Albspirit

Media/News/Publishing

FADAJEV KËRPAÇI, SHTETARI DINJITOZ I POLICISË SË SHTETIT

In Memoriam

 

(In memoriam për Fadajev Pashun Kërpaçi, një personalitet i shquar i Policisë së Shtetit, shtetar energjik, korrekt dhe dinjitoz, që i ka shërbyer me përkushtim gjatë gjithë jetës strukturave të rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri, për njerëzorin dhe kolegun besnik të fushës së sigurisë kombëtare, që “iku” më 24 Janar 2024 nëpër kaltërsitë e maleve të Fushëbardhës dhe Labërisë në fluturim të përhershëm dhe të përjetshëm)

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Pak ditë më parë është shuar në mënyrë të parakohshme Fadajev Kërpaçi, një personalitet i shquar i Policisë së Shtetit, me kontribute të shumta në fushën e sigurisë publike. Ndarja nga jeta është “mision” i pakthyeshëm, por Fadajevi do të kujtohet përherë për vlerat dhe karakterin e fortë të njeriut që ka spikatur në të gjitha drejtimet në jetë. Maksima proverbiale popullore definohet se, “njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhe, por kur harrohet”. Prandaj edhe ai do të jetë përherë mes nesh, me emrin e mirë që ka lënë në këtë jete. Fadajev Kërpaçi ishte lindur në Fushëbardhë të Gjirokastrës më 5 Prill 1958. Fadajevi kishte ardhur në jetë në një mjedis atdhetar dhe patriotik me tradita familjare, në një familje të nderuar dhe respektuar në Fushëbardhë dhe në gjithë krahinën e Kardhiqit. Fadajevi ishte fëmija i gjashtë i Pashun dhe Bare Kërpaçit. Jeta nuk e përkëdheli Fadajevin që fëmijë pasi e ndëshkoi që në nisje, pasi babai i tij Pashuni, u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme. Për të përballuar vështirësitë e asaj jete, sëbashku me të gjithë familjarët e tjerë, krahas shkollimit të tij, edhe Fadajevi kontribuonte për mbajtjen e mirëqënies së familjes prej vështirësive që u krijuan prej largimit të babait nga jeta. Fadajevi që në rininë e hershme kishte dëshirë për të studjuar dhe se njiheshin dëshira për jetën, forca dhe kurajoja e tij për t’u përballur gjithmonë me vështirësitë, por që ka qenë gjithmonë i gatshëm për familjen, shoqërinë e gjithë rrethin shoqëror.

Arsimin fillor dhe tetëvjeçar e përfundoi me nota shumë të mira në Fushëbardhë në vitet 1965 deri në vitin 1973, ndërsa Shkollën e Mesme në Përrenjas në vitet 1973 deri më 1977. Arsimin e lartë e kreu në vitet 1978 deri më 1981, në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Degën “Polici”. Fadajevi u shqua për studjues serioz gjatë viteve të shkollës dhe përfundoi me rezultate shumë të mira shkollën e MPB-së, që në fakt kur Fadajevi filloi studimet shkolla kishte një dekadë që funksiononte si institucion i arsimit të lartë në vend. Policimi u kthye në pasionin e tij edhe sepse dëshira e tij kishte si udhërrëfyes vëllanë e tij, i cili shërbente në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Rezultatet në shkollë, përkushtimi, ndjenjat e larta humane të cilat i manifestoi që gjatë viteve të shkollës, por edhe në karrierën e tij bën që ta dallonte atë në mes bashkëstudentëve të shkollës dhe më vonë edhe me kolegët e punës në institucionet nga më të vështirat e strukturave të sigurisë së brendshme të vendit. Pas përfundimit të studimeve fillesat e karrierës së tij janë tek reparti i ri elitar që njihet si “Reparti 326” në Tiranë. Gjatë kohës që ishte oficer i “repartit elitar 326”, Fadajevi u njoh me bashkëshorten e tij, Qerimenë dhe nga familja e mirë dhe me vlera të qëndrueshme që krijoi kanë tre fëmijë të ritur dhe të mirëedukuar: Valbona, Gentjani dhe Floida. Ndërkohë karriera e Fadajevit ishte plot ambicje, pasion dhe përkushtim ndaj detyrës. Përkushtimi dhe atdhedashuria bënë që të ngjis me meritë të plotë majat e karrierës policore, duke arritur detyra nga më të rëndësishmet, sikurse janë Shef Komisiariati të Policisë në Fier, Sarandë, Tepelenë, Përmet, Delvinë, Kavajë. Ai ka kontribuar në sektorë nga më të vështirët, sikurse ka qenë sektori në fillesat e tij të AntiTerrorit pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Për këtë përkushtim ndaj detyrës janë shprehur me dhjetra eprorë të tij edhe në karakteristikat e vlerësimet e përvitshme që bën Policia e Shtetit. Vlerësimet për Fadajev Kërpaçin i gjejmë jo vetëm të dokumentuara në dosjen e tij, por edhe në vlerësimet e shumë kolegëve të tij që kanë qenë në shkollë ose në punë drejtpërdrejt në sektorët e rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri. Një ndër karakteristikat e veçanta të tij ishte se ai jetonte me shqetësimiet e komunitetit të efektiveve që drejtonte dhe komunitetit ku shërbente me përkushtim. Fakt është se me ndryshimet e sistemeve, në vitet ’90-të, si shumë oficerë policie ato i përjetoi dhe i hoqi në kurriz edhe kur padrejtësisht e larguan nga Policia. Ndërkohë kur si një njeri kurajoz, i kalitur me vështirësi, arriti t’u bëjë ballë vështirësive, sfidave që jeta i solli përpara atij dhe familjes së tij. Edhe pas dhimbjeve që i shkaktuan ndarja nga jeta e babait, vëllait, nënës, ai gjeti forcë e kurajo për ta pritur jetën sikurse i erdhi. Forca e tij e brendshme bënte që ai të mos dorëzohej përballë vështirësive, por të ngrihej përballë çdo sfide dhe të mbante lartë emrin e mirë të oxhakut të Kërpaçe, për të mbetur dinjitoz dhe krenar për detyrën, familjen e shoqërinë. Për Fadajevin familjarisht gëzimi i parë ishte vajza e madhe Valbona e cila krijoi familjen, djali Gentjani krijoi familjen, po kështu edhe Floida. Fëmijët i shtuan gëzimet familjare pasi me këto gëzime sollën mjaltin e mjaltit, nipat dhe mbesat: Erikun, Noelin, Desaren, Arborin; sollën gëzim e këngë në familjen Kërpaçi.

Por mosha më e bukur për të shijuar nipa e mbesa përballë shumë sfidave dhe vështirësive që kishin kaluar, për Fadajevin shfaqet sëmundja që shokoi jo vetëm familjarët, por të gjithë shokët dhe miqtë kudo që ishin, gjithë kolegët ku kishte punuar me aq përkushtim, edhe pse ai nuk u mposht asnjëherë dhe nuk u ligështua. Ai e përballoi sfidën me kurajo, i qeshur, luftëtar, i kudo ndodhur për të gjithë miq e shokë në çdo momento dhe vetë e deklaronte në shoqëri se, “lufta për burrat është”. Fadajevi ishte kuadri i lartë i policisë që u përball si askush tjetër me sfidat, e viteve të vështira 1997-1998, njeriu që nuk u përfol kurrë për punën e tij, njeriu fisnik që familjen e kishte të shenjtë dhe shoqërinë e kolegët i donte si shokë të idealit të plotësimit të misionit në ruajtje të rendit dhe qetësisë publike. Ai u shua më 24 Janar 2024 në Tiranë dhe la mbrapa një boshllëk të madh në familje, shoqëri, tek kolegët e shumtë të dashur dhe të respektuar, tek shokët e miqtë e shoqatave atdhetare e kulturore “Fushëbardha” e “Labëria”, në të cilat ka mbajtur kontakte të afërta jo vetëm me kryesitë e tyre por edhe me kontribute dhe me merak për zhvillimin e përparimin e fshatit të lindjes Fushëbardhës së tij të dashur, krahinës së shquar të Kardhiqit dhe mbarë trevës labe.

Një grup intelektualësh të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Fushëbardha”, të SHAK “Labëria”, dega e Tiranës ka propozuar që Fadajev Kërpaçi t’i jepet titull “Mirënjohja e Labërisë” (pas vdekjes) me motivacionin e poshtëshënuar: “Për kontribut dhe ndihmesë të çmuar në ngritjen dhe forcimin e rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri, në Policinë e Shtetit shqiptar, për kontribut e ndihmesë të papërtuar për komunitetin e trevës krahinore labe duke e kthyer profesionin në mision në shërbim të komunitetit, duke ofruar respekt, përkushtim e dashuri njerëzore, për dimensionin human dhe si një pjesëmarrës i denjë në jetën qytetare e shoqërore duke manifestuar traditat më të mira të vlerave të spikatura të trevës së Labërisë”. Fadajev Kërpaçi ishte dhe mbeti përjetësisht një bashkëshort, baba, prind, gjysh, vëlla, koleg dhe shok e mik i papërsëritshëm një personalitet, burrë i përkushtuar i Fushëbardhës dhe Labërisë, njerëzor dhe komunikues, i sakrificës për komunitetin ku shërbente, miqësor, por ishte dhe shprehte në vijimësi kranarinë për policinë e shtetit shqiptar.

 

Please follow and like us: