Albspirit

Media/News/Publishing

Fabiola Marku: 7 Mars

Nëse jo gjuhësh të huaja, do të isha bërë mësuese e gjuhës shqipe, por kurrsesi tjetër profesion. Që gjashtë vjeç e dija. E shikoja me admirim dhe doja t’i ngjaja asaj. Në fundin e klasës së parë, më pati mungu mësuese Arta shumë. Shtatori sikur u vonua atë vjeshtë.
S’para kishte njeri kohë të më pyeste për emocionet, por edhe sikur, me siguri nuk do të kisha mund me qenë mjaftueshëm e qartë se përse korriku dhe plazhi i gushtit të asaj vere më gjetën me Abetare dhe një laps plumbi jeshil me gomë të harxhuar. E mendoja shpesh mësuese Artën. Disa herë gjatë vitit shkollor e kisha thirrur “mami” kur më duhej ta pyesja. Besoj që u ndodh të gjithë fëmijëve kur për herë të parë kalojnë disa orë me një grua tjetër që s’është mami. Kushton pak derisa të ndodhë shkëputja e plotë.
Kur je i vogël, aq sa ke dëshirë të flasësh, do edhe të kuptohesh pa folur.
Pastaj rritesh disi e në vend të një mësuesi që të mësoi shkronjat e numrat, të tjerë ndërrohen çdo orë të të mësojnë se si përdoren shkronjat e numrat.
Sigurisht s’i shikon të gjithë me të njëjtin admirim, se je rritur dhe s’kanë pse të të pëlqejnë të gjithë, por ka gjithmonë një mësues që të mungon edhe kur je në plazh.
Kur në klasën e tetë mësuesja e gjuhës shqipe më thirri në bibliotekë dhe më dha një stilolaps të kuq bashkë me një detyrë të gjatë të një nxënësi tjetër, ndjeva përgjegjësi por edhe siguri.
“Ti mund ta bësh” më tha. E dija që do ta bëja mirë. Shikimi drejt e në sy dhe dora e saj mbi supin tim pasi vërejti se kisha nënvizuar edhe gabimet më të imëta drejtshkrimore a kuptimore mes rreshtave analizash të fjalive të gjata me nënrenditje, më lidhi përgjithmonë me morfologjinë e sintaksën.
Ajo punoi shumë me mua. Pas asaj dite më thirri shpesh në bibliotekë për të më pyetur se ç’libër kisha lexuar atë fundjavë apo se cili ishte kapitulli që më kishte pëlqyer më tepër. Më sugjeronte edhe të tjerë. Iu bëra e pandashme.
Unë kam qenë fëmijë i pasigurtë. Ishte ajo që më detyroi të besoja në saktësinë time. S’ia lëshova dorën deri ditën e fundit të mësimit. Në festën e daljes në pension qava shumë.
Largimi i saj më rriti disi dhe verën e atij viti mësova të qasem ndryshe me njerëzit e, sidomos me ata kalimtarë në jetën tonë.
Me gramatikën e gjuhëve të huaja, falë gjuhës mëmë, gjithçka e pata çdo vit e më të lehtë. Mësuesja ime e italishtes vazhdon të ngjajë me një ëngjëll.
Në Universitet fillimisht mezi u përshtata si vajzë nga rrethet, por gjithçka mori kuptim kur unë u binda se notat janë veç shifra dhe se pavarësisht se nuk isha më e mira, ambicia për t’i ngjarë më të mirës aty, më mbajti të lidhur fort me dëshirën e mësimdhënies, me ëndrrën e mësimdhënies.
Në Universitet kuptova se sa me fat kisha qenë gjatë gjithë atyre viteve qysh prej Abetares, duke u gjendur pranë mësuesesh gra të mençura, të zonjat në profilin e tyre dhe shumë frymëzuese për natyrën time të butë që lehtësisht ua merr më të mirat njerëzve me të cilët rrethohet.
Sot e them me krenari se nuk do të heq dorë kurrë nga ky profesion. Në mos në Shqipëri, kudo tjetër. Por këtë jetë unë kam vendosur t’ua dedikoj fëmijëve si nënë e nxënësve si mësuese.
Nëse je një ish nga mësuesit e mi që po e lexon këtë: Gëzuar 7 Marsin dhe FALEMINDERIT! Të admiroj si atëherë.
Please follow and like us: