Bardhosh Gaçe: Natasha Lako dhe zëri i saj femëror në poezinë shqipe
Bardhosh Gace: NATASHA LAKO DHE ZËRI I SAJ FEMËROR NË POEZINË SHQIPE
Natasha Lako është një nga zërat e njohur në poezinë shqipe, vokacioni i së cilës nis me prirjen moderne të poezisë shqipe pas viteve ’70 të shekullit XX. Duke qenë njëra nga zërat e parë dhe të qëndrueshëm të kësaj poezie, e cila lidhet me zhvillime të mëdha social-shoqërore, një kohë kur angazhimi i letërsisë dhe censura, e cila qe shfaqur përmes kufizimit të metodës së realizmit në kulturë dhe në art, e bën poezinë e saj një frymë interesante, një shfaqje e rëndësishme e poezisë së femrës në veçanti dhe të brezit të saj në përgjithësi.
Natasha Lako ka hyrë në letërsinë dhe poezinë shqipe me një profil të vetin, i cili mund të konsiderohet edhe një nga modelet e shkëlqyera që një poete, me një ndjeshmëri të madhe, me një individualitet të spikatur për shkakun e një lirizmi të epërm, siç ndodh në jo shumë raste me profile të këtij kalibri, dhe ka mbetur e tillë, duke përballuar kushtëzimet tematike të kohës, duke ruajtur elegancën dhe shijen e hollë prej një femre të spikatur, e lindur dhe rritur në një qytet me tradita kulturore si Korça. Që në krye të herës, kur ajo u shfaq në poezinë shqipe, ruajti një komunikim të vazhdueshëm me lexuesin dhe vizionin e lëvizjes së poezisë shqipe, duke përbërë gjithashtu një lloj novacioni në shumë elemente të poezisë shqipe, jo vetëm nga pozitat e një poezie të shkruar nga një femër, por të poezisë shqipe në përgjithësi, pra një profil i rëndësishëm i poezisë, i cili ka mbetur i tillë edhe pas gati 50 vite krijimtari letrare.
Vjershërimi i Natasha Lakos ka një prirje lirike, një lirizëm që më së shumti sendërtohet dhe nis të shfaqet në poezi si një njësi kumtimi dhe komunikimi nga uni poetik, i cili te poetesha e këtyre viteve është i dukshëm, një nga gjërat e vështira për të shkruar vargje në këtë kohë. Kritika letrare për kulturën dhe artin në vend, i dha të “drejtë” vetes lidhur me angazhimin e artistëve dhe shkrimtarëve, për t’u bërë zëdhënës dhe mbartës të frymës lirike që ishte vështrimi i hollë i unit poetik te pjesa më e madhe e tyre, të cilët e përdorën atë, dhe që në vetvete nënkuptonte përgjithësimet sociale dhe frymën shoqërore. P. sh. simbolizmi ritmi që kishte poezia e Xhevahir Spahiut, hapësira e komunikimit te poezia e Faslli Halitit apo “pesimizmi” personal te poezia e Sadik Bejkos, përdorimi i një lloj alkimie me natyrën dhe në detaje të shumta që u shpërfaq te një pjesë e poetëve të kësaj periudhe, më së shumti nisnin nga uni poetik, pra pati një poezi e cila shkruhej në vetën e parë, çka u trajtua si një tendencë moderne e mikroborgjeze e shkëputjes së krijuesit nga realiteti.
Nisur nga ky stereotip i kritikës së kohës, fryma që krijoi poezia shqipe e viteve ’70 ishte një rrethanë tjetër për poezinë dhe poetët, të cilët mund ta kalonin atë përmes një talenti dhe mjeshtërie të madhe të vjershërimit, ata poetë të cilët nuk mund të pajtoheshin plotësisht me atë që politika e kohës i kërkonte poezisë dhe poetëve. Natasha Lako është njëra nga poetet që i rezistoi kohës, duke qenë dhe duke mbetur gjithnjë me vokacion dhe një profil të spikatur.
Poetesha Natasha Lako ka një kolanë të pasur të veprimtarisë krijuese jo vetëm në poezi e në gjininë e romanit (“Stinët e jetës”), por edhe në fushën e skenarit të filmit shqiptar, sa mund të thuash se jeta e saj ka qenë e dyfishtë sa te poezia, po kaq te skenari i filmit. Në historinë e skenarit të filmit shqiptar, Natasha Lako ka sjellë dhe ka krijuar një trashëgimì të shkëlqyer të kinemasë, siç janë skenarët e filmave “Mësonjëtorja”, “Plumba perandorit”, “Muri i gjallë”, “Një emër mes njerëzve”, “I paharruari”, “Rruga e lirisë”, “Fjalë pa fund”, “Një vit i gjatë”, “Fletë të bardha”, “Lule të kuqe, lule të zeza”, një punë e rëndësishme krijuese e cila reflekton një marrëdhënie dhe një ndjesi të rëndësishme që poetesha Lako ka pasur jo vetëm me kohën, por edhe me të kaluarën dhe dimensionet e tjera të jetës sociale dhe atë shoqërore.
Në poezinë shqipe poetesha Natasha Lako ka sjellë për lexuesin në fondin e poezisë vëllimet poetike “Marsi brenda nesh”, vëllimi i parë poetik i saj, që u botua në vitin 1971, vëllimet “E para fjalë e botës”, “Yllësia e fjalëve”, “Këmisha e pranverës”, “Natyrë e qetë”, “Thesi me pëllumba”, “Këmbë e duar” dhe vëllimi i fundit poetik, i cili është ndërtuar edhe si një antologji poetike e krijimtarisë më të mirë të saj titulluar “Lëkura e ujit”. Duke qenë se poezia e Lakos ka një lloj frymëmarrje të gjerë dhe një dendësim të jashtëzakonshëm të ndjesisë femërore, në detajet, momentet dhe në “anekset” e saj ka një prani të elementeve të tjera të krijimtarisë, ku tendenca për të krijuar diapazone të gjera komunikimi shoqërohet me elemente figurative, ku ka përqendrime të ndritshme të natyrës dhe botës së brendshme, siç ndodh me heronjtë që portretizohen dhe reflektohen njeriu dhe mjedisi në kinema.
Natasha Lako ka lindur dhe është rritur në qytetin e Korçës, një qytet tradicionalisht qytetar dhe me një zhvillim të njohur jo vetëm në aspektin e kulturës, por edhe tendencat për të mbajtur udhërrëfimin kulturor në historinë shqiptare tradicionalisht si qyteti i Shkodrës. Pra poetesha Natasha Lako vjen nga një mjedis qytetar, një mjedis i edukuar me kulturën e komunikimit jo vetëm në nivelin social, por edhe në atë të librit, të komunikimit të brendshëm emocional të njerëzve mes njëri – tjetrit, siç është poezia. Një rol të madh, madje të rëndësishëm në formimin kulturor të poetes Lako ka luajtur mjedisi letrar i Tiranës, i cili gjatë kohës së shkollimit të saj ishte mjaft aktiv dhe lidhja e brezit të ri të poetëve ishte mjaft e fortë dhe qenësore me krijimtarinë dhe lëvrimin e poezisë. Në formimin dhe në talentin e Natasha Lakos u bënë bashkë kultura e vendlindjes dhe ajo ku ishte përqendruar e gjithë plejada e poetëve, që do të ngrinin godinën e poezisë bashkëkohore dhe moderne shqiptare të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore.
Profili dhe personaliteti krijues i Lakos duhen parë edhe në këtë kronikë kohore, ku bie në sy një tendencë e një praktikë e një brezi poetësh, të cilët do të arrinin të fusnin në poezinë e kësaj kohe një frymë dhe njeriun e një epoke tjetër qoftë si zhvillim, si frymë, pa harruar të shkuarën dhe raportin e rëndësishëm me historinë. Vjershërimi dhe prania e Lakos në poezinë shqipe të kësaj kohe i solli poezisë shqipe një lloj arome, një ndjesi dhe frymëmarrje jetësore, të cilën zakonisht e përcjell shpirti dhe ndjesia e një gruaje. Po të shohësh titujt e librave të botuara në një hark kohor gati 40-vjeçar, bie në sy një kumt i ngrohtë, një paraqitje gjërash jetësore, një lloj përditësie siç janë pëllumbat, natyra e qetë, pranvera, këmbët dhe duart, lëkura e ujit, këmisha, marsi, stinët që masin kohën dhe shumë elemente të tjera poetiko-leksikore, të cilët e bëjnë mjaft komunikues raportin që ajo vendos me motivet e ndryshme.
Në të shtatë vëllimet poetike poetesha Natasho Lako ka shpalosur një diapazon të gjerë përjetimesh, të cilat janë individuale, por ato lidhen fort me fenomenet sociale, me njerëzit që e rrethojnë dhe me një humanizëm të thellë që e përshkon poezinë e saj. Lako ka një un të thellë dhe të zhdërvjellët lirik që në krye të herës, që kur u shfaq në poezinë shqipe, edhe pse pjesa më madhe e poezisë së saj u shkrua në kushtet e një trysnie sistematike ideologjike dhe estetikës normative të kohës.
Në të gjitha krijimet e saj, d.m.th. në të gjitha vëllimet e botuara, Lako nuk iu largua asnjëherë thelbit lirik. Vëllimet “Marsi brenda nesh”, “E para fjalë e botës” dhe “Yllësia e fjalës” janë libra interesantë, të cilët u botuan nën “trysninë” e fortë të kufizimeve të kohës në hapësirën e viteve ’70- ’80, ku në poezinë e Lakos shfaqet në qasje një mori detajesh të një tematike të gjerë. Ajo shpalon raportet me vendlindjen, lëvron lirikën, kryesisht temën e dashurisë, ka refleksione për jetën e re. “Dashuri”, “Nuk më lë bora të shoh” edhe poezi të tjera, ku vargjet e famshme të poezisë “Dashuri” do të përbënin një refren të brezit rinor kur ato u shkruan, ku spikat një ndjesi e shkëlqyer në gjetjen poetike: “Njëzetë qindarka për të folur me ty,/ tridhjetë qindarka për të ardhur te ti…”, ku duket një brishtësi prej aristokrateje edhe në komunikimin poetik, por që përbënte një frymë interesante dhe sociale.
Pavarësisht unit poetik dhe lirikës së thellë që mbart poezia e saj gjatë kësaj kohe; në poezinë e mëvonshme, në vëllimet poetike “Natyrë e qetë”, “Thesi me pëllumba” dhe “Këmbë e duar”, që u botuan në hapësirën e viteve ’80 apo fillimvitet ’90, në refleksionin e poetes perceptohet edhe një mjedis dhe gjendje gri, ku në shumë vargje dhe poezi shfaqen edhe kritikat dhe anët e errëta të jetës në shoqëri, me ç’rast ajo këmbëngul dhe ka tendenca të forta për të depërtuar në thelbin e shpirtit dhe në psikologjinë e brendshme të njerëzve, e cila para saj shfaqet si e thellë dhe e fshehtë.
Tre librat në fjalë përbëjnë një prerje të rëndësishme në të gjithë krijimtarinë e Lakos, pasi në to kanë një kronikë më realiste, një shqisë më depërtuese në dukuritë njerëzore, ku veçojnë ndjesi jo si çdo herë tjetër, ide, që vijnë përmes një zbulese shpirtërore të heroit lirik, pamje, ku rast pas rasti shfaqet peizazhi i natyrës dhe detaje të tjera jetësore që ngjajnë me rrëfime, të cilët mbahen mend gjatë. Poezi të tilla si “Nuk më lë bora të shoh”, “Një gjeth ra mbi flokë”, “Më more për dore”, “Mëngjese tiranase”, “Buzëmbrëmje”, “Vizatim i një rruge të Korçës”, “Etyd”, “Korça – Korça”, “Skenë familjare” e të tjera, janë krijime që reflektojnë një perceptim të gjerësishëm, një lloj “delte” komunikimi, ku poetesha gjen rastin të sjellë një ndjesi ndryshe herëve të tjera të natyrës lirike.
Poezia “Koha ecën me tren” është një poezi e bukur, gjithësisht brenda saj ka një diagramë interesante referente. Është vendosur në tren koha, e cila ka mbi shpinë një ngarkesë të çuditshme: “Koha ecën me tren,/ ka prerë biletë në një stacion periferie,/ bën ecejake nervoze në holl”, “supet i mbështjell me një shall të qielltë,…”, “këmbët e shpien në një sallë pa emër,…”, “… si një bujkeshë e mirë që ka marrë pagën e parë”. Dhe “Kohë e vetmuar, e rrallë, e thjeshtë,/ e braktisur prej njerëzve.”, ku shikohet një përsiatje interesante, çfarë nënkupton tendencën e reflektimit të një gjendjeje dhe vizatimi gri, bëhet fjalë për kohën, e cila brenda saj ka njerëzit, ngjarjet, veset etj.
Koha ka pasur reflektimin e vet të plotë në poezinë e Natasha Lakos, pasi poezia e saj shfaqet si një diagram mjaft i ndjeshëm jo vetëm përmes lirizmit dhe unit liriko-poetik, por edhe në raportet kundruese dhe kushtrimore që ajo shfaq herë pas here. Jeta arrin të depërtojë në poezinë e saj përmes refleksioneve që sjellin njerëzit në raport me vetë poeten, ajo ka një natyrë përthithëse të asaj që sheh syri dhe ndien shpirti i saj i brishtë. Etyde të shumta shfaqen mes vargjesh edhe nëpër strofa të ndryshme të poezisë së periudhës së fundit, ku poezia e brezit të saj ishte një lajmëtare e një pranvere dhe një fryme rebeluese që do të sillnin vitet ’90, të cilët në poezinë e Lakos gjenden përmes këtyre etydeve realiste, pavarësisht një gjendjeje gri ku ato gjejnë veten.
Një çështje e rëndësishme në poezinë e Natasha Lakos është profiliteti femëror i saj, një lloj pigmenti dhe një lloj fryme që ajo ka sjellë në poezinë shqipe të kohës, këndvështrimi dhe ndjeshmëria e femrës në këtë kohë, e cila në vetvete pleks femrën, gruan dhe nënën, një trinom që mbart komunikimi poetik i saj. Fenomeni poetik Lako ka zgjuar interesimin e studiuesve të huaj dhe të vendit, ngaqë Shqipëria përbën një fenomen tipik dhe interesant edhe në pikëpamjen kulturore në Gadishullin Ballkanik.
Në gati gjithë poezinë e Lakos duket një lloj brishtësie, ku alkimia e të qenit femër, nënë, grua dhe poete njëkohësisht nuk është zbehur në asnjë rast. Ku nuk ka qenë ai subjekti lirik i njohur i saj, ka qenë e pranishme natyra, pranvera, e cila sipas kritikës për poezinë e saj, poetja reflekton frymëzimin dhe intuitën e thellë të femrës, e cila e ndien e para ardhjen e pranverës, rënien e gjetheve në vjeshtë, thinjën në flokë, shkrirjen e dëborës, vajin dhe të qarët e foshnjës, lindjen e dashurisë dhe rrënimin e saj. Diku poetesha shkruan: “Të gjithë e para i ndien gruaja,/ gruaja, harmonikja, shenjë e gjithësisë…”, janë dy vargje të cilët duket se metonimizojnë gjithë marrëdhënien edhe lëvizjen filozofike e dialektikën e poezisë së poetes Natasha Lako. Në estetikën poetike të saj, e cila shfaqet përmes vizioneve të bukurisë, mirësisë, dashurisë, harmonisë, shfaqet aftësia dhe një shumëdimension i vazhdimësisë së jetës, që në fund të fundit përbën edhe vetë shenjën e gjithësisë, si koncept dhe “materie” të vazhdueshme të kohës.
Kjo botë poetike është e lidhur pazgjidhshmërisht me femrën, gruan apo nënën, pasi edhe fjala e parë që fëmijës i vjen në gojë është fjala nënë, pra e para fjalë. Prandaj në këtë lloj lidhjeje të pashmangshme, të cilën Lako e kupton mjaft mirë, shfaqet simboli i dyfishtë i gruas, si grua – nënë, grua – motër, gruas – bijë, gruas – gjyshe dhe gruas në përgjithësi, duke reflektuar gati të gjithë jetën e një gruaje si një domosdoshmëri në jetën e njerëzimit. Komunikimi universal i poetes në këtë raport është interesant, ai përshkohet nga një lirizëm i brishtë me një ndjesi të epërme, ku uni merr rolin e kuptimit të jetës, duke qenë femër, nënë, grua, bijë, gjyshe etj.
Lako shkruan: “Jeta ime prej gruaje,/ ka lënë në hapësirë/ një libër të bibliotekës, një laps, ca fletë,/ dhe një gjilpërë të vogël për të qepur, …”, ku përmenden një numër i caktuar i gjërave që të kujtojnë poeten dhe gruan, një metaforë jashtëzakonisht korrekte dhe koncize, e cila ka brenda edhe gjeografinë e vendeve ku ajo ka shkelur dhe ka prekur, por edhe hapësirën tjetër si kuptim përgjithësues, veçmas përmes simbolit të “gjilpërës së vogël”, e cila në të vërtetë nëntekston një marrëdhënie të shtrirë në kohë dhe në profesionin e një gruaje apo nëne. Refleksioni mbi botën e gruas dhe femrës në poezitë e Lakos është i gjerësishëm dhe i vazhdueshëm, dhe tematizon kohët historike, atë bashkëkohore, figura tradicionale të saj. Poezi të tilla si “Vals”, “Erë borziloku…”, “Vajzë e vogël, e ëmbël”, “Gruaja e rrugës ‘Egnatia’”, “Më do a s’më do”, “Krejt lehtësisht vij”, “Mamaja si mamaja”, “Gruaja përballë”, “Midis trupit tim e trupit tënd”, “Sytë prej Margarite”, “Gruaja falënderon” etj, përbëjnë një gamë të gjerë dhe disa-gjendjesh evokimi për femrën nga këndvështrimet e ndryshe që Natasha Lako ka për femrën që nga Teuta e deri te femra e vizioneve moderne të kohëve të sotme.
Një gjendje interesante, madje të prekur edhe nga një aspekt ekzistencial është poezia e titulluar “Erë borziloku ose rrëfimi për atë që më tregoi përrallën e parë”, një krijim i gjatë poetik, i cili sipas studiuesit Agim Vinca ngjan me një poemth lirik. Poezia është një rrëfim për gjyshen, dhe poetesha ka ndjesinë se po ndien erën e borzilokut kur flet për të. Poemthi përshkohet nga kjo erë e natyrshme, ku ndërmendësohet koha, qyteti i bukur i poetes, e cila na kujton se ka kujdes të vjetër për lulet, pastaj kohën e gjyshes, një kohë e shkuar që vjen përmes erës së borzilokut në kujtesën dhe rrëfimin e poeteshës (gjyshja krijon një lloj diapazoni të gjerësishëm pamjeje në poemth, relikte, dashuria, dhembja, lidhja me të si në përralla etj), ku kryqëzohet mosha e vajzërisë, e gruas, e nënës dhe pastaj e gjyshes.
Poetesha e zbulon hapësirën dhe kryqëzimin e moshave, gjendjeve që kalon një femër përmes vargjeve: “Po të donte ajo shihej që kishte ikur,/ po të mos donte ajo, nuk mund të shihnim përtej kurrë,”, apo “Po të donte ajo këndonin bilbilat/ Dhe po të donte ajo qanin…”, por edhe një lloj zotërimi që posedonin gjyshet për shkakun e peshës që mbajnë në jetën tonë, duke qenë femër, grua, nënë dhe pastaj gjyshe. Duke qenë një lloj përralle, gjyshja është edhe një lloj historie, një lloj dhembjeje dhe drame, një kronikë për ato që ajo ka treguar. Poemthi lirik i ka krijuar mundësinë asaj të prekë një tematikë të gjerë konceptuale përmes subjektit lirik të gjyshes.
Si pjesa më e madhe e poetëve shqiptarë, në poezinë e Natasha Lakos ka vend edhe për dramën historike të trojeve shqiptare, kryesisht Kosovën, e cila padrejtësisht iu la Serbisë nga Fuqitë e Mëdha në vitet 1912-13. Drama dhe tragjedia e Kosovës, e popullit të saj është parë në forma të ndryshme nga poetët nga Shqipëria, veçmas nga poeti Mitrush Kuteli, një poemë, e cila blatonte një shpirt të ndjeshëm, por protestues të poetit, e cila mbetet një model i përkryer i raportit që poeti kishte me tokën dhe njerëzit martirë të Kosovës, me historinë dhe mbijetesën. Ndërsa Natasha Lako ishte poetesha e luleve, e aromës, e brishtësisë femërore, e njerëzve të qytetit dhe të fshatit, ku buiste herë pas herë një mirësi gati hyjnore, pasi hyjniteti te njeriu e ka mishëruar këtë ndjesi në poezinë “Ah, Prishtinë”, një poezi e viteve ’70 të shekullit XX, ku shpërfaqet një realitet i zhurmshëm, një realitet tragjik e dramatik, ku historia dhe realiteti janë të shtrënguar të qëndrojnë bashkë,
Poezia nis me një gati thirrmë dhe klithmë të thellë “Ah, Prishtinë, e zhurmshme Prishtinë”, e ndjekur pas nga refrenet, “ku luhet tetari tragjik i kontinentit, ku në thinjat dimërore rrëshqasin fëmijët, ku livadhet e tua i var kasapi, ku lulet çelin në një pranverë të pakapshme, ku teatri luan verë dhe dimër”, pra një dramë historike komplekse, ku tragjedia qëndron varur si një kambanë që bie nga mëngjesi deri në mbrëmje. Poezia “Ah, Prishtinë” është e organizuar mjeshtërisht mbi elementet leksikologjike të fjalëve të tilla si: teatri, kasapi, lulet, livadhi, të cilat qendërzojnë simbolet dhe të shoqëruara nga paradigma të shkurtra komunikimi, ku pleksen bashkë dhembja dhe dashuria e një gruaje si ajo e sheh Kosovën gjatë kësaj kohe.
Poezia e Natasha Lakos nuk ka kurba të theksuara tematike apo të reflektuara nga marrëdhëniet e saj me kohën. Ajo ruan një lloj njëtrajtshmërie komunikimi tematik, ndërsa koha, siç është ajo e fundviteve ’80 apo fillimviteve ’90, në të cilën poetesha shfaq një gjendje interesante me mjedisin , një lloje gjendje gri, reflekton edhe një qëndrim të saj për kohën. Zëri poetik i Natasha Lakos e pasuroi më tej poezinë moderne shqipe në vitet ’70 – ’90, duke u bërë një individualitet poetik i spikatur.