Raimonda Belli Gjençaj: DY PENA PËR POEZINË
Poet lind, gazetar bëhesh. Kjo është bindja ime. Nëse dikush do të më kundërshtonte do t’i jepja librin “Jetoj për ty”, me autore Kajusha Pogaçi. Pas leximit të librit, që në radhën e botimeve të saj, është i katërti, argumentet e ballafaqimit do të hynin në një hulli konkrete, por asgjë nuk do ta rrëzonte bindjen time. Jo për të ruajtur epërsinë, por sepse ndjesitë që përftohen, varg pas vargu, janë të tilla që të lidhin me fasha brengash të një njeriu që jeton dhe sheh, që mendon dhe vuan dhe që, në pafuqinë për t’i ndryshuar realitetet e zymta, ka zgjedhur të vetmin shtrat të sigurt, poezinë, për të derdhur, jo vetëm dhimbjen, por dhe protestën. Të dyja këto ndërthuren ndër vargje pa ia zbehur ritmin e brendshëm, edhe kur rima nuk është e pranishme. Në këtë simbiozë, as gazetarja dhe as poetja nuk marrin nga hapësira e njëra – tjetrës. Ato bashkëjetojnë, si të kenë bërë një marrëveshje, ku mesazhi është po aq i rëndësishëm sa vargu. Ndaj dhe poezia të flet dhe të ve në mendime… Në hyrjen e librit, të shkruar nga vetë autorja me një timbër fjale po aq tingëllues sa dhe në esenë që mbyll vëllimin, poetja shpjegon strukturën e librit, duke na qartësuar se përse i është përmbajtur kriterit kohor kronologjik, në radhitjen e poezive. “Mendoj, – shkruan ajo, se botimi me kriter kronologjik arrin të japë një pasqyrë të lidhjeve të brendshme shpirtërore midis kohës, hapësirës dhe ndjesive vetjake të autorit”. Pikërisht, kjo kronologji na zbulon se shumë rrallë ndodh që poetja t’i ikë gazetares në procesin krijues. Edhe po të donte ta bënte më shpesh, nuk do ta kishte të mundur. Katjusha Pogaçi nuk bie të flejë si poete, për t’u zgjuar si gazetare. Kështu e ndien edhe ajo me siguri kur shprehet se “realiteti përthyhet ose përkthehet brenda poetit me ngjyrimin personal dhe me mjetet e tij stilistike”. Pikërisht, ngjyrimin personal të saj do ta lidhja me sendërgjimin në kohë dhe në hapësirë të një fabule letrare të zgjedhur prej vetë poetes. Them zgjedhur, sepse me intuitën e një gazetareje me përvojë, Katjusha Pogaçi nuk humbet në ekzaltime, që shpesh e bëjnë poezinë një vargëzim pa bukë. Siç ajo pohon, “shtysa mund të vijë nga gjëra në dukje të papërfillshme, të zakonshme… nga një send, nga një fjalë e vetme, nga një gjendje apo pamje”… Në këtë konceptim, lexuesi gjen pastaj të vërtetën e ngjeshur në vetëdijen e gazetares, që pasi ka kaluar përmes shpirtit të poetes, vjen në formën më të lartë të manifestimit të bukurisë së fjalës, siç është apo duhet të jetë një poezi.
Për ta argumentuar përshtypjen time më duhet t’i largohem kronologjisë së librit. Duke bashkëndarë me autoren pikëpamjen e njohur të Aristotelit mbi natyrën universale të poezisë, është me vend të thuhet se poetja Pogaçi ka aftësinë e dukshme të gazetares të bëjë dallimin midis një subjekti që mbart vlerën e një poezie dhe të një tjetri që s’është gjë tjetër veçse një fakt i mbetur në kornizat e një historie. Duke qëmtuar në gjykimin dhe interpretimin e mjedisit që e rrethon, ajo gjithmonë sheh dhe dëgjon, me shqisat e veta. Ndaj është e sigurt kur ulet dhe shkruan. Ajo i beson intuitës së saj, të cilën e ve në shërbim të talentit… “Të dashur njerëz, vini re!” – thërret një titull, që e ruan deri në fund të poezisë frymën e thirrjes. Kur e lexon këtë krijim prej tri strofash, e kupton se në shpirtin e poetes kumti i lashtë i paqes dhe dashurisë midis njerëzimit, ka lindur para janarit të vitit 2013, datë në të cilën ajo e ka nxjerrë prej vetes në formën e një poezie. Me gjasë mund ta ketë shpalosur me ndonjë qark metaforash në disa prej krijimeve të saj, por këtu është e drejtpërdrejtë. Ajo mëton se rreziku botës i vjen nga urrejtja, ndaj nuk ka antidot tjetër përveç dashurisë. E mbyll thjesht mendimin e saj me vargun : “Se korr atë ç’ka mbjell”! Larg moralizimit, ia le lexuesit barrën e reflektimit. Nuk është e thënë që poetja e ka synim të poezive të saj, por reflektimi vjen natyrshëm pasi u ke shkuar deri në fund ideve që përcjellin ato. Me përjashtime, tek-tuk, gjendesh gjithmonë me një fabul në mes. Kjo e bën lexuesin të ndihet edhe si element i qenësishëm i “rrëfimit” poetik. “Dhembja e kokës” nuk është vetëm vuajtja e autores. Nuk ka emër, as gjini ndaj i përket kujtdo. Mund të jetë një penelatë në një sfond real, por mund të shfaqet edhe si përballje e së mirës me të keqen.
“Ajo lufton për ekzistencë
Unë luftoj ta flak”. – na bën me dije autorja.
Por gjithçka do kohën e vet. Dhe jo vetëm kaq.
“Më pas lë shenja dhe gjurmë ku mund
Fytyra e vuajtjes i ka vragat gjithkund”.
Nëse do ta lexonim si metaforë, do të na duhej të pranonim se në çdo sfidë përfundimi nuk ndryshon. Të arrish të mbijetosh, është shpërblim për shpirtin e rezistencës. Në një trajektore të tillë, lexuesi mund të shqyrtojë edhe fabulën e poezisë “Darka”. Pena e gazetares këtu qëmton në probleme sociale. Të vendos në një mjedis familjar, ku përmes një sarkazme të lehtë të mbështjell me rutinën e mbrëmjeve tona.
“Një debat televiziv me të njëjtat fjalë e, të njëjtat
argumente nën një tjetër titull…”.
Refren i njohur i netëve tona, që përsëritet pa u turpëruar edhe pse lajmet ngjajnë aq shumë më njëri-tjetrin. Konflikt prone. Dhunë në familje. Viktimat e një aksidenti. Mungesa e respektimit të kodit rrugor, apo sinjalistikës… Ç’rëndësi ka? Viktimat janë, me emër, mbiemër, fytyra, ndërsa në fund të muajit do të kthehen në shifra statistikore. Por “Darka” nuk mund të mbyllet aty. Poetja vëzhgon dhe syrit të saj nuk i shpëton asnjë detaj…
“Darka mbledh këmbët brenda krizës duke thënë:
Më jepni një shishe me ujë të ngrohtë për të larguar dimrin”.
Shishja me ujë të ngrohtë na shpie në shtroja sepse “bastuni i gjumit” troket portë më portë. Këtu gazetarja Katjusha lyp diçka nga shpirti i poetes Pogaçi sepse ka nevojë të stimulojë ndezjen e fijes së shpresës për një të nesërme, të ndryshme nga dita që shkoi. E çmund t’i japë më të mirë se figurën e një vogëlushi, që e ka kapitur lodhja mbi librin e historisë ku ushtojnë gjëmime luftërash dhe fitoresh, që kanë hedhur dhe hedhin mbi tokë farën e shkëlqimit. Poetja është e bindur se ai fëmijë…
Patjetër në ëndërr shikon shkëlqim…
Ai beson dhe kjo është shpresa.
Një tjetër poezi që pason pas saj, titullohet “Njerëzve të punës”. Siç e kemi kuptuar tashmë, çdo krijim “i bindet” radhës kronologjike. Por duke bërë një “asociacion të ideve”, më ngjan më poetike ta shndërroj këtë rastësi, në një “hap të detyruar”, të gazetares që nuk e ka pasur të vështirë t’i kujtojë poetes, se të ëndërrosh është kohë e mjaftueshme për të zgjuar ndërgjegjen e njeriut dhe për të sjellë në vëmendjen e tij, prioritetet me të cilat ndërtohet jeta. Me këtë tematikë gazetarja do të kishte ngritur në këmbë një reportazh. Por ajo nuk do të ngatërrohet më shumë në punët e poetes dhe ia le asaj të hedhë vështrimin në fusha dhe kantiere, mbi tokë dhe nëntokë, e ndjek sigurisht penën e saj edhe kur ajo përshkruan bagëtinë dhe barinjtë, kur ngjitet në bukurinë e krijimit artistik, apo kur zbret në marrëdhëniet e zakonshme që i japin tipare të dallueshme veprimtarisë së përditshme njerëzore. Kjo është ajo që shohim dhe në të cilën përfshihemi të gjithë nga pak, por Katjusha Pogaci, befas ka ndier nevojën të distancohet dhe ta vizatojë poetikisht, sepse synimet i ka të qarta. Zemra ia do të falënderojë, por pas kësaj, zëri që vjen përmes poezisë na kujton vlerat e punës. Kështu edhe gazetarja edhe poetja ia kanë arritur qëllimit. Në këtë lidhje kaq ideale ato janë të lira ta vazhdojnë rrugëtimin në të gjithë procesin krijues, por në vëllim ndodhen 135 poezi dhe shihet se në një pjesë të mirë të tyre, gazetarja e ka parë të udhës të mos përfshihet dhe sa herë ka ndodhur kjo, poetja ka shpërthyer në vargje lirike, plot ndjenjë, mall e gëzim. Një prej këtyre poezive i ka dhënë titullin dhe librit. “Jetoj për ty”. Më mundoi kërshëria deri sa preka faqen 98. Ku nuk më kishte hedhur fantazia deri sa mbërrita aty, pastaj kur e zbulova, më pushtoi një ndjenjë e ëmbël, që e meriton kushdo ta provojë. Dhe meqenëse misteri në përgjithësi e bën më ndjellëse prozën dhe më lakmuese poezinë, po e le ta shijoni vetë çastin, ndërkohë që nuk mund t’u iki mbresave të mia, pa treguar se kur e përfundova leximin pata ndjesinë se kisha hyrë dhe dalë nga një botë ku merrte frymë njeriu, natyra dhe hapësira që mbështjell ekzistencën tonë. Nuk mund të ndodhte ndryshe me një vëllim ku dy pena janë angazhuar harmonikisht të shkruajnë poezinë.
Tiranë, më 18. 02. 2024.
Please follow and like us: