Albspirit

Media/News/Publishing

KARAFIL BELLO FUSHËBARDHA, KOMANDANTI TRIM QË SHKROI LAVDI

 

(Në kujtim të përvjetorit të rënies të heroit dhe të dëshmorit Karafil Bello (1902-1944), që lindi 122 jet më parë në Fushëbardhë dhe ra në Senicë të Delvinës 80 vjet më parë, komandanti që shkroi lavdi në historikun e Fushëbardhës, Labërisë, historikun e Luftës së Madhe Antifashiste të shqiptarëve; në përtkujtim të komandantit të batalionit partizan të rinisë së krahinës së Kardhiqit, Heroit të Popullit dhe dëshmorit të Atdheut. Karafil Bello ishte dhe mbeti komandanti trim, guximtari i shekullit, që nuk ka burg që t’i mbajë, ta lidhë apo ta mposhtë sepse historia ka folur dhe përsëri do të flasë për të sotmen dhe për të nesërmen).

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Të vdekurit në betejat e historisë, të rënët në luftrat epokale janë të gjallë kur bien për kombin, për shqiptarizmën. Ata janë ndërgjegjia e kombit, gjithmonë e zgjuar për interesin kombëtar. Është një trashëgimi brezash që nuk shuhet, ashtu si këmbana e trimërisë së heroit të luftës Karafil Bello që do gjëmojë nëpër dekada e shekuj, do përcjellë jehonën e një epopeje që nuk shuhet. Karafil Bello është trupëzuar me fshatin e tij të lindjes Fushëbardhë, që është djepi i historisë, trimërisë, lavdisë dhe mençurisë labe. Burri i shquar i Fushëbardhës dhe komandanti trim e sypatrembur Karafil Bello ishte lindur më 1902 në Fushëbardhë të Gjirokastrës, në lagjen Lekgjonaj ku banonin fiset Bello, Cama dhe Zani. Babai i Karafilit ishte Vehipi dhe nëna Nazo. Babai ishte Fushëbardhas, ndërsa nëna nga fisi Muxharaj i fshatit Kalasë. Karafili kishte tre vëllezër dhe motrën Beraten. Burri i shquar i Fushëbardhës dhe komandanti trim e sypatrembur Karafil Bello ishte lindur më 1902 në Fushëbardhë të Gjirokastrës, në lagjen Lekgjonaj ku banonin fiset Bello, Cama, Zani e Golemi. Babai i Karafilit Vehipi dhe nëna Nazo ishin njerëz të thjeshtë e punëtor. Babai ishte Fushëbardhas, ndërsa nëna nga fisi Muxharaj i fshatit Kalasë. Karafili kishte tre vëllezër dhe motrën Beraten. Ai që në moshë të re shquhej ndër shokët e tij dhe ruante karakteristikat e fisit shtatshkurtër e shpatullgjerë. Karafli që në moshë të re shquhej ndër shokët e tij dhe ruante karakteristikat e fisit të tij shtatshkurtër e shpatullgjerë. Kur ishte vetëm 11 vjeç më 1913 pa sytë e tij masakrat çnjerëzore të kapitenit andart Xhavarës; ndërsa më 1914, Karafili përjetoi luftën epope që u zhvillua në Skërficë nga 120 burrat e Fushëbardhës dhe fshatrave përreth, por edhe në imazhin e tij ngelën edhe tetë dëshmorët e Skërficës. Kënga e 110 viteve më parë: “Qaj moj Shqipëri, Ulërij e gjorë,/Gratë e Labërisë shkojnë për në Vlorë,/Me djepe ngarkuar me foshnja në dorë..” oshëtin edhe sot për atë periudhë dhimbje, e trimërie të labërve, faqe të ndritur heroizmi që shkruan në Skërficë dhe në portat e tjera të Labërisë. Ai bëri disa klasë fillore mes sakrificash e varfërisë si në çdo vatër labe. Rregjimet e taksat të prodhimeve bujqësore e blegtorale, xhelepi për kafshët e punës e prodhimit, taksa e gjakut, e pazarit, e peshëmatjes e lëndëve të ndërtimit e vështirësonte shumë jetën. Vitet kalonin dhe Karafili u burrërua para kohe. E poqën hallet. Rregjimi e përndoqi dhe burgosi trimin nga Fushëbardha, për herë të parë në demonstratën antizogiste të 16 gushtit 1932. Karafili e kishte etiketuar jetën e burgut: “Bodrum natë e bodrum ditë, na plasi kandilja sytë”. Por kryengritja në burgun e Gjirokastrës dhe arratisja nga burgu i “7 dritareve” duke lidhur çarçafët ishin spektakolare.  Kryengritja dështoi dhe pati 170 të dënuar nga të cilët 8 të vrarë e të plagosur. Në gjyq dënohet me pushkatim, që më vonë ja kthyen dënim me 101 vite burgim. Kur ju mbyllën plagët e mbyllën sërish në hapsanë/birrucë. Karafil Bello u dënua sërish në vitin 1937, në moshën 35 vjeçare dhe meqë ishte shumë hokatar e optimist thoshte: “do të rroj 136  vite. Kur të kem bërë 101 vite në birrucë do t’i them lamtumirë burgut”. Ditët e lirisë do të zëvendësoheshin nga ditët e zisë së pushtimit të 7 prillit 1939. Fluturimet dhe bombardimet e aviacionit Italian nxitën revoltën shqiptare në çdo zemër shqiptare. Kështu Karafili hapur deklaronte se: “Pushtimi i Atdheut është si t’i rrëmbesh syrit dritën, dhe kur syrit i vidhet drita, errësira merr në sundim gjithcka”. Në dokumentat e luftës për burgun e Gjirokastrës thuhet se: “Karafil Bello dy herë tentoi të këpuste zinxhirët, por kishte dështuar. Midis qindra të dënuar si antirregjim i Mbretit dhe mbretërisë del emri i Karafil Bellos. Ishte koha kur Benito Musolini/Duçja deklaronte se: “Milionat bajonetave të mia do t’i zënë dritën e diellit”. Spiunët fashistë italianë ju vunë pas trimit fushëbardhas Karafil Bello dhe e arrestojnë sërish në qafë të pazarit të Gjirokastrës. Përsëri në burg dhe nga Gjirokastra e çojnë në Vlorë dhe më tej e interrnojnë në ishullin “Ventotene” në Itali, një ishull me përmasa 3000 metra më 800 metra si dhe në ishullin “Santo Stefano”. Këtu në këta ishuj kanë qenë të burgosur dy të burgosur nga Fushëbardha: Kalem Golemi dhe Karafil Bello. Për trimat dhe guximtarët nuk ka burg që t’i mbajë dhe nuk ka pushtues që t’i lidhë e t’i mposhtë. Nuk u mposht Karafili edhe kur u mbyll në ishullin burg bashkë me 700 kundërshtarë të vendosur të Benito Musolinit. Nga burgu-ishull italianët e sollën Karafilin në burgun e Gjirokastrës, por ai edhe në këtë skëterrë betohej: do të luftoj fashizmin deri në pikën e fundit të gjakut. Gjenerali Ernesto Kiminelo dhe koloneli Murgio i ishin vënë pas për ta kthyer në shërbim të tyre “kokëshkëmbin” e Fushëbardhës dhe të gjithë Labërisë. Karafil Bello mendonte vetëm për lirinë dhe përpunonte idetë e arratisjes nga burgu dhe në fakt trimi lab u arratis nga burgu i kalasë së Gjirokastrës. Karafili gjatë arratisjes u plagos rëndë në kockën e gjurit të këmbës së majtë, ndërsa bashkëmoshatarin e tij fushëbardhas Zeman Xhuvanin (bashkëpuntor në arratisje) e ekzekutuan rojet fashiste italiane të burgut. Edhe Zeman Xhuvani i ekzekutuar nga breshëritëe plumbave të fashistëve meriton mbi bazën e ligjit të shpallet dëshmor i Atdheut). Karafili shpejt u gjend në çerdhen e trimërisë dhe kuvendeve, në manastirin 800 vjeçar të Cepos, dhe që andej në Fushëbardhë, në çetën “Çerçiz Topulli”. Shpejt do të bëhej komandant i batalionit territorial të Krahinës së Kardhiqit, batalionit i batalionit të rinisë si dhe komandant i garnizonit partizan të Cepos. Me ardhjen e Karafilit në çetë, ajo u rrit nga 60 në 80 partizanë në ditën që çeta mori emrin e patriotit të madh “Çerçiz Topulli”.

Karafili u takua edhe me luftëtarin e lirisë dhe vrasësin e bimbashit të Gjirokastrës, Bajram Ligun bashkë me komisarin Gani Haloçi. Në muajt në vijim Karafili me shokët e tij, Dilaver Poçi, Adil Çarçani, Shefqet Peçi, Gani Haloçi, Riza Veipi etj, ishte sa në Çepunë, në Humelicë, Palokastër, Plesat, Mashkullorë, në Zhulat e Fushëbardhë, por edhe përtej Qafës së Skërficës në krahinën e Rrëzomës. Karafil Bello ngeli organizatori kryesor i LANÇ-it në krahinë dhe pjesëmarrës në të gjitha luftimet në Cepo, Gjirokastër, Përmet, Murzinë, Delvinë, Sarandë e fshatrat e tjerë përrreth. Ai luftonte në këmbë dhe në këmbë u vra për të ngelur përjetësisht dëshmor i Atdheut. Karafil Bello ishte dhe ngeli legjendë trimërie e Fushëbardhës, Krahinës së Kardhiqit, Labërisë. Ai ishte atje ku njerëzit dhe malet takoheshin dhe shkëlqeu me aktivitetin e tij luftarak; ndërsa në Çukën e Kuqe, pranë Senicës u shndrua në legjendë trimërie e qëndrese në përjetësi. Ai e mori plumbin në ballë më 8 shkurt 1944. Pas vrasjes së tij edhe kali u gjunjëzua dhe u bë rrafsh me tokën. Shokët e bashkëluftëtarët, por edhe dajot e Karafil Bellos e morën trupin e tij dhe e përcollën me nderimet më të larta në fshatin Kalasë.

Le të sjellim një fragment të poetit nga Fushëbardha Zeqo Cama, një fragment poetik “Komandantit Karafil Bello” botuar te vëllimi poetik “Shkallët e Labërisë” në vitin 1977: “Si e shtriu plumbi, thonë, Atë…,/ç’djall-o plumb na qe ky kaq i hidhur?!,/Mbi katër- pesë prita zunë për të,/ mbi katër -pesë plagë kishte lidhur./ Kush e njohu afër trimërinë,/ njohu bashkë me të dhe Karafilnë. Batalioni partizan që komandonte Karafili kur shkoi dhe u inkuadrua në Grupin e Parë u emërtua: “Batalioni partizan “Karafil Bello”, që mbeti një frymëzim lirie e trimërie në breza. Shkollës së Fushëbardhës ju vendos emri shkolla 12 vjeçare “Karafil Bello”, Fushëbardhë. Në këtë shkollë deri më sot kanë mbaruar shkollën qindra djem dhe vajza të këtij fshati me emër të shquar në Krahinë dhe në Labëri. Nga ky fshat dolën gjatë viteve të LANÇ-it 35 oficerë, ndërsa pas çlirimit mbi 200 ushtarakë oficerë dhe në funksione të tjera të sigurisë, mbrojtjes, rendit e sigurisë publike e policimit. Para më shumë se tre dekadash ka qenë menduar që përpara shkollës të vendosej edhe një bust i Karafilit, edhe pse është ende i parealizuar. Megjithëse kujtimi i heroit fushëbardhas nuk vdes kurrë. Karafili kishte gjithashtu tre vëllezër partizanë Bastriun, Lufton, Çerçizin dhe motrën e tyre Beratja që ishte aktiviste dhe mbështetëse e luftës. Karafil Vehip Bello është nderuar me meritë me dekoratat “Medalja e çlirimit”, “Medalja e trimërisë”, “Urdhëri i trimërisë”, “Medalja e kujtimit” etj., dhe është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër. Një rrugë mban emrin e heroit të luftës “Karafil Bello”. Karafil Bello ka rënë në të njejtën zonë ku kanë rënë edhe katër dëshmorë të tjerë. Bazuar në librin “Dëshmorët e Atdheut”, të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar ka të detajuar edhe vendimet e pesë dëshmorëve që janë aktualisht nën vëmëndjen e Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak të Delvinës dhe më konkretisht: “Karafil Vehip Bello është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër; Sami Sejdi Golemi është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër; Sefer Ramo Meta është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër; Skënder Mato Pepiaj (Pepiu) është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 44 datë 3.8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Tepelenë; Hasan Salih Çerepi është “dëshmor i Atdheut” i shpallur me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër.

Krahina e Kardhiqit, ku u formuan katër batalione partizane!

Treva labe dhe veçanërisht treva e krahinës labe të Kardhiqit themeloi një çetë partizane “Çerçiz Topulli” në Fushëbardhë më 12.12.1942, ku një rol të madh në vijimësi në këtë zonë luajtën kuadrot e qarkorit si: Bedri Spahiu, Adil Çarçani, Haki Toska, Shefqet Peçi, Muzafer Asqeriu, Sejdi Axhaliu, Qemal Karagjozi, Tahir Kadareja, Bexhet Mema, Miho Xhani, oratorët e rrallë Mustafa Matohiti e Memo Metua, që zhvilluan një punë bindëse e sqaruese për ngritjen e popullit në këmbë në luftë për çlirimin e vendit.

Më 31 korrik 1943 u formua batalioni territorial i krahinës së Kardhiqit, ku në fakt ishte mençuria e Shefqet Peçit, që në krye të këtij batalioni propozoi Karafil Bellon, birin e krahinës dhe të fshatit Fushëbardhë, i cili për një periudhë kohe ishte në krye të formacioneve partizane krahinore. Krijimi i batalionit “Asim Zeneli” më 7 gusht 1943, te rrepet e Kardhiqit e Prongiisë ishte një arritje e veçantë për krahinën e Kardhiqit dhe të Kurveleshit. Të dy këta batalione zhvilluan luftime të përbashkëta kundër forcave fashiste në urën e Kardhiqit, në Delvinë, në Sarandë, në Përmet, në Kiçok, etj. Ndërkohë që më 8 shtator 1943 kapitulloi Italia fashiste. Me ardhjen e gjermanëve më 10 shtator 1943, krerët e bashkëpuntorëve të fashizmit lëshuan fjalë se “për çdo ushtar gjerman që do të vritej, do të pushkatoheshin 100 shqiptarë”; se “Gjirokastra do të digjej”, se djegësi do të vepronte sikurse veproi Neroni në Romë, etj. Por forcave partizane nuk u mposhtën kurrë. Ja disa vargje të këngës ‘’Ditën që erdhi gjermani me makina të mëdha,/ partizanët kur i panë bënë sulme përmbi ta…”. Ndeshjet e para me nazistët filluan në muajin tetor 1943, kun ë këto luftime veçojmë 4 tetorin, kur kolona gjermane u fut në zonën e qitjes së mitrolozëve në Cepo, duke u shpartalluar e duke u larguar nga kurthi i parapërgatitur. Edhe një autoblindë që vinte nga Tepelena u qëllua te bishti i urës nga artileria, dhe u dogj plotësisht. Më 5 tetor 1943, fashistët sollën natën nga Gjirokastra ende pa rënë mirë dita duke filluar luftën në kodrat e Çepunës, Kodrës së Shehe, të Humelicës, në kodrat e Mashkullorës etj. Forcat partizane të çetës “Avni Rustemi” morën urdhër e hapën zjarr me qitjen e mitrolozëve e të artilerisë, duke i djegur edhe një autoblindë te “Mulliri i babait”, ndërkaq që fashistët u tërhoqën të shpartalluar plotësisht. Më 6 tetor artileria armike dhe mortajat goditën pa ndërprerje pozicionet partizane të Cepos, disa herë ata dolën në brigjet e Humelicës të gjendur nën kundërsulmin partizan e që zbrisnin gjithmonë buzë xhades. Cepua luftonte e mbrohej me heriozëm, dhe ky heroizëm  duket edhe në gjakun e derdhur dhe në shpalljen dëshmorë të partizanëve Bari Myrtaj, Xhelal Sejdo, Mehdi Mema, Remzi Çako, Banush Dadaj, Novruz Xhaka, Avdul Lopa, Feim Sadiku e disa partizanë u plagosën. Komandantit Karafil Bellos e këshillit krahinor iu vu detyrë që çetat territoriale të fshatrave të largonin popullsinë në vende të sigurta në mënyrë të veçantë fëmijë e të moshuarit, që ishin në gjendje jo të mirë fizike; të largohej spitali partizan i Prongjisë, i cili u vendos në Skotini të Fushëbardhës, të siguroheshin depot e municioneve te “Shkëmbi i Cepos”, në malin e Plesatit. Materialet e spitalit partizan të divizionit “Peruxhia” të mbylleshin në shpellën e Kokoshit në rrëzë të malit të Prongjisë, por edhe depot e tjera në Malin e Kardhiqit, Fushëbardhë dhe Kapariel. Në komunikatën e shtabit të zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër, thuhej se “mbas grushteve të rënda që armiku mori në grykën e Cepos, bishat ballisto-naziste u lëshuan të etura për gjak në fshatrat e krahinës; ato me urë zjarri në dorë dogjën fshatrat Mashkullorë, Plesat, Prongji, Humelicë, Palokastër, Shtëpëz, Hormovë, Kolonjë, Koronë e Golem”. Fakt është se më 26 dhjetor 1943 në fshatin Fushëbardhë ku ndodhej në fakt batalioni “Asim Zeneli”, që kishte një numër prej 500 partizanësh, u vendos që të ndahej ky batalion dhe të krijohej një batalion tjetër me emrin e luftëtarit “Abaz Shehu”. Ky batalion i sapokrijuar, goditi kolonën gjermane në rrugën Gjirokastër-Janinë, në afërsi të fshatit Jorgucat. Forca të tjera të këtij batalioni goditën në fshatin Muzinë forcat gjermane. Një kompani e këtij batalioni luftoi në urën e Leklit, kundër një autokolone që vinte nga Gjirokastra në Tepelenë dhe më 25 janar 1944, ky batalion do të kalonte Dhëmbelin e ngarkuar me borë dhe do të rreshtohej në brigadën e VI-Sulmuese. Komandanti Karafil Bello duke folur me shokun e tij të armëve Xhipe Kazakun bashkarisht vendosën që përveç çetave terrioriale të fshatrave, të krijohej edhe Batalioni i Rinisë, një lajmë shumë i mirëpritur, për të cilin u vendos që më datën 2 shkurt 1944 në mbrëmje në Fushëbardhë erdhën të gjithë ata njerëz që ishin caktuar për formimin e këtij batalioni dhe më 3 shkurt 1944 djemtë e vajzat e këtij batalioni të ri në moshë shpallën formimin e “Batalionit të rinisë” së krahinës së Kardhiqit me komandant Karafil Bellon, një ngjarje që i dha legjimitetin e një heroi komandues, luftëtar dhe organizator  Karafil Bellos, i cili e mblodhi batalionin dhe u vendos në qafë të Senicës, te Çuka e Kuqe, për të goditur forcat gjermano dhe bashkëpunëtorët e tyre në Rrëzomë që po afroheshin. Ndërkohë u fliste bashkëfshatarëve të tij dhe bashkëkrahinorëve Brahim Mihos, Boço Muhos, etj, me qëllim që të qëllohej mbi armikun e të mos i kursenin plumbat, ndërkohë që një plumb e rrëmben në ballë dhe luftëtari trim, komandanti që nuk u përkul asnjëherë në beteja humbi jetën atje tek Çuka e kuqe në Senicë. Humbjen e Karafil Bellos e ndjeu batalioni, Fushëbardha, krahina e Kardhiqit, Rrëzoma, gjithë Labëria. Mbas vrasjes së Karafilit në 8 shkurt 1944, batalioni i rinisë shkoi në grupin e parë partizan të zonës së parë Operative dhe u emërua batalioni “Karafil Bello”. Në këto luftime në Senicë të Delvinës u vranë Karafil Vehip Bello (1902-8.2.1944), Sami Sejdi Golemi 1907-14.3.1944; Hasan Sali Çerepi (1927-14.3.1944); Sefer Ramo Meta (1916-14.3.1944); Skënder Mato Pepiaj (1925–14.3.1944), si dhe u plagosën disa të tjerë. Këta janë katër batalionet e krahinës së Kardhiqit që luftuan heroikisht për lirinë e vendit. Fushëbardha në gjysëmshekulli për Dëshmorë njihtë dymbëdhjetë edhe pse në fakt janë 15 dëshmorë të shpallur vetëm të Luftës Antifashiste: Karafil Bello e Sami Golemi në Senicë të Rrëzomës; Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu rënë në Borsh, Bregdet, Latife Nora në Suhagorë të Bosnjës, Cirok Cama rënë në zonën e Piqerasit në Bregdet, Xhezo Dervish Proda në Labinot të Elbasanit; Baxhul Nora rënë në Malin e Bardhë në Burrel, Kutbi Gjeçi rënë në Dukaj në Tepelenë; Zijadin Shemsho Çarçani rënë në Zhej/Zagori, Gazi Kondi rënë në Gjorm të Vlorës, Mato Serjan Mato me 3 plagë u shua menjëherë pas luftës, Tajar Proda plagosur në Prizren në dhjetor 1944 dhe vdekur në spitalin partizan të Geghysenit në janar 1945, Nishat Kondi rënë në kufi në Maliq të Korçës, Destan Nora rënë në Piks pranë Fushëbardhës. Këtu nuk duhet harruar dhe që meriton plotësisht të shpallet dëshmor bashkëpuntori i ngushtë, shoku, bashkëmoshatari dhe bashkëluftëtari i Karafilit trimi i Fushëbardhës Zeman Xhuvani. (Pra fushëbardha duhet të ketë 16 dëshmorë të LANÇ-it, bazuar në ligjen 109/2018 për statusin e dëshmorit). Trimat që dhanë gjakun për lirinë e Atdheut dhe për çlirimin e Shqipërisë meritojnë përjetësi dhe pavdekësi!

—————

Burimet e studimit: Gazetën “Ushtria”, 8.2.2019, botim qendror i Ministrisë së Mbrojtjes, është publikuar shkrimi: “Burrat që i dolën zot atdheut”, përgatitur në kuadër të 75 vjetorit të rënies së pesë dëshmorëve të atdheut Karafil Bello, Sami Golemi, Sefer Meta, Skënder Pepiaj (Pepiu), Hasan Çerepi pranë fshatit Senicë të Delvinës. Në përgatitjen e ketij shkrimi jane shfrytëzuar edhe Seria e librit, “Yje të pashuar”, Tiranë, 1968 e deri më 2016; sipas Resul Bedo; Historikët e Brigadave sulmuese (sipas origjinalit që gjenden në Dep. Historisë, FSM, AFA); DPASH dhe AQFA-së, Fonde dokumentare të LANÇ-it, 1943-1944; Georges Castellan, “Historia e Ballkanit”, Tiranë, 1991; Rinald Hibbert, “Fitorja e Hidhur”, Tiranë, 1999; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Dëshmorët e Atdheut, Tiranë, 2012; Zaho Golemi, Buletini arkivor ushtarak, Botim i AQFA-së, Tiranë, 2011; Muzeumet e fshatrave Fushëbardhë, Zhulat, Golem, Progonat 1969 deri më 1992; Historikët që gjenden në Muzeun kombëtar të luftës në qytetin e Gjirokastrës; Të dhëna të publikuara nga ish-partizanë të formacioneve luftarake ku bënin pjesë dëshmorët; Të dhëna të shtypit periodik dhe organe të shtypit të përditshëm; Gazetat “Luftëtari”, Revista “Mbrojtja”, “Për mbrojtjen e Atdheut”, “Revista Ushtarake”, “Pavdekësia”, etj; Të dhëna dokumentare nga Organizata e Dëshmorëve të LANÇ-it, Tiranë, 2018; Të dhënat dokumentare dhe të trashëgimisë gojore të familjeve të dëshmorëve; Libri “Nga Fushëbardha në ushtrinë popullore” të Fero Golemi (2015), Historiku, Materialet e muzeumit të Fushëbardhës, Publikimet në 20 numra të gazetës “Fushëbardha”, shkrimet në gazetat “Telegraf”, “Panorama”, “Ushtria”, “Mbrojtja”.. Portalet shqiptare dhe të huaja si “Albspirit”, “Balkanweb”, “fjalaelirë”, “Illyria”, “Dielli”, nga arkivi i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Fushëbardha”;  Libri Zhulati në sytë e një Lunxhioti”, të Kleanthi Dedi, (2022) Libri i Petrit Puli nga Zhulati; shkrime nga Zaho Golemit, shkrimi “Kënga lapidar i shekujve” nga Zaho Golemi botuar ngë gazetën Fushëbardha në 2006. http://www.mbrojtja.gov.al/publikime/index.php…

 

 

 

Please follow and like us: