Enver Memishaj: Mesapliku dhe lufta italo-greke
KRAHINA E MESAPLIKUT I KËRKON QEVERISË DËMSHPËRBLIMET E SHKAKTUARA NGA LUFTA ITALO – GREKE
Lufta italo – greke tetor 1940 – prill 1941, solli edhe për popullin shqiptar veçanërisht në Shqipërinë Jugore dëme të mëdha materiale dhe njerëzore. Gjatë kësaj lufte shumica e shqiptarve të inkuadruar në batalionet “Tomorri” dha “Taraboshi” që u shpunë me forcë në frontin grek, nuk pranuan të luftonin dhe dezertuan e për pasoje u internuan, burgosën e përndoqën prej pushtuesve fashistë.
Nga ana tjetër kishte shqiptarë që menduan se kishte ardhur koha që të shpëtonin e të merrnin Çamërinë martire prej pushtimit grek. Kështu dy patriotë major Skënder Çami dhe major Azis Çami formuan dy batalione me vullnetarë çamë dhe në krah të forcave italiane arritën të çlirojnë përkohësisht Çamërinë. Por forcat italiane u mundën dhe u tërhoqën dhe bashkë me ta dhe dy batalionet me vullnetarë çamë.
Në përfundim të luftës Greqia u hakmor egërsisht me çamët dhe kështu 25 prej tyre u detyruan të shpërnguleshin nga vatrat stërgjyshore dhe të gjenin strehë në Shqipëri. Në këtë luftë fshatrat shqiptare të Labërisë Jugore u shkatërruan krejt me shtëpi me bagëti dhe me rezerva ushqimore etj. Fshtarët e Vunoit shkruajnë qeverisë se jemi largue prej shtëpiave tona qysh prej datës 6 kallnor 1941 me urdhër të autoriteteve lokale ushtarake… Mbas afro 5 muajsh…, përveç humbjes së krejt pasurisë të tundëshme, ushqime, mobilje plaçka etj, është dëmtuar rëndë edhe pasuria e pa tundëshme, katundi sot është i pa banueshëm, sepse një pjesë e shtëpive është rrëzuar dhe djegur dhe pjesa tjetër ka mbetur vetëm karabina, pa çati, pa dyer e dritare, pa dysheme e tavan…
Gjendjen e rëndë të pas luftës, pasi forcat italiane ishin tërhequr ia paraqet kryeministri Shefqet Vërlaci
Shumë të Shkëlqyemit Mëkëmbësit të Përgjithshëm të Madhnis së Tij Mbretit Perandor:
“Prefektura e Gjinokastrës na parashtron se katundët e evakueme buzë linjës së zjarrit…, janë jo vetëm të çkatërrueme por edhe të pa pastrueme nga kufomat e pa mbulueme, armët, bombat, gjylet e municionet e lanuna nga të dy ushtritë dhe popullsia e imigrueme që ka fillue të kthehet gjejnë shtëpitë e katundet të çkatërruara dhe nuk kanë vend ku të banojnë dhe menjëherë u drejtohen
autoriteteve për ndihma”,
Më poshtë po paraqesim ankesë – kërkesën që i ka bërë krahina e Mesaplikut P.T. Kryesisë së Këshillit Ministruer:
Shkëlqesi!
Na të nënshkruarit kryepleqësia e katundeve, Tërbaç, Mesaplik, Shalës, Bashaj, Vranisht, Matogjin, Verbas, Ramicë, Brataj, Velçë, Lepenicë e Gjormë, të prefekturës së Vlorës marrim leje t’i drejtojmë Shkëlqesisë tuaj lutjen që poshtë vijon:
Pas largimit për disa muaj, në stinën më të ftohtë të vitit, nga vatrat tona, rishtas u kthyem në gërmadhat e shkreta të katundeve, ku nuk ka birë as bar. Të shtërnguar të ikim nga katundet befas dhe në mënyrë të frikëshme nuk muarëm dot me vete veçse kalamakët dhe pleqtë që mezi hiqnin këmbët bran. Tash pas këtyre muajve, të rrojtur në ankth dhe me shpresë, u kthyem prapë në vatrat
tona. Vatrat në kuptimin më të gjerë nuk ekzistojnë më, reja e zezë e shkretëtira i ka mbuluar dhe mjerimi i të gjithëve sundon vendin si mbretëreshë. Mjerimi nuk përshkruhet, katundet që kanë pasur një begatim të njohur të mbështetur në radhë të parë në një blektori të mbarë, që ish pasurim dhe lulëzim njëkohësisht sot kanë unjur kokën në zi dhe në vajtim. Jo vetëm puna e kaq brezave u zhduk në një kohë kaq të shkurtër dhe neve na mbeti vetëm kujtimi i kohërave të mira dhe fatlume, por sot na mungon çdo gjë nga buka e ditës tek foleja për të futur kokën, nga rrobat për t’u ruajtur nga ftoma, tek teshat e trupit.
Kjo është gjendja jonë, kjo është kuadroja e vuajtjeve në të gjithë krahinën. Me kalimin e kohës është duke u përkeqësuar për këto arsye:
1.Gjatë largimit tonë, shteti na jepte një ndihmë, me të cilën u bënim ballë nevojave e para të jetës, mirëpo kjo, pjesërisht na është prerë, qysh nga gjysma e muajt mars, ndërsa kredia është dhënë për gjithë muajin.
2.Tashti jemi të lajmëruar që nuk do na jepet ndonjë shpërblim për të mundur të jetojmë.
3.Na mungon tashti edhe ndihma e familjeve ku keshëm gjetur stehë, në të cilat të paktën merrnim hua sendet e nevojës së parë për shtëpi si enë etj…
Ndihma që u caktua për ne prej shtetit pati një arsye, ajo për të mos vdekur na nëpër rrrugë. Tash, me kthimin në vendet tona, gjendja e të cilave u përshkrua më lartë, na u zhduk një arsye që determinoi ndihmën e të larguarve përgjithësisht? Na themi që ajo gjendje nuk është përmirësuar, por siç e treguam më lartë është keqësuar dhe nuk mund të përmirësohet deri në vitin e ardhshëm për këto arsye:
1.Në kohën e kthimit nuk kish ndonjë mbledhje produkti, as që në vend të kish mbetur ndonjë rezervë drithi të bërë në vend.
2.Nuk mund të përmirësohet as në stinën e afërme, pse bimët e mbjella janë prishur nga kalimi i ushtrive, përqëndrimi i kafshëve dhe nga mos kujdesimi i kurkujt për to.
3.Nuk mund të përmirësohet as gjatë gjithë vitit, pse tash që u kthyem në vendet tona ka kaluar koha për lëvrimin e tokës për misër.
4.Vendi është varfëruar shumë, pse bagëtia që dhe kjo ish burim i rëndësishëm i i ekonomisë së katundeve, gati u zhduk, pse u largua prej kullotave dhe moneve në stinën më të keqe kur nuk kishte kullota për ta mbajtur atë.
Duke përfunduar kërkojmë si masë të përkohshme:
a)T’i jepet urdhër prefekturës së Vlorës të na paguaj mbetjen e muajt mars, për ata që se kanë marrë dhe vazhdimin e ndihmës derisa qeveria të marrë masa të tjera për mbajtjen tonë.
b)Të vihet në dispozicion të komunës tonë një sasi e konsiderushme drithi duke pasur parasysh popullsinë që arrin në 8000 frymë.
Me nderime.
Kryepleqësia e 12 katundeve: Shate Hadëri, Brataj, Sulo Rustem, Bashaj, Murat Nuro, Vranisht, Rait Miftari, Mesaplik, Zejko Sheme, Tërbaç, Shaqo Hoxha, Lepenicë, Rrap Laba, Gjorm, Hazbi Revo, Velçë, Selam Veizi, Shalës, Hajro Qamili, Matogjin, Kaso Murati, Ramicë, Fejzi Alemi, Verbas
Vlorë, më 10 maj 1941 – XIX.