Albspirit

Media/News/Publishing

Gavrosh Haxhihyseni: ALGORITMI SIMBOLIK

Vërtet habitem me logjikën e mbrapshtë të pseudo-gjuhëtarëve të sotëm që janë shtuar si buburrecat nëpër shtëpi.
Pra, sipas tyre gjuha shqipe është 6000 vjeçare, këto ditë ka dalë dhe varianti 9000 vjeçar. Aferim u qoftë! I’a kanë kaluar dhe gjenezës biblike që thotë se njeriu i parë, Adami, u krijua 6000-10000 vjet më parë.
Por nuk kuptoj nga cilat kritere nisen që përcaktojnë afatin kohor të lindjes së një gjuhe. I vetmi kriter që kanë në dorë është etimologjia, gjuhësia historike, krahasuese etj, sepse në mungesë të formës së shkruar ne s’mund të gjejmë asnjë thërmijë nga gjuha e folur 6000 apo 9000 vjet më parë. Për fat të keq në shkëmbinj dhe në trungje të pemëve nuk regjistrohet zëri as të mbetet si jehonë në ajër.
Thonë këta “dijetarët” tanë se dikur në kohë të stërlashta ekzistonte një krahinë e madhe që quhej pellazgji dhe banorët e saj flisnin pellazgjisht, se ata kishin një alfabet të tyre të ngjashëm me sanskrishten e Indisë e cila, tek e fundja, e kishte huazuar atë nga pellazgët. Artifaktet që provojnë këtë gjuhë të shkruar mungojnë plotësisht dhe shpesh konfondohen me sanskrishten, armenishten,etj.
Në këtë perandori pellazge futeshin dhe ilirët, por ndryshe nga territoret e mëdha të Pellazgjisë që u pushtuan nga dyndjet e Hunëve, keltëve, gotëve, sllavëve, etj dhe popullsitë autoktone u asimiluan nga pushtuesit barbarë, shqiptarët vijuan të pandërprerë ekzistencën e tyre autentike, në linjën kohore nga pellazgët, tek ilirët deri tek arbërorët. Ata mbetën të vetmit popuj të pa cënuar dhe të paasimiluar nga e gjithë popullata pellazge që zinte gjysmën e Europës e më tej.
Pra shqiptarët e sotëm janë pasuesit direkt, të vetmit të mbetur nga pellazgo-ilirët dhe traditat e tyre, ndonëse primitive, gjuha e folur ekstrapolohen deri në kohët pellazge.
Unë nuk dua të merrem me qëndrimin zyrtar të shkencës sonë albanologjike mbi origjinën e gjuhës shqipe, por dëshiroj të konfrontoj idetë me “gjuhëtarët” jo zyrtarë që sajojnë lloj-lloj teorish për të provuar këtë vazhdimësi pellazgo-iliro-shqiptare edhe popullin e vogël në siujdhesën e Ballkanit tek të cilët gjejmë gjurmët, rudimentet e pellazgëve në tradita dhe gjuhë.
Së pari, nuk duhet të mburremi se jemi të vetmit autoktonë të mbetur prej mijëvjeçarësh në Europë.
Kur e pyes sekretarin tim dixhital se kush janë popujt më të vjetër autoktonë në Europë, ai më jep një përgjigje befasuese. Të tillë, thotë ai, janë Baskët në veri të Spanjës dhe jug-perëndim të Francës, indigjenët Sami në veri të Norvegjisë, Suedisë, Finlandës dhe një pjesë të Rusisë dhe Sardenjasit me një kod të ndryshëm gjenetik, me gjuhë të veçantë dhe zakone e tradita që shkojnë thellë në histori.
Ai nuk e përmend racën tonë askund. S’i vë faj sepse, fundja makinë është dhe gabon, por të mos mburremi se jemi të vetmit. Ndoshta, në të ardhmen, një test krahasues i ADN për popujt e Ballkanit do të na tregonte më qartë origjinën edhe autoktoninë e banorëve të kësaj pjese të Europës.
Unë s’mund të merrem me të gjithë sharlatanët që lëvrojnë me entuziazëm patriotik lashtësinë e gjuhës sonë, por do të merrem me korifeun e tyre, të ndjerin Petro Zheji i cili ka bërë hulumtime të thelluara e ngulmuese në lëmin e gjuhës shqipe dhe vjetërsinë e saj.
Unë nuk e kam lexuar opusin pseudo-shkencor të këtij eruditit tonë eremit dhe jo nga neglizhenca, as nga përtesa porse e kam lënë që në faqet e para kur në hyrje ai na thotë se gjuha shqipe është nëna e të gjitha gjuhëve të botës, është gjuhë hyjnore, primordiale, para Babeliane, etj duke i dhënë kërkimeve të tij një happy ending mistik, universal. Metoda e hulumtimit të Zhejit mbështetet në ‘algoritmin simbolik’ një qasje që, sipas tij, pretendon se të gjitha gjuhët e botës kanë të fshehura në brendësi të fjalëve simbole që përfaqësohen prej saj. Por asnjë gjuhë e botës nuk është në gjendje t’i nxjerrë në sipërfaqe këto simbole; vetëm gjuha shqipe është e aftë t’a bëjë këtë dhe prej saj të kuptojmë dhe simbolet e fshehta në të gjitha gjuhët e botës.
Po ç’është një algoritëm simbolik në shkencën e sotme?
Është një metodë llogaritje që funksionon me simbole apo shprehje dhe jo me vlera numerike. Ai manipulon me shprehjet mathematike ose me simbolet logjike për të kryer operacione, për të zgjidhur ekuacione, për të thjeshtuar shprehjet, apo për qëllime të tjera. Algoritmet simbolike përdorin variable, konstante, funksione dhe operacione matematike për t’u bërë të përdorshme në shprehje abstrakte matematikore. Ndryshe nga algoritmet numerike që kanë të bëjnë me vlera specifike, algoritmet simbolike fokusohen në paraqitjen simbolike të shprehjeve matematike. Duke vepruar në nivel simbolik, këta algoritme japin zgjidhje të sakta, manipulojnë shprehje komplekse dhe kryejnë me saktësi veprime algjebrike.
Algoritmet simbolike përdoren gjerësisht në matematikë, shkencat kompjuterike, inxhinjeri dhe fizikë.
A mund t’a aplikojmë këtë metodë në gjuhësi, a ka algoritme gjuha? A kanë algoritme fjalët e veçuara?
Po, fjalët e një gjuhe mund të interpretohen sipas një algoritmi simbolik. Në analizën gjuhësore, fjalët shikohen si simbole që mbartin një kuptim në formën dhe kontekstin e tyre. Fjala mund të copëtohet sipas zanoreve që e përbëjnë atë (fonemat) dhe sipas kuptimit (semantika) e cila pastaj mund të kuptohet dhe proçedohet përmes një vargu rregullash dhe strukturash simbolike. Psh, në gjuhën e kompjuterave, teknikat e analizës leksikore përdorin algoritme simbolike për të analizuar dhe interpretuar fjalët e veçanta brënda një teksti që bazohet në rregulla dhe modele të paravendosur.
Po në shkencat gjuhësore a përdoret kjo metodë?
Jo, nuk ekzistojnë algoritme simbolike në kuptimin teknik siç i gjejmë në gjuhët e programuara. Natyrisht ekzistojnë rregulla, struktura dhe modele që tregojnë si përdoren fjalët dhe simbolet për të përcjellë kuptim në komunikimin mes njerëzve. Linguistika, studimi shkencor i gjuhës merret me këto struktura dhe rregulla. Sintaksa, semantika, fonetika, etj janë disa nga fushat që na ndihmojnë për të kuptuar si funksionon gjuha.
Të kthehemi tek gjuhëtari ynë.
Aplikimi i kësaj metode të shkencave ekzakte në shkencën e gjuhësisë, në mos qoftë një qëndrim snob i autorit, është thjesht i pazbatueshëm. Shkenca gjuhësore, ndryshe nga shkencat ekzakte ka variable të tjera që ndryshojnë sipas rrethanave historike, kushteve gjeografike, ekonomike, politike etj. Si e tillë ajo s’mund të jetë saktësisht të kuptueshme dhe e manipulueshme.
Por enciklopedisti Zheji ndërton një metodë të tërë që ai vetë e quan Algoritmi simbolik për të shpjeguar se gjuha shqipe është më e vjetër se sanskrishtja, madje përmes saj mund të shpjegohen dhe fjalët e të gjitha gjuhëve të botës, se kjo gjuhë primordiale hyjnore”, para Babeliane e ka strukturën e fjalëve të mbështetur në simbolet e një gjuhe primordiale simbolike dhe mistike.
Psh, thotë Zheji, fjala gjermane ‘sterben’ (me varrosë) nuk ka asnjë kuptim simbolik për gjermanët por ajo shpjegohet nga shqipja, ‘sterrë bën’, dmth kur varrosesh bëhet sterrë, natë, e zezë dhe simboli është ngjyra e zezë.
– Emri hebre Emmanuel që në hebraisht do të thotë ‘zoti është me ne’, shpjegohet me shqipen “â me ne ylli”, (asht me ne Zoti)
E shembuj të tillë janë pa fund.
Por gabimi kryesor që bën Zheji është se ai e mbështet simbolizmin e tij në zanafillën Biblike duke lënë plotësisht pas dore një histori njerëzore që mbështetet në ligjet e evolucionit dhe që kulmoi në kohën e antikitetit me aq shumë dijetarë e filosofë.
Të mbetesh në misticizmin judeo- kristian për të motivuar teorinë e tij të simboleve është horizont i ngushtë që nuk shpreh të vërtetën.
Të anashkalohen etapat e evolucionit të njeriut në tokë, historia e zhvillimit intelektual të tij dhe faktorët historikë që ndikuan në formësimin e gjuhëve si mjet komunikimi është një alogjizëm i mirëfilltë.
Zheji e redukton çdo deduksion të simbolikës së tij në misticizëm, në interpretimet e botës sipas ngjarjeve Biblike dhe rreket të provojë se gjuha shqipe është gjuhë hyjnore, gjuhë e perëndive dhe mëma e të gjitha gjuhëve.
Unë s’dua të futem në misticizëm dhe në të pavërtetat e librave të shenjtë. Këtë e kam bërë gjerësisht në shkrimet e mëparëshme ku tregoj shumë arsye pse jam kundër kësaj qasje ndaj, natyrisht, kur shikoj një autor që e mbështet shtjellimin e tij mbi gjuhësinë si dhunti e perëndisë atëhere unë e braktis atë autor si një gjë të pavlerë.
Sa i përket gjuhës sonë, të cilën e vlerësoj pa masë, me modesti do t’më mjaftonte teza e fundit e studiuesve seriozë se gjuha shqipe është një nga tre gjuhët më të lashta të trungut Indo-Europian bashkë me greqishten dhe armenishten dhe se kjo gjuhë minore është ruajtur e pa tretur nga thellësitë e shekujve.
Dhe më në fund, më thoni, o miq, në cilin vënd tjetër të botës njerëzit merren kaq masivisht dhe ethshëm me origjinën e gjuhës së tyre. Thua se s’kanë punë tjetër më të dobishme për të bërë!
Please follow and like us: