Astrit Lulushi: Sllavët
“Sllavët e kanë prejardhjen nga Rusia” – është një e pavërtetë e kthyer në mit. Ndoshta Rusia ishte shteti më i fortë, prandaj u bë qëndra e mbarë sllavizmit.
Historianët thonë se vendi origjinal ku lindën sllavët dhe ku filluan migrimet e tyre për t’u vendosur në pjesën më të madhe të Evropës ndodhej diku afër kufirit aktual të Bjellorusisë me Ukrainën. Ata i bazojnë këto përfundime në gjuhën e hershme sllave, e cila nuk kishte fjalë për të përshkruar detajet e bregdetit ose peizazhit malor dhe shumë emra të bimëve dhe pemëve të Evropës Qendrore e Jugore – por i huazuan nga gjuhët e banorëve që gjetën.
Dihet se kulturat arkeologjike të hershme zgjerohen nga Lindja në Perëndim. Dëshmitë arkeologjike gjithashtu mbështesin origjinën e tillë të sllavëve. Por njohuritë mbi atdheun e tyre janë disi të kufizuara. Megjithatë, disa etnonime të lashta ose emra njerëzish mund t’u atribuohen sllavëve, si Budinians, Neuri, Venedi ose Venethi, Suobenoi, Antes dhe në fund Sklabenoi – emri i hershëm bizantin i sllavëve.
Popujt sllav filluan zgjerimin e tyre në periudhën e migrimit të vonë, rreth shekujve V dhe VI, kur pjesa më e madhe e Evropës Lindore dhe Qendrore u shpopullua nga bastisjet hunike. Hunët ishin një prej popujve nomadë aziatikë, të cilët dominuan pjesën më të madhe të Azisë dhe Evropës lindore që para vitit 300 p.e.s., duke pushtuar toka të Perandorisë Romake në shekujt IV dhe V. Shumë nga banorët – ostrogotët, vizigotët, vandalët, langobardët, burgundët etj morrën rrugën për migrime në pjesë të ndryshme të Perandorisë. Më në fund, Perandoria e Hunëve ra. Shumë popuj u shpërngulën dhe vazhduan udhëtimin e tyre për të gjetur venbanime të reja. Kishte shumë toka të lira dhe të hapura për t’u vendosur sllavët.
Disi më vonë kolonët sllavë u përballën me kufijtë e zgjerimit të tyre – lumin Elba në Gjermani dhe Danub – ku grupet luftarake sllave kaluan lumin në përpjekje për të sulmuar Perandorinë Romake Bizantine ose Lindore. Sllavët ishin fermerë shumë efikasë dhe i toleronin lehtësisht vështirësitë e të jetuarit në një epokë të errët pa luks e me mallra minimale. Por kjo mënyrë jetese duket se ishte efektive, pasi së shpejti ata përjetuan një shtim të popullsisë dhe një tepricë në ushqime. Më pas erdhi pasuria dhe fuqia politike që çuan në formimin e hierarkive fisnore dhe krerëve, qëi nga ana e tyre u bashkuan me shtetet e hershme mesjetare, si Karatania ose Moravia e Madhe. Së shpejti u shfaqën shumë shtete më të njohura – Bullgaria, Çekia ose Bohemia, Kroacia, Serbia, Polonia dhe Rusia. I fundit ishte një vend i madh në Evropën Lindore me një qendër të fortë fetare, politike, sociale dhe ideologjike – Kiev, një nga qytetet më të populluara evropiane në atë kohë. Nga ky shtet dolën kombet sllave lindore – bjellorusët, rusët dhe ukrainasit.