Albspirit

Media/News/Publishing

Debati për pensionet speciale, rasti i Natasha Lakos dhe i Shaban Muratit

Çerçiz Loloçi

Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për dhënien e pensionit special për disa artistë dhe sportistë, teksa është përshëndetur nga shumë syresh ka pasur ndërkaq kontestime, me letra të hapura dhe të mbyllura drejtuar kryeparlamentares, kryeministrit dhe Presidencës. Është një ritual që përsëritet herë pas here sepse edhe në këtë vendim të fundit ka emra që mund të vihen në dyshim, për kontributin modest në art, në sport apo në fusha të tjera me ndikim në shoqërinë shqiptare. S’ka asnjë dyshim se qeverisjet e demokratëve apo të socialistëve janë kujdesur për t’u dhënë pensione speciale për artistë-sportistë që rreshtohen pranë tyre, por ka edhe të tjerë që ka një konsesnsus të përgjithshëm, me apo pa parti qofshin, të cilët dalin mbi të tjerët dhe shërbejnë si referenca kombëtare. Në kushtet që Shqipëria vijon të jetë vendi më i varfër në Europë, asnjë nga qeveritë nuk ka gabuar duke vlerësuar disa shtresa që goditen më shumë nga tranzicioni i gjatë. Megjithatë kjo nuk do të thotë që të anashkalojnë disa personalitete, që janë më të spikatur dhe kanë kontribute të gjera e të shumanshme si rasti i Natasha Lakos dhe i Shaban Muratit.

Natasha Lako është publiciste, shkrimtare dhe skenariste e një sërë filmash shqiptarë. Dy herë deputete e PD në Parlamentin e parë pluralist.Ka botuar disa libra me poezi, si: “Marsi brenda nesh”, 1972, “E para fjalë e botës”, 1979, “Këmisha e pranverës”, Prishtinë 1984, “Yllësia e fjalëve”, Tiranë 1986, “Natyrë e qetë”, Tiranë 1990, “Thesi me pëllumba”, Tiranë 1995, “Këmbë dhe duar” 1998, Përkthim Tomas Transtromer “Perandoria e barit” 2002, “Lëkura e ujit” 2005, Ribotim Tomas Transtromer-ripërmbledhje “Qielli i lënë përgjysëm” 2011, Ese Energjia filmike 2006, romani “Stinët e jetës”, “Kundërpërfytyrimi” 2016 si dhe skenaret e filmave: Mësonjtorja, Një emër mes njerëzve, Fjalë pa fund, Muri i gjallë, Partizani i vogël Velo, Rruga e lirisë, Një vit i gjatë, Plumba perandorit, I paharruari, Fletë të bardha, Lule të kuqe, lule të zeza, Shkronjat e pavarsisë, Ndrekë Luca, Koha e pelikulës (Xhanfise Keko), Rikard, etj. E përfshirë në antologji botërore të poezisë dhe në disa përmbledhje ndërkombëtare poetike.

Shaban Murati diplomat karriere dhe gazetar shqiptar. Autor i shumë librave, analizave dhe komenteve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në to, mes të cilave “Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë” – 2004, “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës”: (fletë nga ditari i një ambasadori) – 2007, “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës: një testament diplomatic” – 2009, “Profile të diplomacisë europiane në Ballkan” – 2009, “Hije në diplomacinë shqiptare” – 2012, “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit” – 2013, “Rusia ballkanike” – 2014, “Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare” – 2016, “Ballkani faustian” – 2016, “Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”? – 2018, “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” – 2018, “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana” – 2019, “Antitabu: Këshilla për miqtë” – 2020, “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” – 2020, “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” – 2021, “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” dhe “Konteksti rajonal i Aleancës Strategjike Shqipëri-Turqi”.

 

Please follow and like us: