Nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu deri tek “i fundmi i Kastriotëve“ i ditëve tona
(Parathënie e librit, nga Alessandro Castriota Scanderbeg)
Sipas njërit prej sulltanëve më të egër që ka njohur historia e Perandorisë Osmane, Muhametit II, më 17 janar të vitit 1468 “u shua luani më i madh që kish’ gjeneruar njerëzimi, prijësi dhe liberatori i shqiptarëve, Gjegj Kastiroti Skënderbeu“. Me vdekjen e tij u shuan edhe shpresat për qëndresën e shqiptarëve ndaj ofensivës turke. Realisht, ata mundën t’i rezistojnë goditjeve të tyre jo më shumë se një dekadë. Ndërkohë, djali i prijësit shqiptar, Gjoni, së bashku me nënën e tij, Donikën, morën rrugën drejt Italisë dhe u vendosën në San Giovanni Rotondo, atje ku mbreti Ferrante i Napolit u dhuroi një tokë, si shpërblim për ndihmën e madhe ushtarake të prijësit shqiptar në Itali.
Në vitin 1481, pasi u rrit e u bë burrë, Gjoni u kthye në Krujë për të organizuar një kryengritje, të cilën e drejtoi vetë. Por ishte e kotë. Përpjekja për ta çliruar Shqipërinë nga zgjedha turke dështoi për shkak të rrethanave në vend dhe Gjoni u kthye i plagosur rëndë në Itali. Ekspedita tjetër ushtarake u organizua vite më vonë nga djali i tij, Gjergji dhe u mbështet nga Venecianët. Por fatkeqësisht, edhe kjo përpjekje përfundoi në mënyrë tragjike dhe pas saj, ëndrra e bashkimit me mëmëdheun u shua përgjithmonë.
Historia e familjes sonë koinçidon me atë të Shqipërisë gjer në vitin 1468, kur vdekja e Gjergjit e la vendin pa mbrojtje dhe pa udhëheqje. Për shekuj me radhë, paraardhësit e mi jetuan në Pulia, duke rrezikuar disa herë ‘zhdukjen’ e tyre. Nëse ekziston ende familja Castriota Scanderbeg në Itali, duhet të falënderojmë baballarët e viteve 800, katragjyshin tim Giorgio e mbi të gjitha, djalin e tij Francesco, lindur më 1840, i cili pati tetë djem, të gjithë të trashëguar me fëmijë. Midis viteve 1500 dhe 1800, familja ka rrezikuar gjithnjë të shuhet, mbasi shpesh ka qenë vetëm njëri prej djemve që vazhdonte trashëgiminë, për shkak të vdekjeve të shumta në moshë të re. Nga Gjergj Kastrioti deri më sot kanë kaluar katërmbëdhjetë gjenerata ; i biri, Gjoni (Giovanni), që u vendos në Puglia dhe që vdiq në viti 1505, lindi Ferrante-n (dy djemtë e tjerë, Gjergji dhe Alfonso vdiqën para kohe), i cili vdiq në 1561 dhe lindi Pardo-n, që vdiq në 1596 dhe lindi Fabio Costantino-n, që vdiq në 1615 dhe lindi Costantino Alessandro-n, i cili vdiq më 1643 dhe lindi Vitantonion, që vdiq në 1716 dhe lindi Alessandro-n, i cili vdiq më 1743 dhe lindi Vitantonio-n, i cili vdiq më 1811 dhe lindi Alessandro-n, që vdiq më 1803 dhe lindi Giorgio-n, që vdiq më 1846 dhe lindi Francesco-n, i cili vdiq më 1905 dhe lindi Luigi-n, i cili u spostua në Napoli dhe vdiq në vitin 1954, duke trashëguar Costantino-n, babain tim, pas të cilit vij unë, i lindur në Napoli dhe i vendosur në Kalabri. Nga ana e gjyshit tim Luigi, sot janë njëmbëdhjetë Castriota Scanderbeg.
Megjithatë, duhet thënë se Gjoni, biri i Skënderbeut u konsiderua për shumë shekuj nga shqiptarët si i “fundmi i Kastriotëve“, mbasi pasardhësit e tij u “kufizuan“në një vend të huaj, siç ishte Italia, që në mënyrë të pashmangshme u kthye në atdheun e tyre të dytë. Gjoni e përjetoi rëndë pamundësinë e kthimit në vëndlindje, pas përpjekjeve të shumta dhe dëshirës së tij të madhe për ta çliruar. Përveç organizimit të kryengritjes në Shqipëri, duhet përmëndur edhe beteja e Otrantos si dhe pjesëmarrja e tij në një tjetër kryqëzatë të organizuar nga Sharli VIII në vitin 1494, e cila dështoi për shkak të një sërë rrethanash fatkeqe.
Pak kohë më pas, Gjoni mësoi për vdekjen e Alfonsos, njërit prej djemve të tij, në kohën që udhëtonte në Valencia me gjyshen, Donikën. Ajo vdiq menjëherë pas kësaj tragjedie në qytetin spanjoll dhe eshtrat e saj mbetën atje, në pamundësi për t’u kthyer në Napoli.
E imagjinoj edhe sot të ashtuquajturin ‘i fundmi i Kastriotëve’, zemërthyer dhe të shkurajuar, duke përshkuar çdo ditë me kalë rrugën e gjatë që të çonte drejt Otrantos prej pallatit të tij në Galatina. Nga brigjet e këtij qyteti, përtej horizontit të detit e në drejtim të lindjes mund të shiheshin malet e njohura të Shqipërisë. E imagjinoj Gjonin duke ëndërruar pareshtur të kthehej mes njerëzve të tij që e prisnin, me dëshirën e natyrshme për të vazhduar bëmat e Atit të tij, këtij babai kryetrim e me një forcë të jashtëzakonshme, që dikur e ngrinte me njërën dorë mbi kalin e tij, për të udhëtuar së bashku në lartësitë e shqiponjave; këtij babai që ua besonte me dëshirën më të madhe birin e vetëm luftëtarëve të tij më të guximshëm si Moisiut të Dibrës, Lekës së Balshëve apo Vrana Kontit, të cilët luanin me të si me djalin e tyre! Çfarë fati për princin e vogël, të përkëdhelej nga luftëtarët më të mëdhenj të kohës! … E papritur, arratisja e shpejtë pas vdekjes së të atit, dëshpërimi i madh për humbjen e papritur dhe anija veneciane që i zbriti në brigjet e Italisë…një udhëtim që të kujton eksodin e shumë shqiptarëve disa dekada më parë…
Pas tentativës së Gjergjit, djalit të Gjonit, për të ringjallur revoltën në Shqipërinë e Jugut, e cila fatkeqësisht përfundoi në gjakderdhje, asnjë pinjoll i familjes Skënderbej nuk bëri më përpjekje për të ndërmarrë një inisiativë të tillë. Fati tragjik i Shqipërisë ishte vendosur tashmë me izolimin e errët të shekujve. Pasardhësit e tjerë të Skënderbeut, ashtu si Gjoni, pasi u vendosën përfundimisht në brigjet italike, ku ngritën rezidencën e tyre, nuk harruan kurrë t’i kthejnë sytë e vështrimet e tyre, vit pas viti, brez pas brezi e shekull pas shekulli, drejt lindjes. E nën ethet e trishtimit për fatet e atdheut të tyre, ata u bënë dëshmitarë të ngjarjeve të mëtejshme historike, duke qënë të vetëdijshëm se me kohën që rrjedh ngadalë e në mënyrë të pamëshirshme, ata do ta shihnin më pas nga një perspektive tjetër, tashmë si italinë.
Gjoni vdiq në vitin 1505, pa qenë në gjendje të rikthehej më në atdheun e tij.
Disa breza më vonë, një pasardhëse tjetër e familjes tonë në Lecce, Isabella Castriota Scanderbeg (vdekur më 1749), ndriçoi me ndjeshmërinë e saj poetike shekullin e tetëmbëdhjetë. Me gjithë fatkeqësitë që e ndoqën në jetë, duke nisur nga dita e parë e lindjes kur humbi nënën, etja e saj e zjarrtë për dashuri dhe emancipim nuk u shua kurrë. Fëmijëria e Izabelës u shënjua nga mizoria e njerkës, ndërkohë që adoleshencën e kaloi në manastirin e Klarisave, në një izolim të plotë material dhe emocional, braktisur nga të gjithë antarët e familjes. Martesa e saj e detyruar me një aristokrat të vjetër e të sëmurë e nxorri nga manastiri për ta çuar në një shtëpi tjetër edhe më të zymtë. Por me gjithë kufizimet që kishin gratë e asaj kohe si dhe karakterit të ashpër të një bashkëshorti që s’mundi t’i kuptojë kurrë aspiratat e gruas së tij, Isabella diti të ushqejë në zemrën e saj rebelimin heroik kundër të gjitha padrejtësive. Dhe ashtu si paraardhësi i saj i lavdishëm që u rebelua me forcë mbinjerëzore për të ndriçuar botën e ndërgjegjes së identitetit të një populli, edhe Isabella Castriota Scanderbeg u rebelua kundër bindjeve të kohës, fanatizmit, indiferencës dhe shoqërisë konservatore, duke shkundur nga supet peshën e rëndë të së kaluarës. Me pasionin për letërsinë dhe poezinë, ajo gjeti forcën t’i përhapë bindjet dhe idetë e saj në vargje, duke derdhur brënda tyre gjithë zjarrin e dashurisë së munguar. Në ditët e saj më të vështira ajo gjeti forcën e mjaftueshme për t’i rezistuar ekzistencës skllavëruese të një mentaliteti mbushur me paragjykime. Dhe me gjithë vështirësitë që hasi, nuk e humbi kurrë besimin për të realizuar ëndrrat e saj drejt pavarësisë e për të ndriçuar me to entuziazmin letrar të shumë gjeneratave të reja.
Gjatë këtyre shekujve, dera e Kastriotëve ka nxjerrë njerëz të shquar që janë nderuar vazhdimisht me tituj të lartë: poetë, klerikë, guvernatorë, garibaldinë, ushtarakë e luftëtarë të shquar, avokatë, prokurorë, mjekë, shkencëtarë, artistë, burra dhe gra që kanë patur përgjegjësinë e peshës së një emri të rëndësishëm, të vetëdijshëm se ishin pasardhësit e njërit prej heronjve më të mëdhenj të historisë së njerëzimit.
Scanderbeg-ët kanë rrezatuar gjithnnjë respekt në vëndin e tyre të adoptimit dhe janë shquar edhe për shpirtin e tyre liridashës. Stërgjyshi im Francesco ishte një oficer i Giuseppe Garibaldi-t në lëvizjet revolucionare të 1848-tës; xhaxhai im Luigi ishte partizan i Luftës së Dytë Botërore dhe është pushkatuar nga nazistët më 1944.
Në arkivin e Napolit dhe të Lecce-s ekzistojnë shumë dokumente që vërtetojnë pasardhësit e Gjergjit. Por mbi të gjitha, në arkivat e mëdha të Romës ekzistojnë dokumente të tjera, që do ta bënin edhe më interesante historinë e vazhdimësisë së kësaj familjeje.
Nëse kthejmë kokën mbrapa, mund ta konceptojmë me vështirësi distancën kohore që na ndan me zanafillën e kësaj historie. Ashtu si Gjoni, edhe pasardhësit e mëtejshëm të Gjergj Kastriotit qenë të detyruar të ndërronin kombësinë kur tokat arbërore ranë për shekuj me radhë në duart e turqve. Megjithatë, duhet thënë se ka mbetur një gjurmë e fortë që e lidh historinë e familjes tonë me Shqipërinë, e cila është mjaft e kuptueshme. Madje, për të qenë edhe më i qartë, kjo lidhje me shqiptarët, përbën edhe momentin më të lartë e sublim të historisë sonë.
Herë pas here më pëlqen ta shoh veten në Tokën e Shqiponjave, pasi më magjeps ideja t’i shoh vëndet që dikur Kryetrimi i vëzhgonte me sytë e tij dhe për disa çaste të bëhem pjesë e syrit të tij, reflektimit të tij, vështrimit të tij, pavarësisht faktit se na ndajnë katërmbëdhjetë breza. Në këtë kapërcim kohor kanë gjëmuar shumë topa, ka rënë shumë stuhi e dëborë, shumë kuaj kanë udhëhequr luftëtarët e shumë shqiponja kanë kapërcyer qiejt, por të gjitha këto kanë mbetur të skalitura në gurët, në gojëdhënat, në historitë që transmetohen, në këngët dhe librat. Periudha madhështore në të cilën Skënderbeu dha kontributin e tij për lirinë e Shqipërisë, ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe në rritjen e vetëdijes së tyre kombëtare. Forcimi i unitetit kombëtar në luftën kundër pushtuesve të huaj, bëri të mundur që për herë të parë të përfshiheshin në një shtet të vetëm, në atë të Skënderbeut, të gjitha principatat e viseve të lira Shqiptare. Dhe një gjë e tillë u arrit nëpërmjet marrëveshjes, jo nëpërmjet luftës e konflikteve. Shteti i Skënderbeut krijoi një traditë të rëndësishme, e cila u mbajt gjallë dhe u propagandua gjatë shekujve pasardhës, ashtu si u propogandua epopeja e tij e lavdishme që e shndërroi atë në një simbol të luftës për liri dhe një figurë e dashur për të gjithë shqiptarët edhe pas vdekjes së tij. Por vepra dhe figura e Skënderbeut i kapërceu kufijtë dhe mori përmasa dhe rëndësi ndërkombëtare, duke u vlerësuar lart edhe nga personalitetet më të shquara europiane të kohës. Jo rastësisht figura madhështore e Skënderbeut i ka kaluar shekujt dhe është kthyer edhe sot në një mit. Nëse i referohemi shkrimtari Gennaro Francione, në librin biografik të viteve të fundit për Skënderbeun, ai e cilëson atë si “një hero shumëplanesh të kohëve moderne dhe pionier të Bashkimit Evropian”.
Duke ja kaluar stafetën jo vetëm të birit, Gjonit e pasardhësve të tij, por edhe gjithë brezave të shqipëtarëve liridashës, Skënderbeu provoi konkretisht se deri në çfarë mase mund të ndikojë forca e vullnetit dhe dëshirës drejt ideve dhe veprave që përbëjnë epokë dhe transformime të mëdha, duke shfrytëzuar mundësitë e pafund të intuitës dhe inteligjencës njerëzore.
Please follow and like us: