Natasha Lako: PËR KË BIEN KËTO KËMBANA?!
Në 17 Janarin e përkujtimit të vdekjes së Skënderbeut
Ka ndodhur një ngjarje tjetër e madhe, që nga koha kur Dante shkroi “Komedinë hyjnore”.
Ky është emisioni “Skënderbeu dhe Islami” në “Opinionin” e Blendi Fevziut, i cili duhet të inkurajohet për komedinë shqiptare, që ka shfaqur. Pavarësisht se merrnin pjesë njerëz me zë.
Blendi Fevziu sigurisht kishte marrë rolin e Virgjilit.
Asnjë fjalë për kushtet dhe rrethanat e vetë shekullit të XV, kur jetoi dhe veproi dhe luftoi dhe triumfoi Gjergj Kastrioti. Dhe kjo pasi gjithë bisedën e tërhoqën pas hunde, fakte të çuditshme, që duheshin vënë në vend.
Megjithëse edhe sot më shume se asnjëherë tjetër e kuptojmë çdo të thotë aleanca dhe rëndësi e tyre, kur edhe një vend si SHBA “ia var” edhe Shqipërisë, Skënderbeu akuzohej se nuk ishte gjë tjetër veçse vasal i Aragonëve dhe mbretit të Napolit, i cili deri sot nëpër kështjellat mbretërore, ka portetin e vet pranë kurorave më të fuqishme mbretërore, duke përfshirë edhe Sulltanin me të cilin cdo diplomaci ka krijuar negociatat më të mëdha. Sigurisht edhe në këtë emision me që është bërë zakon ndërhynte edhe roli i Austro-Hungarisë, në shtetformimin shqiptar megjithëse kjo perandori e rënë, në shekullin XV as kishte lindur.
Rëndësi me sa dukej kishte që vetë Skënderbeu të zvogëlohet si figurë historike, qoftë kur edhe më të mëdhenj me mendimet e tyre bëhen ata që afrohen për analiza. Interesant është edhe diçka tjetër, që në çëshje kaq të zyrtarizuara, gjinia femërore edhe kësaj here mbetej në guzhinë.
Do të ishim me fat, sikur të kishim edhe më tepër dokumente, që të tregonin se çfarë gatuhej rreth e rrotull tavolinave të bukës për Skënderbeun, megjithëse ky nuk ishte Luigji i XVI-te i disa shekujve pas. Për fat kemi korespondencën e tij që edhe sot na lidh me të gjithë Europën, ku jemi pjesë.
Mendimet kontraverse, madje ekstravagante a kapricioze, mund t’i shkonin çdo fare libri, që ka të drejtë të shkruhet, qoftë për hir të virtuozitetit të spekulimeve, që mund të shërbejnë gjithnjë si kontorno rreth çështjeve themelore. Mund të bëhet sigurisht një emision edhe për barcoletat që qarkullonin në kohën e Skënderbeut, mund të bëhet një emision ku shumë figura historike që Dante i ka vënë në ferr, të nxirren për në parajsë.
Në një emision televiziv, ka debat vetëm kur dokumentat zbulojnë të vërteta historike kundër gënjeshtrave historike, të cilave mund t’u shtohet edhe kurioziteti, ka ardhur kafja a duhani në këtë periudhë në Europë, apo jo, ose çfarë përafron rolin e mbretit Vasa, që krijon bërthamën e shoqërisë suedeze, me Skënderbeun dhe bërthamën e shqiptarëve.
Do të ishte fare e tepërt që në këtë shënimin tim, të përsëris ato që ka vendosur historia, ose saktëson përditë historia. Ose të merrem me diskutimin për të rrëzuar Skënderbeun të ngritur si mit.
Për shumë të dhëna historike, të ndjekura hap pas hapi unë mund të jem profane. Dhe si profane jam gati të mendoj se sindroma e ndërtimeve të konstruksioneve krejt të reja, mund të pushtojë edhe historinë. Të nënçmosh çdo vlerë të vërtetë të këtij vendi, sikur të jetë gjithçka një godinë e vjetër mbi të cilat do të ndërtohen pallate shumëkatëshe, mund të jetë ekstravagancë e madhe. Por edhe kur kjo ka bukurinë e ëndrrës, ajo i drejtohet të ardhmen, pasi e kaluara nuk mund të ketë ëndrra. Të gjitha mund të ndodhin, madje edhe bllofet. Por jo për Skënderbeun, as për Karlin e Madh apo Frederikun e Dytë më pas, sepse të gjithë kanë zënë vend. Dhe e kaluara përderisa ka ndodhur është më serioze, se sa e pandehim ne të sotmit. Edhe sikur të ketë ironi, ajo kërkon saktësim, atë që u përpoqën të bëjnë ata që në këtë diskutim, kanë pasur faktet historike në duar.
Nuk është i vonuar ky shënim, që vetë u kujdesa ta vë në ballë të shqetësimeve që na rrethojnë përditë vetëm në këtë 17 Janar. Çdo emision është kalimtar dhe bëhet mirë ndoshta të mësojmë se çfarë thonë palët, o këto palët, që bëhen palë, se do të ketë gjithmonë qëndrime palësh edhe për figurën e Skënderbeut. Por ajo që nuk do të shlyhet kurrën e kurrës në këtë emision, është ajo bisedë ironike, e ngrirë në buzë që bënte dritë, së bashke me ndriçimin e dritave të një studioje në fjalë.
Por kur në një diskutim televiziv ku marrin pjesë edhe autorë seriozë, mbretëron kjo lloj buzëqeshja rrëzimtare, ironike, e përdorur si armë që jo vetëm rrëzon të vërtetat, por shpreh supremaci, mbi një figurë të palëkundshme, emisioni fare mirë mund të quhet një skandal.
17 janar 2024.