Luan Rama: Në Milano me Ibrahim Kodrën
Para një viti isha në Milano për prezantimin e një vëllimi poetik “Cose animate” në librarinë më të vjetër të Italisë, “Bocca” dhe doja patjetër të shikoja atelierin dhe shtëpinë ku kishte jetuar Kodra, figura e të cilit ishte jo vetëm një nga personalitetet më të dashura të milanezëve e italianëve por kryesisht të emigrantëve shqiptarë që aq shumë i kishte ndihmuar në vitet e para të emigrimit të madh. Duhej të takoja Fatos Faslliun që pikërisht në shtëpinë e Kodrës kishte krijuar dhe “Fondacionin Kodra”. Bashkë me mikun tim Alban Gjata nisemi drejt Piazzale Lagosta dhe ndalojmë në ndërtesën ku poshtë tek interfoni ishte shkruar “Fondazione Kodra”. Ishte Fatosi që na priste. Që në hyrje ishin pikturat e shumta që vendosur në të gjitha muret e dhomave. Tablo, grafika, qeramika dhe ajo qetësi e habitshme që mbizotëronte ngado. Koridori, atelieri, dhomat dhe ajo dhomë gjumi tepër e thjeshtë. Si dhomat tona të turmës njerëzore. Një thjeshtësi emblematike. Në krah një këmishë mbi një kremastar, gati për tu veshur, të nesërmen, në zgjim. Flamuri i kuq me shqiponjën e zezë në mes, nderet mbi kokën e krevatit. Aty është nderur prej vitesh mbi kokën e tij. Po, Shqipëria e nderur mbi birin e mërguar si të ishte hyjnia e vetme e tij. Dhe sipër flamurit, një tablo. Me siguri e parapëlqyera e tij, pasi s’mund të vinte një tjetër në atë vend. Në fakt, është vetë ai, i pikturuar me ngjyrat e tij karakteristike, me portretin sipër dhe më poshtë paletën e ngjyrave dhe imazhin detar, të përjetshëm në imagjinaren dhe realen e tij. Deti, anijet, udhëtimet në Palermo, Capri… Në krah fotografia e madhe e tij, Kodra me kasketë në moshën rreth 80 vjeçare. Dhe si gjithnjë me një shall ku poshtë fotografisë me dorën e tij ka shkruar: “Adhuruesve të artit tim, me miqësi, Ibrahim Kodra”! Një mesazh që donte ta linte këtu, në dhomën e tij, në vendin ku flinte dhe zgjohej, ku kishte dashuruar dhe kishte kaluar jetën boheme. Afrohem dhe pikas se mbi të me një penel të hollë ka shtuar një pëllumb që bëhet gati për fluturim. Një detaj simbol, ai i fluturimit të tij drejt Shqipërisë. Gjithnjë me idenë e kthimit një ditë të vonët.
Porta e hapur të çon drejt korridorit dhe portës tjetër të atelierit mbi të cilën janë ngjitur një mori faqesh gazetash ku kritikët e mëdhenj europianë kanë shkruar për artin e Kodrës. Në njërën prej tyre lexohet: “Colori d’Oriente – Da Tirana a Milano per passione”. Po, një pasion që nuk u shua në këtë rrugëtim të përjetshëm. Përballë është tavolina e madhe e atelierit, ku në disa vazo qeramike e dekorative janë penelët me të cilat Kodra ka pikturuar vitet e fundit të jetës së tij. Janë të heshtura, në dukje në pritje të duarve të mjeshtrit për ndjerë erën e ngjyrave të hapura dhe të terebentinës. Ja një “croquis ” e madhe varur në mur. Eshtë një grua nudo, një përsosmëri linjash që të kujtojnë Mikelanxhelon e trupave të kolmë e me muskuj që shprehin një energji të brendshme. Ku shkon kjo grua me flokët e gjatë që i nderen mbi shpinë dhe me kokën ngritur lart, me fytyrën drejt qiellit, si të dojë të shohë hyjni apo fatin e saj? Plastikë dramatike në atë trup gruaje si të një kohë dionisiake, një matronë, një grua universale. Një grua e botës!
Vështroj tablotë ku shumë prej tyre nuk i kisha pikasur më parë edhe pse kam dy albume me pikturat e tij në shtëpi. Një pikturë e Kodrës, prej vitesh qëndronte në muret e shtëpisë sime në Paris. Ja një vazo me lule, një “nature morte”. Sa afër Matisit francez dhe sa origjinale njëkohësisht: rrush, mollë, qershi, dhe ngjyrat e tij mbizotëruese: e gjelbërta dhe në sfond një portret. Është piktori! Më tej një tablo tjetër. Më ngjan se jam përballë një pergameni të vjetër, nga ato të Detit të Vdekur. Simbole dhe nje dramë humane. Një lloj kataklizme, një stil që përvijon dhe në një tablo tjetër vendosur pak më tej me tre personazhe të errta, me topuzë ndër duar si të ishin bajlozë të lashtë shfaqur nga deti. Po e njëjta mënyrë pikturimi, e trajtimit koloristik, e ngjyrës së fshirë, të errët, që të shtyn drejt një humbëtire ku ti ke dëshirë të udhëtosh dhe të kërkosh domethënien e saj. Dhe papritur ti e gjen : është tema e luftës. Janë tri personazhe me topuza mesjetarë në duar. Vallë barbaria që kërcënonte Kosovën, meqë tabloja është e vitit 1997? E megjithatë ajo mbart në vetvete një simbol më universal: atë të luftës që kërcënon njerëzimin. Dhe ngjitur, tashmë është vetëm një figurë, përsëri me një topuz në dorë. Ishte koha e luftrave në Ballkan dhe e kërcënimit serbomadh ku gjithçka ka tone mesjetare. Një luftë që ka filluar në mugëtirat e kohës dhe që vazhdon: gjithnjë etja e pushtetit mbi të tjerët, mbi botën.
Vërtitem nëpër atelier duke ndaluar sa para një tabloje në tjetrën. Tashmë një peizazh me një koloristikë të mahnitshme: pikas një urë dhe lumin që rrjedh nën të në konturet e një qyteti që më fshihet por që unë përpiqem ta imagjinoj. Më jep një ndjesi “rembaldiane” si në poemat e Rembosë ku gjithçka është disi flu dhe ku sa më tepër përqëndrohesh aq më shumë depërton në simbolet e poezisë apo peizazhit. Pak më tej nje portret imperial, ndërtuar si me kube, njëra mbi tjetrën. Tri kube për të përbërë një trup njeriu : koka, torsi dhe poshtë këmbët brenda atij kubi në tone gri dhe një të gjelbërt të lehtë. Një portret që duket se na vjen nga koha e Cezarëve për të na treguar histori. Një kompozim tejet origjinal që vetëm Kodra mund ta konceptonte kështu. Në atelier janë gjithashtu disa tablo që tashmë janë shumë të njohura për ne si Lufta apo Nëna dhe fëmija si dhe një tablo me ngjyrat e Adriatikut, ku piktori-fëmijë me një lahutë në dorë luan muzikë dhe ku në sfond të këtij bardi të vogël, janë kodrinat e Ishmit, kulla e Prezës, shtëpitë e ulta, xhamitë dhe poshtë këmbëve të tij disa rrënoja antike të Durrësit. Tokë e kohrave të lavdishme.
A mund ta nxjerrim Kodrën nga kuadri i një tabloje?
Vështroj tablotë e Kodrës dhe kujtoj thënien e famshme të Leonardo Da Vinçit: Regarde la lumière et admire sa beauté. Ferme l’œil et regarde… (Vështroje dritën dhe admiroje bukurinë. Mbylli sytë dhe vështro…). Kodra ka vite që ka vdekur. Emri dhe arti i tij bënë histori: nga kodra e Ishmit ku u rrit jetim, pastaj përmes detit dhe bohemia e tij si artist në Itali. Shqipëri-Itali-Europë… Përveç disa studimeve jo të shumta mbi veprën e tij, padyshim një njohës i mirë i artit piktural do të na sillte refleksione të tjera dhe më të thella për veprën e tij, pasi piktura, siç dihet ka gjuhën e vet, ashtu siç e kanë të gjitha artet e tjera, apo siç ka gjuhën e vet dhe lëvizja e trupit, “fjalori» i një koreografi të vërtetë. Nganjëherë, vizionet e reja i kanë sjellë dhe shkrimtarët që e kanë dashur shumë pikturën, siç ishte André Malraux me Le Musée imaginnaire apo “Écrits sur l’Art“; Louis Aragon me Henri Matisse roman apo Écrits sur l’art modern, apo Paul Eluard me Anthologie sur les écrits sur l’art, pa përmendur këtu një nga kritikët e hershëm francezë, poetin e shquar Charles Baudelaire, i cili e shikonte pikturën ndryshe nga bashkëkohësit e vet.
Formatet e pikturës së Kodrës janë të formateve të zakonshme, në përgjithësi as shumë të mëdha dhe as shumë të vogla, e megjithatë, disa peizazhe me elemente të formave gjeometrike të frymëzojnë për t’i parë ato në dimensione të mëdha apo shumë të mëdha, duke marrë trajtën e pikturës monumentale. Kjo sigurisht, është një pyetje që i adresohet më shumë kuratorëve të artit. Mbase Kodra nuk e ka pas menduar këtë, ose ndoshta e ka menduar gjatë realizimit të saj për vetë forcën figurative të kompozimit, po sidoqoftë kjo do ti kërkonte një atelier të madh dhe pikësëpari një sipërmarrës të fuqishëm që do t’i komandonte një vepër të tillë, dhe këtë ai nuk mund ta siguronte dot. Diego Rivera e kishte këtë mundësi. Sipërmarësit e tij vendas dhe të huaj, amerikanë, i dhanë mundësi të bënte piktura monumentale, afreske e mozaikë gjigandë çka hynë në fondin e artë të artit meksikan e boteror. Kështu ai realizoi Dreamstime, Nën një qiell të mjegullt apo Revolucioni si ritual, etj.
Por a e ka Kodra një mundësi të tillë për tu përdorur në një pikturë monumentale? Mbase gabohem por personalisht them se po. Po t’i shohësh me vemendje tablotë e tij për një kohë të gjatë, tablo të llojit të Oltremare, ku harmonia e ngjyrave dhe kompozicioni krijojne një sublimitet më vete dhe diçka ngazëlluese, njeriu krijon një tjetër percepsion të veprës. Dhe të ndodh që duke hyrë në atë lojë ngjyrash e figurash gjeometrike ta imagjinosh veten përballë një imazhi monumental. Eshtë një lloj tërheqjeje që arti i bën njeriut, një lloj «thithje»? Këndej është dhe mundësia për ta nxjerrë Kodrën nga korniza e një tabloje, e një ekspozite dhe për ta ekspozuar atë në rrugë, për ta nxjerrë jashtë, në jetën e përditshme qytetare, mes njerëzve, në fasadat e mëdha apo holle institucionesh, qëndrash kulture, holle hotelesh moderne që po i shtohen Shqipërisë.
Sigurisht, jo pak do mendonin se kjo mund të ishte një lloj aventure dhe se nuk kemi pse ta nxjerrim Kodrën nga kuadri ku e ka vendosur vetë ai. Por nga ana tjetër, asnjë kurator modern dhe i njohur europian, apo i përtej Atlantikut, nuk e ka pyetur as Leonardo Da Vinçin, as Raffaello-n, as Boticceli-n dhe rradhën e gjatë të gjenive të Rinachimento-s për t’i ekspozuar veprat e tyre në hapësira gjigande siç i shohim nëpër botë në “Atelieret e dritës” (ku në Paris aktualisht ekspozohen në këtë mënyrë Chagall dhe Klée), e ku hiret e tyre janë ekspozuar më me dritë duke i bërë nder vetë pikturës dhe krijuesit të saj. Kjo i jep artit një mision akoma më qytetar, e afron artin tek publiku, e bën të prekshëm nga të gjitha shtresat e popullsisë, nga të gjitha kategoritë e niveleve kulturore, moshave, etj. Në fund të fundit, njeriu i rrugës dhe kalimtari më i thjeshtë ka nevojë për bukurinë e artit të të gjitha epokave njerëzore!
* * *
Para se të lëmë atelierin e Kodrës, për herë të fundit hedh vështrimin nga dhoma tjetër ku gjendet krevati i tij. Ka një atmosferë sa të thjeshtë aq dhe sublime për një njeri që u shua aty, një artist që edhe pse larg tokës së tij, përsëri ishte i rrethuar çdo çast me simbolet shqiptare. Imagjinoj një çast Kodrën e shtrirë në paqen e tij duke pritur udhëtimin e fundit dhe errësirën që binte ngadalë mbi sytë e tij. Me siguri shpresonte të shihte agun tjetër në brigjet e Ishmit, pranë Xhixhes, nënës së tij, shfaqur në kushedi sa tablo me duart e zgjatur për ta pritur. Dera mbrapa nesh mbyllet. Zbresim. Jashtë kalimtarët shkojnë me nxitim në një nga sheshet e Milanos. – Kur do udhëtojnë veprat e Kodrës drejt Tiranës? – e pyes Fatosin. – Së shpejti, – më përgjigjet ai, – gjithçka është bërë gati për krijimin e “Fondacionit Kodra” në Tiranë ku më së fundi do të mblidhen shumë vepra të tij.
Ndahem me të dhe bashkë e Alban Gjatën nxitojmë drejt qendrës. Përsëri Stazione Centrale, pastaj aeroporti Malpensa dhe në mbrëmje avioni që më çon drejt Parisit. E megjithatë ende përjetoj emocionet e asaj vizite në atelierin e Kodrës, krevatin e tij, flamurin, tablotë si dhe imazhet e atij takimi të fundit me të rreth Bastijës në Paris, në vjeshtën e vitit 1992. Mjerisht ishte takimi ynë i fundit e megjithatë imazhet janë ngjizur në retinën e syrit. Herë pas here Kodra më kthehej gjatë bisedës dhe duke qeshur më thoshte: “Po ti qenke mjaft i ri për të përfaqësuar Shqipërinë në Paris”. Tregonte gjithnjë për jetën e tij, pasionin, për pikturën por edhe për sportin e ndërkohë forconte muskujt e krahut duke më thënë: “Preki”! Dhe vërtet, muskujt e tij ishin si të një boksieri edhe pse i afrohej të tetëdhjetave. E pëlqente Parisin, kryeqytetin që e kishte nderuar, ku kishte lidhur miqësi me Picasso-n, Paul Eluard, etj, ku kishte ekspozuar krah veprave të Modigliani-t dhe mjeshtërve të mëdhenj të epokës si, Dufy, Rouault, etj.
Pas pak në qiellin e Parisit u shfaq mizëria e dritave dhe në çast mendova : Gjithnjë ka një fund, por për artistin e madh është vepra që jeton. Krijuesit e artit hyjnë kështu në portat e Historisë për të mbetur gjithnjë në tempullin e përjetshëm për brezat që vijnë.
Please follow and like us: