Natasha Lako, një pegasiane që bashkoi autorët e shekujve në Olimpin e letrave
Nga Keze Kozeta Zylo/
(Përshtypje dhe mbresa nga libri “Njeriu si një tjetër”)
Çdo libër që më dhurohet më krijon një ndjesi të veçantë. Natyrisht secili libër është si nje zog pendë kaltër që ndërton një folezë në trurin dhe zemrën time. Disa prej tyre dhe mund të mos jetojnë aq gjatë, por libri “Njeriu si një tjetër” me autore, shkrimtaren e shquar Natasha Lako do të më ngelet përgjithmonë ne kujtesë.
E çuditshme të kesh foleza të argjendta brenda trupit dhe si emigrante lehtësohesh pakëz ose pajisesh me flatra për të udhëtuar drejt Atdheut, atje ku shqiponjat kanë folenë. Dhe ky vendim do të jete nje akt i shenjtë ashtu siç shkruan shkrimtarja Lako si: “Kur vendosa të bashkoj në një libër shkrimet që për disa vite me radhë më janë botuar në gazeta të ndryshme, shtysë të parë kisha qëndrimin ndaj leximit, si një akt që mund ta quaj të shenjtë”.
Libri fillon me një vështrim të thellë rreth shkrimit “Bogdani dhe Herakliti” ku me intuintën e një artisteje dhe me një imagjinatë të jashtëzakonshme na çon nga Bogdani tek Herakliti, ku citohet përmallshëm dhe ndjeshëm vargu i Bogdanit: “Qiellisht ngrihen gurë dhe zjarr”…
Kjo përmendje e ndezur si llavë më përkon me 334 vite më parë, më 6 dhjetor 1689 ku Pjeter Bogdani vdiq në Prishtinë nga epidemia e murtajës.
Eqerem Çabej shkruan se Bogdani është një stilist i rrallë, ai është maja e Gjuhës Shqipe. Natasha Lako ka ngritur ushtrinë në këmbë rreth një studimi dhe pasurie të linguistikës artistike marramendëse ashtu siç ka bërë Bogdani tek “Çeta e profetëve” si nje bari shpirtëror.
Ndaloj emocionalisht në faqen 17 të librit ku ka shkrimin: “Naim Frashëri dhe Uollt Witman”.
Zoti i solli në jetë t’i kem fqinj të dy të mëdhenjtë, Naim Frashërin me vendlindjen time Tepelenë-Përmet, që sa herë e kemi vizituar shtëpinë e tij, apo me Uollt Uitman ta kem fqinj në Long Island, New York. Para disa kohësh unë shkova brenda shtëpisë së lindjes kthyer në muzѐ në Long Island, atje ku i ra koka shkrimtarit botëror Uollt Uitman. Ajo që më ngacmoi më shumë për ta vizituar nje ditë të diele dhe ta harxhoja kohën kulturalisht ishin vargjet e tij që më frymëzuan si: “Kundërshtoni shumë, binduni pak”… Po ne jetojmë në kohë të shpërfytyruara herë me skllevër përreth dhe herë matanë oqeanit bash m’u në zemër të Atdheut tim, ku shumica vazhdojnë të adhurojnë diktatorët që mjerisht lindin si kërpudhat, pa kuptuar se prej skllavërisë së plotë asnjë popull i botës nuk e fitoi dot përsëri Lirinë.
E shkruaj këtë sepse Witman dhe Frashëri ngelen frymëzim, ekrane të hapura të mendjes, piskama e dhimbjes dhe e bukurisë njerëzore të cilën e kanë emërues të përbashkët në pasurinë e tyre letrare. Autorja me plot sqimë të penës së saj i sjellë të dy shkrimtarët Frashëri dhe Utiman si burra të një force epike. Te dy përdorin enumeracione, një shkallëzim të natyrës, si në një zotërim të porsashfaqur të kthyer në himn. Naimi e fillon poemën e tij të famshme me vargjet:
O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë/ Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë/ Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar/ Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Ndërsa Wollt Uitman këndon: “O kënaqësi që japin lisat, kopshti, korija, dushku, qitrat, pisha, pekanti. O të këputësh hapësirën.” Autorja si një studjuese e thekur pohon se: “Naim Frashëri mbetet demokrati i parë i shqiptarëve, Uollt Uitman mbetet demokrati i paparashikuari i gjithë botës.”
Marrim pak frymë gjatë leximit, ndalem diku tek qelqi i akullt i janarit dhe shoh drurë të zhveshur nudo, dhe tek tuk ndonjë syth jeshil i sapoplasur në një të çarë lëvozhge me sy të kadifenjtë. Gjatë këtij akti që janë elemente ujore dhe stërkala Sollokusheje ku jam nanurisur në fëmijërinë time filloj të lexoj përsëri. Syri ndalon dhe më mbjellë fantazinë e shkrimtares Lako në rremba të gjakut, ngase ajo shkruan si: Wollt Uitman duket sikur e ka takuar Naim Frashërin kur i thote:
“Shok po të jap dorën! Po të jap dashurinë që është më e shtrenjtë se floriri, po
të jap veten time në vend të predikimit dhe të ligjit. A ma jep ti veten tënde? A vjen të udhëtosh me mua? A do që të qëndrojmë bashkë tërë jetën?
Më bukur shkruan Lako që nuk njiheshin këta dy poetë, sepse bota duket edhe më e madhe.”
Shumë të vlerta janë dhe tri letra si: “Rapsodia e Këngëve Arbëreshe”
Me shumë emocion do të ndalesha tek De Rada i madh, ky shenjtor i Gjuhës Shqipe matanë Adriatikut. U ndala me një detyrim moral e shpirtëror duke më ngacmuar pejzat e shpirtit nga shënimi që Lako ka lënë në faqen e parë të librit dhuratë për mua dhe duke më pagëzuar si promotore të fjalës shqipe në gjirin Nju Jorkez të shqiptarëve. Shkrimtarja uron: Jetë të gjatë “Alba Life”!
Pena e saj ndrin dhe shkëlqen, kur thotë se De Rada me përmbledhjen “Rapsodia e këngëve arbëreshe” hodhi farën e këngëve. Në këtë vit të madh të autorëve të jashtëzakonshëm botërorë u shquan dhe ca kënge të vogla të truallit shqiptar. Është fara e një gjenialiteti, është fara e një geni që me të drejtë duhet të përkulemi para tyre për këtë pasuri përrallore, hyjnore.
Tek letra e dytë për lexuesin, qënien më shpirtmadhe jepet qënia hyjnore e globit, femra. Asgjë nuk mund të shijohet, asgjë s’mund të shkruhet dhe asgjë s’mund të dritëzohet pa hyjneshën: grua. Kjo shkruhet në libër, kur çdo këngë ekziston vetëm përtej kqyrjes gjatë një dekantimi artistik. Në barkën e parë hipën vashat, në barkën e dytë hipën trimat, në barkën e tretë kishte bukë dhe mëndafsh. Kënga ka forcë magjike, drithërurese, jehonë të largëta zërash, dallgë detesh dhe oqeanike, vegime dhe shkëndijëza sysh, shkrepëtima dhe zjarre mallesh që djeg…
Në moshën e vajzërisë kënga pyet: E kujt je mollë e pambjellë/ rrënjëhapura pa dhѐ?
Dhe bashkëbisedimi ngre tallaze dashurie për mëmëzonjën si: O ti zonjë, o shegë e pjekur/ Dil në udhë që t’i takosh!…
Princi i Arbërisë është i adhuruar përjetësisht nga Arbërit dhe të gjithë shqiptarët sa të kenë frymë mbi dhe. Ndaj me të drejtë autorja sjellë magjepsjen për bukurinë shqiptare, për Donikën si:
Te pallati i Aranitit/ Dërgojini fjalë zonjës/ Donikë Marineza…
Dhe në shtratin e zjarrtë të këtyre këngëve plot art, stilistikë, metafora goditëse shpirtërore, lindi kryevepra e letërsisë “Milosao”
Natasha Lako e mbyll librin me një përsiatje të njderë të titulluar “Një pikë e zbehtë blu”, ku mjeshtërisht përdor bukur figurat artistike, imazhin, imagjinatën e saj gjer në kupë të qiellit, apo gjithë planetit aty prej 60 billion km ku është bërë fotografimi i planetit tokë nga roboti. Ajo heq një paralele midis fotografimit dhe Ditës së Shën Valentinit meqënse është bërë pikërisht në këtë datë, më 14 shkurt, 1990.
Brenda mistereve të Pikës së zbehtë blu autorja më mban pezull si pupël në ajer për të shkuar më tej imagjinatës së saj e cila shpreh vehten mjeshtërisht. Fotografia është dhe guxim i një poeteje që e çon lexuesin ku dhemb dhëmbi vete gjuha. Ajo guxon dhe i thotë lexuesve të saj se para se të na integrojnë në qytetërimin e tyre bota, robotët, etj, politikanët tanë na kanë integruar me kohë brenda një pike të vetme ku nuk duket asgjë. Duke shkruajtur të mbahet edhe fryma, kur të pangopurit, grabitësit shpirtërorë dhe të pabesë, robotët do të na kullufisin të gjallë. Dhe pena e Lakos ngre alarmin… Autorja ka ndalur mahnitshëm në shkëlqimin e figurave më të epërme të kulturës dhe Gjuhës Shqipe filluar me Marin Barletin, Gjon Buzukun dhe vazhdon si një misionare e devotshme duke operuar me “bisturinë” e artit për të shëruar plagë që jo rrallë janë në trupin dhe unin shpesh malinj të shkrimtarëve…
Lexojme dhe vazhdojmë në çdo faqe dhe esse të librit dhe papritur ndjej sikur me dorën e nje arkitekteje artistike më ka ndërtuar në sytë e mi çerdhe dallandyshesh: Dhe e dini pse? Dallandyshet ndërtojnë foletë vetëm pranë shtëpive të njerëzve, pranë ballkoneve të tyre. Natasha Lako është grua, është humane, është poete e cila vjen me kalin pegasian dhe ulet si mike në sofrën e vjetër. Poezitë dhe shkrimet e Lakos vinë herë si fllad dhe herë si jehonë malesh dhe kthjellojnë mendjet e lexuesve që aq shumë kanë nevojë në këto kohë duhmash të papërmbajtura, suname të egra. Me këtë liber autorja Lako të kujton novelisten e shquar amerikane Toni Morrsion e cila thotë: “Nëse ka një libër që dëshironi të lexoni, por ende nuk është shkruar, atëherë ju duhet ta shkruani.”
Natasha Lako jo vetëm që e shkruajti, por me këtë libër ka pasuruar universin e letrave shqipe me aktin më të lartë shpirtëror, poetik dhe eseistik. Libri është si një katalizator ku çliron vetëm energji të pashterrshme, pasi gjtihë elementet artistikë, stilistikë, e vërteta dhe imagjinata marramendëse të burgosin derisa të shkosh në togfjalëshin e fundit: “Gjuhë njeriu”, dhe aty çlirohesh dhe frymëzohesh për të dhënë mendimin rreth librit si në rastin në fjalë.
Autorja i bashkoi shkrimtarët e ndryshëm të epokave si Pegasi, qe është kali i mrekullueshëm fluturues i mitologjisë greke i cili kaloi pak kohë në tokë përpara se të fluturonte në malin Olimp, në shtëpine e perëndive ku shkoi për të jetuar në pallatin e Zeusit.
Natasha Lako është një pegasiane që bashkoi autorët e shekujve në Olimpin e letrave.
18 janar, 2024
Staten Island, New York