Familja Velo gjatë LANÇ në zonën e Myzeqesë
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Fshati Eskaj dhe familja Velo
Fshati Eskaj ndodhet 18 km në jug të qytetit të Lushnjës dhe 11 m mbi nivelin e detit. Ai shtrihet midis fshatrave Kamçisht, Ngurrëz e Vogël, Imshtë, Bubullimë dhe Pirre. Për origjinën e fshatit ka toponime të ndryshme si thatësirë apo i vjetrë, dhe emri Eskaj derl për herë të parë në vitin 1646. Popullsia është tërësisht vendase dhe është marrë me bujqësi. Fiset kryesore ishin Qosellarët, Petollarët, Çukollarët, Ndrekallarët. Nga ky fshat asqerët Kozma Ngjeliu, Rrap Ngjeliu, Themi Peto kanë luftuar në Malësinë e Gjakovës në kundër serbo-malazezëve, ku dy të parë kanë dhënë jetën. Në luftërat e më pasme kanë marrë pjesë dhe luftëtarët Themi Peto dhe Mihal Shurdha. Themi Peto ishte baba i disa fëmijëve dhe kryeplak i fshatit, i cili u interesua që herët për shkollë në Eskaj. Në vitin 1932 u ndërtua një të re në trojet e Xhindole. Në vitit 1938, Eskaj kishte 30 shtëpi dhe 238 banorë. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nga fshati dolën 80 partizanë, të cilët u inkuadruan në çetën, batalionin dhe grupin e Myzeqesë. Në historinë e Eskajt lartësohen dhe gjashtë Dëshmore të Atdheut: Laze e Dhimitër Qose, Themi Ndreko, Todi e Vasil Velo dhe Behar Isufi. Më 22 tetor 1956 në fshat u formua kooperativa bujqësore, ndërsa në vitin 1961, kur drejtor ishte Aleks Jongari, u ndërtua një shkollë e re në qendër të fshatit Eskaj.
Në këtë fshat ka ngritur jetesën edhe familja Velo. Në rrjedhën e historisë ajo ka qenë një familje atdhetare dhe e përkushtuar për punën dhe zanatin e përpunimit të drurit dhe të gurit për ndërtimin e shtëpive, traditë e hershme e familjes që nga të parët e tyre të ardhur nga zona e Voskopojës nga e cila ka origjinë. Leonidha Velo ka ardhur shumë i vogël dhe e mabante mend pritjen dhe dashamirësinë e treguar nga banorët e fshatit Eskaj për ngritjen dhe ndërtimin e shtëpisë Velo. Të dhënat flasin për ndjenja patriotike të cilat dolën në pah në pjesëmarrjen aktive në LANÇ. Në këtë luftë u përfshi dhe familja Velo, ku më kryesorët ishin gjyshi Todi Kristo Velo, Vasil Todi Velo, Leonidha Velo, vëllai i nënë Pulijes, Profi Thoma Boçi, të gjithë të inkuadruar në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shtëpia e familjes Velo në Eskaj u bë një bazë e njohur e lëvizjes, ku gjetn streh e bënë jatak mjaft nga drejtuesit kryesorë të lëvizjes në Myzeqe. Anëtarët e familjes u rreshtuan në fillim në çetë dhe më vonë në Grupin e Myzeqesë, së bashku me militantë si Xhorxhi Robo. Miti Bozo, Rahman Ruçi etj. Në vitin 1944 ranë në përpjekje me forcat naziste e të Ballit Kombëtar në Sheqishtë pranë Roskovecit, gjyshi dhe xhaxhai, ndërsa në qytetin e Lushnjës në përpjekje me forcat gjermane ballistët dha jetë edhe Profi Boçi, daja e familjes Velo. Një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe gratë e familjes Velo të tilla si Naunka e Pulije, të cilat ishin në çdo moment të gatshme për ndihmë, si dhe përballuan të gjithë vështirësitë e luftës, duke u gjendur pranë anëtarëve të familjes dhe të partizanëve. Kurse Naunka, bashkëshortja e patriotit të vjetër Todi Velo ishte në krye të punëve të organizatës së gruas.
Myzeqeja në luftë dhe roli i Spiro Moisiut
Dy muaj pas Konferencës së Pezës, në 10 nëntor 1942, në Lushnje u krijua Këshilli NÇ i qytetit, në shtëpinë e patriotit Ali Kufi, ku morën pjesë përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë, midis të cilëve, tregtarë, bejlerë e nacionalistë. Pas shumë debatesh e diskutimesh, u zgjodhi Këshillin NÇ i qytetit me kryetar Spiro Moisiun, nënkryetar Xhevdet Nepravishta (Dëshmor i Atdheut) dhe sekretar Koli Ll. Bozo.
Figura e Spiro Moisiut u zgjodh si një figurë e nderuar, ku dhe nacionalistët që ishin kundër komunistëve, nuk gjetën argumenta për të sulmuar e kundërshtuar figurën e tij. Ngritja e Këshillave Nacionalçlirimtare ndikoi fuqishëm në mobilizimin e popullit nga të gjitha shtresat, pa dallim feje krahina dhe ideje në luftën për çlirimin e vendit. Partizanëve të parë që dolën në ilegalitet nga Lushnja dhe gjithë Myzeqeja, u priu në ballë Major Spiro Moisiu. Ai organizoi dhe çetën e Parë Partizane në Myzeqe. Kështu më 26 dhjetor 1942, u formua çeta e Myzeqesë, në Kolonjë, me një efektim prej 23 veta. Komandant u zgjodh Rahman Uruçi dhe komisar Muharrem Shabani. Major Spiro Moisiu u zgjodh këshilltar ushtarak i çetës, nga ëe tij e gjatë në ushtri. Çeta luftoi kundër postë-komandës së karabinierisë dhe batalionit bregdetar italian në fshatin Libofshë. Më tej vijoi aksioni për prerjen e linjave telefonike të Libofshës më qytetin e Lushnjës etj. Çeta zhvilloi luftime edhe jashtë territorit të Myzeqesë kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë në bashkëveprim me çetat e Skraparit dhe të Mallakastrës.
Më 19 shtator 1943, në fshatin Ngurrëz të Myzeqese, u krijua Grupi Partizane i Myzeqesë, më i madhi për Qarkun e Beratit me mbi 800 partizanë, ku komandant i Grupit u zgjodh Rrahman Uruçi dhe komisar Spiro Bakalli.
Veterani Llaqi Kozma Jano është shprehur për Major Spiro Moisiun si kuadri më i devotshëm që luftëtarët myzeqarë e vlerësonin figurën e tij, rolin dhe personalitetin e këtij ushtaraku të lartë, e këtij atdhetari, ndaj pa hezitim i shkuam pas me besim të plotë, duke mbushur radhët e çetave dhe batalioneve me partizane. Emrin dhe heroizmin e Spiro Moisiut e kishte mësuar dhe familja Vela dhe miqësitë e saj, të cilat u rreshtuan në epopenë e madhe dhe dolën fitimtarë. Ndërsa Xhorxhi Robo, bashkëluftëtar me Spiro Moisiun ka theksuar për Spiro Moisiu se ishte një shans dhe nder për popullin dhe për partizanët e Myzeqesë, që u ndodh në Lushnje në ato kohë historike, një personalitet i tillë me potencial ushtarak e intelektual si Spiro Moisiu, i cili ishte jo vetëm këshilltar e strateg ushtarak, por dhe ideator e organizator i shumë sulmeve e betejave që përballuan partizanët e Myzeqesë, duke e lidhur veprimtarinë revolucionare të tij shumë ngushtë me Lushnjën dhe me Myzeqenë.
Luftëtari i vjetër u lidh me lëvizjen
Lufta përfshiu edhe luftëtarin e vjetër Todi Velo, i lindur në vitin 1885 në fshatin Eskaj, njësia administrative Bubullimë, në Lushnjë. Në rininë e tij, pati marrë pjesë si luftëtar në çetat patriotike të kohës, si gjatë periudhës për shpalljen e pavarësisë. Kontributi i Todit si patriot u shfaq dukshëm gjatë Lëvizjes, ku gjithë familja, nën shembullin e tij ju përkushtua kësaj lufte dhe u bë një nga bazat e saj të qëndrueshme. Pas njohjes me Llazar Bozo, i cili i foli me konsideratë për Spiro Moisiun, Todi u aktivizua me njësitin luftarak të fshatit dhe krijuan çetën territoriale të fshatit. Më 1942 në “Fushën e plepit”, ka qenë në krye të protestes antifeudale për mbrojtjen e fshatit nga grabitësit. Në shtëpinë e tij janë strehuar në periudhën e LANÇ patriotët Rahman Uruçi, Xhorxhi Robo, Hasan Gina etj. Në vitin 1943 doli partizan në çetën e Myzeqesë e luftoi kundër fashistëve italianë e gjermanë, si dhe bandave reaksionare që vepronin në zonën e Lushnjës. U kap në befasi nga ballistët e Ngurrëzës dhe të Isa Manastirliut. E pushkatojnë më 22 janar 1944 në fshatin Sheqishtë të Fierit.
Në gazetën e Lushnjës “Shkëndija” 14.10.1976, mësuesi, poeti i fshatit Irakli Papa boton një poezi: U mblodhën djemtë e fshatit rreth teje/ Mes tyre, Miti, Lazja, djali yt Vasil/ Ndërsa një mëngjes i bukur krejt në heshtje,/ Po i përskuq retë në ngjyrë trëndafili… Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 74, datë 25.10.1971, Komiteti Ekzekutiv i KP të rrethit Lushnje dhe eshtrat e tij gjenden në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Lushnjës.
Në rrugën e babait…
Familja Velo u përfshi e gjitha në luftë. Midis partizanëve të rreshtuar në njësitë e ushtrisë çlirimtare mori pjesë dhe i riu, djali i Todit, Vasil Velo, i lindur më 1919 në Eskaj. Në rininë e tij kreu filloren në fshatin e lindjes. U përfshi në lëvizje dhe eci në gjurmët e babait të tij. Todit u radhitet në çetën e Myzeqesë dhe mori pjesë në luftimet e zhvilluara prej saj në Karbunarë, Kolonjë, si dhe në zonën e Skraparit e të Beratit. Kur grupi partizan po riorganizohej, Todi që po kryente një detyrë të ngarkuar nga shtabi i grupit, i spiunuar, kapet nga ballistët e komanduar nga J. Kurti dhe, pasi e torturojnë e pushkatojnë në Sheqishtë të Fierit, së bashku me babanë e tij, luftëtar të hershëm më 22 janar 1944. Babë ebir ranë dëshmorë për lirinë e Atdheut. Është hpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 74, datë 25.10.1971, Komiteti Ekzekutiv i KP të rrethit Lushnje dhe eshtrat e tij gjenden në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Lushnjës.
Fjala e dhënë u mbajt…
Profi Numan Boçi kishte miqësi me familjen Velo. Të dy familjet ishin lidhur ngushtë njera me tjetër dhe lidhën fjalë për të ndjekur dhe ndihmuar lëvizjes. Profi kishte lindur në vitin 1898 në fshatin Rrupaj të Lushnjës. Ai ishte djalë i vetëm dhe në rininë e tij punoi në tokat e bejlerëve, por aty nuk siguroi jetesa familjare dhe fillon punë në shkollën Bujqësore të Kavajës si punëtor. Duke qenë i pakënaqur nga regjimi i mbretërisë, në gusht 1935 mori pjesë në kryengritjen antizogiste të Fierit. Kryengritja dështoi dhe Profi u burgos nga xhandarmëria e Lushnjës, e torturuan dhe pasi krye dënimin kthehet në fshat, tek prindrit. Filloi lëvizja dhe u bashkua me aktivistët Gjergji Daka, Kici Gjika, Lipi Çuko, Ndoni Avrami për të luftuar pushtuesin fashist.
Profi u lidh me lëvizjen, sepse dha fjalën në Familen Velo për luftë, por dhe me Laze Likon ku familja e tij ishte bazë partizane, si dhe me Gori Bashën kryetarin e parë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit Rrupaj. Familja e Profi Boçit u bë kështu një nga bazat e lëvizjes dhe dha kontribut duke ndihmuar dhe materialisht në Luftën Nacionalçlirimtare. Në mars të vitit 1943 Profi u rreshtua në radhët e çetës partizane të Myzeqesë dhe më 19 shtator 1943 në Grupin Partizan të Myzeqesë, ku komandant ishte Rrahman Uruçi. Mori pjesë në të gjithë luftimeve e zhvilluara në zonën e Myzeqesë, të Beratit e deri në Skrapar.
Më 14 tetor 1943 në lagjen “Teqe” të Lushnjës, sot lagjia “Kadri Qystri” u kap befasisht dhe burgoset nga nazistët dhe ballistët. Të prangosur e nxjerrin natën nga qyteti për ta pushkatuar, së bashku me katër luftëtarë, ku gjatë rrugës për në vendin e pushkatimit, partizani Til Lala këputi prangat dhe u fsheh në selvinë e kishës së Lushnjës. Të katër partizanët i pushkatuan… Në të dalë të qytetit të Lushnjës në rrugën e Hysgjokajt, është ngritur një lapidar që flet për pushkatimin e partizanit Profi Naun Boçi.
Profi Boçi, si luftëtarë në çeta e batalione partizane është dekoruar me medaljen e “Trimërisë” dhe të “Çlirimit”; është shpallur Dëshmor i Atdheut më vendim nr. 74, datë 25.10.1971, Komiteti Ekzekutiv i KP të rrethit Lushnje dhe eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Lushnje.
E gjithë Familja Velo nga fshati Eskaj pas çlirimit të vendit dha një kontribut të madh në aksionet kombëtare për tharjen e kënetave, ndërtimin e hekurudhave dhe veprave të tjera të mëdha të vendit, duke qenë pjesëtar aktiv dhe në krye të punëve, të detyrave dhe të përkushtuar ndaj Atdheut. Traditën e familjes Velo e ka ndjekur Gjergji Velo, i cili ka kryer detyra si sekretari i rinisë i rrethit të Lushnjës, kryetar i Komitetit Ekzekutiv në rrethin e Lushnjës e të Tepelenës dhe ka vite që drejton Organizatën Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut.