makineritë e para të projeksionut filmik në Shkodër dhe në vitin 1912 bëhet distributor zyrtar i filmit artistik në Shqipëri. Gjon Mili pak m vonë i jep emrin e tij të madh zhvillimit të artit kinematografik në New York, Eleni Qirici bëhet një nga yjet e kinamatografisë botërore në Hollivud, Aleksandër Moisiut i vazhdon jehona në Europë. Instituti Luçe dhe Italianët i japin hovin e tyre shpërndarjes të kinematogrfisë në Shqipërinë e para luftës por investitorët e parë privatë janë patriotë dhe biznesmenë fare të pavarur shqiptarë. dhe Për sa dimë, duke enë se çdo kinematografi nis me emrin e auorit të saj të parë, regjisori i parë shqiptar mbetet vlonjati Mihallaq Mone në vitet 40-të.
Pra sovjetikët nuk janë krijuesit e kinematografisë shqiptare. Kjo është e rëndësishme për t’u veçuar sepse një perceptim i tillë i lidhur me filmin shqiptar është mbetje inercie e progandës së tyre. Mund të spekulojmë më tej se ndoshta sovjetikëve më shumë se propaganda e Partisë Komuniste të Shqipërisë I vlente asksesi në bazat ushtarake në Mesdhe në Vlorën e Mihallaq Mones, por kjo nuk ka më shumë rëndësi për kinematografinë si art kombëtar.
Realizmi socialist si term i njohur botërisht nuk është implementuar kurrë si i tillë në Shqipëri. Versioni i përshtatur në Shqipëri është një amalgamë difuze e një termi difuz të përshtatur vetëm në Shqipëri në llojin e tij në bazëspecifikash lolake shqiptare, kulturore, historike, politike dhe shoqërore.
Mbi të gjitha, shoqëria dhe institucionet shqitare arritën të nxjerrin, të mbajnë, të arsimojnë dhe të prodhojnë një brez të tërë kineastësh dhe talentesh të papërsëritshme. Një pjesë prej tyre u shkolluan ndoshta edhe me asistencën dhe financimin e disa vendeve me të cilat Shqipëria kishte marrëdhënie ekonomike dhe politike për kohën.
Por, duke qenë se kam mbi 4 vjet që punën time po ja dedikoj një prej baballarëve të filmit shqiptar, regjisorit Kristaq Dhamo, mund të them se në filmin tim ndoshta dimensioneve të gjera të Dhamos si njeriu krijues dhe si qytetar i këtij vendi dhe i botës mund t’i kem hyrë pak në hak, pasi po e trajtoj Kristaqin kryesisht nga perspektiva e autorit si një individ i rrallë e talent i krijues i artit kinematografik, duke prekur indirekt edhe historinë e Shqipërisë së kohës nëpërmjet veprës së tij, por ndoshta duke lënë pak jashtë diçka akoma më unike të tij, që ndoshta kërkon një film krejt tjetër, dhe është mbi të gjitha puna e tij, e pa imagjinueshme në këtë kohë, në heshtje, pas kuintave për të rritur dhe kontribuar në kinematografinë shqiptare nëpërmjet nxitjes dhe mësimit së të tjerëve.
Rasti i Kristaqit si një martir krijues veçon akoma më tej se pas çdo lloj arritje apo suksesi ka gjithmonë shiprtra, mendje dhe zermra të mëdha njerëzore!
Për fat dashuria që buron nga brenda nesh vazhdon ende të japë më të mirën e çdo kohe. Natyrisht që arti kinematografik ekziston si i tillë edhe si pasojë e zhvillimit teknologjik, ekonomik, intelektual dhe shoqëror të një vendi. Ai mbetet edhe sot e kësaj dite një tregues i qartë i nivelit të shoqërive prej nga vjen, por në rastin e kineastëve shqiptarë seriozë, emrave të shquar të kinematografisë tonë, puna dhe mundi i tyre e ka çuar nivelin e kinematografisë shqiptare shumë e shumë herë më lart se niveli mesatar i shoqërisë.
Ky është dhe roli i pazëvendësueshëm i intelektualëve të një vendi.
Patjetër që filmat e prodhuar nën sistemin më të egër dhe më gjakatar në Europën e pas luftës të dytë botërore, kanë probleme të thella më këndvështrimin dhe perspektivën e tyre ndaj ngjarjeve apo figurave historike. Por kjo është çështje që i përket diskutimit mendje hapur të së sotmes dhe së nesërmes.
Filmi shqiptar është dhe mbetet një pasuri shqiptare, europiane dhe botërore.
Në lidhje me historinë apo etikën krijuese apo individuale të secilit, ballafaqimet me të shkuarën dhe të sotmen mbeten detyra të secilit individ në përgjegjësinë e vetme të shpirtit dhe ndërgjegjes së vet, një detyrë të cilën si kineast i sotëm ndoshta edhe po përpiqem ta kryej me aq mend e energji sa kam. Është mundim edhe sot në kushte lirie kur kufizohesh nga buxhete denigruese dhe kundërproduktive në rrugëtimin me shumë mundim që përmban përpjekja për vepër cilësore kinematografike, rrugëtim të cilit jam dëshmitar me jetën vënë peng për të dalë sa më me dinjitet prej atij ferri krijues siç mbetet krijimtaria deri ditën e fundit të realizimit të veprës. Por thënë këtë me duhet të shtoj se nuk mund të krahasohet vuajtja e sotme e buxheteve fyese me përgjegjësitë e kineastëve shqiptarë të diktaturës të cilët kanë jetuar në ferrin e përgjegjësive akoma më të mëdha, jo vetëm për jetët e tyre, por edhe të të tjerëve; të afërmve, miqve, të gjithëve rrotull. Ndoshta nga ky udhëtim infernal, në këtë vapë, mund të kujtojmë më mirë e më bukur se: ata burra e ato akoma më të pakta gra krijuese kanë arritur të nxjerrin nga sakrifica dhe djersa e tyre personale dhe e familjeve të tyre disa për ne të përbashkët Yje.
Janë yjet e filmit shqiptar, të imazheve dhe ëndrrave tona të lirisë dhe të jetës që si shqiptarë kaq shumë e duam me të gjithë ngjyrat.
Në pamundësi të pjesëmarrjes unë nga krahu im dhe gjithëçkaje që përfaqësoj në modestinë e punës serioze për të mbajtur gjallë JETËN si nocion i prekshëm dhe i gjallë në botën tonë të vogël por në rastin tim në film, kundër vdekjes së filmit shqiptar, si pjesë shprehëse e një energjie unike humane në këtë botë, ju uroj fat dhe mbarësi individualisht por mbi të gjitha që shteti i sotëm shqiptar të mos e shohë kinematografinë shqiptare si një barrë të mbetur mbi kokë nga e shkuara, por si një mundësi dhe një aset të vyer të së ardhmes.
Shpresoj që ky 70 vjetor i Kinostudios të kthejë sado pak vëmendje tek institucionet përgjegjëse për kinematografinë se eksperimentet e kryera deri tani në administrimin dhe menaxhimin e filmit në Shqipëri kanë qenë dhe mbeten shumë të dështuara.
Mbarësi dhe forcë më të rinjve në një sektor që kërkon stimulim dhe vëmendje serioze për dinjitetin e lirisë së jetës të një vendi!/revistatime
Please follow and like us: