Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: Nata e 4 shkurtit 1944


Një natë masakrash për Tiranën

(sipas shkrimtarit dhe gazetarit disident Mustafa Greblleshi, dëshmitar okular, i planifikuar për t’u pushkatuar)

Në librin e Mustafa Greblleshit “Kujtime 1939-1944” faqe 94-96, botim i Sh B Çabej viti 2017 shkruhet:
“Nata e 4 shkurtit 1944 pat qenë një natë
masakrash për Tiranën, sikundër pat qenë nata e Shën Bartolomeut për Parisin.
Më se 100 qytetarë të pafajshëm u morën natën nga gjiri i familjeve të tyre dhe u pushkatuan para portave të banesave ose nëpër rrugicat e lagjeve. Qindra të tjerë u arrestuan.

Atë natë trokitën edhe në portën e shtëpisë sime.
I shpëtova arrestimit duke u fshehur në kopshtin që kisha prapa shtëpisë, në fund të të cilit kalonte përroi. Policia kontrolloi më kot shtëpinë, nuk më gjeti.
Të nesërmen pasdreke trokiti në portën e shtëpisë Pol Zhegu, i cili më pat arrestuar edhe tre vjet më parë, kur u përlesha në demonstratë me italianët. Atëhere Pol Zhegu ishte karabinier i karabinierisë italiane, ndërsa tani xhandar i xhandarmërisë shqiptare.
-Të kërkojnë në komandën e qarkut-, më tha Pol Zhegu.
Në komandë të qarkut ishte bërë zot Xhelal Staravecka, dezertor i ushtrisë nacionalçlirimtare, i graduar kapiten, i shëndrruar në bishë. Me anë të terrorit të shfrenuar që ushtronte, ai e kishte tmerruar Tiranën.
-Paraqitem vetë-, i thashë Pol Zhegut.
-Kam urdhër të të marr të shoqëruar-, ma preu shkurt ai.
E pashë punën pisk. Me Pol Zhegun ishim bashkëbanorë të një lagjeje. Unë njihja mirë edhe të jatin, Tal Zhegun, që kishte qenë kryeplak i lagjes para okupacionit fashist. Në emër të kësaj njohjeje, iu luta të më lejonte me një karrocë deri në hotel “Dajti”, sa të njoftoja një eprorin tim. Pol Zhegu pranoi. Pra ma bëri këtë të mirë dhe nuk ja harroj, megjithse më vonë Pol Zhegu pati një fund tragjik.
Në dhomën 333 në hotel “Dajti” (e mbaj mend ende këtë numër me tre tresha) banonte Xhelal Mitrovica, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe nipi i kryeministrit Rexhep Mitrovica.
Ai më donte dhe i shtyrë nga kjo dashuri, më çmonte si gazetar më shumë se ç’vleja. Sillej me mua si shok i një rangu, pavarsisht nga posti që kishte. Për fat të mirë e gjeta në dhomë. Më priti shumë ngrohtë dhe më dëgjoi me shumë vëmendje. Në fund më tha vetëm kaq:”S’ka gjë, shko paraqitu !”
Unë qëndrova një grimë i heshtur , për ti dhënë të kuptonte se nuk ishte diçka e lehtë të paraqiteshe te Staravecka, të shkoje ashtu me këmbët e tua si cjapi te kasapi. Mirëpo ai, edhe pse e dinte mirë cili ishte Staravecka, fare i qetë më përsëriti atë fjalë:- Shko, paraqitu!
Prapa derës së dhomës 333 në korridor më priste Pol Zhegu dhe te hyrja e hotel “Dajtit” karroca që më shpuri në komandë të qarkut.
Pol Zhegu trokiti në zyrën e Xhelal Staraveckës, hapi derën , përgjysmë dhe më tha të futesha.
Xhelal Staravecka kishte një trup të imët, nën mesatare, me një fytyrë të mprehtë e të zeshkët. Ndoshta shtati i tij mund të arrinte edhe mesataren, por m’u duk i rrëgjuar, ndoshta për shkak se dhoma ishte shumë e madhe. Dhoma ngjasonte më shumë me një kthinë kazerme se sa me një zyrë.
Sytë e tij të ndezur e të lëvizshëm shprehnin qartas duf, urrejtje, etje për hakmarrje, për krime, për mizori. U ngrit në këmbë kur hyra unë. Më vështroi një hop me ata sy, që herë shkreptinin, herë terratiseshin dhe shfreu duke i rënë tavolinës me grusht me sa fuqi kishte. Pastaj tha vetëm një fjalë, që ishte më fort një britmë.
-Shko!
E mora me mend se Xhelal Mitrovica e kishte marrë në telefon para se të arrija unë.
Dhe, siç e mora vesh më vonë nga Gjergj Bubani, Staraveckën e kishin informuar sikur e kisha shkruar unë një trakt që i kishin gjetur një vajze të arrestuar. Kjo informatë ishte një shpifje. Unë kurrë nuk kisha shkruar ndonjë trakt. “

Nga kronikat e kohës:

Më 4 shkurt 1944 në Tiranë u krye ”masakra e 4 shkurtit”, ku pas nje atentati kunder makines se tij ku u vra nipi i tij, ministri Xhaferr Deva u dha urdher forcave te regjimentit ”Kosova”, te xhandarmarise etj, dhe ata vrane 84 persona (nga te cilet rreth 45 jane te identifikuar).
Komanda e Xhandarmërisë Shqiptare në raportin e saj te nesermen ne dt 5 shkruan: “Forcat e xhandarmërisë, së bashku me forcat e Regjimentit “Kosova” dhe me vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar.
Nga të 84 të pushkatuarit rezulton se 67 janë shqiptarë, 9 italianë, 4 malazezë, 2 maqedonas, 1 grek (minoritar) dhe 1 çifut. Viktimat shqiptare kanë qenë 29 nga Tirana dhe 37 nga rrethet Fier, Korçë, Durrës, Shkodër, Vlorë e Dibër”. (AQSH, Fondi 1230, dosja 134).
Kjo deklaratë e Ministrit Xhaferr Deva është botuar në Gazetën “Bashkimi i Kombit” në datën 4 shkurt 1944: “Gjaku don gjak! Terrori kërkon terror! Nuk do të përtërihet shteti shqiptar as me gjykata, as me anketa, as me këshilla. Shteti shqiptar mund t’i kalojë këto faza kritike vetëm duke përdorur shpatën… për t’u vendosur në tërësi paqa, duhet të përdoret thellësisht terrori… Terror kundër terroristëve, terror kundër anarkistëve, terror kundër nacionalclirimtarëve, terror kundër simpatizantëve të saj”.

Please follow and like us: