Figura e Mustafa Krujës dhe vetëdija e përgjumur e një kombi të lashtë
Prof. Albert Frashëri/
Shpesh herë çuditërisht ndrydhim në veten tonë ndonjë mendim që lidhet me njerëzit rreth nesh, me fqinjët, me qytetin apo me mbarë kombin, pa kuvenduar me të afërmin dhe duke ia fshehur vetëdijes dyshimin, hezitimin apo dhimbjen sikur të kishim frikë nga e vërteta.
Rikthehem në këtë argument pasi lexova, edhe pse me vonesë, nje libër të vyer, “Mustafa Kruja në historinë shqiptare” të qëndisur me aq kujdes e mund nga nipi i tij, shkrimtari dhe esseisti i njohur Eugjen Merlika. Në këtë libër, përmes ngjarjesh që përfshijnë gjysmën e parë të shekullit XX, sendërtohet në një të vërtetë tronditëse profili i patriotit dhe intelektualit Mustafa Kruja. Ajo e vërtetë ashtë ndërtuar me një dokumentacion të pasur e të renditur me urtësi nga autori Merlika. Një vandak dokumentash të randësishme të viteve 1908-1914 lidhen me krijimin e të parit shtet shqiptar, në ndërtimin e të cilit Mustafa Kruja ashtë jo vetëm një nga firmatarët por edhe aktor i randësishëm i ngjarjeve. Më pas gjejmë dokumenta të botuara në Romë në vitin 1919 me titull “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes” e më tej autori i referohet fondit “Përshpagimet shqiptare” të Arkivit Qëndror të Shtetit nga dosja e Mustafa Krujës, datuar 1941.
Në ato dy dekadat e para intelektuali i ri e jokonformist, Mustafa Kruja, edhe pse me pasion, analizon me logjikë, gjakftohtësi e respekt pikëpamjet me të cilat ashtë ose jo dakord. “Ai”, shkruan autori për Krujën, “mbështetet fort në të gjitha vlerat e kombit të tij, te personalitetet e shquara të tij si vëllezërit Frashëri apo Sulejman Delvina, që kanë dhënë një ndihmesë të çmuar në kulturën otomane, por mbeten gjithmonë bij të popullit të tyre.”
Eugjen Merlika tregon talent dhe pjekuri të veçantë në analizën e dokumentacionit dhe ngjarjeve dramatike të asaj periudhe. Duket sikur jeta e vështirë nga një lager i Hoxhës në një tjetër e ka ndihmuar, falë inteligjencës, të shndrrojë në urtësi përvojat jetësore dhe studimet individuale e intensive që kanë pasuruar jetën e tij. Janë mjaft interesante vëzhgimet dhe konkluzionet e tij kur analizon përpjekjet e patriotëve myslimanë e të krishterë për alfabetin e gjuhës shqipe kundër paditurisë së filoturqëve që mbronin një alfabet arab për besimtarët myslimanë. Nga analizat dhe dokumentat e inseruara në libër del i qartë roli i randësishëm i Mustafa Krujës në atë kalvar ngjarjesh për shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit të parë shqiptar. Kjo përpjekje pati njëzëri një konceptim laik e me frymë perëndimore që synonte rikthimin e kombit kah Europa.
Janë shumë interesante dokumentat që hedhin dritë mbi zhvillimet politike ne Shqipëri dhe veçanërisht ato që kanë të bëjnë më ndërhyrjet greke në zhvillimet e shekullit të kaluar. Natyra dhe kufijtë e këtij shkrimi nuk më lejojnë të merrem me përmbajtjen e hollësishme dokumentare të këtij libri të vyer, por për të dëshmuar vlerën e madhe të tij për kombin shqiptar dhe për të vërtetën historike, dua të kujtoj dramaticitetin e ngjarjeve që sjellin ato dokumenta lidhur me mjerimet, vrasjet e grabitjet që qeveritë greke dhe serbe të asaj kohe i shkaktuan popullsisë autoktone shqiptare. Sipas dokumentave, sikundër shprehet autori E.Merlika, “Elementi shqiptar në tri rrethana të veçanta u godit pa mëshirë me masakra e shkatërrime . . .”
Sikundër u shpreha pak më lart, ideja dhe qëllimi i këtij shkrimi lidhen me vetëdijen që qytetari ka apo duhet të ketë për të vërtetën historike dhe për vlerësimin objektiv të ngjarjeve dhe të aktorëve të saj. Botimi i këtij libri sjell dritë mbi figurën e Mustafa Krujës që regjimi enverian denigroi e çensuroi pikërisht siç bëri me shumë patriotë, si Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri e Mehdi Frashëri, Faik Konica e Ernest Koliqi, e shumë të tjerë.
Çensura e gjysëm shekullit komunist e ndrydhi mëndjen dhe shpirtin e njerëzve. Indiferenca e klasës politike të sotme ndaj pamjeve kulturore të botës shqiptare e bëjnë ditaditës më urgjent problemin e njohjes dhe respektit që meritojnë figurat e shquara të kombit.
Përse të flasim ende për çensurën e një regjimi të perënduar dhe për indiferencën, inercinë e politikës së sotme? Në numurin e dokumentave të pjesës së tretë te librit që titullohen “Përshpagimet shqiptare”, të hartuara e të firmosura nga Mustafa Kruja, Fejzi Alizoti, Xhemil Dino, Dhimitër Berati e Tahir Shtylla, jepen të dhëna që dokumentojnë përhapjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe në Gadishullin ilirik, në atë që historia e tjetërsoi në “Gadishull ballkanik”. Ky tjetërsim synonte të asgjësonte kujtesën e universit ilir. Të dhënat dokumentare të këtij libri japin ide të qarta për zhvillimet dramatike e pasojat negative që ngjarjet e shekullit të kaluar kanë krijuar për këtë komb të lashtë thellësisht europian. Shqiptarët e kanë humbur vetëdijen për potencialet e mëdha njerëzore që fshihen në gjirin e tyre. Në librin mbi Mustafa Krujën i gjejmë këto dokumenta e vëmendje, ndërsa në gjysëm shekullin totalitar asnjë gjurmë.
Problemi i identitetit nuk ashtë një çështje thjesht mësimore e shkollës, përkundrazi, ajo ashtë një tog cilësish themelore që çojnë në krijimin e vetëdijes kombëtare. Nga ana tjetër, identiteti ashtë çelësi, shtegu përmes të cilit bota e qytetëruar mund të njohë e të kuptojë pesë apo gjashtë milion shqiptarë të gadishullit ilirik. Regjimi antikombëtar i Hoxhës fshiu nga zemra dhe mendja e shqiptarëve pamjet thelbësore të traditës kombëtare dhe krijoi mitin e njeriut të ri, skllavit të shtypur, të mjeruar e të poshtëruar prej tij. Sot, nëse duam të karakterizojmë gjendjen aktuale të këtij kombi të lashtë, pa e tepëruar mund të pohojmë që jetohet me një çorientim të plotë kulturor e identitar.
Duke lexuar me vëmendje këtë libër të Eugjen Merlikës të vijnë vetvetiu disa pyetje. Së pari, si ashtë e mundur që një intelektual e patriot i shquar si Mustafa Kruja e shumë të tjerë, figura të rëndësishme të historisë kombëtare të shekullit XX, të çensurohen duke përdhunuar barbarisht të vërtetat historike? Së dyti, si ashtë e mundur që në këtë përpjekje të të ashtuquajturit “demokratizim i vendit”, të mos ketë një lëvizje intensive e të organizuar nga klasa politike dhe as nga bota akademike për të ringjallur pamjet kulturore dhe identitare të kombit përmes figurave të shquara të tij?
Pa kulturë nuk ka zhvillim. Le të kujtojmë, fjala vjen, rastin e danezëve, shteti i të cilëve ashtë nga më të vegjëlit mes vendeve perëndimore. Danimarka, me një popullsi afërsisht sa ajo e shqiptarëve të gadishullit ilirik, ashtë në vendet e para të të gjitha klasifikimeve botënore mbi zhvillimet njerëzor, teknologjik, ekonomik, arsimor e social. Sipas një studimi të kryer dhe botuar nga UNESCO, Danimarka meriton titullin “shteti më i lumtur në botë”. Kjo ashtë e mundur vetëm në saje të zhvillimit kulturor dhe traditave kombëtare rigorozisht të respektuara në modelin e zhvillimit të vendit. Por nuk ashtë vetëm kjo. Në jetë ashtë dinjiteti i kombit ai që i jep vlerë ekzistencës individuale . . . dhe kjo varet shumë nga reputacioni dhe nga kultura që rrezatojmë në marrëdhaniet korrekte me popujt e tjerë.
Mjerimi që solli errësira otomane dhe absurditeti i regjimit komunist pasojat më të rënda i la në fushën e kulturës. Me totalitarizmin e Hoxhës ndodhi ajo qe pati ndodhur me emigracionet e pas shekullit XV kur prej këtij trualli u larguan njerëzit e pasur e të ditur që përçonin nga brezi në brez vetëdijen historike dhe kulturore të kombit. Ajo mënxyrë ishte pasoja e genocidit kulturor që turku ushtroi mbi të vetmin komb të gadishullit ilirik. Pas krijimit të shtetit shqiptar në vitin1912, në Shqipëri u zhvillua arsimi. Të rinjtë e braktisën udhën e Stambollit dhe shkuan në Europë për të studjuar. Shteti i porsaformuar shpejt po rimerrte fizionominë e vendeve europiane . . . por duke filluar nga viti 1945 në Shqipëri rifilloi të ndjehej po ai vakum kulturor anadollak e mizor që kombi pati njohur që në agimin e pushtimit otoman. Regjimi çnjerëzor i Hoxhës dhe ortakëve besnikë e fanatikë të tij solli ndjekjet, persekutimet dhe pushkatimet, me ose pa gjyq, që synuan të çfarosnin patriotët dhe intelektualët e vendit. Këta u çensuruan dhe brezat e pasluftës në 45 vjet njohën vetëm dogmat partiake antikombëtare e antinjerëzore. Prandaj njohja dhe përfshirja e veprës së patriotëve dhe figurave madhore në almanakët e historisë dhe kulturës kombëtare ashtë një detyrë patriotike dhe shprehje e mirënjohjes që qytetari i sotëm tregon kundrejt tyre. Ashtë ky motivi për të cilin duhet të përgëzojmë autorin Eugjen Merlika që përmes këtij libri na sjell ndër radhët e intelektualëve patriotë figurën emblematike të Mustafa Krujës.
Në këtë moment historik vërehet një intensifikim i propagandës nga ana e shovinistëve që na rrethojnë. Ka një mësymje sistematike me artikuj e pseudostudime që përpiqen të ringjallin mitin e primatit serb në gadishullin ilirik. Mund të përmënd autorin V.B.Sotiroviç me shkrimet “Emigrantë, refugjatë dhe pastrimi etnik – vdekja e Jugosllavisë 1991-1999” (viti 2013), në të cilin ai i paraqit serbët si viktima të kombeve që u çliruan prej tyre. Madje ai autor në krye të shkrimit citon kriminelin e luftës, autorin e genocidit në republikat e Jugosllavisë, Radovan Karaxhiç, ndjekur e dënuar nga bota e qytetëruar: “Ne serbët nuk jemi kundër të gjithë botës; e gjithë bota ashtë kundër nesh.” Nga po ai autor vjen edhe studimi mbi “Dialektet si kufij etniko-gjuhësor të shtetit të bashkuar serb” (2012), pra gjuhët e kombeve jo serbe të atij shteti, sipas atij, na paskan karakterizuar “kufijtë perimetralë” të serbishtes. Në fund të këtij studimi tregohet ideja e programit panserb për shek.XXI dhe harta e ardhshme e Serbisë pikërisht si e patën sajuar ata që rrënuan perandorinë austrohungareze pas luftës së parë boterore. Shkrime dhe studime të tilla që falsifikojnë historinë dhe fyejnë dinjitetin e njërit prej kombeve më të lashtë të Europës, meritojnë studime përkatëse nga ana e universit kulturor shqiptar.
Me këto çështje jetike po merren më shumë të huajt se sa bota shqiptare e gjysëm shekullit të fundit. Kjo ashtë një plogështi jo vetëm e fajshme, por edhe e pafalshme. Bota antike dhe ajo perëndimore moderne kanë vepra të shumta që i kushtohen kombit shqiptar dhe që, krahas problemeve, nxjerrin në pah vlerat e padyshimta të tij. Disponohen vepra të shumë historianëve, helenë e të tjerë që dëshmojnë të kundërtën e gjepurave që pretendojnë grekët apo serbët që prej një shekulli
Këto libra e burime mund të gjënden pa vështirësi të madhe e megjithatë i mungojnë debatit (që nuk ekziston) shkencor. Nuk njihen ose mungojnë në referenca vepra të randësishme kushtuar kombit shqiptar. Ka plot shëmbuj. Në 1777 arbëreshi Nicolò Chetta (Nikollë Keta) botoi në Itali veprën “Tesoro di Notizie su de’Macedoni” ku ai në rreth 560 faqe, ndër të tjera, tregon që shqiptarët dhe maqedonasit flisnin të njëjtën gjuhë pra që ishin së bashku ilirë. Të njëjtat pikëpamje shpreh e vërteton, duke iu referuar historianëve helenë, francezi Jean-Claude Faveyrial në librin e tij voluminoz “Histoire de l’Albanie” (1885). Për të shuar kureshtjen le të citojmë diçka nga parathënia e autorit Faveyrial që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në vendet ballkanike e më se dhjetë vjet në trojet shqiptare. Shkruan Faveyrial: “Shumë kohë para se Providenca të na hidhte në brigjet e Shqipërisë, kishim parë e njohur banorë të këtij vendi dhe kishim thënë midis nesh: “Njerëz vërtet të bukur.” Kjo ide e mirë fillestare më pas u shndrrua në një bindje gjatë marrëdhanieve që kemi patur me princin Bib Doda të Mirditës. Pikërisht në atë kohë vendosëm të studjojmë, në dritën e historisë, këtë popull që ka dëshmuar karakteristika aq të bukura dhe që ka jetuar momente aq madhështore sa të meritojë një respekt të veçantë . . . I nderuari Dozon, ish-konsull i Janinës, kishte hartuar një përmbledhje këngësh, gramatikë e fjalor të shqipes. Ai ka lënë një dëshmi të shkruar që meriton respekt të veçantë. Ja se çfarë shkruan ai: “Në pikëpamje fonetike Shqipja ka një pasuri dhe larmi që superon tej mase gjuhën e Aristofanit.” Sa fajtor ashtë kleri grek që e ka injoruar dhe vazhdon ta evitojë kulturën që shpreh kjo gjuhë aq e bukur! . . . Sidoqoftë, shqiptarët e kanë kuptuar që janë viktima të mistifikimit dhe e dinë mirë që grekët futin në dorë edhe meritat e tjetrit.”
Duket sikur bëra një kapërcim kundrejt librit “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”. Në fakt jo! Unë nuk do të mund të shprehja përmbajtjen e atij libri të pasur dhe kompleks në rreshtat e një artikulli. Desha thjesht, duke marrë shkas nga kjo vepër serioze e autorit Eugjen Merlika, të theksoj nevojën që shoqëria ka sot për të rifituar vetëdijen mbi vlerat e kombit shqiptar në të gjithë ekzistenën e tij. Saga e familjes “Kruja Merlika” përjetoi çensurime të pafund, dënime dhe internime gjysëmshekullore. Por nga një anë regjimi nuk mundi të tjetërsojnë idetë dhe bindjet e tyre; nga ana tjetër saga e Merlikajve dëshmon nevojën për t’i jetë të vërtetës në të gjitha pamjet e saj. Kjo nuk mund të arrihet jashtë figurave të ndritura që në historinë dhe kulturën e kombit kanë sjellë kontribute të rëndësishme.