Luan Rama: Një bohem shqiptar në botën parisiane
Pak kohë më parë, në një kafene të Parisit u takova me Izet Currin të cilin e kisha njohur që në vjeshtën e vitit 1991 kur prej disa muajsh kisha ardhur në Paris. Sapo kishte ardhur nga Shkupi për tu kthyer sërrish dy javë më pas, gjithnjë me projekte të reja. Është një njohje 30 vjeçare dhe unë vija nga diplomacia ndërkohë që më parë kisha qenë kineast, ku në Tiranë kisha patur miq shumë piktorë të filmit dhe dija që krijimi i kostumeve dhe dekoreve ishte një art më vete. Por habia ime ishte se që në fillim, tek Curri gjeta një univers artistik modern. Ishte një zanatçi që në rini kishte marrë udhët e botës dhek ishte zbarkuar në Paris shumë vite më parë, një profesionist që shumë shpejtë e bëri të vetën modernitetin e kohës dhe kjo në sajë të pasionit, intuitës, fantazisë dhe imagjinatës së zhvilluar të tij, shijes ndaj së bukurës, formës, linjave, ngjyrës, atyre linjave që të kujtonin linjat femërore të Matisse. Kështu ky njeri që vinte nga një familje rrobaqepësish dhe mjaft entusiazt u ballafaqua menjëherë me stilistët më të mirë të kohës të salloneve të shquara të modës ku Parisi ishte si «Meka» e stilistëve të mëdhenj të botës dhe ku paradat e modës kishin emrat e Dior, Chanel, Cardin, etj., një legjendë më vete.
Kostumi ishte primar në paraqitjen jo vetëm të yjeve të artit e të publiçitetit, të aktorëve të kinemasë e teatrit por dhe të botës qytetare. Ishte i domosdoshëm në paraqitjen e artistëve dhe Izeti iu kushtua me mish e shpirt këtij arti duke kuptuar sekretet e stilistëve të ndryshëm, ashtu siç në epoka të hershme, piktorët e mëdhenj të Europës shkonin në Itali të kopjonin veprat e Rilindjes italiane apo në Louvre të Parisit për të riprodhuar një Da Vinci, një Rembrandt, Caravaggio, Wermer, Georges de la Tour, etj. Dhe në këtë mori shkollash artistike, rrymash e personalitetesh të forta të metropolit ai kërkoi të krijojë diçka të tijën, stilin e tij. Ç’mund të bënte një ballkanas në Paris kur moda ishte në apogjeun e vet dhe ku në skenë shfaqeshin emra të rinj stilistësh si Gaultier, Kenzo, Lapidus apo ku krijimet e modës nga atelieret e Laroche, Spook, Hermes apo Mugler, me të cilat ai bashkëpunoi, tërhiqnin gjithnjë e më shumë rininë, një gjeneratë të re gjithnjë në kërkim të modernitetit, feminizmit, çlirimit të gruas, etj. Por bashkëpunimi me stilistin e njohur Ezzedin Alaya dhe puna e palodhur që Curri bëri në atelierët e tij në Rue Richelieu apo Rue Turenne të Parisit arritën ta bëjnë të njohur figurën e tij. Mjaft artistë të njohur si Isabelle Adjani, Josiane Balasco, Christoff Lambert, Richard Berry e shumë të tjerë kërkuan të veshin krijimet e tij. Në Paris Match dhe gazeta të ditës gjeje shkrime mbi krijimet e tij. «Rrobaqepësi i yjeve» («le couturier des stars», e cilësonin kritikët e modës. Vizatimet e Currit ishin ishin të çliruara, disi fluide, kishte në to elegancë, elokuencë, modernitet, çka bëri që ai të angazhohej për kostumet e operas Cosi fan Tutte të Mozart apo nga Comedie Française. Kjo aftësi e habiste dhe mikun e tij, piktorin e shquar malazez Dado i cili e çmonte artin e tij. «Trupin e femrës e njoh mirë, – i thoshte Izeti, – por s’di ta vizatoj siç do doja! E ndërkohë, duke qeshur, Dado i përgjigjej: «Ti e vizaton shumë bukur!..».
Dy dhjetvjeçarët e parë ishin padyshim më vendimtarët në krijimin e tij si stilist, i cili më vonë, i tërhequr nga origjina e tij, kujtesa familjare shqiptare, nga Maqedonia, Shqipëria dhe Ballkani gjithashtu, u kthye përkohësisht në Prishtinë dhe në Shkup. Duke gërshetuar elementet e kulturës ballkanike me ato perëndimore ai vendosi të krijojë një urë lidhëse në këtë lloj arti ku brenda dy dhjetvjeçarëve të fundit ka dhënë rezultate që njihen gjerësisht me krijimin e Faktultetit të parë të Modës në Prishtinë më 2005 dhe më pas në krijimin e «Institutit Curri» në Shkup. Sot, gjithnjë e më shumë ai i është kthyer «notës» ballkanike në përgatitjen e kostumeve, diçka që ka qenë gjithnjë familjare për të, ku edhe pse jetojmë në një kohë moderne, ai ka nevojë dhe frymëzim për të shtuar detaje të tradicionit të vjetër të veshjeve njerëzore, çka i jep aq shumë origjinalitet krijimeve të tij. Eshtë një artist që gjithnjë kërkon në hapësirat e pakufishme të artit me të njëjtin guxim dhe pasion si në rininë e tij parisiane.
Dihet që vitet ’90 ishin vite tronditëse në Ballkanin e ngërthyer nga luftrat dhe shpërbërja e ish Jugosllavisë. Ky artist fare mirë mund të vazhdonte jetën e tij të paqtë në sallonet e modës, të merrej vetëm me krijimet e tij artistike. Por jo, ishte e kaluara personale dhe e popujve fqinj që e thërriste, së pari e mëmëdheut të tij, një populli që vuante dhe kërkonte lirinë e tij. Dhe disa vjet ai ia kushtoi pikërisht veprimtarisë humane, protestës për parandalimin e luftës dhe të masakrës së madhe që projektohej në horizont. Popujt duheshin shpëtuar nga dhuna dhe barbaria. Menjëherë në Paris ai krijoi një shoqatë kulturore në Rue de l’Assomption dhe nuk mund ti harroj ato veprimtari të shumta për të cilat ai iu kushtua tërësisht. I mbaj mend ata artistë të shumtë apo talente të reja që pa shpresë drejtoheshin tek ai ku gjenin mbështetje për të mbijetuar, ata intelektualë të shumtë që u mblodhën rreth tij në koncerte e ekspozita të shumta pa harruar aksionet humanitare pranë Bernard Kushner. E po kështu dhe ata politikanë të shumtë që vinin nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Dhe para tyre ishte gjithnjë shëmbëlltyra humane e këtij artisti plot kurajo.
Ky artist bohem mbetet si një shtegtar i vazhdueshëm i kësaj ure, i këtij itinerari që lidh Perëndimin me Ballkanin. Dhe historia duket se përsëritet: nga ajo çka ai mësoi prej stilistëve të famshëm të Parisit, tashmë është ai që i transmeton artin e tij një brezi të ri kuratorësh, të cilët ndërkohë kanë krijuar personalitetet e tyre artistike dhe po spikasin dukshëm në këtë fushë. Shtegtarë të tillë si Izet Curri kanë hyrë tashmë në historinë e re të kulturës sonë.
Please follow and like us: