Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Scanderbeg – një hero dhe për frankët

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ky hero i madh shqiptar, nuk i përket vetëm Shqipërisë e shqiptarëve të të gjithë trevave. Skënderbeu është një hero që hyri plot lavdi në historinë europiane dhe mbeti i tillë jo vetëm në librat historikë për trimërinë, forcën dhe si burrë shteti por dhe si një referencë e mbrojtjes së Europës, atëherë kur qytetërimi i saj mijra vjeçar vihej në pikëpyetje nga dyndjet osmane. Francezët, ashtu si popujt e Italisë në fillim por dhe gjermanët pas francezëve, ishin nga të parët që e kthyen këtë hero në një referencë të tyre historike. Dhe jo vetëm. Në listën e gjatë të botimeve historike për Skënderbeun në Francë, studjuesi i njohur Emile Legrand ka renditur një sërë librash kushtuar heroit. Një pjesë të tyre ai i gjeti në bibliotekat e vjetra të Francës, të tjera i kishte gjetur në bibliotekën e mikut të tij Aleandro Kastriota, i cili në fillimet e shekullit XX banonte në Paris dhe kishte një bibliotekë të famshme, e cila më pas humbi pa gjurmë. Por sidoqoftë, veç librave historikë, në shekujt XVI-XVII letrarë të shumtë iu drejtuan figurës së Skënderbeut duke e trajtuar atë herë në mënyrë historike, mbështetur në librin e Marin Barletit, e herë në mënyrë të lirë, një lloj mpleksje e historisë me krijimin letrar, ku shpesh janë letraret gra që i referohen kësaj figure me një përkushtim të çuditshëm. Një nga ato ishte dhe Anne de la Roche-Guilhem (1644-1707), një protestane nga Rouen që jetonte në Paris, e cila botoi në Amsterdam librin Le Grand Scanderbeg (I madhi Skënderbe) si një romancë historike, ku personazhet rreth Skënderbeut janë Araniti dhe vajza e tij, Topiajt, Kont Urani, etj. Një tjetër shkrimtare është dhe Marie-Catherine Desjardins e mbiquajtur Madame de Villedieu (1640-1683), një vajzë fisnikësh, poete dhe dramaturge, e cila e ka Skënderbeun si personazh të librit “Historia e sarajeve të Muratit II”, botuar ne vitin 1670. E padyshim lexuesi i sotëm çuditet që femrat letrare franceze e kanë shfrytëzuar figurën e Skënderbeut nisur jo vetëm nga origjinaliteti i figurës dhe prurja e tij historike, por dhe viriliteti i tij mashkullor, si një kalorës që u kujtonte heronjtë e legjendave kalorsiake të “Chanson de Roland”, etj.
Shumë libra të tjerë historikë janë shkruar nga kronistë e historianë francezë, nga letrarë, libretistë e dramaturgë. Në fondet e Bibliotekës Nacionale të Parisit, gjenden një mori librash mbi Skënderbeun, që u përkasin gati pesë shekujve qytetërim europian. Në studimin e tij Bibliographie albanaise, Emil Legrand shkruan dhe për një sërë librash me vlerë mbi Skënderbeun si Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, De vita moribus as praencipue adversus Turcas, gestis Georgi Castrioti, Scanderbeg, i G. Gaulteron de Cenquois, 1544; Historie de Scanderbeg, Roy d’Albanie, i R.P. Duponcet dhe mjaft botime të viteve të ndryshme të librit të J. de Lavardin, i cili padyshim eshtë nga librat më me vlerë pas historisë së Barletit. Ky «atlet i Krishterimit» hyri jo vetëm në historinë shqiptare por dhe atë të popujve evropianë, duke lënë pas një sërë gojëdhënash, legjendash, rapsodi e këngë epike, që në kohrat më të errta të sundimit otoman do të ndrisnin kujtesën kombëtare dhe ndërkombëtare si flakadanë të pashuar.
I.
Skënderbeu dhe “Duka i Madh” i Perëndimit
Rënia e Konstantinopojës në vitin 1453 dhe fundi tragjik i “basileusit” të fundit të dinastisë së Paleologëve, ishte një nga gjëmat e mëdha që përjetoi Perëndimi në mesin e shekullit XV. Me pushtimin e Konstantinopojës, turqit hapnin “portën” e madhe për të hyrë në thellësi të Europës, edhe pse në Ballkan, hordhitë e tyre i kishin shkretuar tokat e Greqisë, Maqedonisë, apo Shqipërisë. Ndërkohë që Venediku mendonte veç për aleancat me turqit, për të patur të lirë tregëtinë detare dhe ruajtur sa më shumë zotërimet e saj detare në Peloponez, Greqi, apo në ishujt grekë, kur Skënderbeu dhe Huniadi luftonin trimërisht kundër ushtrive të sulltanit, “Duka i Madh” i Perëndimit, (1396-1467), apo i quajtur ndryshe Philippe-le-Bon, (Filipi i Mirë), i Bourgonjë-s, mendonte për të frenuar vrullin e turqve dhe nismën e një kryqëzate të re. Philippe-le-Bon, duk jo vetëm i Bourgonjë-s, por dhe zot i Hollandës, Luksemburgut, Brabantit apo i Hainot, etj, ishte biri i kalorësit të famshëm Jean de Nevers (i quajtur nga historianët dhe bashkëkohësit e vet Jean-sans-Peur, (“Zhani i pafrikshëm”), i cili ishte dalluar ne luftrat e zhvilluara kundër turqve në vitin 1399. Që më parë, duka Philippe-le-Bon kishte dërguar drejt Orientit, në vëndet e pushtuara nga Sulltani, por dhe në vet perandorinë turke, disa kalorës e besnikë të tij që të mund të informohej rreth situatës së re të krijuar në portat e Perëndimit. Midis tyre ishte kalorësi gaskonas dhe shambellan i tij Bertrand de la Broquière, shambellani tjetër Ghillebert de Lannoy, apo kronisti Mielot, i dërguar nga duka gjer larg në Jeruzalem, i cili na ka lënë dorëshkrimin Traktat nga Toka e Shenjtë (Traité de la Terre Sainte). Kronisti De la Broquière (apo më saktë Labroquère, siç pohon historiani Jean Calmette në librin e tij Dukët e mëdhenj të Bourgonjë-s), nuk e ka shkelur vetë Arbërinë, por e ka anashkaluar atë në veri. Nga Franca, ai zbriti në brigjet e Mesdheut e më pas në Venedik, ku kohë më vonë mori rrugën drejt Danubit, duke kaluar nëpër Serbi, madje duke shkelur dhe një zonë minerare të njohur historikisht jo larg Prishtinës dhe të quajtur Novo Brodo apo Neyeuberge në kohën bizantine, sipas studjuesit Schenfer. Qëllimi i tij ishte të vëzhgonte Orientin dhe gjëndjen e ushtrisë osmane, duke përparuar gjithnjë drejt Konstantinopojës. Në raportin e tij Udhëtim përtej Detit (Le Voyage d’Outremer de Bertrandon de la Broquière), ai shkruan edhe për shqiptarët dhe pjesmarrjen e tyre në luftën anti-osmane. I ndaluar në Nicodem, ku ishte kështjella e despotit serb Gjergj Brankoviçi, siç na informon dhe studjuesi Ch. Schenfer, De la Bronquière shkruan se “aty m’u tha se ushtria që Turku kishte përgatitur për të dërguar në Shqipëri ishte shpartalluar”,(Et me fu dist aussi que ceste armée que le Turc faisoit estoit pour aller en Albanie pour ce que les x qu’il y avoit envoyé, luy estant à Lesseres, avoient esté desconfis, ce disoit on…). Kronisti frëng shkruan gjithashtu në raportin e tij se “jam informuar se në ushtrinë e tyre, turqit kanë angazhuar me forcë shumë kristianë grekë, bullgarë, maqedonas, shqiptarë (Albanois), sllavë nga Rasha dhe Serbia, të depotit të Rashës dhe Vllakisë, të cilët, nëse shohin që vijnë këndej ushtritë kristiane dhe veçanërisht frankët e fuqishëm, pikërisht ata do t’i dëmtojnë më shumë turqit, të cilëve do t’u kthejnë krahët, meqë ata i mbajnë shumë të shtypur”, (Il y a aussi, comme j’ay dit par avant, beaucoup de Crestiens qui par force servent le Turc comme Grecz, Vulgares, Macedoniens, Albanois, Esclavons, Rasciens et de Servie subjectz au dispot de Rascie et Wallaques, lesquelz, comme il m’a esté dit, s’ilz veoyent les Crestiens et par especial les François en grant puissance contre le Turc, ce seroient ceulx qui luy porteroient plus de dommaige et luy tourneroient le dos, car il les tient en grant servitude…).
Me qëllim që të krijonte rreth vetes një aleancë kalorësish të sprovuar dhe me emër, në vitin 1454, duka Philippe-le-Bon krijoi urdhërin kalorsiak “Toison d’Or” (“Lëkura e Artë”) në vazhdën e urdhërave kalorësiak që formoheshin ato kohë nëpër Perëndim. Ky urdhër u krijua gjatë një banketi të jashtëzakonshëm në zotërimet e tij, në Lille, në veri të Francës së sotme, ku u organizua dhe festa e madhe që do të mbetej në histori si “festë e shekullit”. Rreth tij erdhën dhe u grumbulluan dukë e kontë të shquar si duka i Cleves, konti i Etampes, zotëria (Sire) i Ravenstein, biri i vetë dukës, konti i Charolais dhe të tjerë kalorës që vinin nga zotërimet e tij në Limbourg, Zelande, Lothier, Brabant, Frise, etj. Historiani francez Emmanuel Bourassin, në biografinë e tij mbi Philippe-le-Bon, e përshkruan gjatë këtë banket, i cilësuar “Banketi i fazanit”, i cili ishte gjithashtu dhe një spektakël i madh i ndeshjeve kalorsiake (tournois). Duka ishte gjithashtu dhe një mecen i madh, pasi ai mbante afër piktorët flamandë si Van Eyck, Van der Weyden apo Hans Memling. Skribë të shumtë shkrojtën «bëmat» e tij në libra lluksozë që mbetën në historinë e shkrimit. Atë ditë, një njeri gjigand solli një elefant mbi të cilin ishte vendosur një maket “fortese” dhe në këtë “fortesë”, dukej një grua në zi. Olivier de la Marche, me etiketën “Kisha”, i kërkon ndihmë dukës. Atëherë kreu i «Toison d’Or» afrohet duke mbajtur në dorë një fazan, i shoqëruar nga dy vajza dhe dy kalorës. Ai i kujton dukës traditën, sipas së cilës duhet paraqitur një shpend, një zog, pallua apo fazan, mbi të cilin do të thuhet dëshira. Duka i jep një pusullë përfaqësuesit të «Toison d’Or», i cili e lexon këtë dëshirë dhe premtim: «Eshtë dëshira e Philippe-le-Bon për të ndërmarrë kryqëzatën». «Kisha» e falenderon dhe gjigandi ikën bashkë me elefantin. Kalorësit ftohen atëherë të ndjekin shëmbullin e dukës, si ata që janë të pranishëm në banket, ashtu dhe fisniku d’Artois, de Hainaut dhe i Flandre-s. Duke marrë fjalën në këtë banket, Philippe-le-Bon u betua se “do të merrte Kryqin për mbrojtjen e fesë kristiane dhe për t’i rezistuar marshimit të të pabesëve të Turkut të Madh.” Në fakt, asnjë figurë tjetër në Perëndim nuk mund ta merrte rolin e një udhëheqësi, apo prijësi luftarak perëndimor. Frederiku III i Habsbourg-ëve s’kishte as fuqi, as paratë dhe as prestigjin e duhur; spanjollët ishin zënë me luftrat e tyre kundër “morëve”; arragonasit