Poezi patriotizmi dhe atdhedashurie
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Rrënjët janë të gjalla
Po vjen një risi e re për kohën. Në këto vite të demokracisë u hoq dorë nga poezia patriotike, u hoq dorë nga atdhedashuria, nga mirësia, nga bujaria dhe zunë vend anët më negative të një shoqërie primitive, të një shoqërie pa atdhe, pa dinjitet, pa dashuri njerëzore, por vetëm tek grabitja, tek pasuria, tek vrasja, tek leku…
Libri me poezi “Unë jam unë” i poetit Pandeli Koçi (Sazan Goliku), na vjen krejt ndryshe. Autori ja dedikon “baba Koços, për shpirtin atdhetar që më dhuroi”. Kjo ndjenjë madhore e çdo shqiptari atdhetar është përshkruan në të 68 poezitë e librit. Autori në heshtje ka bërë një ndarje në sytha që ju japin një kuptim më të plotë të gjitha poezive. Kështu në sythin “Rrënjët e gjalla” me plot 20 poezi, thekson se çdo gjë është shqiptare, me heronj dhe dëshmorë të historisë të popullit shqiptar në shekuj… Autori në çdo poezi, në çdo gërmë bën thirrje për të ngritur dhe gjallëruar shpirtin atdhetar këtë virtyt të trashëguar nga të parët tanë, sepse në poezinë e tij “gjaku ynë, gjak i dëlirë/ rrjedh në deje çelik i shkrirë… Nëpër luftëra çarë, coptuar/ thellë në zemër i bashkuar…”. Ndërsa tek poezia “Peshorja” me mjaft krahasime dhe epitete të lartësuara qartëson se “Mbi sup të Hyjneshës qëndroj Liria…të qaj me lot gjaku si gjithë Shqipëria”.
Poezitë e tij ju drejtohen legjendave të kohës, Ukshin Hoti, ku “edhe pa mua liria do të vijë”; Jusuf Gërvallës, “në gjakun tënd prushime guximi”; Mustafa Matohitit “ra përmbys, toka u rëndua/ një shqiponjë që fluturonte drejt gurëve të Labërisë”; Qeriba Derrit “kur vdekjen e pështyn e vdekja skuqet në fytyrë”. Të gjitha poezitë në këtë syth janë për njerëz heroik si Havaja e Gjolike, Shote Galicës, Zylë komites, Sali Nivicës, Mehmet Shpendit, Isa Boletinit me “qeleshja e bardhë, kreshtë e trimërisë, zemra jote shqipe, krahë i dha lirisë…”.
Poezi të tjera presin radhën për t’u shpalosur në erë dhe suferinë në trupin e Shqipërisë, si mos u beto, o bacë për pushkën, për ty këndon në çdo gjen shqiptar o Hasan Prishtina; apo poezia “Përmendore për Idriz Seferin” “njeriu u bë shkëmb, ngjalle prapë ti shkëmbin…”; ndërsa në poezinë “Çelin shkronjat lelëkuqe” shprehet “ish burgosur gjuha shqipe, asnjë fjalë nuk shkruhej shqip…”. Pastaj vjen poezia “Emnaket” ku “Nora e Kelmendit bukuri e vrarë, Nora e Hotit burim lart në mal…”, për të vijuar me “Kryengritësi i madh”, “Gjin Bua Shpata” dhe “Teuta”.
Sythi “Krenari shqiptare” përshkruan “Dritë për sy e prush për zemër” që bën fjalë për Barletin, Buzuk, Bogdan, Pjetër Budi, Naim, Gjergj Fishta e Çajup, Ndre Mjeda, Migjen, Gërvallë e Kutel. Pastaj rendin poezitë për Hasan Tasimin, Spiro Çallëka, Xaje Nures, Qerim Ujkanit, shkëmbenjve të Sulit, etj.
Në sythin me poezi “Përgjigje për një pyetje” zënë vend poezi të spikatura me temë për kombi, Struggle for life, këngë për Çamërinë, bisedë në largësi, dramë, përgjigje për një pyetje, sfinksi modern, Kosovë, mars 1990, këngë për vitin ’81, Masakra e Hormovës, thellësi mitike dhe Sazani, etj, etj.
Se jemi shqiptarë
Autori në të shumtën e poezive e hedh syrin tek rilindasit dhe atdhetarët e vërtetë. Nëpërmjet përshkrimit të tyre duket se na thotë se ata duhen lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë dhe pavarësisë së saj, ishte një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: rizgjimin e Atdhedashurisë. Lidhja e Prizrenit, e cila pasoi Kongresin e Berlinit, shënon përpjekjen e parë për institucionalizimin e nacionalizmit dhe njëkohësisht të kombit shqiptar. Kërkesat e saj ishin bashkimi i trojeve shqiptare në një territor të vetëm me autonomi të plotë nën Perandorinë Osmane. Kështu lindi nocioni i Shqipërisë Etnike, ku për herë të parë shqiptarët do të shprehnin aspiratat e tyre kombëtare.
Por, këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim, thirrjet e zjarrta: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar” dëshmojnë një të vërtetë tepër të qartë dhe dëshpëruese. Një pjesë e shqiptarëve ishin ftohur prej Atdheut të tyre. Turqizimi i qindramijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjesë tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmojnë se ndjenja patriotike e një pjesë të shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin Atdheun e tyre me një Atdhe tjetër, një pjesë kishin turp të quheshin shqiptarë, të tjerë me lehtësi viheshin në shërbim të forcave kundërshqiptare.
Rilindasit u përpoqën shumë t’i bindnin shqiptarët se nuk duhet të turpëroheshin nga vendi i tyre. Ata kishin një Atdhe të bukur, kishin një gjuhë madhështore, një prej 6 gjuhëve themelore të Europës dhe një nga 10-12 gjuhët themelore të Botës. Ata ishin racë e bukur trupërisht dhe tepër të aftë mendërisht, se kishin një histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin një arsye për t’u ftohur me Atdheun, por përkundrazi, për t’u afruar më fort me të. Aksioni i tyre për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madh dhe më i gjëri aksion kulturor në krejt historinë tonë shqiptare. Rrallë herë emërtimi i një lëvizje përkonte plotësisht me qëllimin e saj, ashtu si në rastin e Rilindjes Shqiptare. Në të vërtetë ishte ajo që Rilindi Shqipërinë, ose me saktë, ishte ajo që lindi Shqipërinë moderne.
Autori pothuaj në të gjitha poezitë i bën thirrje të birit, si dikur rilindasit, që të mos i trembet së ardhmes. Dallgët e jetës janë të mëdha ashtu si dhe tërmetet, që janë rrëmbimtarë, të gjitha ndodhitë kanë fytyrë të ndryshme e që nuk mund t’i njohësh, bir, por autori thekson se puna dhe djersa më e mënçur se e sotmja pa sy, nesër pa tjetër që do të jetë. E panjohura gjithmonë është mur mjegulle, ndaj duhet bir ta dish. Liria për çdo njeri ka krahë e zemër shqiponje. Autori i tregon të birit se lindëm në luftë, mes luftërave u rritëm dhe po ramë në luftë, prapë gjallë do të jemi. Amanet i thotë të birit ta dish: “se jemi shqiptarë”.
Poezitë kanë frymë rilindje, kanë erë shqiptare, kanë madhështinë e fjalës dhe të frymëzimit për atdhedashuri. Këtë e kërkon koha, e kërkojnë dhe poezitë e Sazan Golikut. Gjuha e përdorur në poezi është e thjeshtë, e pastër dhe e qartë. Dukshëm ajo bën thirrrje dhe për mbajtjen fort të saj, në shpirtin e çdo shqiptari, në këto kohë të errëta dhe të trubullta që po jetojmë, kur jo larg nesh troket lufta dhe ka marrje jetësh të pafajshme. Libri “Unë jam unë” është një libër që i bënë thirrje çdo shqiptari për atdhedashuri…
Njohje me autorin
Sazan Goliku, emri letrar i Pandeli Koçit, lindur në qytetin e Vlorës në një familje me tradita atdhetare nga Tepelena. Ka kryer studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës.
Ka punuar mësues, gazetar dhe redaktor letrar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 ka përgatitur për botim në Republikën e Shqipërisë letërsi të krijuar në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Ka qenë lektori i parë i këtij krahu të letërsisë në Universitetin e Tiranës.
Nga viti 1981-2002 ka punuar në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë, krijime letrare për fëmijë, tekste këngësh, kritikë letrare, ese etj. Ka fituar disa çmime letrare vendore dhe kombëtare.
Disa libra të botuara janë: “Pasqyra e thyer”, 1972; “Lule drite”, 1977; “Grusht”, 1981; “Intimitet”, 1987; “Aventurat e lirisë”, 1995; “Epidemi kozmike”, 1996; “Ëndërr dashurie”, 1996; Komitet e Malit të Bardhë”, 1999, 2011; “Petalet e rena”, 2001; Trekëndëshi i qiellit të zi”, 2006; “Turbull”, 2007 dhe “Shpirtdehje”, 2011.