Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Isuf Kalo: Festivali i 11 i Këngës në Radiotelevizion dhe Ramiz Alia

Nuk ka asgjë për t’u çuditur kur them se doza modernizmi patën nisur të depërtonin edhe te vetë Ramizi. Atij i pëlqenin këngët dhe muzika e vendeve perëndimore. Edhe pse nuk guxoi të hidhte vetë i pari hapa promovuese të artit e muzikës moderne, ai tentoi një herë të vetme në jetë t’u linte atyre derën hapur.

Kjo ndodhi në Festivalin e 11 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar në vitin 1972, në të cilin u ndie flladi i liberalizimit në artin tonë muzikor. Për fat të keq, ai festival u bë gracka ku vet Ramizi për pak desh mbeti, siç thotë Shekspiri, “i kapur si laraska”.

Këngët e natës finale të atij festivali Enveri dhe Hysni Kapo i ndoqën nga Vlora, secili në vilën e tij në zonën e Ujit të Ftohtë. Ata u ndodhën aty për disa ditë pushime pas festimeve që u bënë me rastin e 60-vjetorit të Pavarësisë.

Unë asokohe isha mjek i Hysniut dhe e shoqëroja atë atje. Atëherë aparatet e televizorëve ishin të paktë dhe ne shoqëruesit nuk kishim një të tillë në ambientet ku ishim vendosur. Fatmirësisht, vetë Hysniu na ftoi fisnikërisht së bashku me truprojën, Nexhipin, shoferin Abedinin dhe Vangjelinë, infermieren, që e shoqëronin gjithashtu, që t’i shihnim e t’i dëgjonim këngët e natës finale me të dhe familjen e tij.

Të gjithë ne, përfshi edhe Hysniun, i pëlqyem së tepërmi këngët, interpretimet, prezantimin dhe frymën e re që ndihej se po sillte ai festival me mënyrën novatore të konceptimit, interpretimit dhe të përcjelljes te publiku. Nuk më kujtohet që Hysniu të bënte në fund të tij ndonjë vërejtje apo të shprehte ndonjë kritikë apo shqetësim për të.

Mirëpo të nesërmen në vilën e Hysniut erdhi për vizitë Enver Hoxha. Ai zbriti nga makina me fytyrë të ngrysur, sepse siç mësuam më vonë e pati vlerësuar atë festival, ideologjikisht të gabuar, si shfaqje e liberalizmit në artin dhe në kulturën tonë. Përgjegjësia për “liberalizimin” nga ana partiake dhe ideologjike binte direkt mbi Ramizin.

Drejtori i TV ku ai festival u zhvillua, ishte Todi Lubonja, miku i ngushtë i tij. Vetëm një mrekulli hyjnore, për të cilën do të flasim më vonë e shpëtoi Ramizin nga ndëshkimi si devijator. Tmerri që kaloi pas këtij festivali, ku rrezikoi t’i ikte koka, e mbylli atë akoma më hermetikisht brenda guaskës vetëmbrojtëse.

Enigma është nëse “devijimi ideologjik”, i atij festivali, kishte qenë rastësor, një shpërthim spontan i shpirtit artistik liberal të autorëve të këngëve, apo ishte shprehje e shijeve më të avancuara moderniste të drejtuesve të kulturës tonë me në krye Ramizin?

Ky, ndonëse i kishte nën pushtetin e tij artin dhe kulturën, ndonëse i udhëhoqi, i kontrolloi dhe i indoktrinoi ato, asnjëherë nuk u mor vesh se cili ishte idoli i vërtetë artistik shpirtëror, apo ideor i tij! Cili ishte modeli estetik i së bukurës, i virtytit dhe i së mirës për Ramizin? Ato vlera që ai idealizonte te “njeriu i ri”? Cili qe shkrimtari, poeti, kompozitori apo piktori shqiptar më i pëlqyer i tij?

Edhe kur është pyetur në privatësi për këtë, ai e pati rrumbullakosur përgjigjen pa dashur të dallojë asnjë. Përgjigje tipike e njeriut që me vetëdije qëndron në mes.

Për të, vlerësimi kritik i autorëve ishte çështje pune, detyrë zyrtare. Ramizi nuk shfaqi publikisht ndjenja për askënd nga ata. Ai vlerësonte lart artin dhe veprat e Kadaresë, por në asnjë rrethanë nuk u vuri gjoksin keqinterpretimeve dhe sulmeve ideologjike që u bënë ndaj tij. Dhe as ia shpërfilli vërejtjet dhe sugjerimet që ai me shqetësim intelektual ia shprehu për të mirën e vendit.

Me fjalë dhe propagandë ai, përkundrazi e mburri, e promovoi dhe e mbështeti artin e ashtuquajtur “socialist” dhe “proletar”. Po në brendësi e në fshehtësi vallë atë pëlqente vërtet? Ai nuk foli asnjëherë hapur, as shkroi ndonjëherë për to.

Ramizi nuk u rrëfye me sinqeritet as kur ishte çliruar nga kurora dhe karrigia e pushtetit. Gjithçka e mbajti brenda vetes nën guaskën e një frazeologjie, me fjalë të sheqerosura dhe me shkeljen e syrit, që linin të dyshohej se as ai vetë nuk i besonte. Ata që ia patën njohur gjatë jetës shkallën e vetëmbrojtjes dhe mangësitë e trimërisë, mund të dëshmojnë se Ramizi mësoi më mirë se kushdo, jo vetëm të heshtë, por edhe si të mohojë.

I tillë është episodi me dramën “Hijet e murrme” të Minush Jeros. Ramizi fillimisht e pëlqeu kur ajo u shfaq në Tiranë në një konkurs. Dhe e duartrokiti atë gjatë, si shumë të suksesshme. Madje asaj iu dha edhe çmim i parë. E pëlqeu shumë dhe Mehmeti. Por më pas kur e pa Enveri ai e dënoi atë si armiqësore.

Atëherë Ramizi e ndryshoi menjëherë pllakën. Për të distancuar veten ai iu drejtua në telefon me ton qortues Ibrahim Uruçit që pati kryesuar jurinë e konkursit: “Pale. Ju vajtët dhe i dhatë asaj edhe çmim të parë”, i tha atij me ironi. “Ia dhamë, sepse pamë që ju e duartrokitët ngrohtësisht”, u shfajësua i habitur ai. “Unë duartrokita lojën e aktorëve. Jo dramën”, mohoi prerazi Alia.

Fill më pas Uruçi u internua. Bashkëpunëtorët dhe vartësit mësuan kështu si duhej të komunikonin me të.

Episodi tjetër i treguar po prej Vahid Lames, lidhej me një material të “Ditarit” të Enver Hoxhës, i cili duhej redaktuar përpara se t’i dërgohej Nexhmijes dhe Enverit për miratim para botimit. Redaktimin e bëri një nga bashkëpunëtorët në Komitetin Qendror dhe, para se t’i dërgohej Nexhmijes dhe Enverit, iu dha nga ana e Lames edhe Ramizit për ta parë paraprakisht.

“Alia e pa dhe me fare pak vërejtje ishte dakord”, pohon Lamja. Pas kësaj materiali iu dërgua Nexhmijes dhe Enverit, të cilët ishin në atë kohë në Pogradec. Këta fillimisht e pëlqyen dhe e lavdëruan materialin, por pak ditë më pas befas ndërruan tërësisht mendim. Enveri e kishte gjetur krejt të gabuar e nga zemërimi e kish grisur. Lamja qe kritikuar keq prej tyre “për këto gjëra të pakontrolluara”, ndonëse ai nuk ishte marrë vetë fare me atë material.

“U nisa për nga zyra e Ramizit, shkruan ai, për t’u shpjeguar e shfajësuar dhe me shpresë që të më ndihmonte. Por isha gabuar”. “Atë material, i tha Ramizi, unë e kam lexuar shpejt e shpejt sa për t’u njohur me ato që thoshte shoku Enver, e jo për të mbikëqyrur redaktimin…”. “Ramizi i dredhonte përgjegjësisë”, konkludon i zhgënjyer ish-sekretari i Enverit, i cili më pas u pushua nga puna, u arrestua e në fund u burgos.

Kështu e pat pësuar prej tij edhe një poet tjetër i ri, Faslli Haliti. Ai botoi poemën me titull “Dielli dhe rrëketë”, e cila përmbante disa mesazhe që nuk u mirëpritën nga redaktorët dhe kritika. Duke u ndier i keqkuptuar dhe i keqtrajtuar për ato që kishte shprehur, ai iu drejtua për ndihmë Ramiz Alisë. Ky e dëgjoi, e përgëzoi, madje e inkurajoi në mënyrë alegorike duke i thënë: “Vazhdo. Po mos i shto ujë verës”. Nënteksti ishte “mos e zbukuro, mos e zbut kritikën”.

Mirëpo Faslli Haliti prej “verës pa ujë” përfundoi plot dhjetë vjet punëtor në një fermë të Myzeqesë. Ramiz Alia, ndërkaq, ndoshta ia kishte harruar edhe emrin.

I ngjashëm me këtë rast ishte edhe rasti tjetër tragjik i poetit Viktor Qurku, i cili për shkak të një poeme të gabuar, i dha fund jetës duke u hedhur nga maja e një shkëmbi poshtë në humnerë.

Për mbijetesën e vet, Ramizin e ndihmoi fakti se nuk ishte pasionant. Ai ishte “inteligjent”, por emocionalisht refraktar. Ishte “gjakftohtë. Nuk ishte “pa dhëmbë e pa thonj”, por i mbante të fshehura me kujdes ata, jo për të sulmuar, por kryesisht për vetëmbrojtje. Më shpesh, ato i kish përdorur ndaj Mehmetit. Sidomos kur Mehmeti i kishte ndërhyrë në domenin e tij, kulturë, letërsi dhe art, për çka ai i qe ankuar edhe Enverit. “Me Mehmet Shehun nuk kam shkuar mirë. Ishim dy tipa e natyra të ndryshme”, ka pohuar vetë ai në një intervistë.

Ai ruante për Mehmetin mëri për kritikën dhe përgjegjësinë që ky i pat ngarkuar në Plenumin IV të vitit 1973, lidhur me devijimet ideologjike që u shfaqën në Festivalin e 11 të Këngës në Radio Televizion.

“Mehmeti, do të tregonte vetë Ramizi më vonë, u përpoq të më implikonte edhe mua, madje duke e paraqitur çështjen sikur frymëzuesi i kësaj fryme isha unë”. Në fakt, kritika e Mehmetit nuk ishte pa sens, sepse Ramizi ishte udhëheqësi numër 1 në fushën e ideologjisë, artit dhe të kulturës. Por Ramizi e kaloi me pehlivanllëk këtë rrezik.

PA ZAMKË

Ramizi nuk ishte shok e mik i ngushtë as me byroistët. Kishte vetëm një epror, Enverin. Ndaj tij qe i devotshëm dhe në mënyrën sesi ai e interpretonte besnikërinë mund të thuhet se mbeti i tillë deri në fund.

Ndaj të tjerëve ishte në dukje “miqësor, i paqortueshëm” akullsisht korrekt dhe i rezervuar. Dozat e emocioneve të dhembshurisë, të miqësisë me ta qenë racionale, si me pikatore. Mendoj se atij i mungonte ose nuk e kishte të mjaftë “zamkën” me të cilën mpiksen e ngjiten miqësitë e sinqerta të ngushta e të përjetshme.

Mund të thuhet se ai ishte i varfër në atë që Bill Klinton e quante “valutë shpirtërore” (Spiritual Currency). Por mosteprimet në “përzemërsi” ishin avantazh për mbijetesën politike të tij. Ishte një ndër faktorët shpëtimtarë që ndikoi në jetëgjatësinë e pazakontë të tij në elitën më të lartë udhëheqëse, e cila në Shqipërinë e asaj kohe ishte: fushë e minuar me mosbesim.

Në një libër të Eqrem Bej Vlorës, tërheq vëmendjen përshkrimi psikologjik i tij për Ahmet Zogun, i cili dukej i ngjashëm në karakterizim me Ramiz Alinë. “Përveç inteligjencës, shkruan ai aty, ajo që i jepte atij epërsi mbi të gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithnjë kontrollit të një mendjeje të ftohtë dhe praktike që udhëhiqeshin gjithnjë vetëm prej interesave të tij.”

Ramizi më lehtë dhe më me sukses përdori gjuhën e Ezopit sesa gjuhën e Partisë. Tejet i kujdesshëm në fraza, i pashkoqitur në kuptime dhe po aq hezitues në veprime. Veprimi më i preferuar i tij ishte vetëpërmbajtja, “mosveprimi”, pritja, lënia e iniciativës dhe e përgjegjësisë te të tjerët.

“Njeriu është ajo çka ai bën.” Ramizi ishte “çka ai thoshte” ose “çka linte të nënkuptohej” duke ngritur supet në mënyrë hezituese ose shfajësuese.

Ai as në aparencë nuk shqetësohej e nuk tregonte dhembje apo angazhim direkt për hallet, qoftë dhe të njerëzve me të cilët punonte. As ndaj atyre që i shërbenin direkt atij si person dhe familjes së tij. Më mbresëlënëse ishte se ai, pa qenë kapadai e mendjemadh, as nuk shtirej dhe as e maskonte atë shpërfillje. Ishte në paqe me hipokrizinë e vet.

Ndryshe nga Mehmeti dhe Hysniu, ai nuk kishte ndaj personelit me të cilët punonte ose i shërbenin, mentalitetin e feudalit apo të pronarit të tyre. I trajtonte duke ua ruajtur dinjitetin personal. Jo si “bujkrobër” që po i mbante me bukë. Qasej ndaj tyre si punonjës që bënin një detyrë të ngarkuar e të paguar nga shteti, prandaj nuk hynte në konfidencë gju më gju me ta për çështje private personale të tyre, me apo pa lidhje me detyrat dhe funksionin e tij.

Ai nuk luante teatër si gjoja “i përzemërt”, gjoja proletar, çka ishin role mjaft të përhapura në sjelljet hipokrite të asaj kohe.

Njëri nga truprojat e tij personale V, djalë rreth 35 vjeç, ndër më të sjellshmit dhe korrektët mes truprojave të byroistëve, pati nevojë aso kohe për një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, e cila duhej bërë domosdoshmërisht jashtë vendit. Ai iu lut “bosit” të tij që ta ndihmonte. Ishte e vetmja kërkesë e natyrës personale që i pat bërë gjatë gjithë kohës që ishte në shërbim të tij.

Do të mjaftonte një telefonatë e Ramizit për ministrin e Shëndetësisë që gjithçka të zgjidhej. Këtë e bënin dendur anëtarët e tjerë të Byrosë për persona me merita ose bashkëpunëtorë të tyre. Por ai nuk e bëri. Heshti sikur ishte diçka që nuk varej prej tij. Konstrukti shpirtëror dhe emocional i Ramiz Alisë ishte hermetik e i vetëkontrolluar. Njëkohësisht i kursyer në ekspozimin dhe shprehjen e tyre te të tjerët.

Ashtu i ftohtë e indiferent ai qe treguar edhe ndaj bashkëluftëtarëve, shokëve dhe miqve të hershëm të tij gjatë veprimtarisë antifashiste ilegale në Qarkun e Beratit.

Më i ngushti dhe më i shquari ndër ta ishte dëshmori Kristaq Capo, në shtëpinë e të cilit Ramizi qe strehuar, ushqyer dhe trajtuar me dashuri, si djalë i shtëpisë. Kristaqi ishte intelektual i formuar dhe një ndër figurat kryesore të lëvizjes komuniste aty. Arrestimi dhe pushkatimi i tij nga fashistët ishte humbje e madhe për lëvizjen antifashiste në Berat. Kurse mënyra se si ajo ndodhi pat mbetur për familjarët e tij e mbuluar me një tis të mjegullt misteri.

Mirëpo pas luftës, Ramizi, ulur tashmë në kolltukë ministrorë apo të udhëheqjes së lartë e harroi dhe nuk shkeli asnjëherë sa qe gjallë në derën e familjes që e pat pritur me aq përzemërsi. Ky qëndrim dhe kjo sjellje krijoi te të afërmit e Kristaqit jo vetëm pakënaqësi, por edhe dyshime lidhur me pastërtinë dhe integritetin etik të Ramizit.

Nipi i Kristaq Capos, është shprehur publikisht i revoltuar për shpërfilljen që Ramizi, tashmë president i vendit, tregoi ndaj emrit, figurës dhe familjes së ish-shokut të shquar dhe mikut të afërt të luftës, duke mos denjuar t’i kujtojë ata si dikur, kur pat nevojë, por madje as t’u përgjigjej letrave të tyre rreth hollësive e rrethanave të mjegullta të arrestimit dhe vdekjes tragjike të Kristaqit, ish-shokut të ngushtë të tij.

Edhe ndaj Myqerem Fugës, kur ai vdiq në vitin 2003, Ramizi mbajti të njëjtin qëndrim indiferent. Gjatë luftës Myqeremi ishte një ndër udhëheqësit kryesorë të partisë në Qarkun e Beratit dhe pastaj të Brigadës VII.

Në ato vite ai e kishte mbajtur Ramizin e ri në moshë shumë afër vetes, e instruktonte, e strehonte në shtëpinë e tij dhe e ndihmonte në detyrat që Ramizi kryente asokohe me rininë. Myqeremi ishte personalitet me virtyte të rralla. Kam pasur mundësi ta njoh familjarisht nga afër si mjek dhe si mik i tij.

Ai ishte ekonomist i shquar, intelektual me shumë kulturë e plot dinjitet. Pat qenë ministër, drejtor instituti ekonomik, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe në poste të tjerë të lartë, por çuditërisht, Ramizi as nuk i shkoi në varrim, as foli një fjalë për të, as shkroi dhe as i dërgoi ato ditë familjes së tij një ngushëllim.

Ky tipar i karakterit dhe sjelljes së ftohtë të Ramizit ndaj shokëve doli më shumë në pah gjatë sëmundjes fatale dhe vdekjes së Hysni Kapos në Paris. I dërguar nga Enveri posaçërisht në Paris në muajin gusht të vitit 1979, që t’i rrinte pranë dhe ta inkurajonte Hysni Kapon, i sëmurë me kancer në pankreas, në dy javët e fundit të jetës së tij.

Sipas Vito Kapos, Ramizi thuajse e braktisi “shokun e dashur e të shtrenjtë Hysni” që po lëngonte në shtratin e spitalit. Ai rrinte vetëm pak çaste me të dhe familjarët e tij dhe e kalonte më së shumti kohën me shëtitje, duke shijuar bukuritë dhe atraksionet e Parisit, metropolit mahnitës të artit, kulturës, modës dhe zbavitjes.

Aso kohe ai ende nuk e kishte përjetuar dramën e njëjtë, që do i ndodhte disa vite më vonë me të shoqen dhe prandaj, me sa duket e pati nënvleftësuar shkallën e emocioneve dhe të traumës psikologjike të Vitos, bashkëshortes së Hysniut, në përjetimin e dramës që ajo po vuante shpirtërisht bashkë me fëmijët për të shoqin.

Kjo nuk ishte sjellje e qëllimshme keqdashëse e Ramizit ndaj Hysniut. As armiqësore. Ishte sjellje e tij karakteristike e ftohtësisë, pa emocione të dukshme. Vitoja kishte mbetur e shokuar kur fill pas momentit të vdekjes së Hysniut nga kanceri, ndërkohë që Petrit Gaçja bërtiti, madje klithi, Ramizi kishte pyetur gjakftohtë e i habitur: “Po ky çka që bën kështu?” Dhe kishte vazhduar me të njëjtën qetësi: “Fundja ndodhi ajo që pritej”.

Në të vërtetë vdekja e Hysniut ashtu ishte, e pritshme! Sëmundja e tij e diagnostikuar pas ekzaminimit ekografik në Paris nuk ishte kolecistit (infeksion i tëmthit) siç gabimisht u mendua në Tiranë, ku për shkak të mungesës së aparaturës ky ekzaminim nuk u krye. Diagnoza reale ishte “kancer në fazë mjaft të avancuar, praktikisht i pashërueshëm”.

Prof. Gaçja, që i ndenji për disa javë të sëmurit natë e ditë mbi kokë, e dinte mirë këtë. Dënesa atij i doli nga zemra. Nga lidhja emocionale që krijohet mes mjekut dhe të sëmurit. Ramizi nuk funksiononte kështu. Ai nuk ishte nga ata që derdhnin lot dhe vënë kujën. Ai funksiononte me mendje, jo me shpirt, as me zemër. “Por mendja, thonë, nuk e bën dot për një kohë të gjatë rolin e zemrës.”

Vitoja u “shokua” dhe u revoltua me sjelljen e Ramizit ndaj të sëmurit dhe ndaj emocioneve që ajo dhe ekipi tjetër shoqërues përjetonte. “A erdhi ky në Francë që t’i rrinte pranë Hysniut, apo që të shëtiste Parisin?”, pati pyetur e zemëruar ajo.

Kur u kthye në Shqipëri pas vdekjes së Hysniut, Vitoja tregoi se ndërkohë që mjekët shqiptarë që e shoqëronin Hysniun në spitalin “Bruse” të Parisit, por edhe ata francezë të ekipit të Pol Miliezit, kishin shfaqur trishtim të thellë për vdekjen e Hysniut.

Ramizi, sipas saj, përveç frazave rutinë nuk kishte shprehur kurrfarë dhembjeje apo dëshpërim të dukshëm për humbjen e një prej shokëve më të rëndësishëm të tij e të Byrosë Politike.

Vitoja, që kishte edhe një gjen krenarie, e përçoi këtë “revoltë” të saj kur u kthye në Shqipëri tek Enveri. Po ku ta dinte ajo atëherë, që Ramizi, për të cilin po ankohej, do të bëhej gjashtë vite më pas kundër të gjitha parashikimeve të saj dhe të të gjithë të tjerëve, i pari i Shqipërisë?

Nga disa zhvillime më pas besoj se Enveri jo vetëm të mos e ketë mirëpritur këtë ankesë të Vitos ndaj Ramizit, por përkundrazi, mund të ishte zemëruar me të.

Enveri, një mëngjes, pas kontrollit mjekësor që i bëra, tek ishte ende në shtrat më pyeti: “Çfarë bëhej me analizat, radiografitë dhe dokumentacionin mjekësor të pacientëve që konsultohen ose shtrohen në spitalet e Francës? I lini atje, që t’i mbajnë francezët, apo i merrni me vete? Ato të Hysniut, janë sjellë këtu?”, pyeti më konkretisht ai.

Për pyetjen e fundit u vura në siklet, sepse nuk dija si t’i përgjigjesha, meqenëse nuk isha herën e fundit me Hysniun në Francë.

Megjithatë, i shpjegova se sipas eksperiencës sime me pacientë të tjerë, kur konsultat dhe analizat bëhen në kushte ambulatore, fletët e analizave ECG, EEG, radiografitë apo konkluzionet e specialistëve francezë ne i marrim me vete. Ndërsa në rastet e shtrimit në spital merret në dalje një epikrizë e hollësishme e firmosur dhe e vulosur, që pasqyron gjithçka që është bërë me pacientin.

Si rregull kartela klinike origjinale ku janë shënuar vizitat, mjekimi dhe ndërhyrjet e bëra mbetet në arkivin e spitalit. Megjithatë, i thashë, kopje e tyre mund të jepet, nëse e kërkojmë.

Nuk e di nëse Vitoja i ka shprehur atëherë Enverit edhe dyshime për diagnozën dhe vdekjen e Hysniut, ndërkohë që Ramizi ishte me të dhe as nëse Enveri ka ngarkuar më pas apo jo ambasadën, apo të dërguar specialë për të marrë informacion të saktë lidhur me to, por dyshoj se sjellja e ashpër, tejet nervoze e paprecedentë e tij ndaj Vitos në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, ku nga zemërimi i shfaqur hapur Enverit i merrej goja dhe ngatërronte datat e shifrat “kaq dollaro aq dollaro”, mund të mos ketë pasur lidhje me problemet e ministrisë që ajo drejtonte, por ndoshta ishte shprehje e pakënaqësisë së tij për ndonjë prej ankesave dhe dyshimeve të pretenduara prej saj ndaj Ramizit.

Më pas, kur Mehmeti vrau veten dhe Ramizi u konfirmua definitivisht si pasardhës i sigurt i Enverit, Vitoja u duk sikur e ndryshoi objektivin e fajësimit për vdekjen e të shoqit nga indiferenca e Ramizit tek intrigat e Mehmetit, duke e interpretuar fatin tragjik të Hysniut si viktimë e këtij të fundit në dualitetin dhe rivalitetin e heshtur dhe të fshehtë mes tyre për kryesinë e partisë dhe të vendit pas vdekjes së Enverit.

Vito Kapo-Kondi ishte bijë mjeku. Kishte kërkesa të larta kulturore, estetike dhe stilistike në jetë. Ishte elegante, elokuente, e sigurt, e patensionuar në bisedë dhe në prononcimet publike. Ajo kishte qenë gjatë viteve të luftës sekretare në shtabin partizan, pranë Enverit.

Është e paqartë çfarë ndikoi tek ajo grua inteligjente të shfaqte papritmas, shumë vite më pas, dyshime për “viktimizimin” e Hysniut nga një “keqbërje mjegullore”, dyshime të cilat u mediatizuan të ritransmetuara disa herë në formën e një “dokumentari” serial, në një nga kanalet tanë televizivë.

Ndërkohë, mjekët e Hysniut që e asistuan atë nga shumë afër në Paris, përfshirë edhe dy prej atyre që i ndenjën tërë kohën pranë shtratit, kanë konfirmuar në mënyrë të sigurt dhe të përsëritur në shtyp dhe në media se Hysniu vdiq, siç pritej, prej kancerit të gjëndrës së pankreasit, i përhapur gjerësisht në mëlçi dhe organe të tjerë. Por nuk dihet pse Vitoja nuk u bind as pas dëshmive të tyre. Pse nuk deshi që t’i besonte as ata!?

Please follow and like us: