Pjetër Bogdani, personalitet i shquar i historisë dhe kulturës sonë kombëtare
Prof. asoc. dr. Muhamet BELA
Hasi përbën një njësi etnografike që shtrihet në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Nga trualli i tij kanë dalë figura të njohura, si Pal Hasi, Pjetër Mazrreku, Andrea, Pjetër, Gjon e Lukë Bogdani etj., të cilët krahas veprimtarisë teologjike e filozofike punuan pa reshtur edhe në fushën e edukimit për lëvrimin e gjuhës shqipe, ruajtjen e traditave shumëshekullore, mbrojtjen e territorit nga represioni turk, e shprehur kjo fare qartë nga Pjetër Bogdani, një nga figurat shumëdimensionale të kombit tonë.
Pjetër Bogdani është një personalitet i shquar i historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Me veprën dhe veprimtarinë e tij të shumanshme, me kontributin e çmuar në letërsinë e vjetër shqipe, me pjesëmarrjen në lëvizjen kundër pushtuesit otoman, me erudicionin brilant për shoqërinë, natyrën, mitologjinë, historinë, teologjinë, falë dhe zotërimit të disa gjuhëve të huaja (latinisht, italisht, greqishten e vjetër, hebraisht, arabisht, armenisht etj.), ai u bë një nga mendimtarët poliedrikë, që shkëlqeu në kohën e tij dhe vijoi të mbetej i tillë për gjeneratat pasardhëse. Për të kanë shkruar historianë, linguistë, shkrimtarë, etnografë, si at Shtjefën Gjeçovi, Eqrem Çabej, Faik Konica, Dhimitër Shuteriqi, Gaetano Petrota, Odette Marquet, Injac Zamputi, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Martin Camaj, Aurel Plasari, Kristo Frashëri, Mahir Domi, Engjëll Sedaj, Anila Omari, Moikom Zeqo, Shefqet Hoxha, Nexhat Çoçaj, Bedri Muhadri, Mark Palnikaj, vitet e fundit edhe studiuesi i zellshëm hasian Muhamet Dauti etj.
Pjetër Bogdani lindi më 1625 në Gur të Hasit. Fillimisht u shkollua në Çiprovac të Bullgarisë Veriperëndimore, pastaj vijoi kolegjin e Loretos për studime teologjike e filozofike, të cilin e kreu me sukses. Më 1651 ishte meshtar në Pult të Malësisë së Dukagjinit, Shkodër, për të vijuar më pas në fshatrat e Prizrenit. Në vitin 1656 shkon në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike e filozofike në kolegjin e Propogandës Fide, të cilat i përfundon shkëlqyeshëm, gjë që shprehet dhe në mbrojtjen e doktoraturës për teologji dhe filozofi. Për 21 vjet rrjesht (1656–1677) ushtroi detyrën e ipeshkëvit të Shkodrës dhe administratorit të Tivarit. Në 12 vjetët e fundit të jetës së tij ishte kryepeshkop i Shkupit në vend të xhaxhait të tij, Andrea Bogdanit.
Në vitin 1665 i parashtroi për botim Kongregatës së Vatikanit, Propogadës Fide, veprën “Çeta e profetëve”, e cila i rekomandon ta përkthejë veprën në italisht.
Për veprimtarinë e tij antiosmane Pjetër Bogdani përndiqej vazhdimisht nga turqit. Ndër të tjera mund të përmendim rastin kur ishte në kishën e tij në Shkodër dhe më 1656 u burgos nga i biri i pashës, njëkohësisht i ndalohet letërkëmbimi me Italinë. Duke njohur nga afër gjendjen tejet të vështirë që po kalonte vendi, “Bogdani uron që një ditë të lind një prijës i mirë me vepra dhe me ndjenja si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Si rezultat i kësaj përndjekjeje, detyrohet të strehohet në male dhe larg vendit të tij, si në Çiprovac e Dubrovnik. Në një nga këto lëvizje humbet librin e gramatikës latinisht-shqip, që ishte përgatitur nga xhaxhai i tij, Andrea Bogdani, të cilit i ishte shumë mirënjohës. Në vitin 1685 shkon në Venedik e Padovë, ku merr me vete dorëshkrimin e përgatitur për botim, i cili botohet në Padovë në fund të vitit 1685.
Më 14 dhjetor 1685 ipeshkvi i Padovës, kardinali Gregor Barbarito, përkrahës i Pjetër Bogdanit, i shkruante kardinalit Kibo: “Mundimet që ka hequr imzot Pjetër Bogdani, arqipeshkv i Shkupit, janë rekomandim i gjallë në mbështetje të tij. Ai do t’i dërgonte SH.T. një libër që ka shtypur mbi jetën e Jezu Krishtit në gjuhën shqipe dhe në italisht për edukimin e atyre popujve…”. Njëkohësisht ai i kërkon ndihmë për kthimin e Pjetër Bogdanit në selinë e tij.
Më 15 dhjetor 1685 Pjetër Bogdani i shkruan nga Venecia Atit të Shenjtë: “Ju paraqes me përulje një libër të hartuar nga unë në shqip dhe në italisht; kam arritur ta shtyp me shpenzimet e mia në këtë kohë përndjekje prej turqve, që më ka mbajtur larg nga kisha ime, ku jam i vendosur në shpirt që të kthehem vetë…”
“Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit është një margaritar i kulturës sonë kombëtare, që nga stili, vlerat gjuhësore, përbajtësore e historike, siç theksojnë studiuesit e Bogdanit, është vepër fundamentale e shek. XVII–XVIII, ku shprehet dashuria e pakufishme e autorit për popullin shqiptar, për trojet tona historike. Që në parathënie të veprës ai e cilëson atë “një qirij ndezurë ndarë, për të ndritunë atë të vobek dhé të Arbënit”.
Kuptohen qartë motivet e shkrimit të kësaj vepre: ngase “po dergjet atdheu në robëri të errët, i verbuar me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati dhe mosdija”. Në letrën “lexuesit të nderuar” Bogdani shkruan: “Nuk shkrova për lavdin tim, por për dobi të së shenjtës fe.”
Kjo vepër, me rreth 400 faqe të shkruara në gjuhën shqipe, spikat për vlerat e saj. Dijen dhe gjuhën shqipe Bogdani i shikon si mjetin kryesor kundër të këqijave të kohës. “E madhe dobi e fryjt anshtë, – shkruan ai, – pra me ndrequnë këtë shkallë të urtisë e me shkruem bukurë […] të mos lënë dijen e giuhën e dheut me u dvarunë, pasi lëfton gjithë dheu e shekulli për të vet.”
Në aspektin teologjik, sipas Dhjatës së Vjetër, kjo vepër flet për jetën e profetëve izraelitë, ndërsa sipas Djatës së Re flet për jetën e Jezu Krishtit. Veçanërisht në pjesën e parë trajton probleme të ndryshme diturore, ndër të cilat mund të veçojmë filozofinë mesjetare të krishterë, ku nuk mungojnë dhe elemente të humanizmit etj. Pjetër Bogdani ishte njohës shumë i mirë i letërsisë teologjike, por dhe i asaj klasike greke e romake. Ka përkthyer pjesë nga vepra e Homerit, Virgjilit etj. Ai ka shtjelluar dhe aspekte të ndryshme që lidhen me gjeografinë, matematikën etj.
Pjetër Bogdani është ndalur dhe në koncepte morale. Zoti, sipas tij, krijoi vetëm gjëra të bukura. E bukura dhe e ndershmja, moralja, shkojnë ose duhet të shkojnë bashkë. “Drini e Buna, kur dalënë jashtë brigjeshit së tyne e rrjedhinë ndëpër bërrakë të Hasit e Zadrimës, ndo Sitnica, e si Vardari ndëpër Shkupit e ndëpër Kosovë, gjithëherë ecinë e janë më të turbullta, tuj bajtunë me vehëte plehë e baltë, se kur ecin amësë vet”, – shkruan ai.
Me interes të veçantë janë sidomos poezitë e tij në gjuhën shqipe “Cikli i sibilave”. Sibilat njihen si profetesha të lashtësisë, që paralajmëruan ardhjen e Krishtit dhe çlirimin e botës prej mëkateve. “Sibilë” fjalë për fjalë do të thotë “shprehëse e vullnetit të Zotit”. Janë 10 sibila e secila prej tyre ka një emër. Mund të përmendim sibilën Kumaene, Delfikën, Eritrean, Persianën, Libikën etj. Ndër to spikat figura e sibilës Delfika, të cilën Bogdani e emërton Hasiania (pra nga Hasi, vendlindja e tij).
Hasiana mban në duar një libër të hapur, sfondi i të cilit paraqet peisazhin e Hasit. Pjetër Bogdani u jep sibilave emra të trojeve arbërore, si: sibila Scodrensis (e Shkodrës), sibila e Shkupit, sibila e Prizrenit, sibila e Lezhës, sibila e Zadrimës, sibila e Kosovës etj.
Për “Ciklin e sibilave” të Pjetër Bogdanit personalitete të shquara të letrave shqipe kanë thënë se mund të hyjë te ciklet më të mëdha poetike të krejt poezisë europiane baroke të shek. XVII. Kështu, për shembull, profesor Eqrem Çabej e vlerëson Bogdanin si një stilist të rrallë, që arriti nivelin e përsosmërisë gjuhësore dhe artistike. “Kjo vepër, thënë metaforisht, ashtu si e thotë Bogdani për parimin e tij filozofik, Zotin, është një krua i gjallë, ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejnë kënaqësi dhe shqetësim intelektual, ku shumëkush mund të marrë ujë e s’do të shteret lehtë”, – nënvizon studiuesi i Bogdanit, Presidenti Ibrahim Rugova. Për këtë vepër profesor Sabri Hamiti ka thënë: “Pjetër Bogdani në shkrimin kanonik katolik, te vepra ‘Çeta e profetëve’ (Cuneus Prophetaraum) provon dhe jep argumente të burimeve kishtare, filozofike e poetike. Referencat poetike i merr nga letërsia antike greke (Homeri) e latine (Virgjili), kurse referencat filozofike nga filozofi antik Aristoteli e filozofi i krishterë Augustini. Kjo provë dhe argumentimi i shkrimit të parë kanonik katolik në shqip vë në veprim të plotë autorin (Bogdanin) si njohës i botës dhe prodhues i tekstit autorial të tri niveleve: doktrinar, njohës, poetik.” Ndërsa studiuesi i mirënjohur, i ndjeri profesor Moikom Zeqo, ka thënë: “Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por me sa duket ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe, që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat europiane, si dhe një nga poetët e përndritur të poezisë së stilit barok në Shqipëri dhe në Europë në shek. XVII”
Në dhjetor të vitit 1994 kam mbajtur kumtesën “Koha e Bogdani”, në të cilën jam ndalur në veçanti në rolin e Pjetër Bogdanit në lëvizjen kundër pushtimit otoman, bashkëpunimin me ushtrinë austriake dhe gjeneralin e saj Pikolomini. Në relacionin e 24 marsit të vitit 1684 drejtuar Kongregacionit Bogdani përshkruan gjendjen politike dhe ushtarake të vendit dhe nënvizon se duhet çliruar nga skllavëria e sulltanit. Kjo gjendje e detyron atë të largohet në male. Ai ka meritën se punoi shumë për të bërë bashkë banorët myslimanë e katolikë kundër pushtuesve osmanë. Historiani çek F. Vagner shkruan se patriarku i Kelmendit kishte lidhur marrëveshje me gjeneral Pikolominin që shqiptarët kryengritës të luftonin bashkë me forcat austriake kundër pushtuesve osmanë. Nipi i Pjetër Bogdanit, Gjon Bogdani, në letrën drejtuar Kongregacionit nënvizon takimin e Pjetër Bogdanit me Pikolominin dhe forcat mbështetëse. Kronisti anonim austriak i asaj kohe thotë se Pjetër Bogdani në takimin me Pikolominin kishte me vete 6 mijë luftëtarë myslimanë e të krishterë. Pikolomini vdes në Prizren nga mortaja, ndërsa Pjetër Bogdani kthehet në Prishtinë dhe mbyll sytë më 6 dhjetor 1689 po nga kjo sëmundje( pra 334 vjet më parë).
Në parathënien e veprës së tij “Të primittë përpara lettrarit” Pjetër Bogdani ka shkruar: “Tue kjanë unë prej Gurit ndë Hast, Sanxhakijet të Dukagjinit, Dioqezit të Prezerendit…”, duke saktësuar kështu vendlindjen e tij. Krahas të tjerave për këtë në vjershën disastrofëshe “Pjetër Bogdanit, arshipekshv i Shkupit, kushëririt tim të dashtun” Lukë Bogdani në strofën e parë shkruan: “Duel Gurit bukuria,/zana si një sutë e naltë,/qi s’kish brenda Veneqia,/si Pashtriku muem maltë”. Disa nga studiuesit e veprës së Bogdanit kanë bërë përpjekje për saktësimin e fshatit ku ai lindi, duke shprehur mendimet e tyre mbi bazën e burimeve historike, etnografike etj. për Hasin nga shek. XIV deri në shek. XVII. Një optikë e përbashkët i bashkon studiuesit që analizojnë Hasin e Rrafshit, Hasin e Brinjës dhe Hasin e Gurit, që përfshihen në krahinën etnografike të Hasit.
Nga studimet tona arkeologjike dhe historike rezulton se Pjetër Bogdani, ashtu si paraardhësit, kohanikët dhe pasardhësit e tij, nuk lindi në një truall të zbrazët. Ai është vazhdues i korifejve të mendimit dhe veprimit në fushën e letërsisë dhe historisë shqiptare, siç ishin Buzuku, Barleti, Budi, Matrënga, Bardhi. Meritë e tij është se ngriti në një cilësi shumë më të lartë arritjet falë gjithçkaje që bëri për dheun e Arbërit.
Pa mëdyshje mund të themi se trashëgimia jonë historike, kulturore në shekuj e mijëvjeçarë ka shërbyer si bazament i fuqishëm i lindjes dhe formësimit të këtyre personaliteteve të shquara të
kombit tonë.
Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, nisur dhe nga trashëgimia e pasur kulturore e Hasit etj., si arkeolog, bashkë me kolegun, prof. dr. Luan Përzhitën, sot rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, si dhe skicografin Bislim Nerguti, bëmë një rigonicion në këtë trevë dhe gërmime arkeologjike në disa qendra pranë Pashtrikut. Ndër ta do veçoja vendbanimin shpellor të Dajçit, ku për herë të parë në Hasin e Republikës së Shqipërisë u zbulua epoka e eneolitit (bakrit). Gjithashtu u zbuluan periudhat e bronzit të hershëm, të fundit të bronzit dhe fillimit të hekurit, si dhe periudhat antike e mesjetare. Gërmime sistematike bëmë dhe në vendbanimin prehistorik të Pusit të Thatë, në tumat e Mujajve, në bjeshkët e Krumës, në tumat e Myç-Hasit. Në këto tuma të fundit u zbuluan rreth 100 armë ilire prej hekuri të asaj kohe, maja heshtash e shigjetash, që ndërmjet të tjerash tregojnë pasurinë metalifere të kësaj treve rrëzë Pashtrikut. Gjithashtu bëmë rigonicione në vendbanimet mesjetare të fortifikuara në Gjinaj dhe në Shpellën e Qytezës, në vendbanimin e fortifikuar të Majës së Murit, që i përkasin Hasit të Gurit. Gjatë këtyrë gërmimeve e studimeve jemi njohur edhe me toponime të ndryshme, siç janë në Kishaj Lama e Bogdanit, Trojet e Bogdanëve, Sofra e Bogdanëve, Gurra e Bogdanit, apo Guri i Bogdanit mes Cahanit dhe Kishajve.
Mbështetur në kulturën materiale e shpirtërore të zbuluar në vendbanime shpellore, të hapura, të fortifikuara, në nekropole tumulare, në varreza antike e mesjetare në qendra të ndryshme të Hasit të Gurit, të Brinjës e të Rrafshit e më gjerë në tërë truallin ilir arbëror, dëshmohet vijimësia etnokulturore iliro-arbërore në këtë territor. Falë kësaj vijimësie ky truall ka nxjerrë figura të ndritura, siç është Pjetër Bogdani. E rëndësishme është që Bogdani i përket kombit shqiptar. Vepra e tij është e pashlyer. Ai mbetet një titan i historisë sonë kombëtare. Është një njeri i lavdishëm dhe secili prej nesh ka shumë për të mësuar për veprën dhe kontributin e tij.
Please follow and like us: