Albspirit

Media/News/Publishing

Pajtim Sejdinaj: E vërteta, e drejta për Bejarin vonon, por nuk harron!

*********************

Perëndi!

Përpara Bejarit unë jam axhami!

Të lutem!

Po e harrova unë!

Mos e harro ti

*********************

Reflektim mbi historin e vendlindjes sime

********************

Fshati Bejar bën pjesë në Njësinë Administrative të bashkisë Mallakastër, Qarku Fier, në të dy anët e autostradës Levan-Tepelenë.

Me një bukuri natyrore që e ka bekuar Zoti. Me një histori të dhimbshme, por edhe të bukur! Historia që monitorohet nga Martirët që kanë luftuar për “Lirinë e Kombit” gjatë të gjithë periudhave historike. Martitët janë zgjuar dhe janë mbledhur në “Kullën e Fildishtë” të tempullit në “Mësonjëtoren parë” të Mallakastrës. Ajo ndrin si Ar në historinë shekullore të Mallakastrës së  Epërme duke ndriçuar zemrat e Bejarakëve në breza. Dajot e Rrapo Hekalit të cilët luftuan përkrah tij. Ende dëgjohen tringëllimat dhe hingëllimat e kuajve, ende dëgjohen jehona e britmave të Haxhi Brahimit, Memhet Fekës, Rakip Isufit dhe Martirëve të tjerë të Bejarit që u rreshtuan përkrah nipit të tyre Rrapo Hekalit. Por historia e viteve 1944-1990 asnjëherë nuk shkroi, përkundrazi i fshiu nga faqja e historisë. Mbasi Rrapo Hekali ishte nip në Zotaj, lagja e Reuf Fratarit (për arsyje absurde që do t’i përshkruaj më poshtë).

Çudia më e madhe është se Bejarit i është “vjedhur” Historia!

Mos u çudisni kjo është e vërtet si drita e diellit! (Do ta argumentoj).

Mëkatet e “Makutërisë”e kanë fshirë nga historia kontributin e fshatit Bejar gjatë gjithë rrjedhjës së saj.

Mjafton të kujtojmë shkrimin e kronikanit osman (1541-1600) në librin “Bërthama e Lajmëtarve” për luftën e udhëhequr nga sulltan Bajaziti i Dytë në vitin 1492. Në këtë libër përshkruhet portreti shpirtëror i djemve dhe të vajzave të Nahijes-Mallakastër Ngasra-Bejar, Kazaja-Berat, Sanxhaku – Gjirokastër ku përmendet dhe toponimi i tempullit të “Kalamatrëngu”, (vend që është dhe sot në Bejar që do të thotë Kala e Martirëve).

Konkretisht kronikani shkruan:

“Topçinjtë Osmanllinj zbritën nga Tepelena dhe mbërritën në “Kalamatrëng” ku ushtria osmane mori atje robër të pa numërt, djem dhe vajza kokëfortë, inatçinj, të cilët kishin shtat të rregullt me trup si selvi, bukuri si zambak dhe plot naze”. (Bejarakët e sotëm janë pasardhësit e tyre).

Ka pseudo-historianë që e kanë e “shitur” historinë e vendlindjes sime. Por historia e Bejarit shtrihet dhe më tej me sakrifikimin e “Fratit” në Kishën e Kalamatrëngut (sipas legjendës) dhe historianët kanë heshtur.

Edhe në vitet 1900-1912 Bejari ka patur çetën e vet të udhëhequr nga Hajredin R. Fratari.

Në shpalljen e Pavarësisë mori pjesë me çetën e vet me komandant Veiz Sile Zeqaj. Në aktin final të shpalljes së Pavarësisë ka patur firmëtarin e tij z. Hajredin Rakip Fratarin.

Historianët edhe këtë e “shitën” në periudhën 1944-1990.

Në vitet 1912-1915 çeta e Bejarit u ngrit në këmbë në mbrojtje të Qeverisë së Ismail Qemalit deri sa sakrifikoi “Senatorin e Fisnikërisë”, Hajredin Rakip Fratarin.

Edhe nga vitet 1920 ka patur çetën të inkuadruar në batalionin “Hajredin Fratari”. të udhëhequr nga Veiz Zeqaj, Sinan Ramo Tavllai dhe Qazim Cane Myftari, ( i cili është plagosur), ku kanë luftuar heroikisht.

Edhe gjatë viteve 1939-1944 Bejari ka patur formacionet e veta në luftë të inkuadruar në batalionin “Hajredin Fratari”, (në gjurmët e batalionit të vitit 1920), të krijuar nga Rauf Fratari në prill 1939 si formacion luftarak kundër Italisë fashiste jo vetëm me pjesëmarrjen e burrave të Bejarit, por dhe pjesmarrës të burrave nga Treva e Mallakastrës së Epërme dhe të disa fshatra të Tepelenës, gjitonë me Mallakastrën e Epërme deri në shtator 1943 pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes (ku hyri “miza” e përçarjes nga komunistët) dhe një pjesë e tyre u nda duke krijuar “Grupin e tretë” Mallakastër me komandant Qamil Hamzo Rakipaj (i nipi i Rauf Fratarit). Për të shuar kureshtjen sqaroj se Hajredin Fratari ka patur si mbiemër atë Rakipaj, por për të mbajtur lidhjet me vendlidjen, sipas modelit të rilindësve, mori mbiemrin Fratari kur u kthye nga Turqia në 23 tetor 1943.

Akademia e Shkencave dhe “shoqatat patriotike” harruan t’i shënonin në protokolline e tyre. Por kjo për popullin e Bejarit pak rëndësi ka. Historinë e kanë shkruar me gërma të arta Martirët që kanë luftuar për Liri. Ata që sot prehën të qetë në Olimpin e “Mësonjtores së parë”, duan apo s’duan akademikët dhe “kryetarë e shoqatave fantazmë”.

Çudia shqiptare vazhdon në mënyrë më absurde me “Mbretërinë e Zgërbenjve” të Enver Hoxhës; ku fshati Bejar ka qënë fshati më i  diskriminuar në Mallakastrën e Epërme për arsyje se ai kish 5- nacionalistë të ndershëm të pushkatuar. Ata janë:

  1. Reuf Hajredin Fratarit, nacionalisti që gjithë jetën punoi për Kombin, udhëheqës i formacionit luftarak kundër fashizmit, ata e bënë “Armik të popollit” në “Emër të popullit”. Arritën deri atje sa morën “hak” te ndërtesa e shtëpisë deri sa e rrënuan, “Mësonjtoren e parë” e kthyen në haur (në depo të grumbullimit të drithrave). I hoqën të gjitha relikat (që ishin ruajtur me fanatizëm nga pinjollët e Hajredin Rakip Fratarit) vetëm e vetëm se Hajredin Fratari ishe i ati Raufit. Familjen e Raufit e dërguan internim, të birin e futën në burg, farefisin e humbën si “spata pa bisht” dhe Raufin e përndoqën deri sa e vranë në vitin 1973.
  2. Ali Qazim Merkaj. E pushkatuan. Eshtrat nuk u gjetën kurrë. Vëllain e futën në burg. Nipër dhe mbesa i internuan.
  3. Qani Sulo Rakipaj, nga djemtë më të mirë që kishte Bejari. I qeshur, i dashur me të gjithë e vranë disa ditë para martesës. Të afërmit i shpërndanë si “zogjët e korbit” duke i internuar në vendet më të vështira. Fëmijët e tyre nuk i lejonin të shkolloheshin.
  4. Sheh Zenel Aliu, kleriku nderuar. I prishën “Mekamin”, i cili ishte hapur në vitin 1630 nga stërgjyshërit e tij dhe aty kryenin ritet fetare jo vetëm banorët e Bejarit, por dhe gjithë banorët e Mallakastrës së Epërme. Fëmijët e fëmijëve e paguan shtrenjtë, ishin nxënës ekselentë dhe deri në arsimin e detyrueshëm, shkolloheshin se më tej ishte “molla e ndalume”.
  5. Haki Xhafer Rakipaj, vetë partizan, motra partizane, i ati partizan… e pushkatuan pas çlirimit sepse devijon nga rruga e tyre. Ia internuan vëllezërit.

Na futën përçarjen me njëri-tjetrin që nuk e kish parë historia gjatë të gjithë shekujve. U ndamë me njerëzit tanë të dashur.  Na shkatërruan familjen! Ku e shikonim njëri-tjetrin si “ujku gomarin”. Mbretëria e Zgërbenjve nuk kish “kandar” për t’i peshuar gjërat, sepse atyre u kishte humbur “topi i ziqit”.

Po çfarë kishin bërë këta “Armiq të popullit”?! Ku “Mbretëria e Zgërbenjve të Kuq” e Enver Hoxhës i dënoi në “Emër të popullit” pa gjyq. Kishin bërë “MËKATIN” më të madh në historinë e një vendi! Kishin luftuar për “LIRINË e KOMBIT” të vet! Krijuan çerdhen e nacionalizmit në Mallakastrës e Epërme e cila luftoi për lirinë e Atmëmdheut.

Çudia vazhdon!…

Dhe këtë “MËKAT” të “Armiqve të popullit” duhej ta paguante populli i Bejarit sepse këta ishin bijtë e tyre. Prandaj për kët arsyje:

Fshati Bejar u pa me syrin e njerkës nga regjimi komunist dhe u diskriminua, u presekutua. Hoqën të “zezinjtë e ullirit” jo vetëm familjet e të pushkatuarve, por i gjithë fshati. Për fshatin tonë “Mbretëria e Zgërbenjve” ka përdorur moton makabre: “Duke na ndillte si qen (kur kishin nevojë, aksione, mbledhje, llustra (fasada) brohoritje për ta dhe pastaj ae na hidhnin si qen rruge ose si limon i shtrydhur”. Kështu diskriminimi, poshtrimi vazhdonte në mënyrë makabër.

*Për Hajredin Rakip Fratari si Korifeu i hapjes së “Mësonjtores së parë shqipe” në Mallakastër; rilindasi dhe patriot i shquar në mbrojtje të Qeverisë së Ismail Qemalit, “Dëshmor i kombit” nuk u zhvillua asnjë aktivitet patriotik. Arritën deri atje sa shkollës së fshatit të vendosin emrin “9 Dëshmorët” me gjithë se fshati ka 10 dëshmorë. Në lapidarin e fshatit (pranë shkollës) nuk është i regjistruar emri si dëshmor Hajredin. R. Fratatit.

Në vitin 1962 (me rastin e 50- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë) nuk u ftua as një nga pinjollët apo të afërmit e  Dëshmorit të Kombit, nuk u organizua as një ceremoni përkujtimore në fshat, por dhe dekorata e dhënë u dërgua “hajduçe” në muzeun e Mallakastrës. Vetëm e vetëm se Hajredini ishte babaj i nacionalistit Reuf Fratari.

Fakte të tjera

*Edhe furrën e bukës në Bejar e prishën (Bejari furnizohej me bukë nga Ninshi dhe Damësi).

*Fshati me 2000 banorë, me një territor më të madh në Mallakastrën Epërme i vinin bursa shumë pak në krahasim me fshatrat e tjerë të zones, për në shkollat e mesme.

*Pa shkolla 8- vjeçare deri më 1988 u ndërtua shumë vonë (fal përpjekjeve të Qemal Skënderaj, ish mësues) në krahasim me fshatrat e tjera.

*Mësonjëtorja e parë shqipe nuk u përkujtua asnjëherë, qoftë edhe të ishte vendosur qoftë edhe një pllakatë si simbol.

*Përgjegjësat e sektorëve, agronomët, veterinerët, ekonomistët vinin nga fshatrat e tjerë.

*Mësues nga fshati gjatë gjithë periudhës 1945-1990 kanë qënë vetëm 5 me shkollë të mesme pedagogjike.

*Nuk bëhet fjalë për profesione të tjera.

Pra Bejarit i është vjedhur historia. Akti më makabër në shekuj. Dhe këto i bënin në “Emër të Popullit”.

Bejari ka ditur t’i kalojë me mençuri dhe zgjuarsi këto situata duke ruajtur respektin dhe dashurinë për njëri-tjetrin në të gjitha periudhat historike të trashguar si testament nga të parët shmangjen e vllavrasjes në çdo periudhë historike.

Po përmend një ngjarje sublime që lidhet me këtë çështje. Mbas  Marrëveshjes së Mukjes, në Shtator 1943, Rauf Fratari mblodhi burrat e fshatit te Maja e Bregut (te shtëpia e vet). Në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues të PKSH me në krye Mehmet Shehun (Mehmeti dhe Raufi deri në atë kohë ishin shokë) dhe përfaqësues të fshatrave të tjerë të Mallakastrës së Epërme. Kur Raufi filloi të fliste për platformën e Marrëveshjes së Mukjes e ndërpret një përfaqësues i PKSH duke i thënë të pranishmëve: “Mos e dëgjoni atë, ai është një djalë beu. E shikoni si e ka barkun”! Një nacionalist i flaktë nga Gadurova (Kaso Muhamet Zotaj), me revole në dorë iu drejtua: Ti jashtë nga mbledhja shko e bëj “pet” në Vlorë, këtu i thonë Mallakastër”!

Raufi ka shmangur një gjakderdhje të mundshme.-“Mos Kaso !Mos! Lëre të flas”! Dhe iu drejtua mikut: “E vërtet është, unë jam djalë beu! Por kur të bëhet barku yt si barku im ti këtyre burrave do t’u marrësh dhe pulat shqerake”!

No Koment!

Mbledhja u prish, qëndruan vetëm burrat e Bejarit ku Raufi u kërkoi vllazërishtë të shmangnin vllavrasjes. Dhe Bejari këtë e arriti.

Kam patur fatin që 10- vjetët e fundit kam punuar si mësues në fshatin tim të lindjes ku për ngjarjet patriotike në Bejar kemi zhvilluar veprimtari mbreslënëse. (Komiteti i Veteranëve të fshatit dhe zonës ka qenë pjesëmarrës në këto aktivitete). Kemi shkuar për vizitë te familjet e dëshmorëve së bashku me nxënësit. Kemi simbolizuar datën 24 Prill si ditë përkujtimore të hapjes së shkollës së parë shqipe. Kemi shkuar bashkë me nxënësit te shtëpia ku është hapur shkolla e parë shqipe. Kemi ngritur muzeun e shkollës, një ndër muzet më të mira në zonë. (Gjej rastin të falenderoj ish-drejtorin e shkollës së Bejarit, z. Arben Nukaj për përkushtrimin maksimal në pasqyrimin e vlerave gjithë përfshirëse të fshatit Bejar, i cili bëri të mundur ngritjen e muzeut).

U tentua të ndërrohej emri i fshatit nga Bejar në Behaj. Çudia më e madhe është se vendimi i këshillit bashkiak për ngritjen e një momoriali te shtëpia ku është hapur shkolla e parë shqipe në Mallakastër ka 6- vjet që fle në arrshivën e Bashkisë së Mallakastër.

Ligji 7501 cenoi teritorin e fshati Bejar duke lënë jashtë tij 30 përqind të territorit nga i cili përfituan fshatrat Ninsh, Damës, Malas dhe Anës Breg. Dhe populli i Bejarit nuk u ndje se është fisnik. Por kur cenohet dhe vidhet historia ai merr flakë.

Kam një apel me historianët e akademikët! Mos luani me historinë e Bejarit! Ajo monitorohet dhe mbrohet nga Martirët që kanë kontribuar për Atdheun.

Ata janë: Apologjia e tij

Ky fshat ka një emër!/

Të shkruar në çdo zemër!/

Bejar skalitur në gur!

Betuar për Famur!

Historia e tij e vjetër!

S’ka njohur Mbretër!

Mbret të tij të vërtet!

Ai ka popullin e vet!

E vërteta, e drejta vonon, po s’harron!

Please follow and like us: