Pajtim Sejdinaj: Majori…
Majori
FËMIJËRIA
Pronarit i thashë të bënte gati drekën në dhomën e pritjes.
Sapo u kthyem nga një vizitë mbreslënëse në Tempullin e Kalamatrëngut ku në Olimp vallëzonin shpirtrat e Martirëve që ishin kthyer në pëllumba të Paqes dhe fluturonin të lirë mbi truallin e Atmëmdheut dhe në darkë mblidheshin te “Kulla e Fildisht” te “Mësonjëtorja e parë shqipe, si dhe lulet shumëngjyrëshe të pranverës që buzëqeshte dhe ia shtonin bukurinë këtij tempulli. Pëllumbat e Paqes këndoni në kor këngën “Dhe Pranvera erdhi” dhe këngën e hapjes së shkollës së parë shqipe, të kënduar nga Menti Nukaj.
“Lisi i Moçëm” për moshën që kishte donte qetësi dhe s’para i pëlqente kallaballëku, ndaj dhe në telefon e sqarova pronarin. Ai ra dakort. Në dhomën e pritjes erdhi kamarieri dhe ne porositëm për të pirë nga një gotë verë, që na i solli menjëherë së bashku me mezet.
Mua m’u kujtua biseda që bëra te lokali në Fratar me “Lisin e Moçëm” dhe më mbeti merak kur më tha: “Për Rauf Fratarin do të rrëfehet një ditë tjetër”. Si dhe pyetja që i bëra kur po vinim në lokal. Gjeta rastin dhe thashë me vete se do t’i ngacmoj kujtesën. Duke çokut gotat i them: – Po ky “Armiku i popollit”, Rauf Hajredin Fratari ç’të “zeza” i ka bërë këtij popullit të Bejarit? E di që është lakuar si “Armik i popullit” për 50 vjet, por s’ia di mirë “vrasjet makabre” që ka bërë”?
E la atë gotën e verës mbi tavolinë dhe m’u drejtua si me inat.
– Po ti beson se ai ka bërë vrasje!
– Po kështu flitej para viteve 90-të! Kushedi sa “Nëna kanë lidhur shamitë e zeza” për fëmijët e tyre nga ai!
– Hëëë! Mbylle gojën! Mos ia ngarko shpirtin! Lëre të prehet i qetë në Parajsë Fisnikun! E kam lëmshin e dhimbjes këtu në gjoks (dhe tregoi me dorëg) nuk është shëruar akoma! – më tha.
Vura re se nga sytë po i rridhnin lotët çurk.
– Ti të “krruan” atje ku të ha!- më tha duke nxjerr shamin dhe fshiu lotët. Vazhdoi: – E kam këtu në zemër! Është meraku më i madhi jetës sime. Jo që s’ka bërë vrasje, por është dhe mbetet “Guri margaritar” në historinë shekullore të Bejarit; të Mallakastrës dhe gjithë Atmëmëdheut. Por të “paudhët” e vranë! A vritet Ylli more bir?!-më tha
– E ke njohur nga afër? – i them.
– E kam rritur! Ku kishte burrë, grua, pleq e plaka në Bejar, Fratar dhe Mallakastër që të mos e njihte atë burrë. Ishte i veçantë.
– Më the që e kam rritur!
– Po!- më tha- do të tregoj për të që nga lindja dhe deri sa e përcollëm për në Itali në Nëntor 1944. Ai lindi më 5 Shkurt 1908 në lagjen e fisnikëve të Zotaj të fshatit Bejar të Mallakastrës, të “Mësonjtores së parë” që është edhe sot si godin e cila ka mbi 250 vjet që është ndërtuar. Projektin e saj e solli nga Turqia gjyshi i Rauf Fratarit, Rakip Isuf Zotaj. Ka një konstruksion interesant, një ndërtesë dykatëshe. Ka patur dhe një kat të tretë në formën e një kulle të lartë ku çdo natë Fisnikët bisedonin me malin e Tomorrit, me malin e Kullsit, me malin e Shëndëlliut dhe Bylysin-Gradishtë-Hekal. Me mur guri 80 cm i gjerë me qerpiç-gëlqere, me brez hekuri shtruar dyshemenë, me dhogë lisi mbuluar me rrasë guri. Guri i ndërtesës është marrë nga Përroi i Zi (toponim i fshatit Ninsh). Kanë punuar për transportin e tij 200 mushka, kanë punuar dhjetë ustallarë nga Opari për gati dy vjet. Dhe e ndërtuan me shkallë nga brenda. Është një koicidencë e çuditshme se edhe “Beu” i Çorrushit (Mehmet Shehu) kur ndërtoi muzeun, gurët e tij i mori nga Përroi Zi, por me të vetmin ndryshim: Beu i Bejarit i bëri vetë sarajet me djersën e ballit, kurse Beut të Çorrushit, Mehmet Shehut ia bëri Partia e Punës me djersën e popullit. Paradoksi më i madh është se Beu i Bejarite e shtroi me kalldrëm fund krye të lagjes dhe jo deri te shtëpa e tij. Kurse “Beu” i Çorrushit, Mehmet Shehu e shtroi me asfalt rrugën deri te porta e muzeut (shtëpia e tij) dhe nuk e çoi deri në qendrën e fshatit që ishte 200 metra larg shtëpisë së vet. Komentin dhe analizën bëje vetë. Beu i Bejarit nuk pranoi të ulej të hante në grazhdin e “Beut” të Çorrushit, Mehmet Shehut. Prandaj “Beu” i Çorrushit e vrau Beun e Bejarit. Ndërtesa ndërtuar nën këmbët e Tempullit të Kalamatrëngut, me 16-dhoma ku dy dhoma u përdorën si klasa për “Mësonjëtore e parë”. Pikërisht në këtë ndërtesë lindi ai, Rauf Fratari. Jeta e tij është mbushur me grimca legjendash të vogla që formojnë legjendën e madh të Bejarit, Rauf Hajredin Fratatari. Atë muaj të Shkurtit të vitit 1908 në sarajet e Fisnikëve ndërtohej dhe një vilë tjetër. Vëllai i Hajredin Fratarit, Ademi ndërtonte shtëpinë. Ustallarët që shtruan me kalldrëm sheshin e “Mësonjëtores së parë” dhe rrugët e lagjes filluan punë në ndërtimin e vilës. Ata ishin nga Opari. Kryeustai, si administratori i sotëm, ishte te të 65-at. Kishte mbaruar shkollën e Medresesë në Turqi, shok me imamin Veiz Zeqaj. Hajredini nuk ishte aty kur lindi djali se ndodhej në Janinë. Lajmin për lindjen e djalit e dha xhaxhai i tij, Sulua ku në orën 4 duke u gdhirë 5 Shkurti i vitit 1908, zbrazi armën. Fshati mori haberin se te Fisnikët erdhi një mystafir i ri. Gjithashtu jehona e “mamive”, (plakave të lagjes): “Djaaaalë! Djaaaalë! Të rroooj Xhixhiko! Të rrooojë! Oshtiu grykave të fshatit dhe gratë e morën vesh se kontesha nga Përmeti lindi djalë. Gratë bënë gati vezët dhe burrat bodilen e rakisë për të uruar për djalin. Kështu erdhi në jetë djali i Hajredin Rakip Fratarit që do të pagëzohet me emrin Rauf. Të nesërmen shtëpia e Fisnikëve priste dhe përcillte miq e shok që vinin për të uruar për mystafirn e ri. Në orën 10 të nesërmen erdhën dhe ustallarët që ndërtonin shtëpinë e xhaxhit të djalit, për të uruar për lindjen e djalit. Tashmë ata ishin bërë si të shtëpisë dhe njiheshin nga të gjithë. Miqtë i pritën vëllezërit: Sulua, Hyseni, nipërit Hamzua, Mehemeti, Pelivani, Ramadani, Xhaferi, etj. Fisi i Fisnikëve ishte shumë i madh dhe nuk ua “hante qeni shkopin”. Kryeustai uroi dhe u tha miqve: – Mirëse u erdhi Raufi! T’u rrojë dhe me jetë të gjatë! Burrat shikuan njëri-tjetrin dhe i çuditi emri që tha kryeustai. Sulua, si më i madhi i tha: – Të faleminderit orë mik! Por emrin nuk e kemi vendosur akoma!
– E di! – tha miku.
– Por ky qitapi im i vogël (nxorri nga xhepi i xhamadanit një libër të vogël të shkruar arabisht) thotë se ky mystafiri i ardhur në odën tuaj e ka emrin Rauf! Dhe lexoi turqisht “Ati jonë që je në qiell, jepi frymën e dashurisë paqes dhe mirësisë Raufit tonë që Zoti na ndriçoi zemrat”!
U përul. Të njëjtin veprim bënë edhe burrat. I nipi Hamzua që kishte qenë për hoxhë në Turqi e kuptoi mesazhin e tekstit të lexuar nga Kryeustai. Kryeustai vazhdoi: – Emri Rauf arabisht do të thotë njeri i PAQES, DASHURISË dhe MIRSISË! Allahu do t’i japë atij Qetësinë e Mendjes, Forcën e Trimërisë dhe Mjaltin e Dashurisë për gjithçka!
Hamzua, nipi i Haredinit bëri qerasjen e miqëve. Miku nuk mori gotën e rakisë, po mori një sheqerkë (karamele) që Hajredini i kishte sjellë nga Janina vetëm për këtë rast. Duke u thënë burrave: – Me ymër! Të bëhet për pushkë! Mbjelltë vetëm Paqe, Dashuri dhe Mirësi në jetën e tij”! Pastaj vazhdoi: – Në të tilla raste urohet vetëm me e ëmblësira! Ai që ka ardhur është i ëmbël si mjalti!
Miku si për ta kuptuar dilemën e të zotave të shtëpisë vazhdoi bisedën: – Ju bëni ritet dhe zakonet tuaja! Shkoni për të marr emrin në Teqe ku është myhyp Haredini, po dhe ata këtë emër do t’iu japin! Ky emër është vendosur nga Pejgamberi!
Ditën e tretë xhaxha Suluai i hipi kalit dhe shkoi në teqenë e Arakopit ku ishte Myhyp Hajredini. Zakoni e donte që emri i fëmijës të porsalindur merrej në Teqe. Sulua shpuri dhe një kurban.
Sa hyri në oborrin e teqesë, babai i tha: “Si e kam Raufin? Raufin! Raufin”! Përsëriti dy-tre herë. Pra mysafirit do t’ia çoni emrin Rauf! Dhe të bëhet me mjekërr të bardhë! Amin! Sulua erdhi në shtëpi duke sjell emrin Rauf për foshnjen e porsalindur.
Kur erdhi në shtëpi kishte ardhur dhe i vëllai nga Janina, Hajredini i cili kishte sjell dhe djepin për të birin. Ditën e pestë u çua emri i Raufit.
Zakoni e donte se natën e vendosjes së emrit mblidheshin të gjithë fëmijët e lagjes nga 5 deri më 16 vjeç, djem dhe vajza. Përgatitej bukaniqa (të cilëve kishte përgatitura nënë Havakua, gjyshja. Ishte bërë djepi gati. Njëra nga vajza theu bukaniqen, një nga djemtë e mori fëmijën dhe e hodhi në djep. Të tjerët thirrën në kor: Rauf, Rauf, Rauf duke përplasur duart. Gjyshja e fëmijës, nënë Havakua këndonte ninullën:
Të rritjesh si Petrit!
O biro, o yll, o dritë!
Të më rritesh si Zambak!
Të duash nënë edhe Bab!
Nina-nina djalin-o!
Nina-nina o bir-o!
Të më rritesh si Fajkua!
Të duash viset e tua!
Nënë Xhidaja mori një kalisher me hudhra dhe e vendosi te djepi (te koka e djalit) se mos e “hanin me sy” gratë e fshatit kur të vinin për vizitë. Në konakun tjetër vazhdonte muhabeti me urime dhe kënga dhe vallja “gjym” me njerëzit më të afërt të familjes (vëllezër, nipër, mbesa, daja, halla dhe nga lagja burra, gra e fëmijë). Kënga dhe gostia vazhdonte deri në të gdhirë, përfundoi rrëfimin “Lisi i Moçëm”. Pastaj m’u drejtua mua: – U mërzite! – më tha.
– Jo! – i thashë dhe vazhdova: – Disa rrëfenja të vogla m’u dukën në kufijtë e të pabesushmes.
Mori gotën e verës: – I gëzuar! I paharruar kujtimi i atyre burrave!-tha duke çokut gotën.
– I paharruar në breza! – i thashë.
– Në fakët ashtu të duken të pabesushme, por janë të vërteta, të ndodhura realisht. Janë trashëguar dhe transmetuar nga brezi në brez deri në ditët e sotme. Ja p.sh. unë t’i thashë ty, ti do t’ua thuash nipër e mbesave dhe këto grimca legjendash, gojëdhënash, anektodash, rrëfime nuk vdesin kurrë. Janë më të besueshme se sa historia e shkruar se atë mund ta ndryshojnë alabakët, injorantët. Të paktën unë i kam parë dhe i kam dëgjuar vetë. Mori një meze dhe pastaj vazhdoi: – Edhe nënë Xhidaja kishte parë një ëndërr sikur i kishin dalë magjistricat dhe i kishin thënë: ”Ajo nusja e djalit të Havakos do të lind Dragua, një fëmijë me këmishë”! Ke dëgjuar ti kur të thonë “Ti ke lindur me këmishë”! Me flatra në sqetull. Edhe kjo të duket e pabesueshme, por mua ma ka treguar nëna ime që bënte punën e mamisë për të gjitha gratë që lindnin. Ajo më tha: -Unë kam pritur shumë fëmijë të lindur nga nënat më lagje. Por me këtë fëmijë jam habitur, ishte i mbarë dhe ishte si ata dragonjtë e përrallave. Xhidaja me Havakon që më qëndronin pranë e mbështollen fëmijën me një rrobë të mëndafshtë dhe vendosën në qoshe pranë oxhakut të zjarrit dhe më thanë mua mos trego gjë. Unë u mora me lehonën, ato rregulluan fëmijën duke i hedhur batanijen tjetër që të mos ftohej.Sollën dhe një batanije leshi për lehonën. Dhe unë shkoja për çdo ditë dhe e lanin, e ndërronin, e vishnin fëmijën së bashku me në madhen (Xhidanë) dhe xhixhikua (Havakua) deri sa fëmija vajti dy vjeç dhe filloi të ngrihej në këmbë dhe të bridhte nëpër shtëpi. Edhe kur djali mbushi një vjeç dhe ne i premë frikën 3-4 herë unë së bashku me to i bëmë të gjitha veprimet.
Nusja sa i jepte gjokës Edhe për t’a ushqyer fëmijën vetëm ne të trija Unë isha si edukatore për të”. Këto m’i ka treguar nëna shumë vonë, kur Raufi shkoi në shkollë në Gjirokastër. Pra nëna ime ka qënë edukatorja e parë në çerdhen e parë në Bejar!- më tha duke qeshur. Nënë Havakua ia besoj njohuritë e para të edukatës nënës sime deri sa vajti 5 vjeç. Por kur i prenë frikën unë kam qenë atje, vazhdoi rrëfimin “Lisi i Moçëm”. Frika pritet katër ditë, dy të mërkura dhe dy të djela, mbasi fëmija mbushte 1 vjeç. Kishim një budalla në fshat që thoshte: ”Kur të mbush një vjeç fëmijën çoje në orën 12 të natës në Qafë të Ferrës (masiv pylli), lëre vetëm, po qau prei kokën se ai është frikacak, po s’qau do të bëhet trim si Skënderbeu! Frika fëmijës i hiqej te konaku ku rrinte fëmija. Mblidheshim ne djemuria (kur fëmija është djalë dhe vajzat kur fëmija ishte vajzë), si dhe gratë e lagjes. Nënë Xhidaja kishte bërë gati sendet dhe i vendosi në dyshemenë e konakut përpara djalit. Cilin send do të zgjidhte djali do të tregonte dhe drejtimin (zanatin) që do të merrte djali në të ardhmen. Raufi zgjodhi një pushkë dhe një libër. I gjithë konaku duartrokiti.
-Do të bëhet trim si Skënderbeu dhe i mençur si i ati dhe dajot! – tha Xhixhiko Hasa dhe mori një tas me ujë, i hodhi 3-4 kongjinj zjarri Brenda (priti deri sa kongjinjtë u shuan) dhe e malaksi (spërkati) djalin. Mori një dorë shkarpa (dru të holla të vogla), lidhi sheja, ia ngarkoi djalit të vogël mbi shpinë duke i lidhur kaurçe dhe duke kënduar një këngë me zë:
Dhe tani që t’u pre frika!
Të bëhesh “gjarpër” me çika!
Të bëhesh trim si Skënderbeu!
Në çdo kohë kur të do Atdheu!
Të bëhesh i mençur si Naimi!
O Rauf, o Rauf trimi!
Prerja e frikës bëhej në praninë e plakave të lagjes (gra të moshuara). Prerja e frikës rastisi me rihapjen e shkollës shqipe me miratim të “Portës së Lartë“. Ajo u rihap në shkurt 1909 te godina e Administratës Turke, në katin e parë ku u mbyll shkolla turke (më 20 Janar 1909), me mësues Qamil Muhametin dhe Ali Delvina, të cilët rrinin te sarajet e Hajredin Fratarit. Të gjitha shpenzimet mbuloheshin nga familja e fisnikëve Fratari. Ato ditët e para të Shkurtit erdhi në Bejar edhe mësuesi Sali Nivica, ku qëndroi një javë te shtëpia e Hajredin Fratarit për të udhëzuar mësuesit e rinj.
Këtu mbaronte ceremonia e prerjes së frikës pa praninë e burrave të fisit. Në 20 Shkurt Hajredini bëri një darkë për lindjen e djalit, ishte koha kur “Lëvizja për çështje e kombit” kishte marrë përhapje të gjerë dhe Mallakastra kishte krijuar çetën e saj të udhëhequr nga Hajredin Fratari dhe Ismail Klosi. Në darkën e djalit ishin të ftuar miq dhe shok të Hajredinit dhe familjes së tij, nga treva të ndryshme të Atmëmdheut si dhe bashkëfshatarë. Darka u kthye në një tribunë thirrjesh për bashkim vëllazëror në luftë për shpalljen e Pavarësisë. U ripërsërit dhe njëherë lejmotivi ”Fëmijët në shkollë, burrat në luftë”. Për rihapjen e shkollës shqipe kanë shkruar gazetat e kohës. Akti më fisnik i fisnikut Hajredin R. Fratari është bujaria dhe mençuria e treguar me Administratën Turke, e cila kishte punuar disa vite në Bejar dhe i kishte ”shërbyer” në një farë mënyrë komunitetit të Mallakastrës së Sipërme. Ai nuk përdori gjuhën e dhunës dhe të urrejtjes, por përdori gjuhën e mirëkuptimit dhe të tolerancës. Kur e pyetën ai tha: – Vetëm Robi i Zotit nuk vritet”! Kryeplaku i fshatit u tha: – Ne nuk hamë pula të ngordhura! Ata dorëzuan çelsat e godinës, bazën materiale të cilën e mori në dorëzim komiteti i luftës dhe u larguan. Godina u përdor si shkollë dhe si fjetore për mësuesit. Në derën e Hajredin Fratarit punonin mbi 30 argatë që bënin punë të ndryshme në bujqësi dhe blegtori. Argatët ishin të kënaqur nga shpërblimi për punën, por më të kënaqur ishin nga kultura dhe sjellja e e padronëve.
Edukimi, kultura dhe shkollimi i Rauf Fratarit
Mbas lindjes Sabireti dhe plakat e moçme të lagjes e mbanin Raufin “si ujët e paktë”. Nga dita që lindi dhe derisa ai mbushi gjashtë vjeç nënë Havakua ia besoj si dado (kujdestare) përkujdesjen e të nipit një plake më burrneshë të lagjes që kish pritur me dhjetra fëmijë, xhixhiko Hasa e cila ishte e përkryer në rritjen e fëmijëve. Ajo dinte përmendësh me dhjetra ninulla të bukura me tematikë të larmishme që i këndonte çdo ditë për ta vënë djalin e vogël në gjumë. Ajo shikonte te Raufi tiparet e në djali të shkathët të zgjuar, kureshtar; ai fjalët i mësonte rrjedhshëm. Ishte i pashëm, i bukur dhe që 3 vjeç imitonte të emën, shkonte rregullonte flokët te pasqyra. I pëlqente të rrinte me të rriturit. Xhixhiko Hasa nuk e mbante mbyllur në shtëpi, por e nxirrte për të shëtitur në kopësht ku dallonte shumë mirë ngjyrën e luleve dhe bridhte për t’i mbledhur ato. I pëlqenin fluturat dhe bridhte si flutur për t’i kapur. I donte shumë qingjat dhe futej në mes tyre. Kishte një zë të bukur. I pëlqenin këngët dhe vallet kur këndonin në odë miqtë. Ishte kureshtar dhe dilte në dritare e dhomës për të dëgjuar melodinë e tyre. Kënaqej kur argatii binte fyellit te sheshi i lagjes dhe i kërkonte ta mbante fyellin në dorë. Ishte fëmijë interesant që e donin ta takonin të gjithë, pra ishte fëmijë i ngjitur. Por Xhixhikua ishte shumë e kujdesshme dhe kishte hall se mos e “hanin me sy” fëmijën Sheshi i lagjes ishte kthyer në park lojrash për fëmijet e lagjes, të rriturit loznin lojra të ndryshme popullore si hapa-dollapa (sylla-mbyllthi), ngriva-shkriva, dokthi, cingli, kaladibrançe; hyç me nëntë (me nëntë gur), hyç dhelpre. Hajredini kishte prurë nga Turqia dhe shumë topa për të luajtur fëmijët në shkollë dhe që nënë Havakua i kishte ruajtur me fanatizëm mbas mbylljes së shkollës dhe ua jepte fëmijëve të lagjes për të luajtur me ta… Disa topa ua dha mësuesve Qamil Muhameti dhe Ali Delvina për të luajtur nxënësit, kur u rihap shkolla.
Raufi i shikonte me kureshtje dhe kishte dëshirë të hynte, të luante më ta, por xhixhikua nuk e linte se ishte i vogël. ”Lisi i Moçëm” vazhdonte rrëfimin dhe mua m’u kujtua filmi shqiptar “Beni ecën vetë” dhe thashë me vete “edhe ky Raufi i ka çarë vetë rrugët e jetës”. ”Lisi i Moçëm” vazhdoi rrëfimin: – Kur Raufi mbushi 5 vjeç e ëma i mësoi, bashkë me Xhixhikon, “Himnin e Flamurit” dhe ai dinte edhe ta këndonte. Ndodhte shpesh kur në odën e miqve bëhej muhabet dhe këndohej. E merrte xhaxha Sulua dhe ai këndonte “Himnin e Flamurit” para burrave si tenor prefesionist. Pra fëmija po formonte personalitetin e vet. Mua m’u kujtua çilimiu te “Autobiografia” Fan Nolit dhe përshpërita “sa vështirë është të edukosh një fëmijë. Dhe pikërisht në hapat e para të jetës së tij”.
– Fole gjë! – ishte zëri i “Lisit të Moçëm” që më tërhoqi vëmëndjen nga menditimet.
– Jo! Po meditoja për librin “Autobiografia” e Fan Nolit.
Buzëqeshi dhe më tha: – E kam njohur mirë Fan Nolin! E kam lexuar me endje vëllimin poetik “Album”! Dhe ti meqë je mësues letërsie po të recitoj disa vargje nga poezia “Anës lumenjve”! Dhe nisi t’i recitojë. Më befasoi.
U ngrita nga tavolina dhe e përqafova. U emocionova jashtë mase.
Më tha si me humor: – Kishim një pushim i shkurtër për të ndjekur një “Recital poetik”. Kam lexuar shumë libra! Edhe autorë të huaj. Librat më kanë bërë ta kem kujtesën të fortë dhe i kujtoj të gjitha ngjarjet sikur kanë ndodhur sot! Mori gotën e verës dhe më tha: – Gëzuar! Unë çoka gotën. Dhe ai vazhdoi rrëfimin…
Edukimi dhe shkollimi i adoleshencës së hershme
Sabreti, e ëma e Raufit vinte nga një derë e madhe e dëgjuar dhe atdhetare përmetare e Frashllinjve ku ajo kish marrë njohuritë e para të kulturës, sjelljes, tolerancës, mirëkuptimit dashurisë dhe respektin për të tjerët, cilësi këto që e karakterizuan gjithë jetën dhe ajo i zbatoi jo vetëm kur ishte në shkollën “Robert College” në Stamboll, por në çdo hap të jetës së saj. Atje u njoh me djalin nga Mallakastra Hajredin R. Fratarin i cili vazhdonte studimet në degën “Juridik” të universitetit “Hylqinit” në Stamboll. Atje i dhanë besën njëri-tjetrit u lidhën dhe i qëndruan besnikë njëri-tjetrit gjatë gjithë jetës së tyre. Edhe në Bejar ajo tregoi cilësitë e saj fisnike dhe që vinte nga një familje fisnike te një derë fisnike. Në bisedat me gratë dhe sidomos me vajzat ajo ua sillte fjalën në dy drejtime kryesore, “në atë të arsimimit të femrës në çdo mënyrë edhe autodidakte” dhe e dyta “lufta kundër patriarkalizmit feudal në mbylljen e femrës si dhe në dhunën që përdorej ndaj saj”.
“Femra është hambari më i madh në një shoqëri njerëzore se prodhon të ardhmen e saj”. Ishte kjo arsyeja që numri i femrave kur u hap shkolla e parë shqipe u rrit nga 3 në fillim në 10 kur u mbyllën shkolla dhe 20 kur ajo u rihap. Ajo bënte kurse shkollimi me gratë dhe vajzat e Bejarit edhe mbas mbylljes së shkollës. Ishte kjo arsyeja që ajo u bë autoriteti i padiskutueshëm dhe që fitoi një respekt autorial nga gratë dhe vajzat Bejarake. Por dhe burrat shikonin ndryshimin në sjellje e në kulturë në vajzat dhe gratë e tyre. Ajo u bë një përkrahëse e flakët e të shoqit në “Lëvizjen Kombëtare” për shpalljen e Pavarësisë, ajo u bë një zë i dëgjuar në Mallakastër për cilësitë e saj adhuruese përkrah luftëtarëve të lirisë. Ajo u bë “Misionarja e parë e Paqes” me aktin e saj sublim ku i tha ndal “Hakmarrjes” dhe ndaloi Martirët për të shkuar në Berat (pas vrasjes të të shoqit) me një “Jo” të madhe duke u bërë thirrje të vazhdonin rrugën drejt Lirisë të Shqipërisë. Ky formim kulturor dhe patriotik i saj do të ndikonte për edukimin e gjithanshëm patriotik dhe kulturor të të birit, Raufit. Ajo ishte dhe mbetet një zonjë e nderuar, e kompletuar me të gjitha karakteristikat dhe cilësitë që i duhen sot një nëne, gruaje, motre, vajze dhe fëmre. Ajo ra dakort me mendimin e të shoqit që edukimin e adoleshencës së hershme të të birit t’ia besonte imam Efendi Veis S. Zeqaj. Hajredini po ndiqte rrugën e të atit, Rakip Isufit i cili i kishte besuar edukimin e të birit Hajredinit. Ata të dy (burrë e grua) e njihnin mirë imam Veizin, jo vetëm se ishte nga Bejari, por ai ishte ndjekësi më i afërt i hapave të tyre në jetë. Ai kishte mbaruar shkollën për Hoxhë në Turqi dhe ushtronte detyrën e Imamit në Mallakastër për një kohë të gjatë gati tre dekada. Kishte krijuar një besim dhe respekt jo vetëm në Mallakastër, por dhe në Berat, Vlorë, Tepelenë, Përmet e gjetkë. Kur e pyesnin se çfarë mban mend nga jeta, ai përgjigjej: – Ditën kur u diplomova dhe ditën kur u shpall Pavarësia. Kishte një formim poliedrik. Përkrahës i Hajredin Fratarit në hapjen e shkollës së parë shqipe, pjesëmarrës në çetën e krijuar nga Hajredini për “Lëvizjen Kombëtare” dhe komandant i çetës së Bejarit në shpalljen e Pavarësisë dhe të “Luftë së së Vlorës” 1920 ku populli Bejarit i këndonte:
Veiz Silja djalë nga fshati!
Mblodhi çetën e bëri gati!
Për Flamur në Vlorë vajti!
dhe luftuan për lirinë!
Çliruan Shqipërinë!
Mësues autodidakt që vazhdoi mësimin mbas mbyllja së shkollës dhe negociator me “Portën e Lartë” për rihapjen e saj në Bejar, personalitet i kompletuar në të gjitha drejtimet. E pranoi me kënaqësi ftesën që i bënë bashkëshortët për edukimin e djalit. Ai kishte një provojë të gjatë që merrej me edukimin jo vetëm të fëmijëve, por edhe të rriturve. Dinte me gramatikë 5 gjuhë të huaja, dinte të ndërtonte marrëdhënie të mira me fëmijët. Ishte si mësues i jashtëm në shkollën që u rihap. Kështu që kur Raufi mbushi 6 vjeç kaloi nga dado Hasa te imam Efendi Veizi. Djali i vogël nuk harronte kurrë përkujdesjen dhe fjalën e ëmbël të Xhixhiko Hasës ndaj çdo ditë takohej me të. Në vitin e mbrapshtë 1913 u mbyll shkolla e rihapur në Shkurt të vitit 1909. Baza materiale e shkollës u strehua te “Mekami” në lagjen Shehaj. Imami vazhdonte edukimin e Raufit në odën ku u hap shkolla e parë shqipe. Fëmija e vogël u mësua shpejtë me ”Dadan”, kështu i ngjiti përkëdhelinë djali për imam Veizin. Imami në shumë raste bëhej dhe ai si fëmijë. Mësimin e zhvillonte në një nga konakët ku u hap shkolla e parë shqipe; kishte me vete abetaren si dhe libra me ilustrime të përshtatura me moshën e fëmijës. Fëmija kishte mësuar përmendësh “Himnin e Flamurit”, “Për mëmëdhenë”, “Mëmëdheu, Zogu dhe djali”, disa fabula dhe përralla që ia kish mësuar Dadua. Në pranverën e vitit 1915 ndodhi gjëma e madhe për Bejarin, vrasja e Hajredin R. Fratarit.
“Lisi i Moçëm” m’u drejtua mua: – A mund t’a imagjinosh dot tronditjen shpirtërore dhe psikologjike të një fëmije 7 vjeçar në raste të tilla? – më tha me një zë që i dridhej.
Nuk i ktheva dot përgjigje. Sytë m’u mbushën me lot.
Ai vazhdoi rrëfimin: -Mandatin e sollën ne burrat që u kthyem nga Berati, Imam Veizi e kuptoi situatën. (Kur unë, Xhaferi dhe Mehmeti zbritën nga kuajt te sheshi me kalldrëm i lagjes, na porositi xha Sulua që të mos jepnim mandatën. Atë do ta jepte imam Veizi). Ai mori djalin, Raufin dhe doli nga dera tjetër e shtëpive dhe bashkë me të u nis për në shtëpinë e tij në lagjen Tatoshaj, 1 km larg lagjes Zotaj duke i thënë Raufit që ai mos ta përjetonte kujen e mandatës së Hajredinit. Burrat po ktheheshin nga Berati. Të gjithë mendjen e kishin te djali i vogël, Raufi. Si do ta kalonte ai këtë gjëmë? Por kur u takuan me imam Veizin dhe kur e morën vesh aktin njerëzor, të mençur, u çliruan nga ankthi. Imami e çoi djalin në shtëpinë e tij, ia la porosi të shoqes duke lënë dhe dy burra roje: Sinan Ramon dhe Arben Osmanin. Vetë u nis për në lagjen Zotaj. Kur doli doli te Maja e Bregut pa karvanin e kuajve të burrave duke zbritur nga Majat e Varrit (Damës). I dha kalit dhe u doli përpara karvanit të kuajve në fund të varreve të Zotaj. I tha xha Sulos: – Mbahuni burra! Hajredini nuk vdes kurrë! Zoti i dënoftë ata që kryen këtë krim makabër!
Karvani mori rrugën drejt sarajve të Haredinit. Duke kaluar mespërmes lagjes, Imam Veizi mendonte se ai kishte dhënë me qindra mandate. Kish kënduar me qindra nerkologji jo vetëm në Bejar, por në gjithë trevën e Mallakastrës së Sipërme dhe në rrethinat e saj (sa ishte formuar shprehja “të kondoftë imam Veizi në rrëzë të veshit). Dhënia e mandatës është një rit pagan (zakon) ku u jepet haberi (lajmi) familjes së të vdekurit në mënyrë të veçantë për vdekje të kobshme (vrasje ose vdekje në emigracion). Këtë haber e jep Imami (hoxha) së bashku me 10 burra pleq. Për imam Veizin ky mandat ishte ndryshe nga të tjerët. Do t’i jepej nënës dhe gruas së tij sepse burrat e fisit e kishin marr vesh mandatën. Ata kishin net që gdhiheshin në Berat deri atë orë ku komandanti i milicisë Musa Qazimi dha lajmin e zi mbi vrasjen e Hajredinit nga milicët gjoja për tetativë arratisje. Ky lajm u dha mbasi milicët kishin vrarë dhe shokët e Hajredinit: Ismail Klosin, Baki Gjirokastritin dhe Muharrem Veleshnjën. Ato ditë Berati dhe Shqipëria ishin në zi. Burrat mbërrritën te sheshi me kalldrëm. Aty po i prisnin pleqtë e lagjes së Zotaj. Burrat zbritën nga kuajt. Xha Sulua dhe nipërit hynë më parë në shtëpi. Pleqtë e lagjes dhe imami Veizi u nisën drejt odës së miqve, ndërsabBurrat e tjerë qëndruan te sheshi me kalldrëm.
Grat kishin rregulluar odën ku ishte hapur shkolla e parë shqipe. Hatemja, mbesa e Hajredinit kur pa kortezhin e burrave ulëriu fort: -E zeza jonë kjo! Dy gra e kapën për krahu dhe e futën vajzën në dhomë. Imam Veizi dhe pleqët e tjerë u drejtuan për të dhoma ku ishin vllezërit Sulua, Hyseni, e ëma Havakua dhe e shoqa Sabreti. Imami me burrat hynë në odë. Imami iu drejtua të ëmës dhe duke e përqafuar i tha: – Bëhu e fortë! Hajredini nuk vdes! Atë do ta kemi gjallë në breza! Të paudhët vranë Hajredinin! Por nuk vrasin dot veprën e tij patriotike për çështjen kombëtare! Nuk vrasin dot gjuhën shqipe, nuk vrasin dot ëndrrën! Nuk na vrasin dritë sepse e kemi fanar ndriçues që do të na udhëheq në rrugën që çeli ai drejt rrugës së Zotit!
Pastaj u takua me pjestarët e tjerë të familjes. U ul në krahun e odës që ishte enkas për mysafirët. Edhe pleqtë erdhën u takuan me pjestarët e familjes dhe u ulën në krah të Imam Veizit. Imam Veizi iu drejtua të shoqes Sabretit: – Ti e kishe bashkëshort, ne e kishim vëlla! Ti ishe dhe je motra jonë! Ti je një burrneshë e lindur në një familje fisnike në Frashër të Përmetit dhe erdhe këtu në Bejar, në një derë të madhe të Fisnikëve ku yt shoq, Hajredini themeloi “Universitetin e Fisnikërisë” për brezat e ardhshëm jo vetëm të Bejarit, por të Mallakastrës dhe të Shqipërisë! Dhe këtë universitet do ta drejtosh ti me mënçurinë, zgjuarsinë, largpamësinë që të karakterizon nën gjurmët e bashkëshortit tënd të paharruar për të verselitur Trëndafilat dhe Yjet që Hajredini i “mbolli” bashkë me ju! Që ata të ecin në gjurmët e atit! Ne na ke mbështetje të fortë! Unë betohem në emër të Zotit që Raufin do ta verselisim që ai të eci nën gjurmët e të atit”!
– Djalin! – tha Sabreti mes lotësh.
-Djalin e kam unë! E kam çuar në shtëpinë time! Do ta mbajë disa ditë! Por djali nuk duhet t’i thoni për gjëmën! Do të vijë koha dhe dita që t’ia themi dhe këtë porosi e kam në mënyrë të veçantë për ty, zonja Sabret! Besoj se më kupton drejt! – tha Imami.
Qetësi. Dukej sikur në dhomë po kalonte Izri, (ëngjëlli i vdekjes). Heshtjen e theu e ëma ku mes lotëve tha:- E prisja këtë qëkur e nisa për në Berat. Natës së 14 Prillit i përgjërohem. Kur ai erdhi nga Cmokthina (Vlorë) dhe më tha se do të shkoj në Berat!
-Jo! – i thashë, – ata do të vrasin!
-E di!- më tha, – por ti mos u tut! Dhe nxori nga gjiri portretin e Skënderbeut, të Ismail Qemalit dhe Flamurin Komdëtar”! Më tha: “Do t’ia japësh Raufit kur të rritet! Janë amanetet e mia! Unë nuk ia lejoj vetes që vëllezërit, bashkëfshatarët, miqtë e mi të vriten për mua! Edhe ata bir nënash janë! Prandaj për këtë shkoj të përballen me ta… ja kështu më tha dhe u nis për në Berat.
Nxorri nga gjiri dy portretet dhe Flamurin Kombëtar. U ngrit nga vendi shkoi te Sabreti dhe duke përqafuar i tha: – Merri dhe jepja Raufit! I thuaji se e ka kujtim nga i ati! Kujdesu për fëmijët! Ata janë i vetmi zjarr që do të mbajnë të ndezur këtë oxhak!
E shtërgoi fort në gji duke u nga shpërthyer të në lotë dyja.
– Na ra ky mort! – ishte zëri i xha Sulos, i vëllai që nuk iu nda asnjë moment të vëllait gjatë të gjithë veprimtarisë patriotike, bëri gjithçka edhe nga ana financiare së bashku me vllezërit, Ademin me Hysenin, e shkrinë kapitalin e tyre për çështjen kombëtare
– Ne do të vazhdojmë rrugën që la vëllai ynë më mes! Pa shikoni çfarë reputacioni, çfarë respekti kanë njerëzit për vëllanë tonë! Ai është dhe respekt për ne! Ata u mblodhën të gjithë martirët për të shkuar në Berat për hakmarrje, por kjo kunata jonë (nga sot e tujtje e keni si vëlla) nuk i lejoi. Dhe bëri mirë. Ne nuk kërkojmë gjakderdhje për një njeri, por kërkojmë gjakderdhje për lirinë e Kombit, Shqipërisë!- tha dhe u ngashërye.
– Lotët nuk janë për burrat! – tha imam Veizi. Lotët e burrit i mbledh zemra! Burri është për pushkë! Mbahu Sulo! Pa shiko, ke një tufë djem të rinjsh që janë nga ai sua që të “marrin gjak në vetull”! Ata duan vetëm kurajo! Ata janë në këmbë për lirinë e Atmëmdheut! – i tha xha Sulos imam Veizi.
-Ke të drejtë hoxhë Efendiu – i tha Imamit duke fshirë lotët. Gratë shkuan nga dhoma tjetër ku do të hapej vaj i mortit. Në konak qëndruan vetëm burrat.
– Shtroni dhe konakun tjetër. Priten të vijnë shumë njerëz! – u tha xha Sulua djemve që rrinin në këmbë.
Rrëfimi i “Lisit të Moçëm” sa vinte dhe bëhej më tragjik. Gjendja emocionale e imja ishte shumë e rëndë sa më dukej sikur ngjarja kishte ndodhur sot dhe lotët nuk i ndalja dot. “Lisi i Moçëm” vazhdoi rrëfimin: – Më e pabesushme ishte se “ulurima”, zëra vajtues vinin nga Tempulli, Olimpi i Kalamatrëngut, sikur atje kishte ndodhur një gjëmë e madhe (tragjedi). Xha Sulua më dërgoi mua, Mehmetin dhe Karemanin për të parë çfarë kishte ndodhur në Kala. U hipëm kuajve dhe u ngjitën lartë për në Tempullin e Kalasë, aty ku qëndrojnë shpirtrat e Martirëve, të cilët ishin kthyer në pëllumba të bardhë dhe kishin pushtuar gjithë tempullin. Kur vamë në Kala, një tufë e madhe pëllumbash të bardhë me shirit të zi në krahun e djathtë fluturonte mbi Tempullin e Kalasë. Shkonin deri te kulla e fildishtë e “Mësonjtorja së parë” dhe ktheheshin përsëri në Olimp. Bënin një zhurmë që i ngjanin tingujve të një këngë vaji, ku kënga dëgjohej deri te “Mësonjëtorja e parë”. Kjo ulërimë përzihej me lejmotivin e zërave ku përcillnin mesazhe ngushëllimi për “Kalamatrëngun”. Pastaj një re e bardhë pëllumbash u ngritën në qiell, i ranë rreth e përqark Tempullit të Kalamatrëngut, fluturuan mbi “Mësonjtoren e Parë Shqipe” dhe u nisën varg drejt Beratit. Na bënë përshtypje këta zëra me mesazhe ngushëlluese që u përhapën jo vetëm në Bejar, por në të gjithë Mallakastrën. Kishin zbritur në Tempullin e Kalamatrëngut: Mali i Tomorrit; Kurora e Malit, vargmalet e Gjirokastrës, të Përmetit, të Tepelenës dhe të gjithë malet e Atmëmëdheut. Ata janë dëshmitarë të historisë, të luftës së madhe të martirëve për liri. Ata zbritën në Tempull në këtë ditë morti në Kalamatrëng dhe e ngushëlluan: – Mbahu Kalamatrëng e mos u lëkund! Ne jemi të vjetër! E dimë mirë Legjendën! Hordhitë s’e vrasin dot Ëndrrën! As Shpresën, as Diturinë, as diellin që lindi. Ai që te Atmëmëdheu ndrin! Mesazhi i tyre ziente si jehonë ku të gjithë atë ditë morti “dhimbjen e bluanin në zemër si drithrat në mulli”…
Ne u hipëm kuajve dhe zbritëm për te Sarajet. Ç’pamë në Tempull, unë ia tregova xha Sulos. Ai më dëgjoi me vëmendje, tundi kokën dhe tha si me vete se janë ata “Martirët”! Kanë “zbritur malet” si dëshmitarë të historisë.
Gratë hapën vajtimin me zë në dhomën tyre. Ende dëgjohet jehona e zërit drithërues dhe mallngjyes i nënës së Hajredinit:
Ah…! More prill i mallkuar!
Pse vallë ma bëre Gjëmën?
Tejpërtej ma shpove Zemrën!
Bir! O Harejdin, o djalë!
Ma dogje shpirt e xhan!
Më luftove për vatan!
Për Lirinë e Shqipërisë!
O Bir! O Yll! O Dritë!
Do të vijë ditë për ditë!
Do të vijë nëna pranë!
Se ma dogje shpirt e xhan”!
Në odat e burrave u hapën dyert e mortit. Burra nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova, nga Çamëria. Për dyzet ditë rresht burrat e lagjes Zotaj prisnin dhe përcillnin luftëtarët e lirisë për këtë humbje të shokut të tyre, Hajredin Rakip Fratarit. Shtërgonin fort pushkët që kishin në krah. Ora e hakmarrjes po afron! Vrasja e Hajredinit nuk tronditi vetëm luftëtarët e Mallakastrës, por edhe luftëtarët e Vlorës të vitit 1912 edhe luftëtarë nga Tepelena, Berati, Gjirokastra, Përmeti, Fieri e gjithë Shqipëria e Jugut. Luftëtarët nga çdo anë u mblodhën në Tempullin e Kalamatrëngut për të nisur “Kryengritjen e Hakmarrjes”, të revoltuar për vrasjen e Hajredinit. Por Fisnikët nuk i lejuan, Sabreti (e shoqa e Hajredinit) mbajti një fjalim të rëndësishëm duke thënë se “ne nuk përfitojmë asgjë nga kjo luftë vëllavrsjesh. Armiqtë tanë serbo-grekë këtë kërkojnë, vëllavrasjen midis shqiptarëve! Ata kërkojnë që ne shqiptarët të jemi të përçarë! Por ne duhet të jemi të bashkuar në mbrojtje të Qeverisë së brishtë të Ismail Qemalit që u njoh edhe nga Fuqitë e Mëdha që caktoi kufijtë teritoriale të Shqipërisë. Ne armët duhet t’i kthejmë kundër armiqve që po kërkojnë të na xhvasin kufijtë tanë! Të vazhdojmë rrugën që la në mes vëllai juaj Hajredini!
Qetësimi i situatës të rënduar nga vrasja e Hajredinit me gjakftohtësi dhe mençuri ishte një nga aktet më të rëndësishme të kohë nga një gjakderdhje e cila nuk ish në interes të Atdheut, por në interes të armiqve të Shqipërisë. Imam Veizi kishte një biblotekë të pasur në shtëpi në gjuhë të huaj dhe në shqip. Ai kishte bërë përzgjedhjen e tyre sipas moshës së fëmijëve duke marrë modelin e mësonjtoreve të hapura më parë në Shqipëri si ato të Korçës, Kosovës, Manastirit, Kolonjës, Gjirokastrës etj. Puna e tij si Imam i Mallakastrës e gjetkë dhe si intelektual i kompletuar i dha mundësinë që ai të kish miqësi dhe shoqëri me shumë intelektualë në Shqipëri që kishin hapur shkollat shqipe si Pandeli Sotiri, Shahin Kolonja, Gjergj Fishta, Sali Nivica etj. Kontakti me ta i kish dhënë mundësinë që ai të merrte tekste mësimore për fëmijët dhe t’u mësonte privatisht gjuhën shqipe fëmijëve të ndryshëm duke u bërë mësuesi i parë në Mallakastër. Ai bëri dhe një kurs 6- mujor në “Normalen” e Elbasanit. Modelin e mësimdhënies ai e zbatoi te djali i Hajredin Fratarit, Raufi por me ndryshim esencial me të atin (Hajredin i bëri mësimet turqish dhe persisht) te i biri e bëri mësimdhënien në gjuhën shqipe.
Imam Veizi para se të jepej mandatën në Fisin e Fisnikëve, e mori Raufin në shtëpin e tij. Ai e paramendote dramën dhe traumën psikologjike që do të pësonte Raufi. Ai mendonte se në këtë moshë 7-vjeçare të djalit kjo tronditje do të ishte me pasoja për jetën e tij ndaj e “izoloi” atë në shtëpinë e vet duke pritur një moment të përshtatshëm për t’i treguar të vërtetën. Këto mendime Imami ia tha Sabretit, nënës së Raufit, vëllezërve dhe nënës së Hajredinit dhe ata ranë dakort. Qëllimi i përbashkët i tyre ishte që djali mos të pësonte traumë psikologjike. Imami e mbajti në shtëpin e tij dhe i jepte mësim së bashku me djalin e tij që ishin në një moshë. Ai e dinte mirë se djali donte të takonte të ëmën (shtëpitë nuk ishin larg me njëra-tjetrës). Ai e shpinte çdo ditë, por e merrte përsëri, pasi i ruhej asaj që mund të ndodhte. Ky ritual vazhdoi një vit. Në 5 Shkurt, Raufi kishte ditëlindjen, ishte ditëlindja e parë pa të atin. Në mëngjes i tho të shoqes: -Vishu se do të shkojmë në Zotaj! Ka ditëlindjen djali. (Ishte ditëlindja e parë mbas vdekjes së të atit ndaj kjo ditë kërkonte një kujdes të madh që djali të mos merrte vesh asgjë dhe të mos e ndjente mungesën e të atit).
– Po! – tha ajo dhe hyri në dhomën tjetër për t’u veshur.
Imami mori dy fëmijët, Raufin, djalin e vet dhe të shoqen dhe niset për në Zotaj. Dy fëmijët i hipëm në kalë dhe vetë me të shoqen në këmbë, duke tërhequr kalin për dore. Te sheshi me kalldrëm ishin fëmijët e lagjes që po loznin. Ai i zbriti nga kali dhe djemtë hynë në turmën e fëmijëve për t’u takuar dhe luajtur me ta. Te porta e shtëpisë i pritën vëllezërit e Hajredinit me gratë e tyre. U takuan.
– Eja! – i Sulua.
– Jo, prit! (ia bëri me shënjë gruas të futej brënda në shtëpi me zonjat. Gratë u nisën). Do të qëndrojmë këtu sa të argëtohet Raufi me shokët!
Të dy vllezërit pohuan me kokë.
-I porositni gratë, mbesat, nipërit, fëmijët edhe ju të mos I thoni gjë Raufit! Ai nuk di gjë! Nuk duhet të dëgjoj dhe të qara! Duhet shumë kujdes! Në darkë do t’ia tregoj unë me takt në praninë tuaj! Ne edhe të qajmë, edhe të ulërijmë, ai nuk kthehet më! Shpirti dhe zemra jonë duhet të jetë në edukimin e Raufit që ai të eci në gjurmët e Hajredinit dhe të bëhet më i mirë se ai! Të paktën ju duhet të më kuptoni! Ua thoni dhe të tjerëve. Mos harroni që kemi dhe një varr të madhe mbi vete! Nuk duhet të na zërë gjumi deri sa ai të hyjë plotësisht në jetë! Ju vazhdoni hyni brenda, unë do të vazhdoj të rri dhe pak me fëmijët.