Rifat Ismaili: BREDHI I ROBËRUAR DHE PATAT E EGRA
Po afrohej viti i ri, dhe nëpër të gjithë qendrat e qyteteve të mëdha po instaloheshin dritat shumë- ngjyrëshe, bredhat e spërkatur me push të bardhë, karrot me drerë dhe babagjyshi sipër tyre i ngarkuar plot me lodra.
Vetëm në një qendër të vogël banimi dukej sikur viti i ri s’ po afrohej, rrugët e sheshet ishin të shkreta dhe njerëzit të shqetësuar.
– Përse bredhi ynë nuk po vjen të zërë vend në mes të sheshit ,siç ka bërë gjithmonë? Çfarë i ka ndodhur vallë? Mos është plakur aq shumê dhe s’ ka fuqi të udhëtojë përmes dëborës?
– Rri i qetë- i tha berberi shokut të tij librashitës, ndërsa bënte tërë këto pyetje. Ai ka për të ardhur. E parandjej.
– Por koha po kalon. Për pak ditë dhe Viti i ri do jetë mes nesh.
– Bredhi ynë magjik s’ka munguar kurrë, dhe as kësaj here s’ ka për të munguar- tha prapë berberi me vendosmëri.
– Ah, të shpresojmë. Shikoji fëmijët. Ndjehen të trishtuar. As edhe foto s’ mund të bëjnë.
Sheshi ishte kredhur në errësirë, njerëzit shkonin e vinin, dhe fëmijët herë pas here dilnin në dritare e shihnin nga rruga e gjatë që shkon drejt pyllit.
– Përse s’ po vjen bredhi ynë?- e pyeti Dorina, vëllain e saj pak më të madh në moshë, Agimin.
– Mbase është rrugës duke ardhur.
– Por ai vitin e shkuar erdhi më shpejt. Të kujtohet? Ne shkonim poshtë tij, mbushnim duart me topa bore dhe bënim fotografi.
– Si s’ më kujtohet! Këtu tek qyteti jonë nuk bie borë dhe bredhi magjik na sjell dëborën.
– Jo vetëm dëborën, por edhe zogj. Të kujtohet sa zogj uleshin në degët e tij e këndonin.
– Po po, më kujtohet. Po ku të jetë vallë? Mos i ka ndodhur gjë?
– Mos është sëmurur, mos e ka zënë rrufa dhe kolla dhe po teshtin?
– Po ç’ thua dhe ti!- i tha Agimi. Bredhat nuk ftohen si njerëzit. Ndoshta është tharë.
– Mos vallë e ka shkulur nga vendi ndonjë ari , kaaaaaq i madh, dhe ajo hapi krahët për të treguar madhësinë e ariut.
– Se di. Mbase s’ ka më dêshirë të vijë në qytetin tonë.
Ata kishin ndezur dritën, jashtë nata bëhej më e ftohtë dhe e errët, por s’ mund ti dëgjonin nga brenda xhamave gjëmimet dhe kuisjet e erës.
Ndërkohë, brenda në pyll , shiheshin e ndjeheshin flokët e mëdhenj të dëborës që binin papushim dhe mbulonin gjithçka pa mëshirë. Aty pranë ndodhej edhe bredhi , që për çdo vit niste udhëtimin e shkonte në qytezën e vogël buzë detit, për të gëzuar zemrat e fëmijëve dhe për t’ua mbushur ëndrrat gjithë shpresë. Një masë e madhe bore i kishte rënduar degët, pothuajse po e mbyste, dhe ai s’ mundte të çlirohej e të niste udhëtimin e përvitshëm.Bredhat përqark s’ mund ta ndihmonin, se edhe ata ngjanin të robëruar, të lidhur këmbë e duar. Kësaj here bora nuk ishte treguar miqësore me ta, por ishte shfaqur arrogante duke i penguar të jetonin lirshëm. Ajo komandohej nga Shtriga e Bardhë e Dimrit, që e inatosur nga lumturia e njerëzve nëpër qytete kishte vendosur t’ua prishte festën.
Ndërsa bredhat ankoheshin e protestonin, dhe shtriga e bardhë zgërdhihej e fshehur pas reve, qëlloi të kalonte aty pranë një karvan patash të egra. Atyre u erdhën në vesh të qeshurat e shtrigës dhe ankimet e bredhave dhe ndalën të shikonin ç’po ndodhte.
Bredhi magjik i pa dhe i’u lut patave ta çlironin;
– Më çlironi ju lutem nga kjo borë. Viti i ri po afron dhe fëmijët po më presin të shkoj e të hijeshoj qytetin e tyre.
– Shkojmë mike- i thanë ato njëra tjetrës- duhet të ndihmojmë bredhin e robëruar. E çfarë viti i ri do jetë në atë qytet pa bredhin e tyre?
Ato u ulën pikiatë mbi majën e bredhit dhe filluan me sqepa e me krahë të shkundnin dëborën nga krahët e tij.
Pak e nga pak ai po çlirohej, fuqitë po i riktheheshin përsëri dhe filloi të shkundej pa pushim. Kaloi gati gjithë nata dhe patat të lodhura e pastruan bredhin, dhe ai duke i falenderuar dhe puthur me dorë, u nis gati me vrap drejt qytetit. Ndërkohë, shtriga ishte zgjuar, dhe kur pa bredhin të vraponte, u nis ta ndalte. Por patat e egra, i shkuan në ndihmë. Ato bënë me krahët e tyre të gjerë një mur pas bredhit që shtriga s’ mund ta përshkonte, dhe kështu, bredhi përpara ato pas tij arritën në qytet. Shtriga në hyrje të qytetit ndali dhe u kthye pas nga frika e njerëzve.
Ishte mëngjes dhe më në fund njerëzit e qytetit panë bredhin e tyre të vinte gati duke vrapuar. Tê gjithë brohoritën dhe i bënë udhë që të zinte vend në mes të sheshit. Sapo ai u rregullua atje, të gjithë, elektriçistë e punëtorë filluan të instalojnë dritat shumëngjyrëshe, tabelat dhe gjithfarë zbukurimesh festive. Qyteti mori një pamje tjetër.
Berberi dhe librashitësi tek portat e dyqaneve të tyre shikonin të lumtur atë që ndodhi.
Kur Dorina dhe Agimi u zgjuan, pa larë ende sytë shkuan tek dritarja të shihnin sè ç’po ngjante. Nuk u besuan syve. Në shesh gjendej i buzëqeshur bredhi i tyre madhështor, dhe në vend të zogjve të vegjël ata panë patat e egra që fluturonin rreth kurorës së tij. Kjo ishte një pamje e mahnitëshme, dhe fëmijët shfrynë të lehtësuar.
– Ta thashë që ai do vijë- u mburr Agimi. Ai është bredhi ynë. Ai do vijë gjithmonë për ne.
Dhe kështu ndodhi, pas ditësh të turbullta e të trishta, fëmijët e qytetit të vogël u mbushën përsëri me lumturi, dhe nuk munguan të bënin fotot e tyre, bile dikush thotë se disa prej tyre guxuan të ngjiteshin mbi shpinat e patave dhe të bënin udhëtime nëpër qiell. Në këto festime e sipër, i gjeti Viti i ri, që ndërsa zbriste nga nga karroja e tij shndriste nga bukuria.
26- 12- 2023.
Please follow and like us: