Saimir Z. Kadiu: Paralele të historive diplomatike shqiptaro-hungareze
Një paralele midis historive “diplomatike” të Kardinalit Hungarez József Mindszenty dhe Familjes Popa në Shqipëri…
38 vjet më pare, në një ditë dhjetori (12. 12. 1985), në rrugën e Elbasanit, 6 veta të moshës nga 35-60 vjeç, të veshur si turistë, kaluan pragun e portës së Ambasadës italiane në Tiranë…
Ishin vëllezërit dhe motrat e familjes Popa…
Babai i tyre ishte pushkatuar si përkrahës i Zogut, ndërsa familja kishte kaluar 20 vite internim.
Më në fund me italishten e tyre të lënë trashëgimi nga babai dhe me sjelljen ‘alla perëndimore’ ata arritën të braktisin atdheun e tyre për Perëndimin duke kaluar “kufirin” e Ambasadës Italiane.
Një histori simbol që tregonte egërsinë e regjimit komunist, një histori simbol pasi ishte e para që hapi “udhën” drejt Perëndimit edhe pse u deshën 5 vite të tjera që shqiptarët e tjerë të vërshonin nëpër dyert e ambasadave të huaja si “toka e premtuar”.
Ambasadori italian, Françesko Karlo Xhentile, mbas kërkesës kategorike të palës shqiptare, refuzoi t’i dorëzojë të strehuarit dhe i kaloi Krishtlindjet e vitit 1985 bashkë me këta shqiptarë në ambasadë. Autoritetet, nëpërmjet një note të Ministrisë së Jashtme, i bënë të ditur ambasadorit se incidenti qe tepër i rëndë e se do kish pasoja të papëlqyeshme deri në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Familja Popa u strehua për rreth 5 vjet në dy dhoma të ambasadës italiane. Dhe vetëm në majin e vitit 1990, fill mbas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar, qeveria shqiptare dha lejen për largimin e tyre drejt Italisë.
Por ky rast, i pari në Shqipëri, nuk ishte i vetmi që ka ndodhur në Lindjen Komuniste…
Në këtë postim dëshiroj të kujtoj shkurtimisht historinë e kardinalit hungarez József Mindszenty (20 mars 1892-6 maj 1975)…
Ai ishte Primati i Kishës Katolike në Hungari nga 2 tetor 1945 deri më 18 dhjetor 1973.
Veprimtaria e Kardinalit Mindszenty personifikonte opozitën pa kompromis si ndaj fazhizmit ashtu edhe ndaj komunizmit.
Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore u burgos nga Partia pronaziste hungareze “Kryq –Shigjeta”.
Pas ardhjes së komunizmit në Hungari ai ishte përsëri opozitari i parë…
Arrestohet 75 vjet më parë, më 26 DHJETOR 1948, një ditë pas kremtimit të Krishtlindjeve, gjoja për veprimtari antihungareze, konspiracion dhe tradhëti. Këtu i nënshtrohet torturave çnjerëzore ku detyrohet të pranonte çfarë i kërkohej nga hetuesit e tij…
Gjyq i inskenuar (tipike si ato të Shqipërisë komuniste) e dënon me burgim të përjetshëm. Ky dënim u kritikua anembane botës duke përfshirë edhe një Rezolutë të Kombeve të Bashkuara. Por regjimi i tmershëm i Matia Rakoshit nuk u tërhoq nga vendimi i marrë.
Pas 8 vjetësh në burg lirohet gjatë Revolucionit hungarez të vitit 1956…
Por kur ushtria sovjetike hyri në Budapest më 4 nëntor 1956, ai u këshillua nga Imre Nagy që të kërkonte strehim në Ambasadën Amerikane ku qëndroi 15 vjet…
Qeveria hungareze më në fund e lejoi kardinalin të largohej nga Hungaria më 28 shtator 1971. Ai u vendos në Viene ku edhe vdiq më 6 maj 1975 në moshën 83 vjeçare.
Kam patur fatin të vizitoj muzeun Mindszenty në Esztergom (një qytet 46 km në veriperëndim të Budapestit).
Ky qytet ka qenë kryeqytet i Hungarisë për 3 shekuj (deri në mes të shekullit XIII). Në këtë qytet është edhe selia e Kishës Katolike Hungareze.