në Napoli dhe markezët italianë të Milanit, Ferrarres, Mantovës, etj, grindeshin dhe luftonin mes tyre për çështje territoresh; mbreti i Francës Charles VII, ishte atë kohë i zënë në luftrat kundra Anglisë, në një kohë që dhe vetë Anglia përgjakej nga luftrat e dy “trëndafilëve”, e “Trëndafilit të Bardhë” të York-ut dhe “Trëndafilit të Kuq” të Lancaster-it, (Lufta që shpërtheu midis partizanëve të dukës Richard të York-ut, të cilët si shenjë kishin një trëndafil të bardhë dhe partizanëve të Henri VI të Lancaster, që kishin shenjën e trëndafilit të kuq. Kjo luftë solli gati një million viktima.) Pra ndër personalitetet e vetme që shquheshin në skenën e asaj kohe ishin Philippe-le-Bon dhe Papa i Vatikanit. Historiani Bourassin shkruan se “Rezistenca në Ballkan, kundra turqve, mishërohej vetëm nga dy njerëz: nga Skënderbeu dhe Huniadi”. Madje, siç shkruan dhe Barleti në librin e tij Historia e Skënbderbeut, pas luftës së Dibrës dhe fitores së tij, Skënderbeu u ndihmua me një sasi të madhe parash nga «Papa i Romës, Vladislavi i Hungarisë dhe Duka i Burgonjës, të cilët të vënë në sedër i dërguan një sasi të madhe ari e arghëndi. Alfonsi veç parave, u shtoi dhe 300 mijë shinikë gruri dhe 100 shinikë elbi»…
Profesor Aurel Plasari, i referohet kronikës së Mathieu d’Escouchy, rreth ardhjes në Lille në vitin 1455, të gjashtë turqve të kapur robër, që “duka i Arbërisë i kishte zënë robër mes turqve dhe ia dërgonte dhuratë Dukës së Burgundi-it”, pra dukës së Bourgonjë-s. Madje ai na informon se një vit më vonë “në oborrin e Philippe-le-Bon regjistrohet të jetë ndodhur një nga ambasadorët më të besuar të Skënderbeut, Pal Gazulli (Paulus Gasulus). Kur më 18 korrik të atij viti, Skënderbeu do t’i shkruante Francesco Sforza-s për pritjen që i kishte bërë Pal Gazullit, e përmëndte këtë si “ambasadori ynë në kthim e sipër nga Burgundi – domini Pauli personam nostril tunc oratoris ad Illustrissimum Burgundie Ducem”. Fakti i dërgimit të gjashtë robërve turq (padyshim të rëndësishëm) në kampin e Dukës së Madh të Perëndimit është një fakt domethënës, çka tregon për marrëdhëniet e afërta të Skënderbeut me Dukën. Duka ka nevojë që të informohet drejtpërdrejtë për gjëndjen e ushtrisë së sulltanit, përbërjen, vendosjen e trupave, vëndet strategjike, etj. Papa Kaliksti (Calixte) III, caktoi një pikëtakim për kryqtarët e kryqëzatës në mars të vitit 1456, ku me forcat kristiane, pra dhe të Dukës së Madh, do të bashkoheshin dhe forcat e Skënderbeut. Në atë kohë në Shqipëri erdhën për të luftuar trupat e Alfonsit të Aragonës, por njëkohësisht, siç i referohet Aurel Plasari historianit Marinescu, ka ardhur në Arbëri dhe një mesazher i Dukës së Bourgonjë-s, Sire Montreali, për të luftuar gjatë një viti në Arbëri bashkë me 50 kalorësit e tij. “Duke përmëndur pikërisht këtë kalorës, në një letër të vetën, legati papnor Juan Carvajal shprehte besimin që “tanimë edhe më shumë kryqtarë të tjerë do të dynden për të luftuar në Arbëri”, “(Credendum est, quod propter moram nostrum hic in Guerra incipienda, quod maximus confluxus crucesignatorum in Albaniam concurrat. A. Plasari.) Papa Calixte i shkruante dukës së Bourgonjë-s, në maj të vitit 1459, se “Skënderbeu është si një mburojë e Zotit dhe e fesë katolike” (Acta Albaniae Vaticana). Në atë kohë, sulltani Mehmeti II kishte pushtuar Serbinë dhe i propozoi Skënderbeut një paqe tri vjeçare, që ta shkëpuste atë nga aleanca e Perëndimit. I lodhur nga luftrat e gjata, mendoi se kjo paqe ishte e vlefshme dhe i kërkoi Papës leje që ta nënshkruante këtë marrëveshje, por Papa nuk pranoi dhe Skënderbeu u zemërua, çka e tregoi dhe mes mosmarrjen pjesë në Kuvendin (Dietën) e Mantovës të udhëhequr nga Papa. Por shpejt papa vdiq dhe në vend të tij u zgjodh kardinali i Pavisë, Silvius Piccolomini, apo Piu II. Nisma e kryqëzatës u shty për më vonë. Tri vjet më vonë, siç pohohet dhe në hulumtimin e bërë nga historiani Olivier Schmitt të arkivit të dukës milanez Francesco Sforza, i cili kishte marrëdhënie të afërta me dukën e Bourgonjë-s, në nëntor të vitit 1461, “duka Philippe, përmes përfaqësuesit të tij pranë Kurisë, diskutoi me Papën për mundësinë e zbarkimit të trupave të tij në Peloponez e Arbëri, sepse në Arbëri janë territoret e Skënderbeut”. (Archivio Visconteo-Sforzesco – shih Historia e Skënderbeut, O. Schmitt.) Piu II, i cili në fillim të vitit 1463, njoftonte se “vëndi i Arbërisë është i fortë dhe se aty mund të zgjidheshin pozicione të sigurta”, pak kohë më vonë do të shtonte në letrat e tij se “Duka i Bourgonjë-s është betuar që do të hyjë në luftë lundër Turkut të Madh”. Ndërsa Philippe-le-Bon i përgjigjej: ”Nëse një princ kristian vihet në krye të kryqëzatës, unë do të nisem”. Dhe “Duka i Madh” do ta mbante fjalën, veçse ai nuk do të nisej vetë, meqë e ndjente veten plak, por nisi bijtë e vet bastardë dhe kalorës të sprovuar.
Në librin e tij Historia e dukëve të Burgonjës, historiani Prosper Bruguière Barante, shkruan për angazhimin e Philippe-le-Bon në ndërmarrjen e një kryqëzate kundër ushtrisë osmane. Shumë nga kalorësit e “Toison d’Or” u nisën me anije nga Ecluse, me në krye birin e tij bastard, Antoine le Batard de Bourgogne, si dhe birin tjetër po bastard, Baudoin de Bourgogne, të cilët ishin në krye të një trupe prej 2000 ushtarësh. Më 1464-1465, të tjerë ishin nisur nga Saint-Jean. Ndër kalorësit e njohur të kësaj kohe ishin dhe Sire Simon de Lalaing, Sire de Bossut, Sire de Cohen, etj, të ndjekur nga turma të shumta njerëzish që i ndiqnin drejt Italisë për tu vënë pas flamurit të Papës dhe për të marshuar drejt Konstantinopojës. Papa e falenderoi Philippe-n që e kishte dërguar flotën e tij me të birin Antoine, por kryqëzata ndërkohë do të vonohej. Njerëzit e shumtë të ardhur nga veriu drejt Italisë prisnin me padurim dhe shumë nga ta filluan të vuajnë nga uria e sëmundjet. Antoine i shkroi me urgjencë të atit Philippe që t’i dërgonte para dhe se ushtria e tij po vuante urie. Shumë këshilltarë i kërkonin Philippe-it të tërhiqej nga kjo ndërmarrje, por gjëndja e vështirë nuk e tronditi aspak vendimin që ai kishte marrë. Papa i kishte kërkuar të nisej në luftë dhe ai i kishte nisur forcat e tij. Nderi dhe feja kristiane nuk ia lejonin që të kthehej mbrapsht, apo t’i bënte bisht kësaj ndeshjeje historike. Gati tri shekuj më vonë, duke shkruar rreth ngjarjeve të asaj kohe dhe heronjve më në zë të Evropës përballë perandorisë Otomane, Voltaire-i do të shkruante: “Duka i Burgonjës, Philippe le Bon ishte një princ i fuqishëm, por ai ishte plak për të kryesuar një Kryqëzatë. Princat italianë ishin në luftë me njëri tjetrin. Aragona dhe Kastija ende nuk ishin bashkuar dhe muslimanët mbanin të pushtuar një pjesë të Spanjës. Në Evropë kishte veçse dy princa që mund të sulmonin Mehmetin e II. Njëri ishte Huniadi, princi i Transilvanisë, por që ai vetëm mund të mbrohej, ndërsa tjetri ishte i famshmi Skënderbe, i cili mund ta përballonte atë në malet e Epirit…”
Tre vjet kishin kaluar me ngjarje tronditëse në Europë. Përmes një qarkore, «bulle», Piu II proklamoi më së fundi në mënyrë solemne «Luftën e Shenjtë». Por ndërkohë, osmanët përparonin. Më 15 gusht të vitit 1464, Piu II mbërriti në Ankona për të nisur kryqëzatën, por nga lodhja e madhe ai vdiq. Kjo ngjarje bëri që Venediku dhe fuqitë e tjera të tërhiqeshin. Ideja e kryqëzatës mbaroi. Sidoqoftë, as “Duka i Madh” dhe as Skënderbeu nuk u takuan që të udhëhiqnin këtë kryqëzatë ashtu siç dhe ishte parashikuar. Që të dy këta prijësa të mëdhenj të Perëndimit, tek të cilët mbante sytë Evropa, vdiqën pothuaj në të njëjtën kohë, Duka, (ai kishte ndërkohë dhe titujt e tjerë si «Duc de Bourgogne, de Lotrich, de Brabant, de Lembourg et de Luxembourg, comte de Flandre, d’Artois et de Bourgogne, palatin de Hollande, de Zélande et de Namour, marquis de Sainct Empire, seigneur de Frise, de Salins et de Malines), rivali i mbretit të Francës, në mesin e vitit 1467 dhe Skënderbeu në 17 janar të vitit 1468. Pas vdekjes së Skënderbeut dhe hutimit të madh popullor e emigracionit të madh, papa Paul II (Pali II), i kishte shkruar atë kohë dukës së Bourgogne-s, Philippe-le-Bon: «Qytetet që deri tashmë i kishin rezistuar furisë së turqve, më së fundi kanë rënë. Gjithë njerëzit që banojnë në brigjet e Adriatikut, po dridhen nga rreziku i afërt. Ngado shihet veç tmerr, zi, robëri dhe vdekje. Me lot në sy mund të shohësh anijet që nisen nga brigjet shqiptare, me refugjatët drejt porteve të Italisë, ato familje të mjera që të xhveshura, janë ulur në brigjet e detit, duke zgjatur duart drejt qiellit dhe duke mbushur atmosferën me vajet e tyre në një gjuhë që nuk e kemi dëgjuar”, (Annales Ecclesiast, 1468).
Pas pushtimit të Shqipërisë nga hordhitë osmane dhe largimit të shumë familjeve shqiptare, duke filluar nga biri i Skënderbeut dhe nëna e tij, Donika Kastrioti, shqiptarët e mbetur filluan të kërkojnë aleatë në luftën e tyre dhe shpresën që një ditë t’i detyronin osmanët që t’i braktisnin malet e tyre. Të tjerë fisnikë shqiptarë ishin shpërndarë në Pulje e Napoli, madje dhe gjer në Peloponez. Më 1478 komandanti venecian Leonardu Baldu dhe Francesco Cantarini nxituan drejt Arbërisë që të ndihmonin të rrethuarit e Krujës. Po kështu dhe 300 stratiotë ishin nisur nga Moréa me në krye Pjeter Bua Shpata. Por një vit më vonë, pas rënies së kështjellës heroike të Krujës ra dhe ajo e Shkodrës, të cilën na e ka lënë të shkruar Marin Barleti në veprën e tij Rrethimi i Shkodrës. Me rënien e kështjellës së fundit shqiptare, në gjithë Arbërinë ra një zi e madhe dhe e gjatë. Venediku e kuptoi se s’mund tu bënte më ballë osmanëve dhe nënshkroi një traktat paqeje me sulltan Mehmet II, (Më 25 shkurt të vitit 1479, senati i shkruante komandantit venedikas të kështjellës së Shkodrës Da Lezze, se duhej t’ua linte Shkodrën osmanëve.) Më 24 janar të vitit 1479, venedikasit e kishin lënë Negroponten (Eubea), Lemnosin dhe shumë zotërime të tjera në Greqi, të cilat ranë në duart e osmanëve. Po kështu dhe kështjella e Argos. Osmanët përparuan drejt Venedikut, deri në Friuli, i cili u shkatërrua nga ta. Vetëm Durrësi mbeti nën pushtetin dhe mbrojtjen e venedikasve. Një pjesë e familjes së Dukagjinajve u shpërngulën në Francë, në kohën kur mbreti francez Charles VIII kishte zbritur në Napoli me idenë se mund të nisej drejt Jeruzalemit. Pasi iu bashkuan ushtrisë franceze, ata e ndoqën mbretin në Francë, ku dhe u vendosën përfundimisht.
II.
George Castriote, dit Scanderbeg
“Trupi i tij u varros në Lezhë (Lysse), në katedralen e Shën Nikollës, – shkruan më 1575 në librin Histoire de Georges Castriot, surnommé Scanderbeg, roy de l’Albanie, Jacques de Lavardin. – Sipas zakonit të stërgjyshërve të tij, varrimi u bë me një ceremoni plot zi dhe dhimbje të pamatë nga kapidanët dhe ushtarët e princave fisnikë, aleatë të tij. Askush nuk e kish menduar se në Shqipëri, në ato vënde të krishtërimit, do të derdheshin aq shumë lotë. Kockat e tij të futura nën dhe u prehen në paqe gjer ditën kur në Epir erdhi Muhameti i II-të. Katër vite më pas, turqit, të cilët pushtuan qytetin e Lezhës, kërkuan të etur trupin e Skënderbeut, duke ja shkulur skeletit kockat e tij. Kockat e atij njeriut, që dikur me ti dëgjuar emrin merrnin arratinë, tani i rrëmbenin si diçka të shenjtë. Ata vërsuleshin drejt skeletit dhe i lumtur ish ai që i prekte e akoma më shumë ai që i varte ato si hajmali, pra si diçka prrallore…”
Jacques de Lavardin, Seigneur de Plessis, siç shënon ai në krye të librit të tij, nuk e ka përjetuar kohën kur jetoi dhe trimëroi “atleti i Krishterimit”, heroi shqiptar Gjergj Kastrioti Skenderbeut. Ehoja e famës dhe e legjendës së këtij heroi shkuan shumë larg. Marin Barleti, bashkëkohësi i tij, ishte kronikani i parë i jetës së Skënderbeut, vepra e të cilit, Historia e Skënderbeut, u bë burim i tërë historive të shkruara në Perëndim për jetën e këtij heroi. Në hyrjen e librit të Lavardin shkruhet: “Histoire de Georges Castriot, surnommé Scanderbeg, Roy d’Albanie, contenant ses illustres faicts d’armes et mémorables victoires à l’encontre des Turcs pour la Foy de Jésus-Christ recueillie, dressée et poursuisie jusques à la mort de Mohamet II…Franche-Ville» (« Historia e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Scanderbeg, mbret i Shqipërisë dhe i fesë së Jezu Krishtit, i përgatitur gjer në vdekjen e Muhametit të II-të »).
Ô vaillant Albanais !
“L’Epire seulement n’est en chevaux fertille
Bons à ravir le prix au cours Olimpien,
Mais en hommes guerriers, dont le sang ancien
Se vante d’estre yssu du valeureux Achille…”
Kur poeti i madh Pierre Ronsard (1524-1585 ) shkruante këto vargje për Skënderbeun, ai ishte në muzgun e jetës së tij. Ai e njihte dhe e çmonte abatin Jacques de Lavardin, të cilit i dedikon dhe këtë sonetë, abatin që vite më parë kishte botuar në Francë Historia e Skenderbeut, nisur nga vepra e Marin Barletit. Eshtë pikërisht koha kur pas sonetave dhe poemave të mrekullueshme për dashurinë, dhe pas odeve në librin Hymnes për princa të oborrit dhe të krahinave me emër të Francës, ai nis ciklin “Figures et proctraits de septs aages de l’homme, në të cilën rradhitet dhe kjo sonetë kushtuar J. de Lavardin. Siç e dëshmon dhe një ndër biografët e tij, Michel Simonin, ne librin e tij Pierre Ronsard, të botuar nga “Fayard”, ai njihej mirë me Lavardin dhe është takuar shumë herë me të. Abati, sapo kishte përkthyer librin e kardinalit polak Hosius Confession Catholique, kur u takua me Ronsard në fshatin Saint Guingalois, ku ai ishte tërhequr për të kaluar vitet e fundit të jetës së tij.
Ronsardi kishte provuar shumë zhgënjime e trishtime gjatë jetës së tij. Libri i tij i parë Premier livre d’Amour, i kushtohej Kasandrës, me të cilën ra në dashuri sapo e pa atë në Blois. Ajo ishte vajza e një tregëtari fjorentinas dhe historia e tyre ishte mjaftë e shkurtër, pasi Kasandra shpejt u largua. Më 1555, në Anzhu (Anjou), ai takohet me Marie du Pin, të cilës i thurri qindra e qindra vargje. Ajo ishte një pesëmbëdhjetë vjeçare ndërsa ai ishte tridhjetë. Dashuria e tij e tretë ishte Helena, me të cilën u njoh kur ishte në moshën pesëdhjetë vjeçare. Por në vënd që ta lumturonte, kjo dashuri e shkatërroi, duke e lënë të helmuar e plot dhimbje. Kështu, ai nuk do të shkruajë më për dashurinë dhe vargjet e tij bëhen moralizuese dhe filozofike. Në sonetet e tij janë hymnet për Henrin e II-të dhe dashnoren e tij, për Henrin e III-të, dukën e Orleanit etj. Gjatë kohës së luftrave të Francës, më 1562, ai shkroi një libër me pamflete të rimuara të quajtur Discours des Miseres de ce temps. Ishin vargje politike e patetike për këtë poet, që në rini kishte qënë në shërbim të dukës së Orleanit e pastaj “pazh” pranë mbretit të Skocisë dhe Charles d’Angouleme e më vonë “aumonier” (prift i regjimentit) i mbretërve të Francës: Henri II-të, Saint François I-rë, Charles IX-të dhe Henri III-të.
Soneti për Skënderbeun është ndoshta nga sonetët e fundit të tij për kalorësit legjendarë:
“Pyrrhe m’en tesmoin, qui, razant mainte ville,
Eut en fin pour tombeau le vieil mur Argien,
Et Scanderbeg, haineux du peuple Scythien,
Qui de toute l’Asie a chassé l’évangille…”
Në këtë kohë, Ronsard, nuk ka me dëshirë të jetojë në Paris, Versajë apo në Fontenblo. Jeta e oborrit, shkelqimi i pasqyrave, mbrëmjet festive nuk e joshnin aspak.”E urrej oborrin, ashtu siç urrej vdekjen”, – thoshte ai. Duke iu larguar Parisit, ai e ndjen vehten më të lirë. Ai shkon në Angers, Conflans, ku ka miq të ngushtë apo në Villeroy, ku ishte një bibliotekë gjigande.
Eshte koha kur në poezinë e tij ai ka filluar dialogun me vdekjen.
“Ja du prochain hyver je prevoy la tempeste (Me afrimin e dimrit parashikoj stuhine)
Ja cinquante et six ans ont neigé sur ma teste…”(Pesëdhjetë e gjashtë vjet e kanë zbardhur kokën time…)
Megjithëse i ri në moshë, pesëdhjetë e gjashtë vjeçar, poeti e ndjen vehten të mplakur. Disa ditë para se të vdiste ai do të shkruante, duke i diktuar abatit që i rrinte tek koka: “Ma plume vole au ciel pur estre quelque signe/Il est temps de laisser les vers et les amours/ Et de prendre congé des plus beau de mes jours”. («Pena ime po ikën në qiell që të mbetet një shenjë/ Eshtë koha të braktis vargjet dhe dashurinë/ Të marr leje e të ikë nga ditët e mia më të bukura».)
Ai vdiq natën e 28 dhjetorit të vitit 1585 dhe u varros në kishën e Saint Cosme pa asnjë mbishkrim në varrin e tij. Eshtrat e tij janë të vetmet, ndër njerëzit e shquar të kësaj epoke të Rilindjes, që janë gjetur para luftës së dytë botërore. Pas vdekjes së tij, për gati dy shekuj, vepra e Ronsardit u harrua, pasi pasardhësit e tij nuk i donin poetët që i referoheshin mitologjisë greko-romake dhe që të kujtonin Homerin, Virgjilin apo Ovidin. Gjenerata e Stendalit dhe e Hygoit kujtuan se po zbulonin një mjeshtër të panjohur, duke botuar veprat e Ronsardit, e në veçanti L’Oraison funebre, por në fakt ai kishte qëne ndër më të njohurit në epokën e vet, krahas Joachim de Bellay. Kështu, kjo gjeneratë si dhe gjeneratat e mevonëshme e quajtën atë “Princi i poetëve” (“Prince des Poetes”). Ishte pikërisht ky “princ” i poezisë klasike franceze që na la vargjet e bukura për heroin shqiptar :
“O très-grand Epirote! Ô vaillant Albanois! (O epirot i madh! O trimi shqiptar! )
Dont la main a desfait les Turcs vingt et deux fois, (Që dora tënde i theu turqit njëzet e dy herë)
La terreur de leur camp, l’effroy de leurs murailles, (Ti ishe tmerri i kampit dhe mburojave të tyre)
Tu fusses mort pourtant, englouty de Destin, (Megjithatë ti do vdisje, përpirë nga
Fati )…
Si le docte labeur du sçavant Lavardin/ (Nëse puna e mënçur e të urtit Lavardin)
N’eust, en forçant ta mort, regaigné tes batailles.” /(S’do ta mposhtëte vdekjen tënde e të bënte të rijetonin betejat)
III.
Një portret i Skënderbeut në Boregard
Portreti i Skënderbeut në keshtjellën e Boregard-it (Beauregard) në Francë është një e papritur e bukur për ata pak shqiptarë që mund të vijnë gjer këtu në thellësi të Francës, duke ndjekur rrjedhën e Luarës që çan përmes fushave dhe pyjeve të pamata. Përgjatë këtij lumi, mbretërit dhe princat mesjetare franceze kanë ngritur mjaftë kështjella hijerënda e madhështore, që sot janë krenari e Francës, si ajo e Chambord, Chinon, Amboise, Chamon, etj. Kështjellën e Chambord-it, Shatobriani, (Chateaubriand) i mahnitur nga ajo, e ka cilësuar “si një grua që era i merr flokët.” Ndërsa akoma më në thellësi, kështjella e Boregard-it, e cila ruan koloritin e Renesancës, nuk e ka pasurinë dhe madhështinë e tyre. Ajo është fshehur mes pyjeve të Chambord-it ( një rezervat sot për gjuetinë presidenciale) dhe ashtu e fjetur ruan në vetvehte ngjarje e histori nga jeta e mbretërve të Francës. Pikërisht këtu mblidheshin “mosketieret” e lavdishem, apo Rishelieja i famshem e princër të tjerë. Megjithatë po mos të kishte “Galerinë e portreteve”, zor se kjo kështjellë do të hynte sot në rrjetin e muzeumeve që u ofrohen vizitorëve të huaj. Pronarët e saj të sotëm janë konti dhe kontesha Pavijon (Alain Pavillon). Por historia e saj zë fill këtu e katër shekuj më parë.
Në fillim të shekullit XVI, ishte mbreti Fransua i I që bleu tokën e Boregard për ta pasur si një pikë gjuetije. Më 1545 Jean du Thier, sekretari i shtetit te Henri II, e mori dhe e zgjeroi kështjellën primitive. Intelektual dhe mik i Ronsard, poetit të madh francez, ishte pikërisht ai që e zbukuroi këtë kështjellë. Por ai që krijoi “Galerinë e portreteteve”, ishte Paul Ardier, një ish minister i Henri IV. Kur ngjitesh në katin e dytë të kështjellës, gjen një sallon të madh, unikal në Francë nga mënyra se si rrethohet nga të katër anët me portretet e njerëzve të mëdhenj të disa shekujve. Janë 327 portrete që rrokin një epokë të gjatë, portrete që nga koha e Filip de Valua e deri tek Luigji i XIII, (1328 – 1643). U afrohesh portreteteve dhe diku mes tyre, prane imperatorit të fundit të Konstandinapojës, Kostantini, sheh të vendosur portretin e Skënderbeut, “George Castriote, dit Scanderbeg”. Në krah të tij, vështrimi bije mbi Huniadin, “governator de Hongrie”, siç shkruhet poshtë portretit, aleat i dikurshëm i Skënderbeut kundër hordhive osmane. Sipër tablosë së Skënderbeut, shquhet ajo e Murat Mehmetit të II-të, me një kokë të rrethuar me çallme, pastaj Henri i V, mbret i Anglisë, Ferdinandi II i Napolit, etj. Duke kaluar nga një epokë në tjetrën dhe nga një portret në tjetrin, sytë ndalen edhe në portretet e Papa Klementit te II, mbretit Filip të Spanjës, tek ministra të luftës apo diplomatë të mëdhenj, princër etj, siç është rasti i anzhuinëve, Comte d’Anjou. Sipas të dhënave historike, gjithë ky grup portretesh është realizuar nga një grup piktorësh që atëhere punonin në atelierin e Paul Ardier dhe sipas kërkesave të tij. Ai i furnizonte ata me gravura të mbretërve, sulltanëve e perandorëve të ndryshëm, të cilat kopjoheshin e realizoheshin me besnikëri e mjeshteri artistike. Sigurisht pas disa shekujsh është vështirë të gjesh se cila gravurë ka shërbyer si kopje, dhe cilit piktor i përket ajo. Megjithatë duke vëzhguar këtë portret të Skënderbeut me mjekër dhe në moshë të thyer, kupton se ai afrohet shumë me ato pak gravura të vjetra të asaj periudhe dhe që mendohet se janë besnike të portretit real të Skënderbeut. Kaq e famëshme u bë kjo “Galeri e portreteve” në atë kohë, sa që kur mbreti i Francës Lui Filip ndërtoi Versajën dhe muzeun e quajtur “Lavditë e Francës”, ai kërkoi ti riprodhoheshin disa nga portretet e kësaj galerie. E mbushur nga të katër anët e mureve me portretet që ngjiten gjer në cep të tavanit, vizitori që vjen në Beauregard udhëton aq shpejt nëpër kohra sa që brënda një kohe të shkurtër përjeton një periudhë disa shekullore. Pikturat janë punuar në vaj dhe emrat e piktorëve anonimë sot është e vështirë të deshifrohen. Krijimi i tyre në fakt ka filluar në shekullin XVII, dhe pikërisht në vitet 1620-të. E vetmja e metë e kësaj galerie, që e zemëroi atëhere shkrimtarin e shquar francez Rabele, ishte se aty nuk figuronin portretet e artistëve të mëdhenj të kohës, ç’ka për të ishte diçka fyese dhe poshtëruese. Aktualisht këto portrete kanë filluar ti restaurojnë, restaurim ky që do të zgjasë për një periudhë ndoshta 20 vjeçare. E megjithatë, duke parë portretet e restauruara e gjithë shkëlqim, në krahasim me tablotë e vjetra, sepse ndjen sikur personazhet i kanë larguar nga epokat e tyre, kohrat kur ata kanë jetuar realisht.
IV.
Një opera “tragique”
Skenë e një teatri klasik ku duket një pyll kushtuar Muzave. Parnasi duket larg. Që me hapjen e siparit duken Melpomeni dhe Polimnia të ndjekura nga muza e Magjisë dhe më pasn ga ajo e Dashurisë. Pastaj me ndrimin e dekorit, shfaqet një shpellë në Kopshtet e Sarajit.
Skënderbeu:
O natë ! Nxito, dita më së fundi dita të agojë!
Lavdinë pres të më thërresë!…
A e njeh o i shtrenjtë Princin Osman te Shqipërisë?
Vëllezërit e mij hakmarrje kërkojnë …
Osmani:
Dashurija! Ah, çfarë vallë e ka prekur shpirtin tënd?
A mund ti përgjigjesh flakës së dashurisë
Që ndjen Roksana për ty?…
Ja pra dy fjalë nga historia e kësaj opere. Skënderbeu dashuron favoriten e Sulltanit, serben e bukur Roksana…
Kur kisha dëgjuar për herë të parë për një opera franceze kushtuar Skënderbeut, kisha imagjinuar një çast atë epokë të largët në Paris, atë ditë vjeshtë kur në sallën e koncerteve të “Palais Royale”, drejt sallës, ngjiteshin rradhazi konte, kontesha, duke e të ftuar të oborrit mbretëror, duke pritur më pas në heshtje hyrjen e Luigjit të XV-të së bashku me mbretëreshën. Kjo kishte ndodhur në 27 tetor të vitit 1735, apo siç shkruhej atëherë në afishen e koncertit “L’an M.D.CCXXXV. Përpara mbretit, gjykatësit të parë të një vepre muzikore, Akademia Mbretërore e Muzikës shfaqte operan tragjike me pesë akte të titulluar Scanderbeg. Një opera me muzikë të kompozuar nga kompozitorët François Rebel dhe François Francoeur, kompozitor i Muzikës së Dhomës së Madhërisë së tij. Që të dy këta kompozitorë pothuaj gjithë jetën e tyre kompozuan së bashku, duke kontribuar shumë në bel-kanton franceze.
Përpara syve të mbretit, nën tingujt e muzikës, ishte ngritur sipari i skenës së aktit të parë, duke zbuluar një dekor oriental, një shpellë në kopshtet e sarajeve të sulltanit. Këtu dhe nis historia e kësaj opere rreth dashurisë së Skënderbeut, një histori imagjinare që shkon gjer në ditën e dyluftimit të Skënderbeut me sulltanin, ku kuptohet që ai ngadhnjon fitimtar. Kjo tragjedi ishte shkruar shume vite më parë nga një libretist i njohur operash, Antoine Houdar de la Mothe, anetar i Akademisë Franceze dhe që kishte lënë një seri veprash të njohura në operan klasike franceze. Por La Mothe nuk arriti ta shohë të interpretohet në skenë libretin e tij. Ai vdiq i paralizuar katër vjet më parë se opera të shfaqej në “Palais Royal”. Midis veprave të tij post-mortum, miqte e tij gjetën edhe libretin për Skënderbeun. Kur ky libret ra në duart e libretistit tjetër të njohur të asaj kohe L. de Laserre, ai u entusiazmua dhe filloi të punojë mbi të. Shumë vite më parë kishte qenë Antonio Vivaldi, ky pararendës i Bahut, që kishte shkruar një opera për Skënderbeun, e cila më 1718 kishte bërë bujë në Firence. Opera e Parisit në atë kohë nuk e kishte arritur ende famën e operas italiane, e cila që më 1647 kishte shfaqur në “Palais Royal” operan Orfeo. Opera franceze filloi të bëjë emër me kompozitorin Lully, që udhehoqi operan lirike për një kohë të gjatë. Ai nuk e përjetoi shfaqjen e tragjedisë Scanderbeg, këtë opera me 25 skena, çka për kohën ishte një angazhim shumë i madh.
Shfaqja e Skënderbeut u dha tridhjetetre herë rradhazi përpara mbretit dhe aristokracisë franceze. Më pas ajo u shfaq në Choisy dhe më 22 tetor 1763, pra 28 vjet më vonë, në Fontenbleau, ku rrinte mbreti në kështjellën e famëshme të Fontenblose. Afishja e asaj kohe njoftonte: “Scanderbeg-tragedie, représentée devan leurs Majestés…” Kjo opera u luajt në një epokë kur për Skënderbeun botoheshin biografi e jetëshkrime ngado në Evropë, si në Itali, Poloni, Francë, Angli e gjetkë. Nga 13 qershori e gjer në 29 dhjetor 1763 ajo u shfaq në Fontenblo e Versajë, ku shfaqjet jepeshin dy herë në javë dhe vetëm gjatë sezonit të verës dhe të dimrit. Por burime të ndryshme dëshmojnë se ajo eshtë shfaqur edhe në vitet 1765-1766. Në bibliotekën e Operas pariziane si dhe në Bibliotekën Nacionale, ruhen që nga ajo kohë partiturat e disa botimeve të asaj epoke, ku midis të tjerave paraqiten dhe dekoret e kostumet e personazheve në skenë.
Skënderbeu:
Ah, ç’lumturi ndjej tani
Kur miku im besnik Osman, më ndezi flakën e shpirtit!
Qetësia zëmrën time preh tani!
Sa i bukur ky moment, sa i ëmbël ky mjedis!
Shpresa që m’është zgjuar i zbukuron ato edhe më.
Kënga e zogjve të dashuruar;
Freskia e zefirëve, që lulet bën të çelin
Murmurima e ujrave që gëzueshëm rrjedhin,
Gjithçka duket se i përkushtohet agimit…
Vite më vonë, në maj 1786, veçse tri vite para se të fillonte Revolucioni Francez, në “Theatre Français”, të krijuar nga mbreti dhe ku drejtonte më parë Molieri, u shfaq nje pjesë teatrale shkruar nga Pierre-Ulric Dubuisson, i cili ne moshën 48 vjeçare përfundoi në gijotinë (gjatë revolucionit aktorët i larguan nga teatri dhe disa prej tyre i burgosën). Të tjera pjesë teatrale u shkruan e u botuan në Francë për Skënderbeun, si ajo e Casimir Pertus, një shkrimtar jo fort i dëgjuar, i cili shkroi një tragjedi neoklasike me titullin Scanderbeg, vepër kjo që u botua më 1870.
V.
“Place Scanderbeg”
Ka një shesh në periferi të Parisit me emrin “Place Scanderbeg”. Një shesh në veri të tij ku bashkohen “Rue Aubervillier”, “Avenue Victor Hugo”, etj, e ku poshte tij, shkon autostrada që të çon për në aeroportin “Charles de Gaulle”. Një shesh tepër modest ku pranë tij, jeshilon një park i vogël me gështenja të egra, e ku në mes të sheshit kuqëlon një kumbull e madhe. Që këtej duket kupola e bardhë e bazilikës së “Sacre-Coeur”, e cila ngrihet në majë të kodrës së Montmartrës. S’di pse sa herë kam shkuar në atë shesh, duke kapërcyer rrugën “Boçari”, jo shumë larg tij, kam gjetur nje lloj zbrazëtire, erë dhe një qiell gri. Prej vitesh emigracioni shqiptar kishte dëshiruar që në Paris të kishte një rrugë, një aveny apo një shesh me emrin e heroit tonë kombëtar, ashtu siç ishin dhe emrat e Garibaldit, Bolivarit, Linkolnit, etj. Dhe momenti erdhi pas festimeve të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, dhe kërkesës këmbëngulëse të një grupi emigrandësh shqiptarë, gjersa Bashkia e Parisit dhe vetë kryetari i atëhershëm i Bashkisë, Jacques Chirac, vendosën që një shesh i Parisit 19-të, të merrte emrin “Place Scanderbeg”.
Një ditë maji të vitit 1980 shqiptarët u mblodhën për inagurimin e këtij sheshi. Ishin midis tyre Lec Shllaku, kryeredaktori i revistës Koha jonë, apo Jusuf Begeja, Leone Zazani e shumë të tjerë, si dhe të ftuar nga emigracioni shqiptar në Itali, Amerikë e Belgjikë. Atë ditë, shqiptarët u mblodhën në katedralen e “Notre-Dame” të Parisit, ku u dha një meshë e madhe me këtë rast nga At Prençi e At Shestani, meshë ku ishte i pranishëm kardinali i Parisit, Marty, si dhe përfaqësues të kishës së Rumanisë, Kroacisë, Sllovakisë, Lituanisë, etj. Po aty u mblodhën dhe vajzat arbereshe veshur me kostumet kombëtare që kishin ardhur nga Shën Dhimitri i Italisë së Jugut dhe që kënduan në këtë meshë. Në një fotografi të rrallë të asaj ditë duken ato vajza të bukura arbëreshe në portat e “Notre-Dame”, duke shpalosur një flamur të madh kombëtar kuq e zi për të dalë në fotografi. Pas meshës, turma e shqiptarëve me flamur në ballë, kishte shkuar në sheshin e Bashkisë dhe kish kënduar hymnin shqiptar. Ndoshta ishte një çudi për parizianët, të shikonin atë turmë me flamuj e këngë, dhe të dëgjonin atë këngë që kishte aq dhimbje e trishtim. Ishin po ata shqiptarë që vite me rradhe kishin manifestuar para ambasadës në “Rue de la Pompe” me pankartat në duar ku shkruhej: “A bas la dictature d’Enver Hoxha”.
Që nga ajo ditë ka rrjedhur shumë kohë. Sot ai shesh te jep ndjesinë se diçka i mungon, sikur diçka ai pret. Ndoshta një statujë të vetë kalorësit legjendar… Dhe statuja nuk do vonojë të mbërrijë!
Please follow and like us: