Albspirit

Media/News/Publishing

POETJA SHQIPTARE IRMA KURTI BOTOHET NË KOLUMBI

 

Librat e Irma Kurtit janë botuar në 15 vende të botës

 

 

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti boton në Kolumbi përmbledhjen e saj me poezi në gjuhën spanjolle të titulluar: “Un pétalo de flor” (Një petël luleje), nën logon e shtëpisë botuese Papel y Lápiz. Përmbledhja dygjuhëshe përmban poezi në gjuhën spanjolle dhe italiane. Përkthyes në gjuhën spanjolle është Javier Prieto. Kopertina është e fotografit italian Biagio Fortini.

Poezitë e Irma Kurtit i këndojnë dashurisë në kuptimin universal të saj, dashurisë për prindërit, për natyrën në një të përditshme të vrullshme, ku duket se vlerat njërëzore janë të vështira për t’u identifikuar.

Gazetarja Grazia Pia Licheri shprehet kështu për krijimtarinë e autores shqiptare: “Me një gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, poetja Irma Kurti na ofron edhe një herë një shumëllojshmëri ndjesish, një lloj ditari në vargje që hap dyert e reflektimit ndaj temave intime dhe ekzistenciale. Irma Kurti arrin drejt e në zemrën e lexuesit, duke hedhur poshtë si gjithmonë idenë se poezia është një mjet i zgjedhur për disa, sepse format narrative të mbushura me zbukurime dhe shtojca letrare nuk i përkasin aspak stilit të saj. Atëherë është emocioni vetë që e merr fjalën përmes një kujtimi, një imazhi, një mendimi, të përshkruara në mënyrë kaq të saktë saqë ta lejojë lexuesin të hyjë në majë të gishtave në jetën e autores, duke ruajtur ndërkohë identitetin e tij”.

Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 85 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, SHBA, Filipine, Liban e Kinë. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Ajo ka botuar 28 libra në gjuhën shqipe, 24 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 18 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht.

Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Holandë, Belgjikë, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi dhe Kolumbi.

 

 

Please follow and like us: