Rrjeti social ‘Facebook’ mbushi sot 20 vjet
Më 4 shkurt 2004, një student i Harvardit, Mark Zuckerberg, së bashku me një grup miqsh, hapën një rrjet social kushtuar botës universitare. Quhej Facebook dhe menjëherë pas kësaj filloi të zgjerohet në universitete të tjera amerikane. Më pas erdhi përhapja mbarëbotërore që ne njohim. Ishte ky rrjet që në 20 vite i hapi më pas rrugën “ortekut” të mediave sociale dhe një revolucioni në shoqërinë tonë sa i përket konceptit të privatësisë, miqësisë, informacionit, politikës, punës, lindjes së profesioneve të reja të bazuara në “like”.
20 vjet më vonë, Facebook, pavarësisht tronditjeve dhe skandaleve (më i madhi nga të gjithë ishte rasti i Cambridge Analytica) dhe migrimit të të rinjve që e perceptojnë atë si rrjetin social të “boomers”, Facebook mbetet platforma më jetëgjatë dhe më e madhe për sa u përket numrave.
Sipas të dhënave të fundit 3-mujore, të shpallura nga kompania janë 2.11 miliardë njerëz aktivë çdo ditë në këtë platformë. Numërohen 3.07 miliardë njerëz aktivë çdo muaj.
Meta, kompania që kontrollon Facebook, Instagram dhe WhatApp mbylli 3-mujorin e katërt me të ardhura dhe fitime më të larta se pritshmëritë e analistëve falë rritjes së fortë të të ardhurave nga reklamat dhe uljes së kostove. Të ardhurat e Facebook arritën në 40.1 miliardë dollarë, me një rritje me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përdoruesit e Facebook, Instagram, Messenger dhe WhatsApp u rritën me 3.98 miliardë (+6%). Për tremujorin aktual, Meta pret të ardhura prej 34.5 deri në 37 miliardë dollarë, më të larta se vlerësimet e analistëve.
Në vitin 2023, Meta shkurtoi mbi 20% të fuqisë punëtore, e barabartë me 67 317 punonjës në fund të dhjetorit. Rezultatet mbërrijnë vetëm pak ditë pas dëshmisë së fortë së CEO-s, Mark Zuckerberg së bashku me menaxherët e tjerë të lartë të gjigantëve socialë para senatit amerikan për rreziqet e këtyre platformave tek të rinjtë.
Investimet në infrastrukturë dhe në zhvillimin e realitetit virtual u rritën këtë vit në 94 – 99 miliardë dollarë. Për të tërhequr investitorët, Meta ka shpallur synimin e saj për të nisur një shpërndarje tremujore të dividentit. Aksionet u rritën fuqishëm me +14.3% duke e çuar bilancin që nga fillimi i vitit në +12%.
Në tetor 2021, Facebook ndryshoi emrin e tij në Meta për të përqafuar metaversen dhe një jetë të re. Një ekosistem që përfshin Messenger i lançuar në vitin 2011, Instagram i blerë në 2012 dhe WhatsApp në 2014. Disa muaj më parë u lëshua edhe Threads, i konsideruar një “anti-Twitter”.
Kompania ka investuar gjithashtu në Reality Labs, divizioni që punon për shikuesit e realitetit të përzier dhe në mënyrë të pashmangshme si emra të tjerë të mëdhenj, në sektorin e inteligjencës artificiale.
“Në vitet e ardhshme, Facebook do të ndryshojë për shkak të futjes së funksioneve gjeneruese të inteligjencës artificiale. Shumë postime do të krijohen me ndihmën e AI dhe ne do të kemi botë që do të jenë në shërbimin tonë”, – shpjegon eksperti i mediave sociale Vincenzo Cosenza. Ai e imagjinon një të ardhme “gjithnjë e më të zhytur me hapësira sociale tredimensionale. Kjo do të imponojë rregulla dhe masa paraprake të reja” – thotë ai.