Behar Metohu: GJENERALI DHE KËPUCËT
Tregim
Ai ishte afër të nëntëdhjetave. Më shumë qëndronte në shtrat se sa në lëvizje në shtëpi apo gjëkundi jashtë saj.
Ndërkohë, që po i mbylleshin sytë nën frymëmarrjen e rënduar, lehtasi nën qetësinë e natës ndjeu hapat dhe kërcitjen e takave të këpucëve të dikujt. Ai hapi sytë si i tmerruar nga kjo kërcitje si e një diçkaje, metalike që goditej, gati fort mbi pllakat e korridorit në mënyrë ritmike të nxituar nga ana e komshiut përballë duke thyer qetësinë e mbrëmjes.
Aheee! – pshehrëtiu fort dhe zhyti kokën nën jastekun e bardhë. Ra në gjumë nën vetminë raskapitëse të ditës dhe frymarrjes së rënduar… por nuk zgjati shumë. Orë e pa orë ishte herë në gjumë dhe herë zgjuar me sytë hapur duke menduar. Ai nuk kishte njeri në dhomë, por as në shtëpi. Kujdesin për të e bënte një e punësuar nga Europa. – Albania, – kishte thënë ajo kur u prezantua atë ditë,për origjinën e saj. Ishte një grua e re me flokë e sy të zinj, një bardhoshe e qetë dhe e urtë. Alba vinte dy herë në ditë në mëngjes dhe pasditë. Në darkë para se të largohej i sillte porositë që ai i jepte në mëngjes për pazarin.
Ai ishte veteran në forcat ajrore amerikane dhe me gradën gjeneral. Ai kishte marrë pjesë në mjaft misione luftarake dhe humanitare. Pas përfundimit të luftës në Vietnam, kur u kthye në shtëpinë e tij në Teksas ishte akoma i pamësuar me jetën e përditshme. Trauma disavjeçare në Vietnam, i kishte sjellë depresionin nga, i cili po vuante ende. Çdo lëvizje e beftë objektesh e shqetësonte. Ilaçet qetësuese të mjekut kishte filluar ti harronte e ti pinte në kohën e duhur. Apartamenti në katin e njëzetetetë ku ndodhej ishte për një periudhe gjashtë mujore të dimrit në Florida. Shqiptarja e bukur ishte treguar mjaft besnike në gjithçka kishte bërë që nga dita e parë, që kishte ardhur aty pas vdekjes të së shoqes së tij, Janet. Ajo e shoqëronte edhe në periudhën e dimrit të butë e të ngrohtë duke ruajtur respektin për të, duke i lehtësuar sadopak mungesën e Janet. Prandaj për gjithçka që ajo kishte bërë për kujdesjen e tij, ai e kishte paguar mirë! Ajo kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Kishin ardhur nga Greqia, pas disa vitesh në emigrim. Ai kaq dinte më tej nuk e kishte pyetur, por edhe ajo nuk fliste shumë. Në Florida ajo merrte edhe fëmijët me vete për të ndjekur shkollat. Por, atë mbrëmje, kur dëgjoi krismat e takave në korridor, atij ju fiksua se diçka po ndodhte. Ai u ngrit nga krevati për të parë se çfarë ndodhte në korridor. Dritat e forta të korridorit tregonin qartë gjithçka! Ai nuk e hapi derën, por nga ekrani i kameras së portës dalloi, se në cep të derës përballë ishin jashtë këpucë gruaje të zeza llustrafine me taka të larta. Dhe për t’u siguruar se çfarë ishin ato këpucë, ai hapi me vështirësi derën e apartamentit të tij dhe dalloi ato të vendosura pranë njera-tjetrës. Ai ia nguli sytë fortë këpucëve, por nuk guxoi të afrohej për t’i parë nga afër. Ashtu i mbetur si i ngrire dhe i hutuar, me vështrimin mbi këpucët ai ndjeu ashensorin dhe hapjen e derës së tij dhe disa njerëz, po lëviznin përreth korridorit. Ai mbylli portën e apartamentit të tij me një rrëmbim duke menduar se do të mbetej ngushtë po ta shihnin se çfarë ishte duke bërë.
Shkoi drejt ballkonit, sepse ishte akoma i pagjumë në atë orë. Tani gjumi u largua. Ballkoni i tij përkonte nga ana detit pamjen e të cilit e shikonte çdo ditë në mëngjes dhe çdo mbrëmje. Sytë iu përqëndruan, tek disa drita të largëta në horizontin, ku uji i detit bashkohej me yjet dhe hënën që atë natë ndrriste tej mase duke përcjellë tek ai një gëzim të veçantë. Këto pamje, të cilat po i shijonte nga ballkoni i katit të njëzetetetë, ku ndodhej, i kujtonte shpesh herë udhëtimet me avionët e kohës së rinisë së tij, ku pasioni për kapjen e lartësive qiellore ishte bërë mania e tij. Mbylli sytë tek shtriqej në shezllon. Ajri i freskët që vinte nga ana e detit i lehtësoi frymëmarrjen. Të qënit në lartësi ishte një ndjenje e pakuptueshme, nga e cila vështirë të gjeje burimin e rigjenerimit, të dëshirës për të qenë i lirë në kaltërsinë qiellore, ashtu si zogjtë shtegtarë që në lirinë e tyre fluturojnë me dëshirat, instiktet e ekzistencës dhe mbijetesës… Dhe ashtu midis reve shpesh, por edhe mbi to ai gjente adrenalinën e kënaqësisë, e dëfrimit dhe shfrimit të pasionit. Por, ai tashmë vetëm i rikujtonte dhe të regjistruara në mendjen e tij vetëm rikthente në playback ditët më mbresëlënëse, të cilat ishin triumfi mbi zbatimin e urdhërit. Kjo i jepte zemër në emër të idealit, për të cilin ishte betuar para flamurit amerikan. Por, që nga ajo kohë stuhirash dhe rreziqesh e ndjente vehten me fat që në vitet pas kishte lënë emrin e mirë dhe grada gjeneral në Forcat Ajrore amerikane e kishte përkëdhelur sedrën e tij. Dalja në pension solli si në pikiatë rënien e entuziasmit dhe në këto kushte lodhja pas kryerjes së mjaft misioneve, i solli dekulibrimin e tij.
Befas një mesazh i erdhi në celularin e tij nga lajmet nëpër bote. CNN njoftonte për sulme mbi bazat amerikane,ku u vranë me dron tre ushtarakë amerikanë. Një luftë e re pas disa konflitesh në rajonin e Europës Lindore, tani në Lindjen e Mesme do të kërkonte angazhimin e trupave amerikane. Ai fërkoi mjekrën e bardhë duke pshehrëtirë. Ishte bërë mjaft vonë dhe hëna ishte spostuar tutje duke tretur shkëlqimin e saj mbi det. Ai ndjeu të ftohtin dhe u ngrit për të shkuar në dhomë. Ishte dy e natës dhe ai sapo vuri kokën në jastek,nën heshtjen e thellë të natës, përveç dallgëve të lehta të detit dëgjoi përseri në të njejtën kohë hapat e këpucëve llustrafine dhe me të njejtin rritëm kërcitjeje. Ai nuk donte ti besonte veshëve…
* * *
Ndriçimi i beftë i dritës së mëngjesit dhe zhurma që vinte nga makina pastruese e rërës së plazhit e zgjoi të trullosur. Gjumi e kishte zënë mjaft vonë. I mbylli sytë dhe morri frymë thellë.
Ai nuk kuptonte veprimin e heqjes së këpucëve dhe e lënies së tyre jashtë. Ky nuk ishte një zakon amerikan. Çfarë po ndodhte? Ishte koha kur do të vinte ajo. Zakonisht nuk trokiste në portë. Ajo kishte kartën dixhitale të derës së apartamentit dhe hynte çdo ditë rreth orës nëntë të mëngjesit. Ajo shkonte në kuzhinë dhe i përgatiste mëngjesin. Por, kur mbrriti aty si përherë ai u kollit pak dhe i thirri:- Goodmorning- dhe ajo e kuptonte dhe afrohej tek dhoma e tij, derën e së cilës e mbante përherë të hapur. Ajo qëndroi në këmbë para tij, ndërsa ai i ulur në kolltukun pranë krevatit po e shihte me vëmendjen e një hetuesi dhe krejt ndryshe nga herë të tjera donte ta kishte sa më pranë për të zbuluar ndoshta diçka e që ajo ndoshta ja fshihte. Por, uli sytë dhe ndjeu një si pështjellim resh në kokën e tij duke e shtangur e mos folur.
– Mëngjesi është gati zotëri, – i tha ajo. Ai nuk reagoi fare. As nuk qeshi dhe të thoshte ndonjë fjalë të ngrohtë si përherë.
– Më thuaj, – tha ai me zë të ulët,- ju i hiqni këpucët kur hyni në shtëpi? Dhe sytë atij i shkuan tek këmbët e saj. Ajo ishte e veshur me këpucët sportive të bardha dhe pantallonat e holla të kaltërta, të cilat i shkonin mjaft dhe dukej sa sportive dhe aq elegante. Ajo u bë kureshtare pse gjenerali i bëri një pyetje të tillë. Dhe ajo ju përgjigj:
– Po ka qenë zakon i shtëpive me kopësht.
Ai ngriti kokën dhe e pa ngultazi në sy. U panë gjatë dhe shumë të çuditur.
Ajo mendoi, pse po pyet gjenerali? Ndërsa ai përpiqej të kuptonte atë.
– Pyes sepse… – dhe mori një gazetën “New York Post” të cilën filloi ta shfletonte, – … ja ashtu kot,- ngriti pak zërin gjenerali dhe u zhyt në leximin e gazetës që kishte sjell ajo.
Pasi hëngri mëngjesin gjenerali i kërkoi ta shoqëronte për të shkuar bashkë në qendër tregtare. Kështu ndodhte herë pas here një ose dy herë në muaj. Ai mori shkopin e tij dhe dolën. Tek hyrja e apartamentit gjenerali ndali pak dhe pa pritur me shkopin e drejtuar nga dera përballë e komshiut dhe i bëri shenjë asaj duke i thënë: – Ja këtu kam parë disa netë një palë këpucë të zeza. Ato ishin llustrafine. Di ti gjë për to? – pyeti gjenerali. Ai uli shkopin dhe e mbështeti pranë këmbës së tij të djathtë. Ajo mbeti si e ngrirë me kartën dixhitale në dorë që po bëhej gati të mbyllte derën e apartamentit. E habitur nga çfarë dëgjoi, ajo ngriti supet dhe një kureshtje e shtyu ta pyeste gjeneralin. Ato ishin këpucë burrash apo grash?
– Grash – u përgjigj plaku dhe bëri të ecë përpara. Ajo vuri re se plakut i erdhi turp që po merrej me fjalë të tilla.
– Kur, në çfarë ore i keni parë ato? – plaku vazhdoi të ecë dhe bëri sikur nuk dëgjoi pyetjen e saj. Tek ashensori ata qëndruan të heshtur. Ai shikonte numrin që po zvoglohej nga 28- tek 1. Ajo qëndroi gjithë kohës me sytë e ulura sikur kishte bërë ndonjë faj, ndërsa ai vazhdonte të shikonte pulsimin e numërave të kateve që po zbrisnin.
Do të shkojmë tek Market Center, – tha ai ndërsa shtypi pedalin e gazit. Makina luksoze model ‘Chrysler’ rrëshqiti nëpër rrugët e qeta të lagjes duke përshkruar një pjesë të parkut pranë, ku ai dilte herë pas here pasditeve deri në mbrëmje duke thithur ajrin e freskët dhe fëshfërimën e dallgëve të detit. Ai ishte mjaft i vëmendshëm në timon dhe respektonte me përpikmëri rregullat e lëvizjes së trafikut, zakon ky i mbetur që në kohën e drejtimit të avionëve luftarak.
– Çdo të thotë të hiqen këpucët dhe të lihen jashtë tek pragu i derës? – pyeti ai papritur atë.
Alba ngriti supet dhe pasi u mendua pak tha: – Për të mos u fëlliqur shtëpia nga balta ose pëlhurat. Ai pa nga pasqyra e makinës fytyrën pak të shqetësuar të gruas. Atij nuk po i shkëputeshin nga mendja këpucët e zeza llustrafine mjaft elegante.
Ata u ndodhën në tregun e madh të rrobave. Ai i kishte thënë Albës të blinte një borsaline të re. Ai vetëm kërkonte, që ajo t’i jepte një mendim nëse do t’i shkonte borsalina e bardhë, që kishte menduar të blinte. Ai hoqi kapelen me mbishkrimin “Air Force US Veteran” dhe e mbështeti mbi sipërfaqen e qelqtë të tavolinës së shitëses, e cila i buzëqeshi lehtë duke shprehur vëmendje. Ajo i tha me njëfarë solemniteti: – Faleminderit zotëri që keni shërbyer në Forcat Ajrore!
Ai buzëqeshi dhe ndjeu ngrohtësinë dhe krenarinë duke e falenderuar me një ulje të thjeshtë të kokës. Alba, ndërkohë erdhi me tre kapele të llojeve verore dhe i vuri mbi sipërfaqen e qelqtë. Plaku duke u menduar shikonte me vëmendje ato. Ai mori njerën prej tyre dhe e vuri mbi flokët e thinjura të tij. Alba e tërhoqi pranë një pasqyre duke i krijuar mundësinë për të vështruar veten plaku.
* * *
Dita për t’u kthyer në Teksas po afrohej, dhe ngjarja e disa netëve me këpucët çuditërisht i kishte mbetur si nje re në qiell ku prapa së cilës fshihej një enigmë. Ato mbrëmje sa herë, që vinte ora për të fjetur, kujtonte kërcitjen e takave, të cilat i dukej sikur do t’i vrisnin veshët papritmas. Ai kishte disa netë para gjumit që jetonte me ankthin e përgjimit si ai luani që përgjon kaprojt. Por, për çudi nuk po dëgjonte gjë më, prej disa netësh me radhë. Atij gjatë gjithë këtyre netëve i ishte krijuar një gjëndje ankthi dhe shpirti nuk po i binte në qetësi. Për disa ditë do të kthehej në Teksas. Alba kishte filluar përgatitjen e gjithë garderobës së tij. Kapelja borsalino e bardhë ishte e varur në korridorin pranë portës së apartamentit. Valixhet po rimbusheshin për udhëtimin e radhës. Ai i shikonte ato në gjysmëerrësirën e natës, po sytë nuk i mbylleshin për gjumë.
U ngrit dhe doli në ballkonin e madh nga ana e detit. Atë natë era ishte më e fortë dhe dallgët e detit ndjeheshin si një oshëtimë e largët që përhapej nga poshtë lartë e butë e qetë dhe si fishkëllim, që përplasej në xhamat e mëdhenj, nga ku syri i tij kishte parë vetëm kaltërsinë e qiellit dhe në mbrëmje, yjet lozonjarë që vallëzonin në hapësirën tej oqeanike. Ai ishte mësuar të shikonte vetëm lartë si avionët e tij dikur, të cilët përkëdheleshin duke ju afruar yjeve dhe ato rrinin e vështronin atë me kureshtje. Ai kishte qenë guximtar si gjithë ekipi që drejtonte. Për këtë gjë ishte krenar dhe ndjehej i lumtur. Nga larg u dëgjua zhurma e një avioni. Natën ata kalonin rrallë, por emergjencat ndodhnin edhe në këtë kohë. Ai ndjeu kënaqësinë e lirisë së ajrit dhe dukej sikur nuk donte të futej përsëri në dhomë. Zhurma e avionit u tret larg, kur ai befas dëgjoi tingellimën e ziles së derës së apartamentit. Ishte ora kur zakonisht dëgjonte takat e atyre këpuceve. Zemra ju drodh nga e panjohura dhe e papritura e momentit. Çfarë kishte ndodhur që në këtë orë të natës para ndrrimit të datave, në kufirin ndarës të kohës të kishte dikë që e kërkonte? Hapi dritën e dhomës dhe ju afrua derës së korridorit, por nga turbullira nuk ndjeu se rrëzoi në dysheme borsalinon e bardhë të sapoblerë para disa ditësh. Hapi i fundit pranë derës u shoqërua me vënien e gishtit mbi ekranin e kontrollit të kameras. Ai dalloi në ekranin blu hijen e një gruaje të re me një kapele të zezë në kokë, të cilën e mbante pak të ulur duke mos i lejuar t’i dalloje tiparet. Në dorë mbante një çantë të zezë llustrafine. Ai shtriu dy gishtat mbi ekranin për të parë pamjen më afër dhe më pas e rrotulloi ekranin për të dalluar veshjen. Ajo kishte një fustan të zi të qepur bukur pas trupit me pala të gjatë, si të një shekulli më parë dhe në këmbë kishte të veshura këpucët e zeza llustarfine me taka të lartë.
Ai u trondit sa gati nuk ra në gjunj, por u mbajt pas murrit. Mori frymë thellë dhe u kollit. Ajo pas derës ndjeu kollën e plakut dhe ngriti pak kokën duke pritur mos hapej dera. Ai vuri dorën mbi dorezën e derës. Ajo filloi që t’i dridhej pakëz nga mendimi enigmatik kurreshtar, që e priste prej kohësh dhe emocioni i së panjohurës. Hodhi një sy nga pasqyra pranë dhe pa se ato pak flokë të bardhë i kishte të pakrehur dhe me nxitim kaloi gishtat mbi to. Po sikur ajo të pendohej dhe të largohej papritmas e kapërtheu mendimi, prandaj rrotulloi dorezën pa e zgjatur dhe ata vështruan njeri-tjetrin për herë të parë.
– Mirëmbrëma gjeneral, – tha ajo me një zë të vendosur dhe të mprehtë, ku çdo gërmë e fjalëve u dëgjua mjaft qartë. – dua t’ju kërkoj ndjesë për këtë shqetësim në këtë orë të vonë, por do të shpjegohem. – A më lejoni të hyjë brenda?
Ajo hoqi kapelen dhe flokët e drejta e të zezë të saj, të prera shkurt tregonin moshën e një mesogruaje. Ai nuk tha asnjë fjalë, por mënjanoi trupin duke lënë të nënkuptohej me gjestin e tij se kalimin e ke të hapur, por ai nuk tha asnjë fjalë. Ajo hoqi këpucët duke shkelur me kembët e saj mbi tapetin e bukur ngjyrë kremi. Këpucët i mori në dorë dhe i vuri në qoshe pranë derës. Ai vështronte këpucët e saj që tashmë ishin brenda apartamentit të tij dhe këmbët e saj me çorape najloni. Ai mbylli derën dhe ndjeu një vështirësi në frymëmarrje, të cilën e ndjente sidomos në orët e mbrëmjes.
– Gjeneral ju nuk më njihni, – tha ajo, – por shumë shpejt do të kuptoni kush jam dhe çfarë kërkoj në këtë orë.
Ata qëndronin në këmbë në mes të dhomës së miqve. Gjenerali i gjatë, i hollë në trupin e tij të lodhur hapi krahët si të një avioni dhe i çuditur tha:- Nuk ju kuptoj asgjë.
– Mund të ulem gjeneral?
– Po, – dhe ai drejtoi krahun në një nga kolltukët.
Gjenerali shkoi nga këndi ku ndodhej frigoriferi dhe nxorri një shishe me një lëng ngjyrë të errët dhe dy gota. Ai i ngadalshëm, por mjaft i saktë në veprimet, i solli dhe i vendosi mbi tryezën e vogël.
Gruaja nga çanta që mbante në dorë nxorri një tufë me dosje kartolinash dhe fotosh dhe i vuri me kujdes mbi tavolinë, ku ndodhej shishja me dy gotat. Ata shkëmbyen vështrimet. Plaku vuri re se ato foto ishin të renditura e të lidhura bukur nëpër disa dosje të vogla me ngjyra të ndryshme. Ajo ndali për një çast dhe vuri dorën mbi njerën prej tyre. E tërhoqi dhe nga andej nxorri një foto dhe ia ktheu gjeneralit. Ai po shikonte duart e gruas që ishin akoma të bukura pa rrudha dhe të shkathta, por me lëvizje nervozuese, kur befas ju shfaq portreti i një piloti të viteve 60. Pas shpine qëndronte avioni luftarak amerikan i përdorur në luftën aziatike të atyre viteve. Ai iu afrua më shumë dhe vuri re burrin e pashëm kolonelin Majkëll Smith. Ai e kujtoi atë menjëherë dhe fytyra iu transformua e iu bë herë si e ngrysur, herë e çuditur, herë e qeshur brenda pak sekondave. Sytë e tij u mbërthyen tek ato të gruas, e cila po e shikonte me kureshtje dhe me sy gati të përlotur. Ata nuk po guxonin të flisnin. Në kokat e tyre dukej sikur bëhej biseda,shkëmbeheshin vështrimet. Ata vetëm po vështroheshin edhe më mirë. Plakut iu mbushën sytë me lotë. Ata rrëshqitën mbi rrudhat e tij e mjekrën e bardhë. Ai nuk po nxirrte dot asnjë fjalë, por edhe gruaja, sëcilës ai i dalloi se në mollzat e faqeve dhe pjesa e buzëve ishin të ngjashme me atë të kolonelit Majkëll, ndërsa sytë ishin të përhumbur, dhe mendja i dha të kuptoj atij se ajo mund të ishte e bija. Ai pa se ajo vetëm i tundi kokën në shenjë konfirmimi duke i lexuar mendimin.
– Gjeneral ! –tha ajo me zërin tashmë të qetë,- ju kam kërkuar me vite, por ju jeni zhdukur. Ashtu siç u zhduk edhe babai im, trupin e të cilit nuk u gjet kurrë. Jam duke shkruar një libër për ngjarjet e Sajgonit dhe humbjen e shumë ushtarakëve tanë atje. Diku, në një institut arkivor ushtarak të Virxhinias mësova se ju keni patur një periudhe kohe mjaft miqësi me babain tim, ishte koha kur ai përgatitej për pilot dhe ju ishit mjaft i ri. Më pas ju u shkëputët dhe shumë vite më vonë,në operacionet e Vietnamit ku u ishit një nga drejtuesit e luftimeve keni bashkëvepruar, por pa e kontaktuar njeri – tjetrin pa e rinjohur njeri-tjerin, pa mundur të rikujtonit kohën tuaj të miqësisë. Në ajër mund të keni bashkëvepruar duke i dhënë sinjal apo thirrje njeri-tjetrit,por pa e ditur se ishit ribashkuar, por në një situatë reale lufte.
Ajo heshti dhe u mbështet në shpinën e kolltukut. Sytë e saj tashmë ishin mbërthyer mbi tavolinë mbi fotografitë. Gjenerali ishte hutuar dhe nuk po nxirrte asnjë fjalë. Ai kishte vetëm një mjegullnaj në trurin e tij të lodhur, si dikur kur futej në mes reve dhe me guxim çante qiellin. Ai befas u ngrit në këmbë dhe duke bërë dy hapa në drejtim të ballkonit në katin e njëzetetetë, ku ndodhej vështroi qiellin plot yje dhe me shpinë siç ishte i tha:
– Shikoni bija ime, qielli është blu edhe natën për ne gjithë pilotët ai është më i dashur se kurrë. Më ka pëlqyer udhëtimi natën, sepse dalloj më qartë yjet. Ato shndrrisin dhe të japin shpresë, ato flasin me ne pilotët, të cilët i quajnë shokë dhe miq. Unë nuk mund t i harroj ata pilotë, të cilët u shkëputën nga yjet… megjithatë të gjithë shpirtrat e tyre janë pranë shkëlqimit hapsinor – ai heshti dhe uli kokën. Yjet e asaj mbrëmjeje të ngrohtë floridiane ishin të shndritshme. Ato krijonin një aurolë të qëndisur, pas së cilës ai ndjente frymën e shpirtrave, të shokëve të tij, të cilët kishin bërë betimin para flamurit të atdheut.
– Ne e humbëm njeri-tjetrin… por, jo idealin tonë, – vazhdoi gjenerali.
Ajo i ishte afruar pranë dhe i kërkoi, që të qetësohej. Ajo vuri re se dhoma tjetër ishte rrëmujë dhe disa valixhe ishin të hapura dhe të gatshme për udhëtimin drejt shtëpisë së tij në Teksas.
– Kur niseni nga këndej gjeneral?
– Të dielën në mëngjes !
– Ju shqetësoj nëse vij me ju gjeneral? Dy ditë kishin mbetur. Ajo ishte e lumtur që më së fundi kishte gjetur gjeneralin, i cili ishte shkëputur prej shumë vitesh nga aktiviteti, që kur Janet ishte larguar nga ai.
– Kam një pyetje për ju, nëse mund të më përgjigjeni.
Ajo e pa me vëmendje dhe i tundi kokën në shenjë miratimi. Ajo nuk kishte arsye ta ndalonte për asnjë pyetje, përkundrazi priste shumë nga ai, pavarësisht orës së vonë të mbrëmjes.
– Ju jetoni tek apartamenti përballë? – pyeti gjenerali.
– Po, – tha ajo dhe heshti.
Ai befas u ngrit dhe shkoi tek korridori ku ndodheshin këpucët e saj. Aty diku pranë ishte kapelja e bardhë e sapoblerë,që kishte rënë në momentin e hapjes së portës. Ai u afrua pranë tyre dhe pasi u mendua pak u përkul… dhe ngriti kapelen. Ai e vuri në kokë dhe shkoi tek kolltuku. Ajo kuptoi se diçka nuk shkoi me veprimin e tij, pas pyetjes së bërë nga ai.
– Unë kam qenë në një vend të vogël në Europë, para disa vjetesh, – tha gruaja papritur. – Albania. Aty ka ndodhur një ngjarje gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur një avion i aktivistëve humanë ra në një zonë ku forcat gjermane mund të vinin, por njerëzit e atyre fshatrave malore i mbrojtën të gjithë vajzat infermiere amerikane, që ishin me mision. Doja të mësoja shumë nga këta njerëz të mirë, prandaj dhe vajta aty. Në shtëpitë e atij fshati mësova shumë zakone të çuditshme. Por njëra që më ka pëlqyer shumë ishte heqja e këpucëve dhe lënia jashtë e tyre, në oborr. Këtë gjë fillova ta ushtrojë edhe këtu. Ndonjëherë i fus brenda këpucët dhe ndonjëherë jo. Kjo tregon fisnikëri apo jo gjeneral?
– Po është e vërtetë, – tha gjenerali. Ai ktheu gotën e mbushur me lëngun e zi dhe e piu deri në fund si për të përpirë mundimin e gjithë atyre netëve, kur dëgjonte trokitjen e takave të saj. Dhe pasi e piu i çliruar, por edhe aq i etur vijoi bisedën:
– Kjo është boronicë e ardhur nga Shqipëria. Ma ka mësuar Alba, gruaja që po kujdeset për mua. Ajo është nga Shqipëria. Për problemet e shëndetit që kam, më bën shumë mirë, – ai heshti pak dhe pasi psherëtiu tha:
– Atje… në këtë vend mik, sapo është ngritur Baza Ajrore e NATO-s. Do të dëshiroja të shkoja, ta shikoja këtë vend të bukur tha gjenerali. Pas intervistës për librin kushtuar babait tuaj mund të planifikojmë një udhëtim nga ditët e para të verës? Si mendoni Lady Smith? Ai, për herë të parë pas kaq vitesh të daljes në pension dhe humbjes së Janet, ndjeu veten si më të ri dhe me më energji.
– Ide e shkëlqyer gjeneral, – tha ajo dhe të dy buzëqeshën për herë të parë pas atij takimi në atë orë të vonë të mbrëmjes.
– Ndoshta ky mund të jetë udhëtimi im i fundit me avion në jetë. – tha gjenerali me sytë nga qielli plot yje, përtej xhamave të verandës.
Vanderbilt Naples FLORIDA, 8 mars 2024.