Shefqet Meko: DITËLINDJA E NJË ISH-KRYEMINISTRI
-Nuk e kam takuar kurrë, por dikur pushteti i tij ka “jetuar” në botën time intelektuale-
Sot, ditëlindjet e shumë njerëzve, sikur kalojnë “pa ba za”, nga zhurma shqiptare e 8 marsit. Rrugët, klubet dhe parqet janë mbushur plot. Festohet alla shqiptarçe. Mirë bëhet. Nga festat nuk pritet asgjë e keqe.
Ky 8 Mars 2024 ka një ditlindje jubilare për një ish-kryministër shqiptar. Ai mbush sot 85 vjet. Emri i tij ka ngelur në analet e historisë dhe nuk ka nevojë për komentet e mia. Për të mbase jam një anonim, por nuk mund të hesht kur kthej kokën dhe kujtoj servilizmin shqiptar, që nuk është thjesht një sëmundje e kombit tim, por sëmundje e njerëzimit, sëmundje edhe e Amerikës së lirë. Njerëzit miklojnë pushtetin dhe njeriun që ka pushtet, jo atë që ka bërë diçka dhe ka ikur në “punën e vet”.
Një i tillë është për mendimin tim ish-kryeministri i postsocializmit shqiptar Aleksandër Meksi. Këtë “pardesy të badhë” e mbaj mend prej fundvitit 90-të: Energjik, entuziast, intelektual, burrë me “hap të veçantë”, -kështu më dukej. Nuk kam qënë kurrë përballë tij. Asnjëherë. Kur ishte kryetar qeverie, nuk më besonte kush të intervistoja Aleksandër Meksin. Mbase nuk e meritoja. Kjo nuk më ka mërzitur kurrë. Për mua “firma Meksi”, ka qënë ndër përmbysjet e para instituicionale shqiptare. Në këtë aventurë qeverisëse Aleksandër Meksi ka bërë shumë gjëra të mira, sikurse padyshim po aq gabime apo “gjëra që nuk do t’i bënte kurrë” me pikëvështrimin e sotëm. “Etja për para” e shqiptarit e rrëzoi Meksin e dytë…
Aleksandër Meksi ishte një ndër intelektualët e parë të lirisë që sjell në kujtesë. Brenda meje ka ngelur një respekt konstant. Kurrë nuk i jam servlosur ish-kryeministrit të asaj kohe, si shumë gazetarë bashkëkohës. Nuk kam dashur priviligje nga pushtetmbajtësit e passocializmit. “Shanset” e viteve të socializmit shqiptar, më bënin kokëulur përkarshi të tjerëve që nuk kishin pasur fatin tim.
Më fut në mendime kjo ditëlindje shqiptare. Më kujton njeriun dhe pushtetin. Pushtetin dhe njeriun. Të gjithë dëshmuam pak kohë më parë se si Tirana u mbush me flamuj amerikanë dhe portreti i madh i një zyrtari amerikan u vendos në ballinën e Korpusit Universitetar. Ishte një “moment lavdie” që diplomati i lartë as e ka parë në ëndërr në Amerikë. “Lojë” diplomatike në mes të Tiranës. Shqiptarët janë mësuar me këto servilosje shtetërore. Nuk habiten. Kryeqyteti shqiptar do ishte habitur nëse, po në atë ballinë universitare të ishte sot portreti i ish-kryemistrit shqiptar Aleksandër Meksi me një urim të thjeshtë: Gëzuar Ditëlindjen Zoti Meksi!
A nuk do ishte habitur çdo qytetar ta kishtë parë këtë fantazi të ndodhte? Pyes: Çfarë të keqe ka të ndodhë kështu? A ka mesazh më të madh njerëzor se sa një urim nga qeveria për ish-kryeministrin Meksi?… Po të isha unë, këtë do ta bëja duke lënë “pa gojë” shumë njerëz. Sepse virtyti njerëzor duhet të zotërojë mbi egon dhe pangopësinë e “njeriut me pushtet”. Këtë ide e kam për qeverinë se vetë opozita me siguri e ka bërë këtë nderim ndaj Meksit dinjitoz.(!).
Pushteti është “sëmundje” që nuk ka për t’u shëruar kurrë. “Hija” e pushtetit ka rrëfyer efektin e vet edhe në Amerikën me liri të mëdha. Unë e kam parë këtë me sytë e mi dhe kam ndjerë dhimbje. Ende nuk ka dalë “vaksina” për të na shpëtuar nga “hija e pushtetit”. Mbase amerikanët nuk duan ta bëjnë një “shpikje” të tillë.
Sot një ish-kryeministër shqiptar, i 28-ti në radhën e vet zyrtare, por i pari pas rrënimit socialist, ka ditëlindjen. Nga Amerika më gëzon shëndeti i tij dhe “heshtja që flet”. Ne nuk do shohim më një kryeministër si Meksi.Ishte përpjekja intelektuale që dha shembullin e parë. Ishte një përpjekje që historianët do kthehen ta studiojnë me kujdes.
Gëzuar ditëlindjen arkitekt Aleksandër Meksi! Ju ishit dikur kryeministri im. Gëzuar nga Amerika!
Minneapolis, MN 8 Mars 2024.