Eqrem Çabej: LEKSIONET E TIRANËS (1)
Kreu I e II
A. PERIODA HISTORIKE
Kreu i parë
Shqipja gjuhë indoeuropiane
Gjuhët indoeuropiane. – Karakteri indoeuropian i gjuhës shqipe. – Puna e Franz Boppit dhe e pasardhësve të tij. – Elemente autoktone dhe elemente të huaja në gjuhën shqipe. – Kronologjia e elementevet autoktone.
Grupi i gjuhëvet indoeuropiane fillon me keltishten në Irlandë e shkon gjer në Hind. Duke nisur nga lindja e duke ardhur në perëndim janë këto gjuhë ose degë gjuhësore indoeuropiane: indishtja, iranishtja, armenishtja, greqishtja, shqipja, gjuhët italike, gjuhët kelte, gjuhët gjermanike, gjuhët baltike e gjuhët sllave. Ka dhe disa gjuhë të vdekura, si hetitishtja në Azi të Vogël e tokarishtja në Turkestan. Në Azi të Vogël përveç hetitishtes ka qenë folur dhe frigishtja, luvishtja e disa të tjera gjuhë indoeuropiane. Në Gadishullin Ballkanik është folur ilirishtja, trakishtja e makedonishtja. Në Itali veriore ligurishtja e ndonjë tjetër.
Indishtja flitet në një mori dialektesh. Iranishtja përfshin sot persishten në Persi, afganishten në Afganistan, beluçishten në Beluçistan e osetishten në Kaukaz; në kohën antike rrokte, përveç persishtes së vjetër, edhe avestan, gjuhën e Skitëve e të Sarmatëve, e ndonjë tjetër. Edhe armenishtja ndahet në disa dialekte. Greqishtja që në krye të herës paraqitet e ndarë në tri degë kryesore: jonishtja (me atikishten), dorishtja e akeishte-eolishtja. Gjuhët italike përfshijnë dy nëngrupe: latino-faliskishten e osko-umbrishten. Më dysh ndahet edhe keltishtja: gelishtja (me irlandishten në Irlandë e skotishten në Skoci) e britanishtja, ku hyn dhe bretonishtja në Bretagne të Francës; keltishtes i përket dhe gjuha e Galëve të vjetër. Gjuhët gjermanike përfshihen në tri grupe: nordishtja, me islandishten, norvegjishten, suedishten e danishten; grupi perëndimor, me anglishten, gjermanishten, gjermanishten e ulët (sot holandisht) e frizonishten; grupi lindor, sot i zhdukur, që përfshinte gjuhët e Gotëve, Vandalëve, Herulëve, Langobardëve etj. Gjuhët baltike janë tri: lituanishtja e letonishtja në republikat sovjetike të Lituanisë e Letonisë, e prusishtja e vjetër që u tret në shek. xiii. Më trish ndahet edhe sllavishtja: grupi jugor me sllovenishten, serbokroatishten, maqedonishten e bullgarishten; grupi perëndimor me polonishten, çekishten, sllovakishten, serbishten e polabishten, sot e zhdukur; grupi lindor me rusishten (e nënndarjet e saj) e me ukrainishten.
Gjuhët indoeuropiane janë dëshmuar me anë të shkrimit në periodat më të ndryshme, e kështu ato i paraqiten syrit të gjuhëtarit në shkallë të ndryshme të lashtësisë e të zhvillimit të tyre. Ndërsa prej hetitishtes, indishtes e greqishtes kemi dëshmi shkrimi që nga mesi ose mbarimi i mijëvjeçarit të dytë para erës sonë, e nga iranishtja e gjuhët italike që prej antikës, gjuhët gjermanike njihen nga shek. iv i erës sonë, me biblën gotishte; armenishtja nga shek. v; keltishtja (me mbishkrimet e irlandishtes) nga shek. vii; sllavishtja (me sllavishten e vjetër kishtare të biblës së vëllezërvet Cirili e Metodi) nga shek. ix i erës sonë. Gjuhët baltike dëshmohen me shkrime vetëm aty nga shek. xv e xvi. Pokjo gjë vlen dhe për gjuhën shqipe.
Këto gjuhë në sistemin gramatikor e në leksik paraqesin një afëri të tillë në mes të tyre, sa mund të shikohen si gjuhë motra, si degë të ndryshme të një grupi gjuhësor. Kjo është familja gjuhësore indoeuropiane, e cila zë një vend më vete në mes të familjeve gjuhësore të botës. Si dijetari që zbuloi i pari marrëdhëniet e afërisë midis gjuhëve indoeuropiane shihet Franz Boppi. Ai është edhe i pari që – pas vërejtjeve të shpërndara të Xylanderit, Schleicherit e Stierit – me veprën themelore Përmbi shqipen në lidhjet e afërisë së saj, botuar më 1854, me një vështrim sistematik e të gjithanshëm, zbuloi karakterin e shqipes si një gjuhë indoeuropiane. Me këtë vepër u dha drejtimi për gjithë punën e mëpastajme që u krye në lëmë të albanistikës. Megjithëse punoi me një material të kufizuar, Boppi nga vështrimi i formave gramatikore të shqipes – emri, përemri, numërorët, folja etj. – e nga disa elemente të leksikut pa se shqipja bën pjesë në familjen gjuhësore indoeuropiane. Duke kryer një punë pionieri, Boppi u kufizua në ravizimin e vijave të përgjithshme në të caktuar të strukturës gjuhësore të shqipes, pa hyrë në hollësira. Gjithsesi vepra e tij është e para dhe gjer sot e vetmja përpjekje për të parashtruar në një sintezë sistemin gjuhësor të shqipes në karakteristikat që e dallojnë. Punën e tij e vijoi dhe e zgjeroi dija e mëpastajme, e cila përmblidhet në trinomin Gustav Meyer – Holger Pedersen – Norbert Jokli. Këta tre dijetarë, rreth të cilëve u zhvillua me kohë një kurorë e tërë gjuhëtarësh, paraqesin vijën kryesore të studimeve shqiptare. Kjo punë, në të cilën që nga shekulli i kaluar po marrin pjesë edhe Shqiptarët vetë, po vazhdon edhe sot e gjithë ditën, edhe pas vdekjes së këtyre e të tjerëve dijetarë.
Karakteri indoeuropian i shqipes duhet të kuptohet drejt, në këtë vështrim, që jo gjithë pasuria gjuhësore e saj rrjedh nga fondi i lashtë i botës indoeuropiane. Me përpjekjet e paprera të popullit shqiptar me të tjerë popuj gjatë historisë së tij, shqipja më një anë ka humbur mjaft nga visari autokton i trashëguar, më anë tjetër ka marrë nga gjuhët e ndryshme që e kanë rrethuar. Një nga detyrat e gjuhësisë historike është që me një analizë krahasimtare të veçojë një nga një shtresat e elementit të huaj nga fondi gjuhësor i trashëguar. Të kësaj lënde të lashtë indoeuropiane janë ato elemente të cilat gjejnë analogjinë e tyre në gjuhët e tjera indoeuropiane. Hyjnë këtu forma të flekcionit si plak : pleq, me metafoni, nga një *plaki, khs lat. hortus, shm. horti; trajta verbale si mediopasivi shkelem shkele(sh) shkeletë shkelemi shkeleni shkelenë, khs. greq. légomai lége légetai legometha légesthe légontai. Nga leksiku le të përmendim fjalë si ujk ulk : ind. e vjetër vrkah, lat. lupus, greq. lykos, rus. vollk, gjerm. Wolf; natë : lit. naktis, gjerm. Nacht, lat. nox noctis, sllav. noć; dimër dimën : sllav. zima, greq. heimón, lat. hiems, ind. e vj. Himalaja; dhëndër : lat. gener, sllav. e vj. zêtь; i parë : lat. primus, rus. pervii, e shumë të tjera si këto. Përkundrejt këtyre janë huazime fjalë si njëqind, shpatull, vaj, ulli, luftë, paq (nga latinishtja); mokër, dhomë, gjini, shpellë (nga greqishtja); hosten, zakon, vojvodë, kulaç (nga sllavishtja); odë, peshqir, mëhallë, xhep (nga turqishtja) etj. Me përjashtim të një numri të pakët fjalësh të errëta për nga burimi i tyre, etimologjia ka mundur të ndajë këto shtresa të ndryshme të leksikut.
Në lidhje me fjalët thjesht shqipe të gjuhës do shënuar ndërkaq dhe një send tjetër. Jo gjithë pasuria vetiake e shqipes është trashëgim i periodës së lashtë indoeuropiane. Si gjithë gjuhët e tjera, edhe shqipja ka pjellë vazhdimisht fjalë nga lënda e vet, të cilat vërtet nuk janë të huaja, po janë megjithatë relativisht të reja. Këtij toku i përkasin në radhë të parë fjalët onomatopeike, si brohorit, bubullimë, shushurimë, ulurij, hingëlloj, gërhas, hesht, bubulon, bubulak ose “krijime elementare” si gungë, gllënkë, gërrqe, gllup, lluf, hov, hurbë, gogël, popël, flatër, flutur, flegër. Vijnë pastaj sidomos derivatet e kompozitet e mëvona. Kështu nga fjala e moçme ulk ka dalë ulkonjë, nga dimër dimëroj dimëror, nga natë i përnatshëm, menatje etj. Këto rrethana duhet t’i ketë gjithmonë parasysh gjuhëtari krahasimtar, e të ruhet fort të mos krahasojë në planin indoeuropian formime të brendshme kësodore. Brenda visarit autokton është pra e nevojshme të bëhen shtresime kronologjike. Vetëm shtresa e moçme ka të drejtë t’i shtrohet krahasimit me të tjerat gjuhë indoeuropiane. Nuk hyjnë në krahasim fjalë drastike të reja si: (ja) shkrep, pipëtij; kompozite si: tutje, tuke; fjalë fjali si: shtojzovalle, bzaj, vrej, kushtrim.
Kreu ii
Vendi i shqipes në rrethin e gjuhëvet indoeuropiane
Qëndrimi i Boppit – Teoria e Schleicherit, Stierit e Kamardës – Mendimi i G. Meyerit dhe i dijes së sotme:
shqipja gjuhë indoeuropiane veriore dhe satem.
– Konkordancat parciale baltike-shqiptare. – Konkordancat parciale greke-armene-shqiptare. – Konkordancat parciale kelte-shqiptare. – Shqipja si gjuhë indoeuropiane centrale
Shqipja si një gjuhë indoeuropiane ka të bëjë me të gjitha gjuhët e grupit indoeuropian. Po rëndësi për albanistikën ka që të hetohet shkalla e afërisë që e lidh me gjuhët motra. Me fjalë të tjera, duhet të shihet se me cilat nga këto gjuhë ka lidhje më të ngushtë. Me këtë rrugë mund t’i caktohet shqipes vendi që i takon brenda gjirit të gjuhëvet indoeuropiane.
Filozofi i madh Leibniz i kushtoi vëmendjen e tij edhe shqipes. Në letërkëmbimin me disa dijetarë bashkëkohas ai shtroi parimin e drejtë se për të dhënë një gjykim mbi karakterin e kësaj gjuhe duheshin veçuar elementet vendëse të trashëguara nga pjesa e marrë hua prej gjuhësh të tjera; parim ky, të cilin e ka zbatuar gjuhësia më vonë.
Për vendin e shqipes në rrethin e gjuhëvet indoeuropiane Boppi u shpreh në këtë mënyrë që kjo “në elementet e saj themelore nuk ka ndonjë lidhje më të ngushtë, ose, aq më pak, ndonjë lidhje derivacioni me asnjërën nga gjuhët motra sanskrite të kontinentit tonë”.
Dijetarët që erdhën pas Boppit u përpoqën t’i caktonin shqipes vendin që i përket brenda familjes së gjuhëvet indoeuropiane.
Nxënësi i Boppit, August Schleicheri, e përfshiu shqipen brenda Drurit gjenealogjik, me të cilin shtroi teorinë e tij për caktimin e lidhjeve të afërisë që kanë gjuhët indoeuropiane midis tyre. Brenda kësaj skeme shqipja hyn në degën e gjuhëve indoeuropiane të Europës jugore, ku sipas tij bëjnë pjesë italo-keltishtja dhe greqishtja. Ai e vendon shqipen në afërsi të greqishtes e të latinishtes, po më afër greqishtes. Është viti 1863, kur të dy gjuhët klasike besohej se ishin veçanërisht të afra me njëra-tjetrën, prandaj edhe ai i përmblodhi me emrin çifti i familjes pelazgjike. Kjo tezë, të cilën e ndoqi edhe G. Stieri e Dhimitër Kamarda, arbëreshi i njohur prej Horës së t’Arbëreshvet në Siqeli (1821-1882), u pa se nuk ishte e drejtë. U vu re me kohë se greqishtja me latinishten nuk kanë ndonjë lidhje të ngushtë prej epokës prehistorike. As shqipja nuk ka ndonjë të tillë afëri të veçantë me to, megjithëse ka disa konkordanca me greqishten, që do t’i shohim më poshtë. Një tjetër rrethanë që solli ngatërrime në tezën e këtyre dijetarëve qe se këta nuk qenë në gjendje të dallonin huazimet që ka shqipja prej greqishtes e latinishtes, nga fjalët e fondit autokton të saj, duke operuar me ato të parat si të ishin fjalë vendi të shqipes. Në këtë mënyrë dilte një pamje e shtrembëruar e sistemit gjuhësor të shqipes dhe e vendit që i përket në prehërin e botës indoeuropiane.
Një përparim në krahasim me drurin gjenealogjik paraqet teoria e valëve, themeluar më 1871 prej Johannes Schmidtit. Kjo teori afërinë e gjuhëvet indoeuropiane midis tyre e paraqet në formën e rrathëve koncentrikë, të cilat presin njëri-tjetrin. Shqipen J. Schmidti e vendos në një rreth të përbashkët me gjuhët baltosllave më njërën, me armenishten e trako-frigishten më tjetrën anë. Këto dy teori spiegojnë mjaft anë të historisë së gjuhëvet indoeuropiane. Teoria e valëve merr në vështrim më fort gjendjen e këtyre gjuhëve në një kohë të lashtë, para se të shkëputeshin nga njëri-tjetri popujt që i kanë folë; teoria e drurit gjenealogjik ndjek më shumë vijën e zhvillimit të këtyre gjuhëve pasi ishin shkoqur nga trungu i përbashkët e ishin larguar njëra nga tjetra. Teoria e valëve ka një karakter më dinamik, sepse tregon mirë se si çdo gjuhë nuk ka një vend të ngulët, po ka lidhje afërie njëkohësisht nga disa anë, me më se një gjuhë motër. Teoria e drurit gjenealogjik mund të përdoret me dobi sidomos në lëmë të dialektologjisë. E meta e përbashkët e të dy teorive është se duke e marrë zhvillimin e gjuhëve si një proces normal, të paturbulluar nga ngjarje të jashtme, kanë ignoruar realitetin historik. Në të vërtetë gjithë gjuhët kanë pësuar ndryshime për shkak të shtektimeve të popujve që i kanë folë, të përzjerjeve etnike, të luftrave etj. Prandaj edhe afëria gjuhësore është rezultati i disa proceseve historike të ndërlikuara, që është vështirë të kapen me disa skema të thjeshta.
Më 1883 me artikullin e Gustav Meyerit Vendi i shqipes në rrethin e gjuhëvet indogjermane hapet një epokë e re në punën e afërive të shqipes me gjuhët motra. Duke ndarë mirë pasurinë vetiake të shqipes nga elementet e huazimit, pas një analize krahasimtare të sistemit fonetik e të disa elementeve të leksikut, ky dijetar i caktoi shqipes me dorë të sigurtë një vend, i cili në vijë të përgjithshme mbetet i vlefshëm dhe sot e gjithë ditën. Ky vend ësht’i caktuar shkurt me këto dy drejtime: shqipja është një gjuhë indoeuropiane lindore dhe njëkohësisht një gjuhë indoeuropiane veriore:
Gjuhët indoeuropiane i ndajnë në perëndimore (gjuhë kentum) e lindore (gjuhë satem), sipas kriterit të trajtimit të guturaleve palatale (k’, g’). Në grupin e parë, ku hyjnë gjuhët italike, keltike e gjermanike, greqishtja, si dhe hetitishtja me tokarishten në Azi, këta tinguj ruajnë karakterin gutural të tyre, në të dytin ndrohen në spirante, zakonisht në sibilante. Gjuha shqipe këto palatale i paraqet të ndryshuara në spirante interdentale, k’-në në th, e g’-në në dh, po edhe në okluzivin d. Khs. lat. acidus (shqipto akidus) : shq. athët; lat. greq. lego : shq. (mbë)ledh, (zgë)ledh zgjedh; lat. gener : shq. dhëndër lit. zhentas, sllav. e vj. zetь; lat. hiems : shq. dimër.
Në gjuhët indoeuropiane të veriut o-ja indoeuropiane e shkurtër është hapur në një a, kurse në jugoret ruhet si o. Shqipja këtu, si e vuri re Gustav Meyeri e më parë se ai Franz Boppi, shkon me grupin e parë. Khs. në këtë kuptim lat. nox noctis, irland. innocht “sonte”, po shq. natë, lit. naktis, gjerm. Nacht; lat. os ossis, greq. ostéon, shq. asht eshtra.
Një tjetër kriter rendimi përbën rrethana që shqipja f-së latine e ph-së greke i përgjigjet në fjalët e së njëjtës gurrë me një b; duke u afruar kështu me gjuhët e vdekura të Gadishullit Ballkanik: ilirishten, makedonishten e trako-frigishten, e sot me shumicën e gjuhëvet indoeuropiane: me gjuhët keltike e gjermanike, baltike e sllave, me armenishten, iranishten, hetitishten e tokarishten; indishtja e vjetër ka në këto rasa një media aspirata bh; ind. e vj. bharami “sjell”, lat. fero, greq. phero, got. baira, sllav. e vj. kishtare bera brati “mbledh”, arm. berem, shq. bar mbar, bie, ku në imperativin bjerë del r-ja përsëri.
Duke shkuar shqipja nga një anë me gjuhët indoeuropiane lindore, nga ana tjetër me gjuhët indoeuropiane veriore e nga një tjetër anë me b-në e saj me shumicën e gjuhëvet indoeuropiane, shihet se ajo në sistemin e saj fonetik, e do të themi edhe përgjithësisht në sistemin gjuhësor, largohet mjaft nga të dy gjuhët klasike, greqishtja e latinishtja, ku e kishin venduar Schleicheri, Kamarda e të tjerë. Njëkohësisht me këto tipare është caktuar mjaft qartë vendi i saj në gjirin e botës indoeuropiane. Tani mund të shkohet edhe një hap përpara e të pyetet se me cilat nga gjuhët motra ajo ka një afëri më të ngushtë.
Në kuptimin e teorisë së valëve të Johannes Schmidtit, si çdo gjuhë indoeuropiane, edhe shqipja ka lidhje afërie në drejtime të ndryshme, afrime me disa nga gjuhët e tjera të këtij grupi. Në këtë mes nuk çojnë peshë në punë të afërisë ato konkordanca që i kanë shumë nga këto gjuhë, fjalë si motër, vjehër, ulk, ari, dimër, ditë, natë, gardh, dhënë. Rëndësi përkundrazi kanë konkordancat parciale, ato barazime (ekuacione) të veçanta që gjinden midis vetëm dy ose shumë-shumë midis disa pak gjuhëve.
Në këtë vështrim shihet se shqipja paraqet mjaft konkordanca leksikore ose isoglosa me gjuhët baltike (lituanishten, letonishten, prusishten e vjetër). Pas rrugës që pat çelur këtu Gustav Meyeri është merita e Norbert Joklit që i pa këto afëri në një pamje më të gjerë. Ato sipas tij përfshijnë këto sfera të jetës: bujqësi, pyje, punim i drurit, punim i qumështit, ekonomi shtëpiake, emra bimësh, ndërtime të kohës e të motit, emërtime të sferës sociale e juridike. Këtyre pas mendimit tonë duan shtuar dhe këto: teren e ujëra, shtazë, bagëti, pjesë të trupit e sëmundje. Në këto konkordanca merr pjesë dhe ndonjë tjetër gjuhë indoeuropiane. Le të përmendim ndër këto: çel (çel zjarrin “ndez zjarrin”, çel zogj): lit. skeliù “çaj”, skiliu “çel zogj”, let. skiltiês “çelin zogjtë”; djeg: lit. degù “djeg”, sllav. zog “zhog”, ind. e vj. dahati “ai djeg”; emër emën : prus. e vj. enmen, sllav. e vj. ime; legatë ligatë : lit. liugas “moçal”, sllav. e vj. luža “lëgatë”, serbokr. kaljuga “hurdhë”; lëndë landë : lit. lenta “dërrasë”; i lig “i sëmurë, i keq”: lit. ligà “sëmundje”, greq. oligos “i pakë”; mal : let. mala “buzë, skanj, anë, breg”, rum. mal “breg, bregdet”; mat : lit. matuju “mat”; me mat lidhet dhe fjala mot, e kësaj i përgjigjet lit. metas “kohë, vit”, lit. mets “periodë, epokë”, prus. e vj. mettan “vit”; nergut “me qëllim”: lit. noriù “dua”, noreti “me dashtë”. Pikat e takimit midis shqipes e gjuhëvet baltike, nga të cilat u dha këtu vetëm një pjesë, tregojnë se këto dy degë gjuhësore, që sot gjeografikisht janë aq larg nga njëra-tjetra, në një periodë të lashtë prehistorike kanë qenë fqinjë njëra me tjetrën, diku në Europën verilindore. Ndërkaq është për të vënë re se në marrëdhëniet e veçanta të shqipes me baltishten marrin pjesë herë edhe gjuhët gjermanike, herë edhe gjuhët sllave. Nga konkordancat balto-sllave-shqiptare le të përmendim këtu vetëm sistemin e numërimit prej 11 gjer 19 me mbledhje, tipi shq. njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, sllav. e vj. jedinz na deset, dъva na deset. Kështu dhe lituanishtja, letonishtja e prusishtja e vjetër. Prej sllavishtes ky sistem numërimi ka hyrë dhe në rumanishten.
Shqiptarët e Grekët jetojnë në Gadishull të Ballkanit në një fqinjësi prej afërsisht 3000 vjetësh. Marrëdhëniet që janë zhvilluar midis gjuhëve të tyre gjatë kësaj kohe i përkasin periodës historike të këtyre. Të një kohe më të lashtë, të periodave prehistorike të së dy gjuhëve, janë disa konkordanca parciale, të cilat rrjedhin prej djepit paraballkanik të këtyre. Nga këto konkordanca greke-shqiptare le të përmendim: balgë bajgë : greq. bólbiton “bajgë”; darkë drekë : greq. dorpon “darkë”; dhjamë : greq. demos “dhjamë”; elb : greq. alphi álphiton “elb, drithë”; hudhër, në arbërishten e Italisë hurdhë : greq. skorodon “hudhër”; pelë : greq. pōlos “mëz”.
Një kapitull interesant nga historia e shqipes dhe nga historia e armenishtes përbëjnë konkordancat armene-shqiptare. Sot Armenët janë një komb i Azisë, po Herodoti i bie të ardhur nga Frigasit që rronin në pjesën veriperëndimore të Azisë së Vogël; dhe më parë duket të kenë banuar në Gadishull të Ballkanit, diku në afërsi të stërgjyshëve të Shqiptarëve. Për një të tillë fqinjësi të lashtë dëshmojnë konkordancat e të dy gjuhëve, të cilat i vuri në dukje i pari dijetari danez Holger Pedersen, njëkohësisht albanist e armenist i shquar. Le të përmendim ndër këto marrëdhënie: shq. butë : arm. but’ “i butë, pa majë”; shq. thep : arm. sep “thep, majë”, po dhe lat. cippus “shtyllë me majë”; shq. zë zëri, zâ zani : arm. ∆ Ëain (shqipto xhain) “zë”, po edhe sllav. zvonъz “kumbim, tingull”. Për afërinë e shqipes me armenishten meriton një vëmëndje të veçantë ky mendim i Pedersenit1: “Shqipja, e cila mund të këqyret se rri në mes të armenishtes e të sllavo-baltishtes, po të ish njohur si gjuhë në një mënyrë më të plotë, ka të gjarë se do t’i afrohej armenishtes shumë më tepër nga ç’i afrohet kësaj sllavo-baltishtja”. Me rëndësi është në këtë mes edhe mendimi i N. Joklit2 se ka një periodë në historinë e shqipes, ku kjo ka pasur marrëdhënie gjuhësore me iranishten e armenishten.
Në lidhje me marrëdhëniet e shqipes me greqishten nga njëra anë, me armenishten nga ana tjetër do shënuar se greqishtja me armenishten kanë në mes të tyre lidhje që janë më të ngushta nga ç’janë marrëdhëniet e secilës nga këto dy gjuhë me shqipen. Për këto lidhje greke-armene nuk është vendi të flitet këtu. Vetëm do vënë re, në lidhje me ç’u tha më sipër për marrëdhëniet e veçanta të shqipes me secilën nga ato dy gjuhë, se – sikundër vuri re Pederseni – në disa izoglosa greke-armene merr pjesë edhe shqipja si partenare e tretë. Khs. venë verë : greq. oinos, arm. gini “verë”; ëndër andër : greq. onar, óneiros : arm. anur∆ Ë “ëndër” (∆ Ë = xh); laj : greq. loúo “laj”; arm. loganam “lahem”. Këtyre ne u shtojmë edhe ag “errësirë”, agon : greq. orphne “errësirë : arm. arjn “i murmë”; vend, vise (shumësi i vjetër i vend-it) : greq. oudas “truall” : arm. getin “truall”; zëmër zamër “iqindi” : greq. hemera “ditë” : arm. aur “ditë”. Këto barazime tripjesëshe shtien një dritë të re përmbi prehistorinë e shqipes dhe dëshmojnë për një afërsi gjeografike e gjuhësore të saj me greqishten e armenishten në një kohë të lashtë.
Për prehistorinë e shqipes janë me rëndësi edhe konkordancat kelte-shqiptare. Këto sipas N. Joklit, i cili u ka kushtuar një punim të veçantë, përfshijnë emra bimësh e drurësh, kafshësh shtëpiake, dukurish klimatike, fjalë të lidhjeve shoqërore, emra farefisnie e pjesësh të trupit. Khs. p.sh. bërshê “Taxus baccata, tis” : gel. eburo – në emra visesh, irland. ibar “tis”; gju glu (prej glun) : irland. e vj. glun “gju”; shpend : kymr. etn “shpend” (prej pet-). Këtyre ne u shtojmë ndër të tjera mat “buzë lumi, breg”, bashkë me emrin e lumit Mat : irland. math “rërë”. Një gjë që bie në sy në këto marrëdhënie shqiptare-kelte është se në to, pas mendimit tonë, merr pjesë nganjëherë edhe greqishtja, duke dalë kështu disa barazime tripalëshe, poashtu si barazimet greke-armene-shqiptare që u panë më sipër. Khs. shq. dem : irl. e vj. dam “kau”, greq. damalis “mëzat”, damale “mëzorë”, po edhe ind. e vj. damya “mëzat që do zbutur”; pelë : irl. lair “pelë”, greq. pólos “mëz”; nëmë namë : irl. e vj. namae “armik”, greq. nomos “ligj, zakon”, némesis “mëri, mëri e drejtë, hakmarrja hyjnore”. Midis botës kelte e botës shqiptare ka disa afëri të shënueshme edhe jashtë gjuhës, në lëmë t’etnografisë. Nga këto po përmendim si një element të përbashkët fustanellën, që gjindet në Ballkan gjithkund aty ku ka ose ka pasur Shqiptarë, ka qenë në përdorim dhe te Trakasit e vjetër, e na del më anë tjetër te kilti i Skocezëve.
Në lidhje me këto marrëdhënie të veçanta të shqipes me disa gjuhë ose grupe gjuhësh indoeuropiane fjala e fundit ende nuk është thënë, po mbetet mjaft punë për të kryer.
Një gjë që ka rëndësi në këtë mes është puna e kronologjisë, të dihet pra se të cilës kohë janë këto konkordanca parciale. Pa mundur të caktojmë këtë me saktësi (kronologji absolute), mund të pyesim se cila sosh është e një periode më të moçme e cila e një më të reje (kronologji relative). Në këtë vështrim mund të thuhet se marrëdhëniet kelte-shqiptare janë më të reja se marrëdhëniet balte-shqiptare, greke-shqiptare e armene-shqiptare. Për këtë gjë flet historia, sepse lidhjet që kanë pasur Keltët me popujt e Ballkanit të moçëm, sidomos me Ilirët, kanë vazhduar gjer në periodën historike. Prandaj edhe lidhjet gjuhësore kelte-shqiptare janë për një pjesë të asaj epoke.
Së fundi duan përmendur disa grupime të shqipes, që nisen nga kriteri i gjuhëve anësore (marginale) e i gjuhëve qendrore (centrale), kriter i zbatuar në fushën indoeuropiane sidomos prej linguistit freng Antoine Meillet e prej linguistit italian Matteo Bartoli. Meillet latinishten, keltishten, gjuhët gjermanike e gjuhë balte-sllave i pa si gjuhë marginale, greqishten e armenishten si gjuhë centrale. Sipas Bartolit shqipja piqet me baltishten më fort në konservime sesa në inovacione, me greqishten më fort në inovacione sesa në konservime. Kjo tezë ka ndeshur në kritikën e N. Joklit. Një mendim të afërm me këtë ka edhe Milan Budimiri. Sipas këtij dijetari iliro-trakishtja me shqipen e armenishten nuk janë më afër indo-iranishtes e balto-sllavishtes sesa greqishtes, gjuhëvet italike, kelte e gjermanike, dhe zënë më shumë një vend central brenda rrethit të gjuhëvet indoeuropiane. Afërsisht pokështu edhe gjuhëtari italian Giuliano Bonfante në shqipen, armenishten, greqishten e hetitishten sheh gjuhë indoeuropiane centrale. Mbetet të shikohet zhvillimi i këtyre teorive. Në vjetët e fundit me çështjen e pozicionit gjuhësor të shqipes merret edhe V. Pisani L’albanais et les autres langues indoeuropiennes (1950).
Duke përmbledhur do të themi se në vështrimin e teorisë së valëve të Johannes Schmidtit shqipja paraqet lidhje afërie të veçantë në më se një drejtim, me disa nga gjuhët motra indoeuropiane. Më të shumat konkordanca parciale i ka me gjuhët baltike; po nuk mungojnë pika takimi të shënueshme me greqishten, armenishten e keltishten, nganjëherë me barazime trianëshe. Duke u njohur me kohë më mirë leksiku i shqipes e duke iu shtruar ky analizës e sintezës krahasuese, është për të shpresuar që vendi i saj në gjirin e grupit gjuhësor indoeuropian të caktohet më saktë.
Please follow and like us: