Poezia e Fernando Pessoa vjen në shqip nga Rifat Ismaili
ENIGMA DHE MASKAT
ULIKSI
Miti është asgjëja që është gjithçka
I njejti diell që shpërhap qiejt
Është një mit i ndritur dhe i heshtur
Trupi i vdekur i Zotit
I gjallë e lakuriq.
Ky, që këtu bujti
Ish për të mos qenë i pranishëm.
Pa ekzistuar na mjaftoi.
Erdhi për të mos qenë i ardhur
E na krijoi.
Kështu legjenda ndriçohet
Duke hyrë në realitet
Dhe duke e mbarsur rrjedh
Jeta me ulje, pjesë
E asgjësë, vdes.
KOLLONA VOTIVE
Mundimi është i madh e i vogël është njeriu.
Unë, Diego Kan, lundërtar, kam ngulur
Këtë kollonë mbi arenën e errët
Dhe kam lundruar drejt detit të hapur.
Shpirti është hyjnor dhe vepra e papërsosur.
Kjo kollonë i tregon erës dhe qiejve
Që, prej veprës së bërë, e imja është pjesa e përmbushur
Çka mbetet është e Zotit.
Dhe oqeanit të mundshëm e pafund
Këto skude që i sheh i thonë
Që deti i mbaruar do jetë grek apo romak;
Portugez do jetë deti i pafund.
Dhe kryqi i lartuar thotë sa kam në shpirt,
Ndez brenda meje ethet e lundrimit
Vetëm në qetësinë e përjetshme të Zotit do gjejë
Portin që gjithnjë duhet gjetur.
KOLOMBËT
Të tjerëve do tu takojë të kenë
Sa do na takojë të humbim.
Tē tjerë do mundin të gjejnë
Atë që ne duke e kërkuar
E gjetëm dhe s’e gjetëm
Sipas fatit që na u dha.
Po ajo që atyre nuk u takon
Është magjia që përmend
Largësinë dhe bën historinë;
Dhe për këtë lavdia e tyre
Është kurorë e drejtë dhënë
Nga një dritë e marrë hua.
ISHUJT ME FAT
Cili zë vjen mbi tingullin e valëve
Që nuk është zëri i detit? Është zëri i dikujt që na flet
Por nëse e dëgjojmë, hesht
Pikërisht pse u vumë ta dëgjojmë.
Dhe vetëm nëse, gjysmë të përgjumur
Ndjejmë pa e ditur se ndjejmë
Ajo na flet për shpresën
Drejt së cilës, si një fëmijë
Që fle, duke fjetur buzëqeshim.
Janë ishuj të bekuar
Janë toka që nuk kanë cak,
Ku mbreti jeton duke pritur.
Por nëse i vemi duke u shtrirë
Humb zëri, e ndodhet vetëm deti.
KANTATË
Për gjithë natën gjumi nuk erdhi. Tani
Nga thellësi e horizontit
I errët e i ftohtë del mëngjesi.
Ç’ bëj unë në botë?
Asgjë që nata qeton e ngjall agimi
Asgjë serioze e të kotë.
Me sy të enjtur nga ethet e paanshme të pritjes
Shikoj me frikë
Ditën e re që më sjell të njejtën ditë të fundit të botës
E të dhimbjes-
Një ditë e ngjashme me të tjerat, e familjes së përjetshme
Të të qenit të gjitha kështu.
As ka vlera simbolike kuptimi
I mëngjesit që vjen
Ngadalësisht duke u ngritur nga e njejta esencë e natës
Së shkuar, për atë
Që shumë herë ka pritur më kot
E më asgjë nuk pret.
&
Nuk jam asgjë, s’ mundem për asgjë, nuk përndjek asgjë.
Plot iluzione, çoj qenien time pas meje.
Nuk di të hamendësoj, as di
Nëse duhet të jem, duke qenë asgjë, ajo që do jem.
Ta lemë këtë, që është asgjë, një erë bosh
E jugut, poshtë të pafundmit e të kaltrit qiell,
Më bie përsipër, duke u rrëqethur në gjelbërim.
Të kesh të drejtë, të fitosh, të zotërosh dashurinë
Kalbet mbi trungun e vdekur të iluzionit.
Të ëndërrosh është asgjë e të mos dish është boshllëk.
Fli në hije, zemër e pasigurtë.
&
Mendoj liqenin e heshtur
Që flladi e rrënqeth.
Nuk di nëse mendoj gjithçka
O nëse gjithçka më harron.
Asgjë s’ më thotë liqeni
As flladi që e nanurit.
Nuk di në jam i lumtur
As në dëshiroj të jem.
Rrudhat drithëruese buzëqeshin
Mbi ujin e fjetur.
Përse kam parë ëndrra
Jeta ime e vetme?
&
Jo, mos thuaj asgjë.
Përfytyro atë që do thotë
Goja jote e heshtur
Është sikur të jesh duke e dëgjuar.
Ta ndjesh është më mirë
Se si do ta thoje.
Kjo që është nuk preket
Nga frazat e nga ditët.
Je më i mirë nga ai që je.
Mos thuaj gjë; e di.
Dlirësia e trupit lakuriq
Që i padukshēm shihet.
Përktheu: RIFAT ISMAILI
Botuar në gazetën “Drita”,
E diel 7 janar 2001.