Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Perëndimi

Tani që qytetërimi perëndimor është “i vdekur dhe i ngurtë” dhe po kthehet kundër vetvetes, çfarë i ka mbetur njerëzimit? – pyesin pesimistët.
Në librin e tij “Rënia e Perëndimit”, Oswald Spengler, 100 vjet më parë, përshkroi prishjen e qytetërimit perëndimor duke pretenduar në thelb se një kulturë që e kishte formalizuar veten në një qytetërim ishte e paaftë të gjeneronte energji dhe risi të mjaftueshme për të mbajtur veten. Spengler ishte shumë erudit, por teza e tij dukej se bazohej në idenë se qytetërimi perëndimor në mënyrë të pashmangshme do të mbetej statik. Ai u ndikua shumë nga Nietzsche, i cili dukej se besonte se egalitarizmi demokratik do të ishte fundi i “njerëzve të mëdhenj”, dhe për rrjedhojë, fundi i një kulture të aftë për madhështi.
Kryevepra e fundit dhe shumë origjinale e Antoni Gaudit, katedralja La Sagrada Familia, është ende në ndërtim e sipër në Barcelonë, gati një shekull pas vdekjes së arkitektit të saj, në një komb relativisht demokratik dhe egalitar, i cili është dukshëm më pak fetar se sa ishte në kohën e Gaudit.
Pikëpamja e Spenglerit për historinë duket se e ka origjinën në “Prologomena” të Ibn Khaldun, një historian arab, i cili besonte se qytetërimet ngrihen dhe bien në modele afërsisht të parashikueshme, ndërsa vetëkënaqësia e tyre kërcënohet nga të huajt luftarak, të cilët pushtojnë dhe kthehet në dekadent, vetëm për t’u pushtuar nga vala tjetër e të huajve luftarakë. Ky fenomen ishte i dukshëm në historinë e arabëve, të cilët në fillim ishin pushtues shumë të suksesshëm, të cilët përfunduan duke i lënë skllevërit të luftonin për ta, për t’u pushtuar me radhë nga mongolët, të cilët luftuan për veten e tyre.
Një gabim tjetër që bëri Spengler ishte se e konsideronte qytetërimin perëndimor si monolit, ndërsa, në fakt, është shumë pluralist, me ide konkurruese se çfarë duhet të jetë; dialektika hegeliane tezë –  antitezë, që çon në sintezë, dhe nuk ndalet kurrë, megjithëse ngadalësohet herë pas here. Vendet perëndimore, si Italia dhe Gjermania, eksperimentuan me heqjen e dialektikës në shekullin XX, dhe eksperimenti i tyre dështoi mjaft shpejt. Kina po bëhet gjithnjë e më autoritare dhe e ngurtë, pas një periudhe liberalizimi relativ, me pasojë që lindshmëria ka rënë pavarësisht përfundimit të “politikës së një fëmije”, dhe ata kinezë që kanë burimet për të lënë Kinën po largohen. Krahasuar me modelin alternativ të qytetërimit që përfaqëson Kina, Perëndimi është në gjendje shumë më të mirë.
Larg nga të qenit e vdekur dhe e ngurtë, kultura perëndimore është shumë dinamike. Ne mbajmë mend vitet e hershme në Shqipërinë komuniste dhe u tregojmē të afërmve histori të tmerrshme për represionin, dhe ndihemi me fat që jetojmë në Perëndim, duke qenë shumë të vetëdijshëm për alternativat.
Qytetërimi perëndimor nuk është “perfekt”; nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë, por ia vlen të mbrohet; me gjithë të metat e tij, ka çuar në shoqëri që janë më të lira dhe më të begata se kudo tjetër në botë, dhe ka ndryshuar nga një shekull më parë duke u bërë më i lirë dhe më i begatë, gjë që mohon më tepër tezën e zymtë të Spenglerit. Perëndimi është bërë më pak fetar, më pak nacionalist dhe më pak luftarak.
Premisa e pyetjes origjinale është në thelb e metë; Qytetërimi perëndimor ka problemet e veta, të cilat janë të pashmangshme në çdo sipërmarrje njerëzore, por stanjacioni nuk është një prej tyre; Dëshmia për këtë ka, për ata që nuk janë të verbuar nga pesimizmi. Miliona emigrantë lëvizin në Perëndim (dhe shumë të tjerë do të lëviznin nëse do të mundnin) sepse ofron një premtim të besueshëm të një të ardhmeje në krahasim me rajonet e botës që me sa duket nuk e bëjnë këtë; një zgjedhje mjaft e çuditshme për të bërë nëse qytetërimi perëndimor do të ishte me të vërtetë “i vdekur dhe i ngurtë”.
Please follow and like us: