Albspirit

Media/News/Publishing

Duke ndjekur bllokun e shënimeve të Kujtim Boriçit

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Gjurmët e kujtimeve të Kujtimit

Ditë më parë u ‘takova’ me librin e Kujtim Boriçit “Nga blloku i shënimeve të gazetarit…”, të botuar nga botimet Enja, në muajin nëntor 2023. Gjithmonë, që herët i kam lexuar shkrimet, poezitë, monografitë dhe publicistikën e tij dhe më kanë tërhequr shumë. E para se është tepër orgjinal dhe i vëmendshëm ndaj problemit që shtron për diskutim dhe zgjidhje dhe e dyta, sepse më tërheq natyra e tij prej ushtaraku, korrekt, buzagas dhe i papërtuar.

Por, për këtë libër u bëra kurioz dhe e shfletova me një frymë, si dritën e hënës në errësirë. Kur e përfundova ndjeva një kënaqësi shpirtërore, pasi para apo pas lajmit paska dhe gjëra të tjera që gazetari i mban shënim për kohën dhe i jep të dhënat pas njëfarë kohe. Në këtë libër unë gjeta gjurmët e kujtimeve të Kujtimit, por dhe mësova shumë ndodhi dhe ngjarje, në dukje të pavëmendshme, por që duhen shënuar e duhen ruajtur për të mos u harruar. Ato tashmë kanë mbetur si një dëshmimtar, që e ka konsumuar dëshminë çalë-çalë, por që nuk i ka thënë të gjitha dhe ndjehet edhe më tepër fajtor… këto shënime të Kujtimit janë dhe mbeten dëshmi të kujtesës historike të gazetarit të cilat përsëri kanë vlerë të shfrytëzohen për të dalë e vërteta në shesh, apo siç thekson Saimir Kodra tek emisioni STOP, ‘qartë dhe pastër’.

Kur lexon pjesë të rinisë së hershme, çdo njerit i ka rastisur në shkollë dhe në jetë të ketë meraqe, por dhe gëzime, siç i ka ndodhur autorit të shkrimin me mësuesin në fshatin e largët të Dibrës, por dhe me lotët e përcjeljes së nënës, djalin e vet 14 vjeçar për në shkollën ushtarake…

Me Kujtimin në memorien time, kujtoj kohën e Shkollës së Bashkuar, kur aktivizoheshim me problemet e organizatës së rinisë, por dhe me krijuesit letrarë, të organizuar më së miri. Ai ishte tepër korrekt, i shoqërueshëm, i kudondodhur dhe i pari në të gjitha veprimtaritë. Në shënimin e bërë gazetarja Anila Basha se “sa herë thirrej ‘në detyrë’, e kishte gati zgjidhjen, sepse vinte gjithmonë me një bllok e me një stilolaps në dorë për të mbajtur shënime…”.

Ishte koha kur të rinjtë ushtarkë mësoheshin që në çdo takim dhe veprimtari të vinin me bllokun e shënimeve të një formati të vogël që mbahej në xhep. Kjo sot mua nuk më bën përshtypje. Në atë kohë të gjithë të rinjë ushtarak gjithmonë ishin të gatshëm për të marrë detyra, për t’i zbatuar dhe për t’i raportuar në kohë. Ishte shkolla dhe shoqëria që kërkonte njerëz të kalitur dhe të devotshëm për detyrën…

Kohën Kujtimi e ka gjetur në jetë, sepse ushtaraku është syri i pagjumë. Ai këtë postulat e di shumë mirë, dhe gjatë gjithë këtyre viteve që ka punuar në organet e shtypit, e ka ndjerë veten sikur të ishte në ushtri, orar e pa orar dhe ka hedhur pafund shënime në bllokun e shënimeve të tij, sepse ishte edukuar me këtë frymë…

Një libër me vlera për kohën

Ish ushtaraku Kujtim Boriçi ja ka dalë, sepse ishte përgatitje e tij, për betejën më të vështirë, por ajo nuk ndodhi ne ushtri, por ndodhi edhe më e madhe se çe priste një ushtarak, sepse u përplas me një realitet krejt të ri dhe të panjohur më parë, me luftën e llojin e vet…

Duke lexuar këtë libër çdo lexues kupton personazhe në kohë të ndryshme, vijnë mendime dhe fjalë të shkëputura, por që bëjnë histori, sepse flasin për një jetë plot tallaze dhe dhimbje për njerëzit e thjeshtë, por më shumë për shqetësimet shoqërore në këto vite të tranzicionit në Shqipërinë tonë.

Në këtë bllok shënimesh që autori po i bën publik, ndeshemi në mjaft zbulime, ndodhi, rrëfime, deklarime, heshtje, përbuzje, negocime, vrasje, akte makabre, që është përballur në një rrugë të vështirë, por plot shpresa, dritëhije dhe besim tek e ardhmja…

Në këto shënime të Kujtimit, gjejmë copëza jete nga puna e bërë, të cilat i ka mbajtur në jetën e vet, të shkruar për të gjallë e të vdekur. Libri na përshkruar copëza historie, marrje të intervistave, gjetje të personave dhe për t’i tërhequr në tregimin e historisë së tyre dhe të njerëzve të njohur dhe të panjohur në histori… të gjitha këto vijnë thjesht e qartë me kundërshti e debate.

Pena e Kujtim Boriçit në këto shënime ka ditur të hedhë në letër copëza jete të një gazetari që gjithmonë është në lëvizje dhe në gjurmim të fjalës e të mendimit ndryshe. Ai ka ditur që bashkë me jetën e tij, të sjellë personazhe reale të shoqërisë shqiptare. Këto shënime që vijnë tepër natyrshëm, me një tematikë të veçantë, përbëjnë një arritje kulmore të krijimtarisë së tij, në publicistikën historike dhe të memorjes.

Shënimet e Kujtimit kanë dhe një vlerë historike, por dhe studimore, për kohën në të cilën janë mbajtur dhe realizuar. Në to ka një informacion të plotë, ka fenomene, ndodhi, raporte. informacione, kundërshti që nuk gjenden dhe në arkiva e institucione që lidhen me to. Të gjitha këto janë dhe një burim të cilat do të jenë të pranishme në vitet në vijim për mjaft studiues në punën e tyre kërkimore. Vite më parë një miku im, Sokol Paja që tashmë është gazetar në gazetën “Dielli” në SHBA, vetëm nëpërmjet gazetave të kohës, studioi dhe gjeti mjaft probleme që nuk u gjendeshin dhe në Arkivin e Shtetit Shqiptar. Dhe këto shënime, siç përmend dhe gazetarja Anila Basha në parathënie “mund të ketë vlerën e vet për t’u shfletuar e të përmendet”.

Nëpërmjet këtyre shënimeve të botuara tashmë në këtë libër, Kujtimi ende ju bën thirrje brezit të ri që të mbajnë “laps e letër në dorë, për të dokumentuar atë që shohin e dëgjojnë, pa komente e analiza, për t’ua lënë lexuesve të drejtën të gjykojnë për faktet dhe rrethanat e ngjarjeve”.

Autori në këto shënime ka shkruar për 149 ndodhi… të cilat fillojnë me mësuesin që gërmon në kazanin e plehrave dhe përfundojnë me ‘djemtë problematikë’ që jetojnë në Dubaj. Libri lexohet shpejt dhe çdo ndodhi ka të veçantën dhe specifikën e saj. Gjuha e përdorur është e pastër, e rrjedhshme, e bukur dhe pa lodhje në fraza. Të gjitha fjalët janë në vendin e vet, të sistemuara, të kuptueshme dhe me përfundime të logjikshme. Gjatë shënimeve ndeshesh me mjaft problematika të kohës, të cilat kanë ecur paralelisht me situatën dhe autori ka ditur që për çdo problematikë të mbajë shënime dhe të japë në mjaft raste edhe mendimin e vet.

Takim me librat e Kujtim Boriçit

Kujtim Boriçi u lind në vitin 1955. Është autor i disa librave me poezi, prozë dhe publicistikë. Si gazetar profesionist ka punuar për dekada në shtypin ushtarak, si në gazetën “Luftëtari”, “Ushtria dhe koha”, “Ushtria”, në revistat “Për mbrojtjen e Atdheut”, “10 korriku”, “Mbrojtja” etj. Me ardhjen e demokracisë ka punuar në gazetat “Shekulli”, “Gazeta Shqiptare”, “Dita” dhe së fundi në gazetën “Telegraf” si kryeredaktor i saj. Është autor i mijëra shkrimeve në shtypin ushtarak dhe në medien e shkruar. Librin e parë poetik e ka botuar në vitin 1977, kur ende ishte student ushtarak.

Ndër librat e tij përmendim: “Këngët tona”, vëllim me poezi; “Ata erdhën nga Stëbleva… publicistikë; “Dashuria është kudo”, poezi; “Trogjedia e Gjeneralëve”, monografi historike; “Misteret e trafikut të armëve në Shqipëri”, me bashkautor; “Jeta në burgjet shqiptare”, publicistikë; “Gjeneral Llakaj, shefi i shtatmadhorise shqiptare mes dy puçeve ushtarake”, monografi historike; “Dasmë e ndërprerë në mes”, novelë; “Fqinjësi e përgjakur”, publicistikë; “Dy martirët e Stëblevës, monografi; “Duan të na e vjedhin Qemal Stafën”, tregime; “Ali Kopaçi, personolitet dhe njeri”, monografi; “Ushtarakët e Gollobordës, Vol. I”, me bashkautor; “Gjyqi i Kadri Hazbiut”, arkivo-histori, në botim; “Skënderbegasit ndër vite”, pjesa e parë, me bashkautor; “Një jetë në qiell”, monografi; “Histori e shkruar me gjak atdhedashurie”, monografi, me bashkautor; “Baba Shefqet Gllava, martir i demokracisë”, monografi, me boshkautor; “Skënderbegasit ndër vite”, pjesa e dytë, me bashkautor; “Skënderbegosit ndër vite”, pjesa e tretë, me bashkautor; “Skënderbegasit ndër vite”, pjesa e katërt, me bashkautor; “Bedinajt e Kaninës, gjurmë në histori”, monografi; “Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë”, pjesa e parë, me bashkautor; “Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë”, pjesa e dytë, me bashkautor; “100 personalitete të Librazhdit”; “Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, me bashkautor; “Naim Frashëri, apostull dhe bilbil i bektashizmit”, me bashkautor; “Tahir Hoxha i Çermenikës”, monografi: “Legjenda të Gollobordës”, legjenda dhe rrëfime; “Gollobordës”, poemë; “Nga blloku i shënimeve të gazetarit…”, pjesa e dytë.

Kujtim Boriçi në punën e tij të shkrimeve ka mjaft tematika të kohës për të cilat, vetë ai dhe në bashkëpunim edhe me studiues të tjerë shpejt do të ketë promovime të tjera. Një karakteristikë e veçantë e tij, është bashkëpunimi, vlerë që e takon rrallë në shoqërinë e sotme.

Please follow and like us: