Albspirit

Media/News/Publishing

Gaçe & Deda: Ëngjëll Zotaj dhe shpirti i tij poetik

 

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

Lirim Deda, poet

Ëngjëll ZOTAJ. Poet dhe publiçist. Lindi në Ramicë më 15 prill 1944. Shkollën e mesme Teknologjike e kreu në Tiranë në vitin 1966 dhe Universitetin e Tiranës, për financë në vitin 1972. Ka punuar në detyra të ndryshme si ekonomist në kooperativën bujqësore të Smokthinës, komisar i rinisë dhe komandant në aksionet kombëtare të rinisë, përgjegjës aksioni në hekurudht Elbasan-Prenjas, Laç-Shkodër, Fier-Vlorë, si dhe ekonomist në ndërrmarjen e hekurudhave të Shqipërisë.

Ka botuar libra me poezi si: “Më merr malli për Smokthinën”, (2001); “Lëre portën hapur”, (2004); “E vogla sa një ftua”, (2005); “Me zemrën mos luaj”, (2006); “Letër gruas”, (2007); “Sa të shkrijë bora në male”, (2008); “Thëllëzat e malit vinë”, (2009), “Mos harroni”, (2010),  “Hiri i vatrës më thërret” (2011) dhe “Shqipëria” (2014).

Ka shkruar në organet e shtypit, për probleme të punës dhe aspekte të jetës së rinisë, si dhe janë shkruar shkrime për të në organet e shtypit të rinisë. Është dekoruar me dy medalje pune dhe me dy urdhëra për punë të mirë në aksionet kombëtare të rinisë dhe në detyra të tjera shoqërore. Është kryetar i Shoqatës së Paraplegjikëve në Elbasan. Ka jetuar në qytetin e Elbasanit nga viti 1972 deri në 2023, kur ndërroi jetë.

Me merr malli për Smokthinën

Shpesh tek labërit ndodh që malli bëhet këngë në buzët e tyre nëpër udhët e jetës… Kështu ka ndodhur edhe me mikun tonë, Ëngjëll Zotaj nga Ramica e Vlorës, që sot banon në qytetin e Elbasanit. Emri i tij është bërë i njohur në shtypin e kohës nga poeti ynë i shquar Xhevahir Spahiu, kur shkroi reportazhin me titullin: “Në gjunjë i pagjunjëzuar” në radhët e të cilit nënvizon: “Ndodhesha përballë me një njeri jo të zakonshëm. Ai po delte nga hyrja e tunelit. Dhe nuk ecte siç ecin gjithë njerëzit e kësaj bote. Ecte në gjunjë. Mbështetur mbi dy shkopinj të drunjtë. Nën vete tërhiqte dy këmbët e paralizuara. Sytë e tij të mëdhenj rrezatonin një dritë që mund ta shquaje së largu. Ai qëndroi. Ashtu i palëvizur të krijonte përshtypjen sikur kishte mbirë nga të çarat e dheut. Përkrah tij ecnin një grup pleqsh veriorë, të gjatë dhe flokëthinjur. Pas shpine, gryka e tunelit që nxinte. Njeriu pa këmbë sikur po dilte nga legjendat e lashta…”.

Pas këtij portretizimi, Ëngjëll Zotaj na shfaqet me drita të ylberta mes gurgullimave të zërit të tij polifonik, në vjershërimet e thurura e të përmbledhura nën titullin “Me merr malli për Smokthinën”. Është një vëllim poetik brenda të cilit ka mall, dufe, kujtime, homazhe e mbi të gjitha një pikëllim e dashuri që ringjall fëmijërinë e tij dhe udhët e vështira të jetës. Fuqia e fjalës poetike, gjithë vargu, i mbrujtur me mendime e figura artistike, ravijëzohet denjësisht në konceptimin e poetit. Pothuajse në tërë vëllimin poetik na shpaloset peizazhi malor i Smokthinës, mali i Çipinit e vargmalet e tjerë, që herë-herë duken si labër që ecin nëpër legjenda. Nga këndvështrimi i tij estetik ai jep jetën epike e lirike të banorëve të kësaj treve gjëmimmadhe në jetën shqiptare, luftëtarët, dëshmorët, trimat e stanarët, të cilët kalojnë para syve dhe ulen nëpër sofrat e kuvendeve të Labërisë.

Duke lexuar këto vjershërime, ato të duken si këngë që këndohen në mënyrë polifonike nga smokthinjotët. Në këtë shtrat ka ecur muza e Ëngjëll Zotaj, duke i kënduar vargjet e tij me vete një jetë të tërë, por nga ana tjetër, këto këngë ai i ka shkruar me shumë me shpirtin e tij poetik dhe me zemrën e tij të bardhë…

Duke qenë se familja Zotaj në Smokthinë është një vatër e nxehtë atdhedashurie, motivet patriotike shfaqen pothuajse te çdo varg të këngëzimit të tij. Midis të tjerave, në këtë vëllim poetik shpaloset bukur bota dhe psikologjia e fshatarit lab, jeta e tij në shërbim të shoqërisë dhe të Atdheut.

Vjershërimet e Ëngjëll Zotajt nëpërmjet konkretësisë së tyre, fitojnë një fuqi shprehëse të veçantë me nota meditative. Mesazhi artistik dhe imazhi që krijojnë figurat poetike, tablote, ngjarjet, situatat e bëjnë poezinë edhe më të ndjeshme duke prekur ndjenjat e lexuesit.

Please follow and like us: