Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Mbi librin “Historia e Ushtrisë Shqiptare”

Në kuadrin e 111 vjetorit të krijimit të FA u bë i mundur botimi i ri i librit “Historia e Ushtrisë Shqiptare”, vëll. I, 1912-1939, të përgatitur nga Prof. dr. Proletar Hasani, Msc. Sali Onuzi, Prof. asc. dr. Marenglen Kasmi, Dr. Asllan Zemani, Msc. Engjëllushe Sula, Prof. asc. dr. Teki Kurti dhe Dr. Artur Meçollari.

Libri, thënë që në fillim vjen më i plotë dhe i organizuar, në krahasim me vëllimin e parë të botuar në vitin 2000 nga Ministria e Mbrojtjes dhe që kishte për autor Proletar Hasani, Asllan Zemani dhe Engjëllushe Sula.

Në vëllimin e parë është përshkruar vetëm organizimi i Ushtrisë Shqiptare, ndërsa në botimin e ri është pasuruar me një material më të plotë që kap të gjithë spektrin e ushtrisë. Vëllimi i parë nuk ishte i shoqëruar me foto dhe grafikë, ndërsa në vëllimin e ri ndeshim mjaft elemente të fotos, të skemave dhe të tabelave të ndryshme që e sjellin më të plotë dhe më të dukshme tërë veprimtarinë e ushtrisë të periudhës 1912-1939.

Së pari, vlera e librit qëndron në kriterin bazë që kanë ndjekur autorët, i cili është kriteri shkencor kronologjik, duke i dhënë gjithë librit vërtetësi dhe besueshmëri. Nëpërmjet kësaj vlere autorët në realizimin e misionit janë mbështetur dhe ballafaquar me një dokumentacion arkivor, kryesisht shqiptar, me fonde nga arkivat shqiptare dhe nga muzetë e vendit.

Puna kryesore e tyre është përqëndrua dhe bazuar në AQSH, ku janë shfrytëzuan fonde të shumta, të cilat lidhen drejtpërdrejt me krijimin dhe organizimin e Ushtrisë Shqiptare dhe të FA në tërësi, në vitet 1912-1939. Fonde të shfrytëzuara gjerësisht janë veprimtaria e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, të Qeverisë së Princ V. Vidit, të Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, të Qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, të Këshillit Kombëtar, Këshillit të Naltë të Shtetit, etj.

Gjërësisht janë shfrytëzuar pjesa më e madhe e ligjeve dhe dekretligjeve për Ushtrinë dhe Fuqitë e Armatosura, të botuara në gazetat zyrtare të kohës.

Me vlera dokumentare origjinale në faqet e librit gjenden të përshkruara rregullore, botime, përkthime, etj., të cilat i kanë dhënë një panoramë në lidhje me Ushtrinë Shqiptare, me jetën, stërvitjen dhe veprimtarinë luftarake të saj, si dhe të mjaft personaliteteve ushtarake drejtuese të ushtrisë.

Njëkohësisht është vlerësuar dhe janë shfrytëzuar burime me vlera dokumentare, nga burime të huaja, botime dhe përmbledhje dokumente mbi Shqipërinë si nga ato angleze, austro-hungareze, franceze, italiane dhe turke, etj.

Vend dhe rol të rëndësishëm kanë zënë dhe botimet shkencore, letërsia historike, të cilat kanë trajtuar tematika ku përshkruhen ngjarje dhe protagonistë të historisë shqiptare, që kanë luajtur rol e kanë ndikuar në organizimin dhe zhvillimin e Ushtrisë Shqiptare. Botimet u përkasin viteve të ndryshme, gjatë 111 vjet të Ushtrisë Shqiptare.

Një burim tjetër i shfrytëzuar nga autorët është dhe shtypi periodik, ku përmes tij është sjellë mendimi intelektual dhe i opinionit shqiptar në lidhje me organizimin dhe evolimin e Ushtrisë dhe të FA Shqiptare në tërësi.

Autorët duke qenë të kujdesshëm nuk kanë lënë jashtë vëmendjes dhe kujtime të personaliteteve politike dhe ushtarake të periudhës që përfshin libri. Në punën e autorëve mendoj se fotografitë kanë qenë një ndihmëse e çmuar, etj.

Së dyti, vlera qëndron në misionin e librit për evidentimin dhe publikimin në mënyrë sa më të plotë, të dokumentuar të përpjekjeve për të krijuar, për të organizuar dhe për të ndjekur periudhë pas periudhe ecurinë e zhvillimit dhe të përmirësimit të Ushtrisë Shqiptare.

Libri nuk trajton veprimtarinë luftarake të Ushtrisë, por theskon dhe evidenton detyrat kryesore të Ushtrisë Shqiptare në këtë periudhë. Autorët kanë përmendur luftime të zhvilluara në mbrojtje të territorit të vendit kundër pushtuesve të huaj, si dhe veprime për të nënshtruar lëvizjet kundër qeveritare në vend.

Libri analizon dukuri të aspekteve thelbësore që kanë të bëjnë me krijimin dhe organizimin ushtarak shqiptar në përgjithësi, të Ushtrisë Shqiptare, gjatë periudhave të veprimtarisë, siç janë koha e lindjes, konceptet e organizimit, shpërbërjet, riorganizimet, reformimet, buxhetimi e mbështetja financiare, armatosja, pajisja, llojet e forcave, të armëve dhe shërbimeve, etj. Në libër trajtohen dhe dukuri të arsimimit, kualifikimit të oficerëve e të nënoficerëve, të disa specialiteteve etj. Vend të dukshëm zenë përpjekjet për ligjet në jetën ushtarake, stërvitjen dhe veprimtarinë e Ushtrisë dhe të ushtarakëve shqiptarë, përmes hartimit e publikimit të ligjeve dhe rregulloreve përkatëse.

Së treti, një vlerë e veçanta që ka gjetur në trajtim është dhe Xhandarmëria Shqiptare, e cila që në krijimin e saj përshfaqi veçori organizative. Xhandarmëria, në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, u përfshi në përbërje të Ushtrisë. Pranë Ministrisë së Luftës u ngrit zyra e posaçme, e emërtua Komisioni i Trajtimit të Xhandarmërisë dhe Policisë. Xhandarmëria kishte detyra mbrojtëse, si dhe të natyrës së ruajtjes së rendit e të sigurisë publike. Kjo ishte një dukuri e veçantë kur në kushtet shqiptare, ende nuk kishte Ushtria, kur vendi ishte në një situatë të vështirë kërcënimi për pushtim nga fqinjët Verior e Jugor. Në vitet 1914-1918 ky mision mbeti një detyrë e përhershme, krahas strukturave të Ushtrisë.

Këto vepruan së bashku, duke ndihmuar e mbështetur njera-tjetrën, deri në vitet 1927-1928, kohë kur vija ndarëse u qartësuar ligjërisht, ku Xhandarmëria Shqiptare kreu detyrën tradicionale, duke kryer detyra në interes të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në interes të Ministrisë së Drejtësisë.

Së katërti, vlerë e veçantë është trajtimi i çështjes thelbësore për natyrën e detyrave të Ushtria Shqiptare. Ushtrisë, ju besua detyra e mbrojtjes të tërësisë territoreve dhe të pavarësisë së vendit dhe të vijës së kufijve shtetërorë. Ushtria u angazhua disa herë në veprime konkrete luftarake kundër sulmeve të agresorëve serb, malazez dhe grek, në vitet 1912-1914, por edhe gjatë viteve ‘20, si në Luftën për mbrojtjen e Koplikut nga forcat pushtuese dhe gjatë viteve ‘30 të shek. XX. Ushtria në disa raste, u përfshi në operacionet për shtypjen e lëvizjeve të armatosura antiqeveritare, për çarmatosjen e popullsisë etj., më tipike operacionet në vitet ‘30.

Së pesti, një ndër çështjet më të ndjeshme dhe më të përfolura në Ushtrinë Shqiptare, që e ka ndjekur hap pas hapi, nga viti 1920, ka qenë depolitizimi e departizimi i Ushtrisë Shqiptare. Kjo dukuri, me përpjekjet e shumta e të pandërprera, ka qenë një bashkudhëtar i pandashëm dhe i pranishëm në jetën dhe veprimtarinë e Ushtrisë dhe të gjitha Fuqive të Armatosura Shqiptare.

Megjithë përpjekjet nga drejtuesit kryesore të Ushtrisë, ku shquhen ministrat reformatorë Ali Riza Kolonja dhe Selaudin S. Shkoza, ndikimi i politikës dhe i partive në Ushtrinë Shqiptare, ka sjellë dëme me pasoja të ndjeshme për vendin.

Së gjashti, librit i shtohet vlera sepse ka prurë disa prej figurave e personaliteteve kryesore drejtuese të Ushtrisë Shqiptare. Këta ishin ushtarakë, që mbështeshin nga qindra ushtarakë të tjerë shqiptarë, punuan dhe luftuan e hodhën bazat e krijimit, të organizimit, zhvillimit e të përmirësimit të Ushtrisë në interes të mbrojtjes së lirisë, të pavarësisë e të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Dukuria e këtyre figurave historike, ka qenë veprimtaria dhe përkushtimi i tyre në dobi të Ushtrisë Shqiptare, e të vet Shqipërisë. Figura të tilla kanë qenë kryesisht ministrat e Luftës, Komandantët e Mbrojtjes Kombëtare dhe kryetarët e Shtabit Madhor (Shtabit Madhuer) të Ushtrisë Shqiptare. Këta zënë vend në libër për punën e tyre në interes të Ushtrisë Shqiptare.

Në këtë libër autorët kanë arritur të evidentojnë dhe të ndriçojnë qartë veçoritë dalluese organizative ushtarake tipike, duke bërë dallim nga periudha në periudhë. Ata kanë përdorur metodën e krahasimit dhe gjuhën e shifrave të dokumentuara, brenda hapësirës dhe të mundësive të materialit dhe dokumentacionit përkatës.

Autorët gjatë zhvillimit të çështjeve kanë përdorur metodën kronologjike, kjo e gërshetuar brenda kapitujve probleme të aspekte të veçanta, duke i gjykuar si më të mundshmet. Në libër autorët kanë bërë kujdes në analiza, në përshkrime dhe në përfundime, duke nxjerrë anën profesionale historike e ushtarak dhe kanë shmangur natyrën politike.

Për të gjithë këtë vlera që theksova, libri është një botim i arrirë dhe i kompletuar edhe për studim në akademitë tona ushtarake, por dhe për studiues të tjerë të historisë.

Please follow and like us: