Dhimitër T. Shtëmbari: Monografia “Brahim Halim Miho – patriot i shquar”
Brahim Halim Miho e çoi deri në fund rrugën e nisur nga i ati
Dhimitër T. Shtëmbari
Brahim Miho u lind në Fushë Bardhë të ish rrethit Gjirokastër në vitin 1912. U lind në një familje, ku më shumë se sa zjarri, pjesëtarët e familjes i ngrohte flaka e dashurisë për Atdheun.
Babaj i Brahimit, Halimi, njëri i thjeshtë si shumica e banorëve në atë fshat e krahinë, asnjëherë nuk qe pa pushkë në shtëpi. Sepse u qe dashur ta përdornin jo kur t’i jepnin komandë, por kur ta urdhëronte ndërgjegjja e vet. Dhe nuk pat munguar të luftonte kundër andartëve grekë.
Në moshën pesëvjeçare Brahimit i vdes e ëma. Mbetet jetim. Vec kujdesit që do të tregonte i ati, fatin ai do ta merrte vet në dorë. Nisi të shiste dru në Gjirokastër. Kuptohet, për bukën e gojës. Për një copë rrobë. Kaq.
Do të rritej Brahimi dhe do të kuptonte se e drejta nuk shkonte në krahun e të varfërve! Do të ishte dëshmitar i aq dhe i aq padrejtësive që iu bëheshin fshatarëve të varfër. Por ai do të ishte vazhdimisht në krahun e atyre që kërkonin e meritonin drejtësi.
Kështu do të rritej Brahimi; siç e kishte mësuar i ati. Me ndjenjën e dashurisë për Atdheun. Me ndjenjën e urrejtjes ndaj pushtuesve. Por edhe të mërisë së madhe ndaj tradhtarëve, që iu mbanin iso të huajve.
Aty mbas vitit 1930 e thërresin për të kryer shërbimin ushtarak. E dërgojnë në një repart ushtarak të vendosur në Elbasan. Djaloshi gjirokastrit e kuptonte fare mirë, se aty nuk ishte vënë në shërbim të Shqipërisë. Eprorët mundoheshin t’i edukonin të tjera ndjenja.
Ja, kështu e zuri fillimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Thirrja që Partia Komuniste Shqiptare i drejtonte popullit shqiptar për luftë të armatosur kundër pushtuesve të huaj i zgjoi Brahim Mihos detyrimin moral për t’iu kushtuar me armën krahut çështjes së shenjtë të çlirimit të Atdheut.
* * *
Kur nisi dhe vazhdoi lufta të zgjerohej kundër të huajit, Brahim Miho ishte goxha i rritur. Me grua dhe me fëmijë. Mund të qëndronte edhe në familje, duke i kontribuar luftës edhe ndryshe. Si? Duke u përfshitë në çetën territoriale. Duke qenë në përbërje të këshillit nacionalçlirimtar të fshatit…
Por jo. Ai mendonte t’i shkonte deri në fund rrugës së nisur prej të atit. Mbas çetës territoriale të fshatit, Brahimi shkoi së pari në radhët e Çetës Partizane “Çerçiz Topulli”, më pas – në ato të Batalionit Partizan “Asim Zeneli”, vazhdoi në ato të Grupit I të Rinisë të Kurveleshit dhe përfundoi kuadër në Brigadën XIX Sulmuese Partizane. Dhe kudo dëshmoi guxim e trimëri.
Në jetën partizane, gjatë kohës së lirë, arriti të mësojë shkrim e këndim.
Brahim Miho nuk pat mësuar gjuhë të huaja jo se i pat munguar vullneti, por se i ishte dashur që kohën ta përdorte për përballimin e mjerimit që kishin mbjellë të huajt. Ata që sot mburren, se atyre kohëve prindërit e tyre merreshin me përkthime figurash të shquara nga Gjermania, nuk kanë parasysh faktin, se këtij biri të Fushë Bardhës i duhej të “përkthente” kohën , nga pushtim – në çlirim, nga robëri – në liri. Dhe,sigurisht, honorari nuk do t’i paguhej me marka gjermane, por me gjakun që do të derdhej për shkak të plumbit nazist, që e kishte goditur në kokë.
Më 17 mars të vitit, ndërsa luftonte me shokët partizanë në afërsi të fshatit Senicë, diku përballë fshatit Vergo, plagoset rëndë në kokë. Plumbi i përshkon krejt kokën nga njëri krah në tjetrin! Duket e pabesueshme, por është saktësisht e vërtetë. Mjekët kishin mbetur gojëhapur, se si kishte mundur të shpëtonte i gjallë ky njëri!
Teksa e shikojnë të mbuluar me gjak, e dërgojnë menjëherë në spitalin partizan të Zhulati. Tre muaj nën kurim të pandërprerë.
Kthehet nga lufta me teshat që i binin erë barot. Kthehet me ëndrrën e përflakur, se tanimë Shqipëria ishte plotësisht e çliruar.
* * *
Në çastin që Shqipëria merre frymë e lirë, Brahim Mihon e thërrasin që të sherbente në radhët e Ushtrisë Popullore. Në vitin 1950, ndërsa shëndeti nuk i kishte marrë për mirë, kërkoi që të lirohej nga ky shërbim. Dhe ia plotësuan kërkesën.
Tashmë Brahim Miho do të caktohej me detyra të ndryshme në organe të pushtet lokal. Vazhdimisht pranë popullit të thjeshtë. Pranë popullit të ndershëm. Pranë njerzve të thjeshtë që kishin derdhur gjak. Pranë atyre, që tashmë prisnin t’iu realizohej ëndrra e madhe.
Vetëm të damkosurit për shkak të luftës dhe disa nga bijtë e këtyre e urrenin trimin nga Fushë Bardha. Natyrisht, kishin të drejtë. Gjatë Luftës, etërit e tyre Brahimi i pati përballë, nga që këta qenë bërë njësh me pushtuesit e huaj.
Ku ishin detyrat për rindërtimin e fshatrave, aty gjendej Brahimi. Ku puohej për forcimin e gjendjes ekonomike të fshatarëve, aty e takoje atë; ku luftohej për shkollimin masiv të fëmijëve, sërish aty do të ndodhej ai.
Dhe në tërë këtë veprimtari vërtet atdhetare, natyrisht që do t’i dilnin pengesa. Se jo të gjithë ia kishin me të dejtë popullit. Por Brahimi, idealist siç ishte, s’u ndalë në punën e tij si përfaqësues i popullit që kërkonte vetëm progres.
* * *
Brahim Miho u nda nga jeta në vitin 1975, pra, pa mbushur 63 vjet të jetës së tij! Tepër i ri! Doemos që do të mund të jetonte shumë më gjatë, por plaga e marrë në kokë ia shkurtoi jetën. Pastaj… edhe pesha e madhe e punëve që pat marrë përsipër të kryente…
Por… jeta e njeriu nuk ka gjatësinë e periudhës deri te varri. Jeta e njeriut ruan dimensionet e pamata të idealeve që mbrohen.
Për Brahim Mihon jeta ka dimensionin e një figure madhore, që mban titullin “Patriot i shquar”.
(Botuar në gazetën “FJALA e Invalidëve të Luftës”, prill 2014, përfshirë në monografinë “Brahim Miho, patriot i shquar”.
Ç’përmban monografia “Brahim Halim Miho, patriot i shquar” ?
Monografia “Patrioti i shquar Brahim Halim Miho” është botuar dhjetë vjet më parë (2024) nga Shtëpia Botuese GEER. Autor i saj është Dhimitër T. Shtëmbari.
Kjo monografi përfshin materiale interesante, të cilat pasqyrojnë jetën dhe veprimtarinë prej atdhetare të invalidit të LANÇ, Brahim Halim Miho nga Fushë Bardha e Gjirokastrës.
Mbas një materiali të vendosur “Në vend të parathënies”, monografia vazhdon me një intervistë të Dhimitër T. Shtëmbarit, marrë Astrit Mihos – djalit të Brahimit. Më tej jepet një shkrim i botuar në serinë e pestë të librit “Plagët që flasin”, titulluar “Luftime, mjekime, përsëri luftime”, kushtuar heroit kryesor të kësaj monografie.
Veterani i njohur i LANÇ, i ndjeri Sevo Tarifi ka një shkrim me titullin “Binjak me Pavarësinë”. Në vazhdim, shkrimi i Dhimitër T. Shtëmbarit “Brahim Miho e çoi deri në fund rrugën e nisur nga i ati” pasohet nga një tjetër kujtim i përgatitur prej Islam Poçit, ish bashkëluftëtar me Brahimin. Dr. Parim Çarçani paraqitet me shkrimin “Burrë që përpiqej të bënte vetëm të mira”. Veterani i LANÇ Ndreko Kllapi e kujton Brahimin si “Burrë me influencë patrioti në krahinë”. Ramo Zani shkruan shënimin interesant “Shokët e Brahimit lumturoheshin që kishin një shok besnik si ai”. Prof. Sejmen Gjokoli shkruan shënimin interesant “Se kishte vizion drite”, ndërsa ish anëtari i kuvendit të komunës së Klinës (Kosovë),zoti Kol Prenaj shkruan përurimin: “Përshëndetje, e nderuara familja Miho!”.
Mbresëlënëse janë shënimet e disa prej shokëve të Brahim Mihos. Shkrimtari i mirënjohur, i ndjeri Resul Bedo, le në këtë monografi shkrimin me titull”Brahim Mihon e dërgoi në luftë ndërgjegjja e vet”. “Idealist i madh, skrupuloz për zbatimin e detyrave” titullohet shkrimi i ish kuadrit të njohur të LANÇ, Arif Bizhga. Ish kuadri tjetër i LANÇ, i ndjeri Emro Kondi le këtë shënim në këtë monografi: “Pat bërë shumë për njerëzit, prandaj kujtohet me shumë respekt”.
Ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Gjirokastrës, i ndjeri Flamur Çani kujtimit të tij kushtuar Brahim Mihos i ve këtë titull “Shkoja e këshillohesha shpesh me xha Brahimin”. Nevro Haki Çarçani (Bocaj) kujtimin e saj interesant e titullon “Të mos lejojmë që historinë të na e deformojnë të tjerët”. Shkrimtari i njohur Zeqir Cama e përfshin figurën e Brahim Mihos në një skicë shumë të ngrohtë të titulluar “Kulla nën rrugë”. Gazetari i mirënjohur Avdulla Kënaçi në skicën e ngrohtë “Bujari në breza” jep mbresa nga familja e Brahimit, familje në breza atdhetarë. Shumë i sinqertë është edhe shënimi i lënë prej Prof. Liri Mihos, nusja e Astrtit – djalit të Brahimit.
Me rastin e ndarjes nga jeta të Brahim Mihos, ngushëllime erdhën deri edhe nga personalitete të njohura. Telegram ngushëllues pati nga ish kryeministri i kohës, Adil Çarçani, nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Shefqet Peçi, nga ministri i Tregtisë së Jashtme Nedin Hoxha, si dhe nga shumë e shumë të tjerë.
Brahim Mihos i qenë akorduar nga ana e ish Presidiumit të Kuvendit Popullor dekorata të shumta për kontributin e veçantë të dhënë gjatë LANÇ. Këtij patrioti i qenë akorduar edhe titujt e lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar” dhe “Nderi i Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ të Popullit Shqiptar”.
Pas ndarjes nga jeta, Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës i pat akorduar titullin “Patriot i shquar”. Një nga rrugët e qytetit të Gjirokastrës mban emrin e tij.