Zija Basha: Mësuesi i Violinës, Polo Xhori
Ne ish nxënësit e pedagogjikes “Pandeli Sotiri” të qytetit të Gjirokastrës në fillim të viteve 60-të të gjithë e mbajmë mend dhe e kujtojmë me respekt e dhembshuri mësuesin tonë të violinës e mandolines, Polo Xhorin. Ishte mbi 35 vjeç kur la Amerikën e u kthye në Shqipëri me mallin për atdheun në gji, Lunxhërinë dhe fshatin e dashur të tij Labovën e Odries. Ngjiste e zbriste shkallët e shkollës sonë fytyrëqeshur, i veshur bukur me një kostum kafe, këmishë të bardhë si borë, kravatë të kuqrreme. Mbante një kapele që nga sipër kishte disa trekëndësha që bashkoheshin të gjithë në një pullë. Ishte kapele karakteristike e amerikanëve që erdhën në Shqipëri në fund të viteve 50-të. Një ditë na u shfaq në klasë si një zotëri i vërtetë, por buzagaz e me shumë mirësjellje na tha: Jam mësuesi i violinës dhe mandolinës, vegla mësimore që do t’i mësojmë së bashku sipas programeve mësimore.
Na takoi të gjithëve, djem e vajza, një e nga një. Pastaj së bashku shkuam në kabinetin e veglave muzikore ku na njohu me violinat, mandolinat, prodhim vendi e sovjetik, fizarmonika gjermane e çeke, kitara. Sipas dëshirës u ndamë në dy grupe, violinë e mandolinë. Shumica donin violinën, por u përballëm me vështirësitë e përdorimit të harkut, shumë nga ne preferuam mandolinën. Profesor Polua, siç e thërrisnim me respekt, qe shumë i përkushtuar të na mësonte këto vegla muzikore për të fituar shprehi praktike, krahas punës së njohjes së teorisë se ndryshe pa të ktheheshim në “vjolixhi”. Mësimin e fillonim me kurdisjen e veglave muzikore. Ai gjithmonë mbante me vete një disk të vogël me shumë ndarje në anët sipas notave me diametër rreth 8 cm e na jipte tingujt e ne shtrëngonim telat sipas tingujve të njohur të 4 telave -mi-la-re-sol. Mundohej të na jepte shprehitë ë përdorimit të veglave duke e ndjekur atë në të gjitha veprimet që bënte me veglën e tij duke ruajtur rregullin e qetësinë e nevojshme në mësim. 15-20 minutat e fundit të orës ai merrej me anën teorike të problemeve e vërejtjet për ecurinë e mësimit. Në minutat e fundit, për të na futur sa më thellë dashurinë për muzikën e botën magjike të saj, luante në mandolinë polka e mazhurka e në violinë pjesë libretesh nga kompozitorët e shquar me famë botërore si Verdi, Puçini, Bahu apo Shopen. Po “oreksi vjen duke ngrënë”, thotë populli. E ne viheshim në lëvizje duke qëmtuar nëpër faqet e enciklopedive që kishim në bibliotekën e shkollës të pjesëve nga kompozitorët e tjerë evropianë, gjermanë e italianë sidomos, por edhe dy kompozitorët e mëdhenj rusë Çajkovski e Glinka. Po profesori i papërtuar qe në lartësine e tij profesionale e ne na falte me interprentimin e tij çaste emocionale. Kompozitorët e famshëm italianë Xhuzepe Verdi, Xhakomo Puçini, Belini, Rosini e Vivaldi qenë bërë të shtëpisë në klasën tonë se profesori na tregonte e interpretonte veprat e tyre, dallimet midis tyre e kur vinin operat e tyre në kinemanë e qytetit na rekomandonte të venim t’i shikonim e ishte prezent me ne në sallën e kinemasë kur shikonim “Rigoleton”, “Traviatën”, “Nabukon” e “Aidën” e Xhuzepe Verdit në variantet e vjetër. Teorinë e muzikës na i jepte i paharruari, kompozitori i ardhshem Ferdinand Deda, por ai pas ca kohe shkoi me studime në Pragë në konservator. Profesor Polua e çmonte shumë profesor Ferdinandin si një talent i rrallë në teorinë e muzikës e në veçanti në fizarmonikë, në mënyrën perfekte të përdorimit të gishtave në tastierë, për të dhënë nota të sakta me ëmbëlsi e dëgjim të këndshëm të melodive. Ne profesor Polua na dha dashurinë për artin e muzikës, njohuritë për atë e na mësoi si të punonim të pavarur çdo mbasdite për të fituar përvojë në interpretim, duke forcuar shkathtësitë e shprehitë në leximin e partiturave të pjesëve muzikore, zgjedhjen e tarantelave e mazhurkave italiane e përgjithësisht europiane nga enciklopeditë. Një ditë profesor Aleko Panua që zëvendësoi profesor Ferdinandin në teorinë e muzikës, na foli për kompozitorin e madh hungares Franc List e artin e muzikës së tij. Ne shkuam tek profesor Polua për të ndjerë shijen muzikore të Listit. Profesori qeshi dhe me violinën e tij që ne e quanim famoze për bukurinë e saj e sidomos melodinë e ëmbël të saj filloi interpretimin e një pjese. U mahnitëm e i thamë profesor Polos:
-Sot pamë pemë molle të lulëzuar e mbi degët e saj një tufë zogjsh që cicëronin magjishëm!
Ai na tha: Vërtetë muzika e Franc Listit është e shpejtë në kohë, por shumë e bukur.
Profesor Polua krijoi orkestrën e mandolinatës së shkollës e jepnim koncerte në “Radio Gjirokastra” me këngë patriotike e në koncerte në raste festash në Pallatin e Kulturës së qytetit. Në vitin 1962 profesor Polua shkoi në orkestrën e pallatit të kulturës se qe violinist profesionist i vetëm në qytet. Punën e tij që la gjurmë të thella në pedagogjike e vazhdoi mësuesi tjetër i përkushtuar, i paharruari Vaso Buka nga Dhroviani. Shkolla e atëhershme pedagogjike, veç përgatitjes së gjithanshme të mësuesve i përgatiste edhe si muzikantë të mirëfilltë që u duheshin shumë shkollave 8-vjeçare të Shqipërisë në jug të vendit. Prandaj shumë mësues punuan edhe si muzikantë për ato shkolla apo grupe shkollash. Veçoj kolegët e mi Dasho Dalipi, Harillo Bita, Vahit Brahimi, etj apo të talentuarit që vazhduan me bazë pedagogjike konservatotin si Anastas Kuremeno, Kosta Loli, Foto Papai nga rradhët e minoritetit që të tre të spikatur për dirigjim.
Si është jeta e njeriut!
Profesor Polua erdhi nga Labova e Odries në Amerikë djalë i njomë, por me dashuri për jetën me dinjitet dhe mësoi artin e muzikës në kushtet e pakufizuara të një shoqërie të lirë demokratike. Atdhedashuria e shpuri në Shqipëri ku punoi mbi 30 vjet me përkushtim. Krijoi familje të re me një zonjë shqiptarkë e zoti i fali dy djem të mrekullueshëm. Njeri, Stefani u bë violinist si i ati, por i lakmuar në disa orkestra për talentin e tij, tjetri Jorgua u bë matematikan i talentuar që ka biznes të fuqishëm. Sepse pas viteve 90-të familja përsëri emigroi në Amërikë me profesor Polon në krye. Hëre pas here flas me atë në rrjete sociale. Ndonjëherë me ka folur edhe me meloditë e violinës famoze. Por e merr malli për Shqipërinë e dashur, Lunxhërinë e bukur dhe Gjirokastrën, por e ‘griu’ malli edhe “për të bukurën Odrie, gjithe lisa, gjithë hije”. Jetojnë lumturisht në Filadelfia të dy djemtë e profesorit me familjet e tyre. Natyrisht babai e nëna janë lezeti e krenaria e familjes së madhe. Sot më 11 janar 2021 Polo Xhori mbushi 100 vjeç. Ne pedagogjikasit i urojmë shëndet, gëzime e lumturi, jetë të gjatë sa t’i dojë e bardha zemër me të shoqen, djemtë e familjarët e tyre. U shtofshin e u shumofshin.