Hasan Prishtina – ideolog i lëvizjes për bashkimin kombëtar
Prof. as. dr. Muhamet BELA
Hasan Prishtina është një nga figurat e shquara të kombit shqiptar. Ky personalitet mjaft i spikatur tërë jetën e tij ia kushtoi çështjes kombëtare, atdhetarisë, dashurisë për vendin, e shprehur kjo në përkujdesjen e vazhdueshme të tij për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, shtetformimin e saj, zhvillimin e gjithanshëm të vendit, shpirtin kryengritës ndaj invadorëve të huaj etj. Treva ku ai filloi të belbëzonte e ku hodhi shtat, kultivonte ndër shekuj tiparet më të spikatura të shqiptarisë, të cilat u mishëruan në veprimtarinë e këtij atdhetari të shquar.
Hasan Prishtina ka lindur më 27 shtator 1873 në qytetin e Vushtrisë, që i përket trevës që shtrihet mes Drenicës dhe Shalës së Bajgorës në Republikën e sotme të Kosovës. Për këtë personalitet të ndritur të kombit kanë shkruar autorë të njohur, akademikë, profesorë, historianë, politikanë, të cilët kanë evidentuar intelektualin e spikatur, politikanin vizionar, atdhetarin e pathyeshëm, kontribuesin e jashtëzakonshëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.
Veprimtaria e tij ishte shumë e gjerë. Në mënyrë të përmbledhur, do të veçonim kontributin e madh në fushën e arsimit, kryengritjen e armatosur kundër pushtuesve për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit, veprimtarinë politike në dobi të autonomisë e më pas të pavarësisë së Shqipërisë, shtetformimit dhe konsolidimit të tij.
Arsimimi i popullsisë shqiptare në gjuhën shqipe ishte përparësia absolute e Hasan Prishtinës, ndaj ai asnjëherë nuk i reshti përpjekjet për zhvillimin e arsimit në të gjitha trevat shqiptare. Natyrisht, formimi i tij intelektual, i plotësuar me një shkollim nga nivelet më të ulëta deri në ato të epërme me rezultate mjaft të larta, ndikoi ndjeshëm në vizionin e tij për të rritur ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, pikësëpari përmes një arsimi cilësor, që do ta bënte të vetëdijshëm për të përballuar sfidat e mëdha të kohës.
Mësimet e para i mori në gjuhën turke në vendin e tij të lindjes, më pas ndoqi gjimnazin e Selanikut. Gjatë shkollimit djaloshi i ri shkëlqeu me zgjuarsinë e tij. Pas shkollës së mesme vazhdoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll në degën politiko-administrative, të cilat i mbaroi me rezultate të shkëlqyera.
Në moshën 35-vjeçare propozohet dhe zgjidhet deputet. “Në vjeshtë të vitit 1908 nga Prishtina në parlamentin osman deputetë u zgjodhën Fuad Pasha, Shaban Pasha, Afëz Mustafa efendiu dhe Hasan bej Vuçiterna”.
Falë këtij formimi, në verën e vitit 1909 Hasan Prishtina shkoi në krahina të ndryshme shqiptare për të ndikuar në hapjen e shkollave shqipe. Në gjimnazin e Shkupit, “pasi dëgjoi kërkesat e nxënësve shqiptarë që mësonin atje, iu drejtua Stambollit me telegram për të lejuar në këtë gjimnaz mësimin e gjuhës shqipe. Dhe me të vërtetë, pas pak kohe mësuesit shqiptarë Sali Gjuka dhe Bedri Pejani filluan të japin aty mësimin në gjuhën shqipe”.
Gazeta “Bashkimi i kombit”, që dilte në Manastir, duke çmuar veprimtarinë e Hasan Prishtinës për zhvillimin e arsimit shqip në trevat shqiptare, shkruante: “Kudo që vajti, me këdo që foli ky burrë i ditur dhe i zgjuar bëri një përshtypje shumë të madhe […] duke udhëtuar nëpër qytete dhe fshatra mbolli farën e diturisë kombëtare në mes vëllezërve të tij. […] Pastë shëndet e jetë të gjatë ky mëmëdhetar i vërtetë, që mendon dhe rron për kombin, por edhe kombi do të vijë koha që t’u ngrejë përmendore këtyre burrave, që kanë bërë dhe bëjnë kurban pasjen dhe jetën për të mirën e mëmëdheut”.
Me gjithë pengesat e panumërta të turqve të rinj, Hasan Prishtina krahas çeshtjeve të tjera vijoi të ngrinte fuqishëm zërin për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Në një nga seancat e parlamentit turk ai propozoi ndarjen e një kredie për hapjen e një shkolle praktike bujqësore në vilajetin e Kosovës, duke vlerësuar kushtet mjaft të përshtatshme gjeomorfologjike të kësaj treve për zhvillimin ekonomik të vendit.
Më 26 nëntor 1909 gazeta “Dielli” e Bostonit mes të tjerash shkruante se “prej këtij atdhetari të nderçëm priten shumë punë të dobishme për kombin, se asht tuj na dhanë provë për dit’ e ma tepër që asht një atdhetar i flaktë e i vërtetë e që përpiqet me mish e me shpirt për shdritjen e kombit të vet”.
Hapja e shkollës Normale të Elbasanit ishte një ngjarje shumë e rëndësishme. Drejtori i parë i saj ka qenë Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar, ndër ta Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Mahir Domi, Eqrem Çabej, hafiz Ibrahim Dalliu, Salih Çeka, Filip Leci, Kristo Dako, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Kolë Prela, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjaku e të tjerë. Përpjekje mjaft të dobishme bëri Hasan Prishtina për të sjellë në këtë shkollë të rinj nga Kosova.
Figura e mirënjohur, drejtori i shkollës në themelimin e saj, Luigj Gurakuqi, në verën e vitit 1910 vinte në dukje se “nga ajo Kosova fisnike e trimoshe, me të përpjekurit e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili na rroftë për jetë, na erdhën mjaft nxënës, saqë mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka kand të Shqypnisë që të mos ketë brenda përfaqësonjësin e tij”.
Falë veprimtarisë së Hasan Prishtinës u hapën shkolla shqipe në vilajetin e Kosovës. Janë tepër sinjifikative për çdo kohë fjalët e këtij atdhetari të flaktë se “dituria dhe e drejta e poshtërojnë padijen dhe shtrembërimin”.
Hapja e shkollave në gjuhën shqipe nuk u mbështet financiarisht nga qeveria xhonturke. Vetë Hasan Prishtina u bëri thirrje shqiptarëve të kamur kudo që ndodheshin të ndihmonin financiarisht për ngritjen dhe funksionimin e këtyre shkollave. Në dobi të këtij procesi ky atdhetar i shquar do të jepte 5% të të ardhurave vjetore për arsimimin e nxënësve në trevat shqiptare, edukimin e tyre me frymën kombëtare, duke u bërë kështu luftëtar i dijes e progresit dhe një prijës i shquar i përpjekjeve për zhdukjen e analfabetizmit. Përkushtimi tij ndaj arsimit në gjuhën shqipe në trevat shqiptare mishërohet qartë në fjalët e tij se “sa të rroj, unë do të përpiqem për diturinë, për atdheun dhe për mborthësinë e tij”.
Dhuntitë e tij të veçanta spikatin në përkushtimin e paepur për çështjen shqiptare. Në Selanik, në Shkup e në mjaft qytete të Kosovës, ku zhvilloi veprimtarinë e tij, Hasan Prishtina reflektoi qartë e pa ekuivok vizionin e tij për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Krahas takimeve me atdhetarë të tjerë dhe me shoqëritë patriotike që vepronin në qytete të ndryshme, vëmendje të posaçme u kushtoi edhe botimeve të shumta në shtypin e kohës, përmes të cilave kundërshtonte ekspeditat ndëshkuese të sunduesve osmanë. Kudo që shkeli këmba e tij, në Selanik, në Shkup dhe në qytete të Kosovës gjatë takimeve me shoqëritë patriotike, gjithçka ia kushtoi çështjes së atdhetarisë. Këtij qëllimi i shërbenin edhe artikujt e panumërt në shtypin e kohës kundër ekspeditave ndëshkuese osmane.
Ishin pikërisht këto virtyte, dituria dhe atdhetarizmi i tij, që bënë që ai shumë shpejt, në moshën 35-jeçare, të zgjidhej deputet. Bashkë me Ismail Qemalin, Nexhip Dragën, Shahin Kolonjën dhe disa deputetë të tjerë shqiptarë dolën menjëherë në opozitë, si grup kombëtar kundër regjimit të xhonturqve.
Ai shkëlqeu me polemikat e tij, përmes të cilave demaskoi turqit e rinj. “Thoni se tani u sigurua paqja. Çfarë paqe është kjo? Thoni se u bënë udhë, u hapën shkolla, po të gjitha janë gënjeshtra, se asnjë gjë s’është bërë. Ajo që bëtë është vetëm që mbyllët shkollat dhe shtypshkronjat shqip, dhatë shkak që shumë njerëz të ikin në Mal të Zi, dëbuat dhe burgosët njerëz të pafajshëm. Dhe kjo qenka politika juaj?!” – shprehet ai në një nga diskutimet e tij në parlament.
Duke demaskuar ekspeditën ndëshkuese të Xhavit pashës ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, ai do të deklaronte në parlamentin turk: “Jemi të mendjes që pushteti turk, po të mos ndërrojë politikën shtatanike të tij në Shqipëri, kryengritja do të përhapet në të gjitha anët e Shqipërisë, dhe pastaj do të jetë shumë vonë”.
Politikës gjakatare osmane populli shqiptar iu përgjigj me kryengritje të fuqishme edhe gjatë vitit 1911, ku pa mëdyshje truri dhe prija e saj ishte Hasan Prishtina, i cili kishte paralajmëruar me kohë në parlamentin turk se “një ndër të parët që do të marr flamurin e kryengritjes, ndoshta i pari ndër të parët, do të jem unë”.
Pasi nuk arriti ta bindte Hasan Prishtinën, qeveria osmane u përpoq të përdorte dredhi të tjera, ndër të cilat veçohet ofrimi i postit të ministrit të Perandorisë. Për këtë propozim ai do të shprehej: “Këtë propozim nuk mundem me e pranue, pse me pëlqimin e tij duhet me lanë kundërshtimin kundër xhonturqvet, e cila asht krejt kundër parimit t’em. Parimin t’em nuk mund ta ndroj jo për nji ministri, por as për një kambë mbretnore”. Deklarata e tij nuk do të pritej aspak mirë nga qeveria turke. “Rumelinë e humbim, veç Hasan Prishtinën nuk e mbajmë deputet!” – do të shprehej me nervozizëm ministri i Punëve të Brendshme i Perandorisë Osmane, Talat beu. Duke parë se iu mohua rruga e ballafaqimit me argumente dhe arsye, Hasan Prishtina u detyrua të deklaronte: “Veç lëvizjes së përgjithshme me armë rrugë tjetër shpëtimi nuk ka”.
Për shkak të këtij qëndrimi pushteti osman e quante Hasan Prishtinën “deputet kryengritës, që don t’i vërë flakën perandorisë”. Është kjo arsyeja që i hoqën mandatin e deputetit.
Këto rrethana të situatës politike shtruan nevojën e domosdoshme të një mbledhjeje të posaçme më 12 janar 1912 në lagjen “Taksim” të Stambollit. Inicues i kësaj mbledhjeje ishte Hasan Prishtina, ndërsa drejtues i saj Ismail Qemali. Që në fillim Hasan Prishtina u propozoi pjesmarrësve në mbledhje të betoheshin për ruajtjen e sekretit të mbajtjes së mbledhjes dhe të vendimeve të saj, gjë që u shoqërua me betimin e të pranishmëve.
Vendimi kryesor i kësaj mbledhje ishte organizimi dhe fillimi i kryengritjes së përgjithshme shqiptare në pranverë të vitit 1912 kundër sunduesve osmanë. Me propozimin e Hasan Prishtinës zjarri i saj “do të shpërthente në Kosovë dhe pastaj do të përhapej në të gjitha territoret e Shqipërisë”, ndërsa Ismail Qemali mori përsipër të kërkonte ndihmë në të holla e armatim për kryengritësit nga shtetet europiane. Pjesmarrës të tjerë në këtë mbledhje u zotuan të udhëhiqnin kryengritjen në trevat e Veriut, në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut.
Hasan Prishtina e ka shpjeguar qartë punën paraprake që ka bërë me Ismail Qemalin për këtë mbledhje dhe synimet e saj në shkrimet e tij. “Ismail Kemal begu, – shkruan ai, – sikur ma pat dhanë fjalën, u gjet në shpi t’eme për darkë dhe e kaluem natën së bashku. Gjanë e gjatë biseduem mbi fatin e Shqypnis e ma në fund venduem me u dhanë mbarim mizorive tyrke me një kryengritje. Biseda u mbyll me këto fjalë:
Ismail Kemal begu: «Hasan beg, i besoi fetarisht karakterit të Zotnis s’Ate. Ky besim më ka shty me i shkrue në zemër t’eme ato fjalë që i përdorove sot në Parlament tue thanë: Kam me kenë njeni e ndoshta i pari i atyne qi kam për t’a ngrehë flamurin e kryengritjes!’…»
Iu përgjigja: «Ismail beg, para se me folë një fjalë, matem shumë e mbasandej flas; por mundem me Ju sigurua qi zakoni i em asht me mbajtë nji fjalë qi më del nga goja…»
Të nesërmen kuvendi në mes t’Ismail Kemalit e meje zgjati ma se tre sahat e në fund venduem me mbajtë nji kuvend… Mbledhja u mbajt nën kryetari t’Ismail Kemalit”.
Pasi diskutojnë në këtë mbledhje, ku vendoset që Kosova t’i paraprijë kryengritjes, thekson: “Tue iu përdrejtue shokvet, u thaçë:
– Jam i bindun se të gjithë jeni të ndershëm, por po ju deklaroj edhe nji herë qi, ku të dalë le të dali, unë kam për të kenë në mal kur ka me tingllue çasi i kryengritjes. Për këtë kam vu peng pak përpara fjalën t’eme të nderës. Ju lutem, pra, mos me më lanë vetëm, pse jeni betue edhe ju”.
Në takimin me kryekonsullin austro-hungarez në Selanik në fillim të janarit 1912 ai do t’i thoshte se pakënaqësia kundër regjimit xhonturk manifestohej kudo në Shqipëri dhe se për këtë qëllim po punohej kudo.
Këtë qëndrim të paepur dhe gjendje në shpërthim e ndeshim edhe në raportimin e kryekonsullit austro-hungarez Kral më 5 janar 1912 për kontin Aerental, ministër i jashtëm i Austro-Hungarisë, kur thekson: “Forcimi i ndjenjës kombëtare dhe i unitetit ka bërë përparime të dukshme veçanërisht në Kosovë dhe po punohet me zell për një mirëkuptim me të gjitha pjesët e Shqipërisë, duke pasur për qëllim një kryengritje të madhe…”.
Ismail Qemali, duke analizuar shkaqet e kësaj gjendjeje, do të deklaronte në mënyrë të prerë se “kokëfortësia e egër e turqve të rinj forcoi rezistencën tonë e na detyroi të luftojmë për ekzistencën tonë”.
Në këto kushte, Hasan Prishtina filloi veprimtarinë e tij për zbatimin në praktikë të vendimeve të mbledhjes në lagjen “Taksim” të Stambollit për organizimin e kryengritjes së përgjithshme antiosmane, duke synuar paraprakisht bashkimin e katër vilajeteve me shumicë shqiptare dhe shpalljen e autonominë e më pas të pavarësisë së vendit. Bashkë me atdhetarë të tjerë të shquar ai doli në ballë të kryengritjes së armatosur në Drenicë dhe në gjithë vilajetin e Kosovës e treva të tjera kryengritëse antiosmane. Në një sërë ngjarjesh që lidhen me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912, bashkë me këtë qëndrestar të paepur dhe vizionar të kombit shqiptar u radhitën mjaft prijës të tjerë të lëvizjes kombëtare shqiptare, si Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Mehmet pashë Dërralla, Bajram Daklani, Islam Spahia, Ramadan Zaskoci, Elez Isufi, Ahmet Delija, Riza Kryeziu, Mehmet Shpendi i Shalës, Zefi i Vogël etj. Si ngjarje kulmore e kësaj kryengritjeje ishte organizimi i Kuvendit të Junikut më 21–25 maj 1912, ku u vendos “miratimi i planit luftarak dhe i strategjisë së veprimit sipas zonave me udhëheqësit përkatës të tij” dhe një sërë vendimesh të tjera, si: çlirimi i Prishtinës, që u bë qendra kryesore e kryengritjes, dhe një sërë qytetesh të tjera të Kosovës; zhvendosja e kësaj qendre më pas në Ferizaj; marshimi triumfal i kryengritësve shqiptarë në Shkup, ku krahas vilajetit të Kosovës arritën mjaft kryengritës e prijës të tyre nga trevat e vilajetit të Shkodrës, Manastirit, Janinës etj., duke mundësuar që Shkupi, qendra e vilajetit të Kosovës, të binte në duart e kryengritësve të udhëhequr nga Hasan Prishtina. “Çlirimi i Shkupit nga kryengritësit shqiptarë krijoi një përshtypje të thellë te diplomatët e huaj të akredituar në këtë qytet”, – shkruan prof. dr. Ramiz Abdyli.
Kryengritja e përgjithshme shqiptare nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës e detyroi Ibrahim pashën që më 18 gusht të vitit 1912 të thërriste krerët shqiptarë “për t’i njoftuar për urdhrin që kishte marrë nga sulltan Mehmet Reshati V për miratimin e kërkesave të parashtruara […] Udhëheqësi i kryengritjes shqiptare 1912, Hasan Prishtina, deklaroi më 18 gusht se e pranonte marrëveshjen dhe “të njoftohet në të gjithë Shqipërinë se kërkesat e kryengritësve u pranuan”. Kjo do të thotë se njiheshin si pjesë të pandara të Shqipërisë vilajeti i Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës”.
Nga materialet e shumta të botuara për këtë kryengritje rezulton se Hasan Prishtina fillimisht ra dakord për dhënien e autonomisë së këtyre vilajeteve shqiptare, me synimin që më pas të fitohej pavarësia. Me gjithë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë dhe rëndësinë historike të shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, më tepër se gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë.
Kontributi i Hasan Prishtinës për çështjen shqiptare është mjaft i spikatur. Ai përkrahu shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe u zgjodh ministër në qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Përveçse një ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme kundërosmane më 1912 së bashku me Ismail Qemalin dhe udhëheqës kryesor i saj, Hasan Prishtina ishte ndër organizatorët e kryengritjes kundër shtetit serb në shtator të vitit 1913. Në vitin 1914, duke e parë Princ Vidin si simbol të shtetit të pavarur shqiptar, ai e mbështeti atë dhe për pak kohë (15 mars–20 maj 1914) ishte ministër i Postë-Telegrafave në qeverinë e Turhan pashë Përmetit. Në vitet 1916–1918 bashkëpunoi me autoritet austro-hungareze, me shpresën se mund të përfitonte nga ndonjë rrethanë e përshtatshme për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Më 1918 u zgjodh anëtar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe u bë ndër udhëheqësit kryesorë të tij. Në dhjetor të vitit 1921 drejtoi disa ditë qeverinë shqiptare. Gjatë periudhës 1921–1933 ishte një ndër përfaqësuesit kryesorë të opozitës ndaj mënyrës së qeverisjes së Ahmet Zogut. U vra pabesisht në Selanik më 14 gusht 1933.
Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës u sollën në Shqipëri dhe u varrosën në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Kukësit. Më datë 26 dhjetor 2023, Bashkia Kukës në bashkëpunim me Fondacionin “Hasan Prishtina”, inaguroi bustin e Heroit Kombëtar Hasan Prishtina.
Vepra e këtij personaliteti të shquar ka mbetur e skalitur në memorien e kombit shqiptar dhe do të kujtohet brez pas brezi, duke u bërë frymëzim për progresin e vendit.
Please follow and like us: