MITAT KONDI, LUFTËTARI I RRESHTAVE PARTIZANE, USHTARAK MADHOR DHE MBLEDHËS I FOLKLORIT POPULLOR
(Homazh dhe mirënjohje në 105 vjetorin e lindjes të Mitat Mazllëm Kondi, ish-luftëtarit partizan të orëve të para në formacionet e vogla dhe të mëdha të LANÇ-it, ushtarakut madhor që shërbeu me dinjitet në radhët e Ushtrisë Popullore dhe mbledhësit të apasionuar të folklorit popullor, të këngëve e valleve të Labërisë për trevën e Krahinës së Kardhiqit e Rrëzomës por edhe më gjerë, si të ishte pjesë e pandarë e insitutit të Kulturës Popullore Shqiptare. Dedikuar burrit të mirënjohur Mitat Kondin, për itendentin e çetës së parë partizane “Çerçiz Topulli”, luftëtarit që mbante pseudonimin gjatë luftës “Elefanti”, për partizanin e batalionit “Asim Zeneli”, partizanin dhe kuadër i Brigadës së 2-të Sulmuese, brigadë ku kreu edhe detyra të me përgjegjësi si komandant Kompanie, zv/komandant Batalioni, Komandant Batalioni, deri në zv/Komandant Brigade. Mirënjohja shkon për ushtarakun me karrierë brilante 30 vjeçare, që jetën ja kushtoi çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë, ngritjes e forcimit të strukturave të mbrojtjes pas çlirimit të vendit, por dhe historisë, ku u shqua veçanërisht si mbledhës i folkorit, të këngëve popullore të krahinave të Kardhiqit dhe Rrëzomës që janë sot në administrim të bashkive Gjirokastër dhe Delvinë).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Bir i Krahinës së Kardhiqit me histori nga Zhulati i historisë
Mitat Kondi është ndër personalietetet e spikatur të Krahinës së Kardhiqit. Mitat Mazllëm Kondi ishte lindur më 9 janar 1919 në fshatin Zhulat të Gjirokastrës. Nëna e tij Dilija dhe babai Mazllëmi ishin të njohur në fshat dhe krahinë si njerëz të mirë, të punës dhe të sakrificës, që gëzonin respektin e fshatit dhe krahinës, si dhe mjaft të respektueshëm në zbatimin e zakoneve e sharteve të vendit. Oxhaku i fisit “Kondi” si në Zhulat dhe në Fushëbardhë ishin të shquar në historinë e trevës së Labërisë. Ambjenti ku u lind dhe u rrit Mitati ishte me histori të madhe, që rrezatohej dukshëm atdhetaria dhe patriotizmi. Të parët kishin luftuar për mbrojtjen e truallit arbëror sikurse gjithë bashkëfshatarët dhe bashkëkrahinarët e tjerë. Mitat Kondi arsimimin fillor e përfundoi në Zhulat, ndërkohë që u rrit dhe u burrërua para kohe në një botë plot halle. Të parët e mëkuan me bëmat e të parëve që në luftrat antitanzimat, me frymën atdhetare të kuvendeve të Idriz Sullit të 1770-ës në Senicë dhe më 1773 në Taroninë, tek Rrapi i Agait, me kryengritjet labe të 1847-tës, të luftës së parë antigreke të 1854-ës, të luftrave për autonomi sipas direktivës së LSHP-së më 1878, të luftrave në Sarandë dhe në Gjashtë, ku “.. u vranë Zhuletë..”, me luftrat më 1897 dhe 1913-1914 në “5 Puset”, “Grebene”, “Janinë” etj e veçanërisht me Luftën e famshme të Vlorës, të 1920-tës, ku shqipëtarët luftuan “…me një mbret dyzet milionë..”. Historia e Zhulatit të këtejmë dhe Zhulatit të tejmë “u saldua” në mendjen e Mitat Kondit dhe ngeli krenari jetësore. Pas çlirimit të Atdheut, Mitati i apasionuar pas arsimimit, vijoi studimet në Gjimnazin e Korçës. Në vitin 1962 përfundoi studimet e larta në Tiranë në Universitetin Shtetëror, Fakulteti Histori-Gjeografi, duke u kompletuar kështu me arsimim elitar për kohën. Biografia e tij është mjaft e pasur: Në qershor të vitit 1942 hyri në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Po në korrik të këtij viti doli partizan, duke u inkuadruar në njësitë partizane të zonës së Kardhiqit, Çetën “Çerçiz Topulli” me detyrën e itendentit. Më 7.8.1943, kjo çetë inkuadrohet në Batalionin “Asim Zeneli”, ndërsa Mitat Kondi në Nëntor 1943 inkuadrohet në Brigadën e Dytë Sulmuese. Në këtë Brigatë u ngarkua me detyra të ndryshme si Komandant Kompanie, zv/komandant Batalioni, Komandant Batalioni, e deri në zv/ Komandant Brigade. Mori pjesë në veprimet luftarake të kësaj brigade në zonat e Elbasanit, Tiranë, Librazhd, Dibër e Madhe, Maqedoni, Mat, Krujë, Ishëm, Pezë, Korçë, Përmet, Leskovik, Kolonjë, Devoll etj. Gjeografia e veprimtarisë partizane të Mitat Kondit është e pasur, duke futur në të dhe veprimet në zonën e Kardhiqit, Cepos, Vurgut, Delvinës, Sarandës, Libohovës, Tepelenës, Kurveleshit e tjerë. Pas çlirimit të vendit ka patur funksione të rëndësishme në ushtri duke shërbyer në reparte e njësi të Ushtrisë në Tiranë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Kavajë, Burrel, Kukës e tjera. Gjatë gjithë jetës së tij ka patur edhe ka pasion të shkruarit të historisë dhe të mbledhjes së traditës folklorike labe të krahinave të Kardhiqit dhe Rrëzomës, krahinave që takohen në Qafën e njohur të Skërficës. Deri në frymën e fundit ju përkushtua idealeve për të cilat luftoi gjatë gjithë jetës, por la në duart e miqve, shokëve, bibliotekave, edhe libra të tillë sikurse ishte ai me vargjet e poetit brilant popullor të fillimshekullit të kaluar Jonuz Kuci nga Fushëbardha, që ishte rrënjë e fis nga Osmën Kuci i parë prijës, luftëtar e kapedan i betejave të mëdha të historisë. Mitat Kondi e risolli të gjallë, që të mos ngelej legjendë në kujtesën popullore. Deri në fund të jetës ngeli luftëtar i llogores së luftës dhe të këngës, ngeli i paepur në mbrojtje të idealeve të LANÇ-it, si vetë emri figurativ, që i vuri lufta “elefant” për idealet e lirisë, fisnik, i vendosur, me temperament lab fizikisht dhe psikologjikisht, depërtues në mendjen e njerëzve për të vjelë thesaret e fshehura të trevës labe në dy krahina të rëndësishme. Ai shkroi gjithë jetën dhe sipas poetit Zeqo Cama që e sjell në vëmëndje këtë burrë të mençur e fisnik që nga Kanadaja, ai thotë, që Mitat Kondi ka lënë disa kujtime, por dhe vargje të mbledhura nga Jonuz Kuci i Fushëbardhës, dorëshkrime me vlerë për krahinën e Kardhiqit e Rrëzomës, që janë me vlerë për historinë krahinore dhe kombëtare.
Luftëtar i çetës emërndritur në histori “Çerçiz Topulli”
Çeta partizane “Çerçiz Topulli”, ku bënte pjesë që ditën e parë të krijimit edhe Mitat Kondi u krijua më 12.12.1942 në Fushëbardhë. Mitatin e ngarkuan me detyrën e itendentit dhe e quajtën “Elefanti”. Labi i mençurisë dhe veprimit atdhetar u gjend në kohën dhe vendin e duhur nga ku nisi rrugëtimi i tij historik i jetës plot vitalitet dhe krenari në shërbim të vendit. Çetës partizane “Çerçiz Topulli”, ku aderoi Mitat Kondi ishte formacionit të parë partizan të krahinës së Kardhiqit. Kjo çetë ishte pjesë e koalicionit të madh antifashist Anglo-Sovjeto-Amerikan, që bashkë me të gjitha formacionet e tjera partizane shqiptare të çetave, batalioneve, brigadave e divizioneve të UNÇSH-së shkruan faqe lavdie e trimërie në historinë e luftrave dhe fitoreve të shqiptarëve. Djemuria e krahinës u bashkuan me nismëtarët e krijimit të çete si Dilaver Poçi/ me pseudonimin e luftës “Çakalli”, Gani Haloçi me pseudonim “Ustai”, Mitat Kondi me pseudonim “Elefanti”, Ago Topulli, Islam Poçi, Hariz Shalari, Nimet Veliu, Neshat Kondi, Neshat Kaca, Hajro Skreli, Mehmet Skreli, Demir Kadëna, Thoma Pano, Sadik Xharro, e të tjerë, një brez atdhetarësh luftëtarësh e patriotësh që u vetëvendosën në sprovë dhe morën përsipër një barrë të madhe dhe me përgjegjësi të madhe përpara kombit dhe historisë. Fushëbardha, Zhulati, Prongjia, Kardhiqi, Plesati, Mashkullora, Humelica, Palokastra si dhe fshatrat përtej lumit “Belica”/lumit të Joshe si Shtëpëzi, Picari, Kolonja, Medari, Gropa e Barxhit, Golemi e Kaparieli u bënë fshatrat që ndezën pishtarin e luftës për çlirim dhe u organizuan fuqishëm rreth idesë së madhe të çlirimit. Mitat Kondi ishte pjesë e trupëzuar e çetës “Çerçiz Topulli” të krahinës së Kardhiqit e para çetë e krahinës, që i dha shpresë popullit të shtypur dhe të vuajtur jo vetëm nga skamja dhe varfëria por dhe nga çizmja e rëndë e pushtimit, e pushtimeve që nuk ju sosën shqiptarëve. Emërtimin e kryetrimit Çerçiz Topulli ja vunë në Prongji në marsin e 1943-it. Krijimi i çetës partizane “Çerçiz Topulli” i dha rastin krahinës ta përkujtojë si ngjarje madhore, dhe ta nderojë me respekt të veçantë dëshmorët e krahinës që derdhën gjakun për liri si dhe gjithë luftëtarët që sakrifikuan aq shumë, por dhe gjithë popullin e krahinës së Kardhiqit që i dha gjak, frymë e mbështetje kësaj çete që shkroi histori me lavdi. Mitat Kondi dhe djemtë e Zhulatit e kryen me sukses misionin historik. Çeta “Çerçiz Topulli” u bë shpresë për popullin dhe tmerr për armikun. Misioni i Çetës partizane “Çerçiz Topulli”, mbeti liria, si një emblemë e heroizmit, besnikërisë së idealeve të lirisë prandaj mbeti edhe emërndritur në historinë e LANÇ-it, pasi ajo luftoi me emrin çetë për 239 ditë, zhvilloi beteja në dy qarqe të Gjirokastrës dhe të Sarandës, ku hapësira e veprimeve luftarake ishte në kufij taktikë, të krahasueshme me zonën e veprimit të njësive operative. Nga fshati i Zhulatit ranë Dëshmorë për atdhenë: (1)Axhem Çela, (2)Hasan Çela, (3)Hasan Çerepi, (4)Hamit Pula, (5)Qemal Shabani, (6) Rushan Pula, (7) Mahmut Bedo, ndërsa nga Fushëbardha: (1) Karafil Bello, (2)Sami Golemi, (3)Alem Shehu, (4)Tahir Xhuvani, (5)Baxhul Norra, (6)Gazi Kondi, (7)Zijadin Çarçani, (8)Kutbi Gjeçi, (9)Latife Norra, (10)Nishat Kondi, (11)Xhezo Proda, (12)Cirok Cama, (13)Destan Norra, (14)Tajar Proda, (15)Mato Serjan Mato që të gjithë flamur lirie në rrënjët e kombit shqiptar si dhe krenari krahinore. Për dëshmorët dhe idealet e luftës çlirimtare punoi fuqishëm për lartësimin e figurave të tyre gjithë jetën Mitat Kondi.
Burrat që rriti lufta e madhe Antifashiste partizane e shqiptarëve
Në zjarrin e luftës antifashiste u rritën antifashistët e parë të trevës labe, të Zhulatit dhe mbarë krahinave e trevave rrebele, që e kundërshtuan me armë pushtuesin. Çetat partizane shpejtë u krthyen në batalione me përbashkimin e tre-katër çetave dhe kështu edhe Mitat Kondi nga radhët e çetës u rreshtua në formacionin solit dhe më të fuqishëm luftarak që mbante emrin e heroit të Mezhgoranit “Asim Zeneli”. Batalioni u formua nga çeta “Çerçiz Topulli”, “Hajredin Tremishti”, “Avni Rustemi” dhe “Toto Bolena”. Ky batalion u ngrit më 7 gusht 1943 dhe Mitati por dhe të 540 partizanët e këtij batalioni ja ngritën më lartë lavdinë dhe krenarinë krahinës së Kardhiqit, krahinë që derdhi gjakun e 106 dëshmorëve të kësaj krahine lavdiplotë. Mitati dhe shokët e tij përfaqësonin trimat pushkëbashkuar të të gjithë luftëtarëve të krahinës së Kardhiqit që i bënë nder Labërisë, Gjirokastrës, mbarë truallit shqiptar. Të gjitha këto të dhëna vijnë përmes shënimesh të luftëtarit, partizanit, kuadrove të lartë ushtarakë Dilaver Poçi, Gani Haloçi, Mitat Kondi, Resul Bedo etj., që në fakt i bën nder historiografisë shqiptare dhe veçanërisht asaj ushtarake. Kuadrot luftëtarë të Krahinës mbetën përjetësisht njerëzorë: “Madhështinë e njeriut nuk e bëjnë postet që arrin në jetë, por virtytet, karakteri i tij, ideali atdhetar, familja, të cilave u përkushtohesh”. Lufta çlirimtare e bijëve të popullit për të cilët luftoi edhe Mitat Kondi, i cili bëri që fshatrat e krahinës së Kardhiqit të hapnin dyert e zemrat për çlirimtarët e vërtetë, për partizanët e brigadave partizane që erdhën në krahinën e Kardhiqit si misionarë të çlirimit. Fakt është se, në këtë krahinë të lavdishme janë mirëpritur me zakonin tradicional të shqiptarit, “kripë, buke e zemër”, formacionet partizane të: Br1S; Br.IIIS; Br.VS; BrVIS; Br.VIIS dhe BrXIVS. Ndërkohë që pas disa muajsh luftimesh dhe pasi ishte krijuar SHP i UNÇSH dhe fillimi i krijimit të formacioneve të mëdha sikurse ishin Brigadat Partizane Mitat Kondin e gjejmë partizan në nëntor 1943 në Brigadën e Dytë Sulmuese.
Biri i Zhulatit në brigadën partizane që u krijua në ditën e flamurit në Shëngjergj
Riorganizimi dhe ngritja e formacioneve të mëdha partizane i dha hov të ri luftës kundër pushtuesve. Që në tetor të 1943-it në dispozicion të BrIIS. Historia e BrIIS është historia e luftës dhe e përpjekjeve të atyre bijve dhe bijave shqiptarë që erdhën në gjirin e kësaj njësie nga zona dhe krahina të ndryshme të Tiranës, Elbasanit, Gjirokastrës, Mallakastrës, Kurveleshit, Kolonjës, Librazhdit etj. Këta bij të thjeshtë të popullit vullnetarisht lanë vatrat e qetësinë e tyre familjare dhe u bashkuan me familjen e madhe partizane ku luftuan me trimëri e vetmohim në emër të çështjes të çlirimit kombëtar dhe shoqëror të popullit. Dhe një ndër kuadrot e kësaj brigade ishte biri i Krahinës së Kardhiqit Mitat Kondi. Brigada II Sulmuese u krijua me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, më 28 Nëntor 1943, në fshatin Skrep të Shëngjergjit në rrethin e Tiranës, në ditën simbol të kombin tonë, në ditën e shpalljes së pavarësisë. Në inaugurimin e Brigadës mori pjesë drejtuesit më të lartë të SHP-së. Komandanti i Përgjithshëm Spiro Moisiu i dorëzoi flamurin luftarak komandantit të Brigadës Beqir Balluku. Brigada II Sulmuese, ishte organizuar më tre batalione dhe kishte 450 partizanë. Kjo brigadë jo rastësisht u formua në Shqipërinë e Mesme, në afërsi të kryeqytetit, në zemrën e reaksionit më të tërbuar. Koha, vendi dhe situata në të cilën lindi BrII Sulmuese karakterizohej nga një sërë vështirësi serioze, dimër dhe zona ku vepronin partizanët ishte ndër më të varfërat. Formacioni ku shërbeu Mitat Kondi ishte bërë tmerr për armiqtë dhe shpresë për popullin. Ishin 43 partizanë të kësaj brigade që ranë në fushën e betejës si për të mos vdekur kurrë si: Kozma Naska, Besim Imami, Alqi Kondi, Shejnaze Juka, Kostandina Gaçe, Neshat Kondi, Kleanthi Manastirliu, Nazmi Gaba, Raqi Themeli, Sul Misiri, Llazar Mango, Jaçe Hormova, Ymer Demiri etj. Brigada II S më 14 dhjetor 1944, vetëm dy javë pas çlirimit të hapësirës administrative shqiptare, u rreshtua në Divizionin VII Sulmues së bashku me Brigadën IX dhe Brigadën XX duke marrë pjesë në Korparmatën II dhe pas çlirimit të vendit në Korpusin II me qendër në Berat. Rrugëtimi luftarak i kësaj brigada u shkrua me gjak e sakrifica të panumërta dhe ngeli flamur lirie dhe krenarie për brezat. Në çdo apel të Brigadës nuk mungonte sigurisht dhe nuk do të mungojë kurrë një bir i shquar i labërisë: Mitat Kondi. Ai nuk do të mungojë pasi në këtë Brigatë u ngarkua me detyra të ndryshme si Komandant Kompanie, zv/komandant Batalioni, Komandant Batalioni, zv/ Komandant Brigade. Mitat Kondi mori pjesë në veprimet luftarake të kësaj brigade në zonat e Elbasanit, Tiranë, Librazhd, Dibër e Madhe, Maqedoni, Mat, Krujë, Ishëm, Pezë, Korçë, Përmet, Leskovik, Kolonjë, Devoll etj. Pas çlirimit të Atdheut sikurse gjithë bashkëluftëtarët dhe fitimtarët e luftës Mitat Kondi përveshi llërët për ta dhënë kontributin denjësisht si kuadër i lartë i Ushtrisë Popullore në periudhën me grada, por edhe pa grada ushtarake pas heqjes së tyre më 1 maj 1966, deri në daljen në pension. Për punë të mirë dhe të përkushtuar Mitat Kondi u vlerësua me urdhëra, medalje e dekorata të ndryshme përgjatë karrierës së gjatë ushtarake si medalja e trimërisë, Dekorata e kujtimit, Medalja e 10 vjetorit të çlirimit, Medalja Ylli i kuq, si dhe mjaft vlerësime të tjera. Por mbi të gjitha Mitat Kondi nuk punoi për tituj e medalje por ishte dhe mbati një kontribues i shquar në të nëntë dekadat e jëtës së tij. Mitat Kondi është padiskutim një personalitet i shquar i trevës së Labërisë si dhe emrin e tij meriton të shkruhet i ndritshëm në Zhulat e Fushëbardhë, në krahinën e Kardhiqit dhe të Rëzomës, në të dy këto krahina që qëmtoi plot finesë më shumë se 700 vargje këngësh, që përllogariten të jenë kënduar të paktën në pesë shekujt e fundit.
“Supet më ngrihen në majë” – vargëzim i gjallë jete, historie, trimërie dhe lavdie
Vjersha të thurura në “teatrin e veprimeve luftarake” për çlirim të Atdheut
Mitat Kondi ka publikuar në organet e shtypit periodik shqiptar veçanërisht ato ushtarak dhe të kulturës e trashëgimisë kulturore për zonën e Krahinave të Kardhiqit dhe Rrëzomës dhe më gjerë për trevën e Labërisë. Është shquar në mbledhjen e folklorit dhe nën kujdesin e tij është botuar vëllimi “Këngë popullore nga rrethina e Kardhiqit dhe Rrëzomës” në vitin 1987. Është marrë gjatë me përgatitjen e studimeve monografike për zonën e Krahinës nga kishte origjinën dhe njohjet më të thella dhe më të gjera. Fakt është se libri “Supet më ngrihen në majë” është një biografi luftarako-periodike që nga vlerat është mjaft aktual. Lexuesi gjen një jetë në vargje në vjershërimin që fletët i ka zjarr e barot, siç janë “Biografi lufte, Dëshirë me lot, Shkreptimë, O mëmëdhetarë, Thyerje e urdhërit, Mbrojtje e tradhëtuar, Një mëndje, një qëllim kanë, Mall mëmëdheu, Tek sheshi në Baltëza, Qaj me lot trimin e rrallë, Me pushkë e penë, Heroi i lirisë, Kohët e Kuçit, Të ngrihemi të gjithë në këmbë, Çeta Çerçiziane, Çeta me flamur në ballë, O burra të hidhemi, Rënkim kalaje, Ne do të mbajmë vatanë, Re si bien burrat, Kalaja e Beratit, Është luftë e vegjëlisë, Ditë flamuri, O Elbasani në gropë, O lumi i vogël në Brarë, Ti moj Krujë e Kastriotëve, O moj Peza heroike, Në Pezë duke luftuar, Flaka e lirisë, Dil, nëno, Trimi i diturisë, 24 Maj, Frymëzim për trimëri, Bilbilit të stuhisë, Trimëri kryeqyteti, Demajt e Labërisë, Kurvelesh armëngjeshuri, Dëshmor ti, dëshmor i ati, Dëshmi trimërie, Devolli buzë kufirit, Dëshmia e trimërisë, Mal në këmbë, Ushtrisë, Jam tek ty, Kosova ime, Kufijtë e mallit”. Për Mitat Kondin ka folur, flet e do të flasë siç edhe do të shkruaj historia. Ndërkohë që profesor Kristaq Shabani thotë se, “Paraardhësit tanë për të jetuar të lirë në tokën e tyre nëpërmjet përpjekjeve shekullore treguan trimëritë, bëmat e tyre dhe pasuruan traditën atdhetare, duke e përcjellë në breza. Ata krijuan simbolin e Kombit: Flamurin me shqiponjën dykrenore, të vendosur në një fushë gjaku. Në epopenë e madhe të Luftës Nacionalçlirimtare këtij simboli iu shtua dhe një yll, të cilin e mbajtën në ballë luftëtarët që sollën lirinë. Ky simbol pasqyroi vetmohimin e nëzetëetetë mijë dëshmorëve. Ishte diçka prekëse, kur Mitat Kondi m’u drejtua me disa fletë të zverdhura nga “mosha”, por të shndritshme nga përmbajtja. Emocioni në kësisoj rastesh të rrok tejësisht, të prek, kur kundron këto dëshmitare okulare historike, vjersha, të thurura në “teatrin e veprimeve luftarake” për çlirim të Atdheut. Ishte histori lufte çlirimtare e vjershëruar. Një rast i mirëfilltë dhe episodik në këto vite, kur dëshmitarët okularë të epopesë kanë mbyllur sytë. Mitat Kondi dhe vjershat e tij të thurura në flakë baruti, në përleshje grykas, thonjaz dhe në luftime të ashpra trup me trup me kundërshtarin real, në momente ngadhnjimi, apo rënie shokësh, shoqesh; në përjetime ngjarjesh të mëdha – buqetë trimërore, janë një thesar i pallogaritshëm. Ato janë ditar poetik i një ecurie luftarake dhe bashkëbisedim i çuditshëm, i natyrshëm i të thururit, i të kënduarit, i të medituarit, i natyralitetit burimor të rrëfenjës së guximshme, i të thururës gërshet i vargut mbi një tabanizim të ndritshëm strukturor popullor. Vargjet lindin dhe puthiten lehtas, pa artifice dhe mundime të mëdha. Mitat Kondi ka lindur që të thurë vargje të tilla, të cilat paçka se të thjeshta shkaktojnë emocione të thella dhe të shtojnë rrahjet e zemrës. Janë vjershërime të një stili të veçantë historik, ku vargëzimi natyral plotësohet edhe me shënime po historike me vlera të mëdha, duke dhënë një kontribut për shpjegim të ngjarjeve, fenomeneve dhe proçeseve historike. Nëpërmjet tyre çdo lexues do të njihet edhe me gjeografinë e trevës së Kardhiqit, Gjirokastrës dhe gjithë vendit. Pa dyshim mund të them se këto vjersha kanë e rrokin sipërfaqe të madhe mendimore si dhe pronësohen nga të gjithë brezat. Këtu gjen veten, shëmbëlltyrën dhe ngjasimin çdo moshë e sotme dhe e nesërme. Kodifikimi poetik dhe gjeografik, është një karakteristikë tjetër. Vijueshmëria historike e një krijuesi, i cili paçka se me fuksione nuk e ndan nga vetja majën e mprehtë të lapsit. Mitat Kondi ka jetuar jetën me veprimin, dramacitetin, tragjedizmin, lumturinë, hidhëresën, besueshmërinë, zhgënjimin dhe përfytërim-realizmin të ndërtuar sipas konceptit dhe bindjes së tij. Është me vlerë të theksojmë se ai jo vetëm që ka qëmtuar sipas stilit të tij ndodhitë e Luftës së Madhe, por ka hedhur edhe përjetimet pas Luftës. Shpirti i tij është edhe lirik ku në disa vjersha spikat kjo aftësi në thurrjet lirike me lartësi ideoemocionale e të ngarkuara me figura popullore të ndritshme. Është i shquar si hulumtues, mbledhës i folklorit popullor dhe puna e pasqyruar në librin e tij enkas për këtë sferë, fushë ka realizuar që dhe ky vëllim poetik të mbartë ngarkesa të fuqishme. Vëllimi poetik i është njëherazi dhe një biografi e Mitat Kondit, që e lot këtë rol nga strukturimi i poezive të tij. Ambjenti gjirokastrit dhe jo vetëm e kërkon ashtu të drejtë të qipariztë dhe me vjershërimin e tij të ëmbël e domethënës”, shkruante për Mitat Kondin, profesor Kristaq Shabani shkrimtari ynë i mirënjohur në prillin e 2001-it.
Mitat Kondi, që kur ishte fëmijë u rrit mes legjendash dhe historish nga më të lashtat të kombit shqiptar. Ishte privilegj lindja në Zhulatin e Historisë, që të frymëzon historia e lashtë dhe natyra e jashtëzakonshme që të fton në cdo kohë në misteret e pafundme. Kështu këtu Mitat Kondi ishte shumë i mirëinformuar në lidhje me kronikat e vjetra të fshatit Zhulat dikur e përmendur atë si “Julius”, por dhe “Zhul” diku ndryshe, por që thelbi nuk ndryshon. Mbi Zhulatin hodhën vështrimin spanjollët, bizantinët, venedikasit që kanë qenë të interesuar, jo aq shumë për vetë Zhulatin, se sa për pronat e banorëve të Zhulatit përgjatë bregdetit Jonian, fushat e luginës së Rrëzomës, mbi gjithë pellgun e begatë të Delvinës. Historiani dhe udhëtari i njohur osman, Evlia Çelebi, shkruan se, “..Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, ka dyqind shtëpi të vendosura pranë një fortifikimi natyror tepër mbrojtës. Shpatet e maleve dhe kodrave përreth tij ishin të mbuluara me vreshta. “Banorët e tij merren me shkëmbime të produkteve të zejtarisë me qytete të tjera brenda dhe jashtë krahinës… Kështjellën e Zhulatit e ka themeluar mbreti i Spanjës, kur këta banorë ishin aleate të tij. Por më vonë, me dredhi e shtiu në dorë Duka i Venedikut e më pas në shekullin e Bajazitit të Shenjtë, e zaptoi Gjedik Ahmet Pasha. Ajo ngrihet drejt qiellit në mënyrë madhështore. Kështjellë e pashembullt në bukuri, të cilës mund t’i përngjasë ajo e Kordusit ose jo e Benefshes në Peloponez”. Këto të dhëna por edhe dy Kuvendet e Idriz Sullit, shartet e qindra ngjarjeve e mistereve historike të trevës së Zhulatit nga Ura e Kardhiqit e deri në Qafë të Breshërit pranë Sarandës lanë një përshtypje të thellë tek Mitat Kondi, që këtë hapësirë gjeografike dhe shtrirje të banorëve e vuri në fokus të kërkimit dhe mbledhjes derdë më derë e oxhak më oxhak të të gjithë këngëve dhe valleve që këndoheshin në Labëri në dy krahina të saj, një punë e rrallë dhe shumë e vlerësueshme edhe nga profesorë të fushës së etnografisë, folklorit e më gjerë.
Një libër vlerë: 543 këngë në 626 faqe
Në duart e lexuesit shqiptar ka një libër si buqetë me këngë të Mitat Kondit të titulluar: “Këngë popullore nga rrethina e Kardhiqit dhe e Rrëzomës”, Vëllimi 5, “Mbledhës të Folklorit” të përgatitur në vitet 1976-1983 nga Miat Kondi dhe të publikuar nga Instituti i Kulturës Popullore (në atë kohë në vartësi të Akademisë së Shkencave të RPSSH) me redaktor të talentuarin Foto Malo. Në këto radhë le tja lëmë fjalën ish-Sektorit të Prozës dhe të Poezisë të Institutit të Kulturës Popullore, që konsideracionet e tyre për librin vijnë të gjalla edhe pas rrethy katër dekadave: “Lugina e lumit të bardhë, sikurse e quajnë luginën malore ku përmblidhen fshatrat e rrethinës së Kardhiqit, shtrihet rrëzë shpatmaleve të larta dhe zbret kodrinave, në gryka e lugina, në veriperëndim të qytetit të lashtë të Gjirokastrës. Kardhiqi ka karakteristika të përbashkëta me Rrëzomën. Sipas traditës, gjashtë nga shtatë fshatrat e kësaj të fundit janë me prejardhje pjesërisht ose tërësisht nga rrethina e Kardhiqit. Të dy këto rrethina kanë pasë marrëdhënie të vazhdueshme me njëra tjetrën: marrëdhënie ekonomike, martesore, administrative. Muajt e dimrit blegtorë të krahinës së Kardhiqit shtegtonin në Rrëzomë. Në të kaluarën kanë qenë varur prej të njëjtave qendra administrative, herë prej Delvinës, herë prej Kurveleshit e herë prej Gjirokastrës. Rrëzoma e Kardhiqi janë ngjitur dhe në shpinë të njëra-tjetrës: Rrëzoma me ballë e shikim nga Delvina e Saranda, nga jugu e deti, Kardhiqi me ballë e shikim nga Gjirokastra e Bogazi i Tepelenës, nga veriu e lindja, dy drejtime nga ku u ka ardhur gjithmonë rreziku i pushtuesve të huaj, forcat ndjekëse e ndëshkuese etj. Këto rrethina kanë ruajtur lidhjet dhe bashkëpunimin jo vetëm midis tyre, por edhe më krahinat e tjera të vendit, në mënyrë të veçantë me krahinën e Kurveleshit, me qytetin e Gjirokastrës e të Delvinës e me disa fshatra të Bregdetit të Sarandës. Ato i kanë hequr shpesh herë së bashku hallet, duke i dalë krah njëri-tjetrit në luftëra e përpjekje kundër të huajve, pa marrë parasysh asnjë sakrificë dhe kanë mbrojtur trojet e zakonet e përbashkëta, jetën e lirinë me pushkë e me penë. Në këto dy rrethina përmendim Cepua e kuvendeve dhe e luftrave të rrepta, Kodrat e Jomenit, Mashkullora, Kardhiqi, Taroninë, Qafa e Skërficës, Kamenica, Palavlia, Llakaturi, Kaparjeli, Skotinia etj. Nga këto vende, jo vetëm janë pritur e goditur rreptë armiqtë, por në disa prej tyre, të mbrojtura e të maskuara nga vetë natyra, tepër të thepisura, me hyrje e dalje të kufizuara e të fshehta, kanë gjetur strehim në kohë rreziku luftëtarët, popullsia, të plagosurit, gjëja e gjallë, ushqimet etj. Këtej kanë dalë njerëz të shquar të pushkës e të penës: LalëMadhi, Petro Zhulatit, Idriz Sulli, Myrteza Sulli, Çobo Golemi, Çelo Picari, Osmën Kuci, Idriz Alidhima, Bajram Ligu, Avdul Mersini, Zeman Mashkullora, Halil Sullo, Jonuz Kuci, Nazif Hadëri, etj. Këta trima nuk kanë vepruar të shkëputur, po në krah të njëri-tjetrit dhe të luftëtarëve të krahinave të tjera, si: Zenel Gjolekës, Tafil Buzit, Hodo Nivicës, Bilbilenjve, Gjikë Thanasit, Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit, Çerçiz Topullit, Selam Musait, Muharrem Rushitit etj. Fshatrat e të dy këtyre rrethinave kanë dhënë kushtrimin e kanë zbritur në Cepo, Palavli, Koqinovë, Delvinë, Tepelenë, Çamëri dhe kanë luftuar krah për krah. Në fshatra të mbrojtura prej tyre kanë vepruar e janë strehuar atdhetarë nga Gjirokastra, Delvina, Çamëria e vise të tjera. Të gjitha sa u përmendën, kanë bërë që njerëzit të jetojnë me ngjarje të përbashkëta historike e të këndojnë për to, të japin e të marrin përsa i përket pasurive të folklorit. Në pjesën më të madhe të këngëve që paraqiten në këtë libër-vlerë të Mitat Kondit, populli u ka kënduar heroizmit masiv, trimave, që u ngritën e udhëhoqën luftërat për liri, vendeve ku janë zhvilluar ngjarjet, majave, qafave, honeve, pyjeve e luginave që janë bërë në çdo kohë e situatë mburojë e mbështetje e sigurtë e luftëtarëve. Po me zjarr e dashuri është kënduar edhe për dashurinë, nënën, fëmijën, bariun e bareshen, bujkun apo për pyllin, lulet, lumin etj. Janë fshikulluar dembeli, vjedhësi, paraziti, servili, njeriu me vese. Mjaft këngë që këndohen në këto dy rrethina, njihen e këndohen në qytetin e Gjirokastrës e të Delvinës dhe në fshatra fqinje ashtu si edhe anasjelltas, këngë të këtyre të fundit njihen e këndohen edhe në Kardhiq e Rrëzomë. Lidhjet e ngushta ndërkrahinore, kanë sjellë dhe qarkullimin dhe lëvizjen e këngës nga njëra rrethinë tek tjetra dhe kanë ndikuar në kristalizimin e tipareve të përbashkëta në tematikë dhe në mjeshtërinë e thurjes së vargjeve. Në tërësinë e tyre këto këngë paraqesin një pjesë të lulëzuar të botës folklorike shqiptare. Siç shihet, aty zënë një vend të rëndësishëm këngët epike, këngët që u bëjnë jehonë përpjekjeve për çlirimin kombëtar dhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të Atdheut, qëndresës kundër shtypjes klasore, shfrytëzimit ekonomiko-shoqëror. Si një vatër e ndezur e LANÇ-it, edhe këngët për ngjarjet e saj janë të shumta. Nga fusha e lirikës vend kryesor zënë këngët e dashurisë dhe të dasmës. Në rrethinat e Kardhiqit e të Rrëzomës ka sot një jetë të gjallë folklorike. Autori Mitat Kondi luftëtar i rreshtave partizane, veteran i LANÇ-it, i apasionuar pas këngës popullore. Mitat Kondi ishte lindur më 9.1.1919 në fshatin Zhulat të krahinës së Kardhiqit në një familje të varfër me tradita patriotike. Në rini ka punuar si blegtor, qiraxhi, punëtor në mirëmbajtjen rruga etj. Që në verën e vitit 1942 u lidh me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, u aktivizua edhe me armë në dorë në njësitin e krahinës dhe në çetën “Çerçiz Topulli”. Mbas Çlirimit ka shërbyer për një kohë të gjatë me detyrën e oficerit të Ushtrisë sonë popullore. Në vitin 1962 mbaroi studimet e larta në degën e historisë të Fakultetit Histori-Filologji. Që në fëmijëri u ushqye me traditat dhe këngët popullore të vendlindjes, të cilat i praktikoi dhe vetë. I pëlqenin më shumë këngët e trimave, ato që flisnin për ngjarje të ndryshme historike, për përpjekjet e popullit për liri e pavarësi, megjithëse i donte dhe i mësonte me qejf edhe këngët lirike, sidomos ato që i këndonin së bukurës. Mitat Kondi ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me fshatrat e Kardhiqit e të Rrëzomës, lidhje familjare e miqësore, por edhe lidhje pune. Në këto rrethana ai është bërë njohës shumë i mirë i pasurive folklorike dhe i ngjyrës së të folmes së atyre rrethinave. Duke u aktivizuar vazhdimisht në gjurmimin e vlerave folklorike të këtyre rrethinave, grumbulloi një material të pasur që bëri të mundur paraqitjen e tij në një libër të veçantë. Mbledhjen e këngëve e ka filluar prej kohësh, por kërkimin sistematik e ka zhvilluar midis viteve 1976-1983. Është mbështetur kryesisht në brezin e vjetër, por nuk ka lënë mënjanë edhe brezin e ri. Kemi të përmbledhura në këtë vëllim këngë që janë kënduar edhe në krahina të tjera. Ka midis tyre edhe ndonjë krijim të ri për ndonjë ngjarje a personazh të së kaluarës. Në regjistrimin e këngëve është ruajtur me kujdes origjinaliteti dhe ngjyra gjuhësore lokale. Në fund të secilës këngë shënohet vendi dhe viti i mbledhjes. Renditja e materialit është bërë sipas kritereve gjinore dhe kronologjike. mrekullueshme artisti artistike. Me lëndën e pasur e të larmishme vëllimi do të ndihmojë për nxjerrjen në dritë të thesareve të të kulturës sonë popullore. Fakt është se këngët janë regjistruar siç janë dëgjuar në popull, me veçoritë gjuhësore karakteristike të bashkëtingëlloreve dhe zanoreve krahinore të cilat Mitat Kondi i ka lënë posaçërisht sipas burimit origjinal. Këto karakteristika, në të folurit e këtyre krahinave, ruhen të pastra në këngën popullore tradicionale, kurse në këngën popullore bashkëkohore vihet re evoluimi drejt shqiptimit dhe konstrukteve simbas normave të gjuhës letrare. Mbledhësi i Këngëve Mitat Kondi e pasuroi më tej serinë e “Mbledhësve të folklorit me një vëllim me interes për edukimin ideoartistik e revolucionar të punonjësve.