NAUM PRIFTI, NJË SHKRIMTAR I EPËRM I TREGIMIT SHQIPTAR
Bardhosh Gaçe
Në prozën e letërsisë shqipe, një emër i rëndësishëm është dhe Naum Prifti, njëri nga tregimtarët, që ka vënë gurë të çmuar më themelet e tregimit shqiptar, jo vetëm për kohën që ai shkroi dhe botoi, por për profilin e tij të rëndësishëm dhe të veçantë që tregimi i tij shquan në prozën shqipe.
Duke qenë se Naum Prifti zë një kohë të gjerë në lëvrimin e letërsisë, veças tregimit, proza e tij është një arkiv i rëndësishëm në shumë aspekte, qoftë të subjekteve, personazheve dhe mjediseve, por dhe të etapave nëpër të cilat ka kaluar tregimi shqiptar. Ai është një nyje lidhëse e kohës së Luftës së Dytë Botërore, periudhës së letërsisë së realizmit socialist (1945-1990) dhe pas viteve ’90, kohë të cilat gjenden në tregimin e tij dhe për të cilat ai mbron në aspektin e letërsisë që shkroi në një kohë të gjatë dhe me lëkundje të ndryshme, pasojat e të cilës rënduan dhe mbi Naum Priftin.
Naum Prifti ka lindur në Rehovë të Kolonjës, dhe kreu shkollën fillore, më pas në Ersekë ka mbaruar shkollën 7-vjeçare dhe më pas i shkolluar në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Studimet e larta për Gjuhë-Letërsi, siç dhe mund të kuptohet, kanë qenë një mundësi e mirë që ai t’i kushtohej plotësisht pasionit të letërsisë dhe të bërit letërsi. Duke pasur një jetë nën ritëm të vazhdueshëm dhe në lëvizje, ai ka sjellë tek lexuesi një larmi të madhe motivesh, ngjarjesh, personazhesh, karakteresh, të cilët përthyejnë në një farë kuptimi kohët e tij, për shkakun se Naum Prifti si tregimtar ishte mjaft i lidhur me faktet e tija jetësore.
Lidhur me një perceptim dhe një të vërtetë të tillë, kur është pyetur se ç’mendonte për muzën, d.m.th. atë gjendjen që krijuesit i vjen papritur dhe nga lart, ai shprehet se nuk ka muzë, asgjë nuk vjen nga jashtë nëse letërsia, personazhi, ngjarja nuk është brenda shkrimtarit, brenda gjendjes së tij emocionale dhe përjetimeve të tij. Puna e shkrimtarit është se talenti do vetëm punë, se ai është gjëja më e pakët në zejen e letërsisë. Duke u larguar nga jeta në moshën mbi 90-vjeçare, e cila është një humbje e madhe për letërsinë shqiptare, Naum Prifti na ka lënë një pasuri të rrallë të mendimit për letërsinë në përgjithësi, por veçmas mbi tregimin, mjeshtërinë e të shkruarit, çështjet e personazheve, subjektet, rrugëtimin e tij, dhe si mund të shkruhet një tregim. Natyrisht vetë përvoja e tij shkrimore është një lloj shkolle për tregimin dhe krijimtarinë tjetër, pasi ai shkroi tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj., në korpusin e të cilit janë afro 100 vepra letrare, studime të shkruara gjatë viteve që përbëjnë qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, ku shpaloset një botë e madhe e një shkrimtari me përvojë të çmuar.
Naum Prifti ndër shumë libra që shkroi i dha lexuesit tituj të rëndësishëm të tregimit shqiptar, si: “Tregime të fshatit”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1956; “Lëkura e Ujkut”, Tiranë 1958, “Çezma e Floririt”, Tiranë 1960, “Një pushkë më shumë” (Ribotuar më 1965) Tiranë 1962; “Tregime” Tiranë, 1962; “Çezma e floririt”, (greqisht), Tiranë 1962; “Lëkura e Ujkut” (Anglisht), përkthyer nga Peter Prifti, Tiranë, 1962; “The betrothed” (“E fejuara”), (anglisht). Botuar në Kinë 1965; “Litar i zjarrtë”, Tiranë 1969; “Tregime të zgjedhura”, Tiranë 1972, “Njerëz të kësaj toke”, Tiranë 1979, “Njëqind vjet”, Tiranë 1982, “Tre vetë kapërcejnë malin”, Rilindja, Prishtinë, 1983; “The Golden Fountain” (“Çezma e Floririt”,- Anglisht), përkthyer nga Peter Prifti, Shkodër, 1998; “Nëna e diellit” (Mite-legjenda-përralla), Tiranë, 2000; “Yjet ndritin lart” (Novela), Pejë, 2002; “As Miço, As Muço”, “Tregime dhe skica humoristike”, Tiranë 2003 etj., ku një pjesë e tyre u bënë skenarë, si 1956: “Tregimet e fshatit”, 1960: “Çezma e Floririt” 1976: “Pika e ujit”, 1976: “Zani partizani”, 1978: “Udha e shkronjave”, 1982: “Era e ngrohtë e thellësive”, 1984: “Kush vdes në këmbë”, 1984: “Fejesa e Blertës”, 1988: “Tre vetë kapërcejnë malin”, të cilët kanë krijuar një vijimësi të prezencës si tregimtarë në tregimin shqiptarë.
Tregimi i Naum Priftit reflekton në hapësirën kohore nga ai vjen dy fondamentet më të rëndësishme të tij, të cilët unë mendoj se janë: -Një tregimtar i pangjashëm me profil të identifikueshëm, dhe -Naum Prifti është një shkollë për tregimin dhe tregimtarët, qoftë kur i lexon tregimet e tij, qoftë kur ai flet për krijimtarinë e tij apo kur jep këshilla, zakonisht përmes bisedave apo intervistave, pasi atë e përshkonte një natyrshmëri e jashtëzakonshme, siç janë zakonisht njerëzit e ditur dhe të shtruar. Përvoja jetësore, e cila zë gati të gjithë krijimtarinë e tij në prozë, por dhe në ndonjë zhanër tjetër, ka bërë që në tregimin e tij të shfaqen dhe të jetësohen njerëz të thjeshtë, dhe kjo ka nisur që në krijim e tij të parë.
Krijimi i parë i tij, siç ai kujton, ka qenë një vjershë humoristike, të cilën e ka shkruar në moshën 12-vjeçare dhe e ka burimin nga frymëzimi që i kanë sjellë motivet popullore të vendlindjes. Dëshira dhe pasioni për të shkruar vjersha të natyrës humoristike ka vijuar, ndërsa gazeta e murit në shkollë ka qenë gazeta e parë ku ai ka “botuar” dhe krijimet e para, duke qenë dhe hapat e parë të krijimtarisë së tij, për të arritur më vonë tek përmbledhja “Tregimet e fshatit” (1956).
Në emocionet e tij ai kujton jehonën që pati tregimi “Çezma e Floririt” e vitit 1960, një libër që e bëri atë të njohur jo vetëm për natyrën jetësore që i përshkonte ato, por dhe për një mënyrë të rrëfyeri, ku një sens humori i hollë i bënte kaq të afërta dhe të përjetueshme ngjarjet, mjediset dhe personazhet e tregimeve. Vitet ’60 përbënin gjithashtu një kthesë në letërsinë shqiptare, për shkakun se në të u shfaqën emra të rinj dhe shumë të talentuar, të cilët iu përgjigjeshin kërkesave të letërsisë së kohës. Naum Prifti duket se kishte lindur për të shkruar, atë e kanë frymëzuar dhe e kanë edukuar në leximin e letërsisë autorë të traditës, që siç shprehet ai, Sterio Spasse me librin e tij “Nusja pa duvak” ka mbetur në kujtesën e tij përmes personazhit të njohur të Xha Koroveshit, ndërsa për kulturën e leximit ai tregon: “Unë u rrita në fshat, njëlloj si lulet e egra në mal, secila me ngjyra e aromë të veçantë. Pata fat që më ra në dorë “Shkrimtarët Shqiptarë” (pjesa I), një antologji e mrekullueshme hartuar nga Ernest Koliqi, Namik Resuli, Filip Fishta me jetëshkrime shkrimtarësh dhe copa të zgjedhura. Më vonë u mahnita kur më ra në dorë romani I M. Zevaccos “Ura e Psherëtimave” e pastaj me radhë “Bija e Mallkuar”, “Zonja me Kamelie”, e A. Dumas, etj.
Fshati im qe ndryshe nga të tjerët. Nja pesë a gjashtë familje nëpunësish apo arsimtaresh blinin libra dhe kishin biblioteka modeste në shtëpitë e tyre. Ky qe favor i madh për një djalë fshati. Me shokët e mi të apasionuar pas librave, ne i huanim ato duke i kaluar dorë më dorë. Sa herë vija në Korçë pas lufte gjithmonë blija libra, kryesisht romane të përkthyer…” pra, siç dhe kuptohet, ai ka qenë një djalë që ka lexuar gjithçka i ka ardhur në dorë, duke mos trashëguar asgjë nga familja, se siç thotë ai, nëse do të ishte kështu, ai duhej të ishte një gurskalitës.
Në opusin e librave me tregime të Naum Priftit shquan tregimi “Pylli i lirisë”, i cili për shkakun e të vërtetave të mëdha, elegancës me të cilën është shkruar, motivet dhe emocionet që përcjell, personazhet dhe të gjithë mjedisin që shpërfaq është lexuar në shumë mënyra, dhe në të gjitha rastet ai është vlerësuar mjaft mirë. Autori tregon se sa e rëndësishme është që të kuptosh se ku gjendet vërtetë një ngjarje për ta rrëfyer në formën e tregimit, duke treguar gjithashtu se pjesa më e madhe e tregimeve të tij është një përvojë jetësore, personazhet e të cilëve ai i ka gjetur mes njerëzve dhe në mjediset ku ka punuar dhe ka jetuar.
Për tregimin “Njeriu që ndiqte kuajt”, ndoshta tregimi më i bukur në letërsinë shqiptare, ai tregon për personazhin kryesor dhe ngjarjen: “Një personazh të tillë unë e gjeta në Divjakë kur njoha Vasil Shoren, protagonistin e tregimit “Njeriu që ndiqte kuajt,” Vlash Zakën. U miqësova me të dhe ai më tregonte ngjarje nga jeta e tij. Qe i vetmi që i kapte kuajt e lëshuar azat në pyllin e Divjakës, në kohën e mbretërisë, duke i ndjekur nga Shkumbini në Seman, deri sa ata kapiteshin. Ai qe maratonomak i lindur dhe mund të vraponte gjithë ditën. E njoha kur qe plak dhe fatkeq, mbasi gruaja i kishte vdekur, vajza e vetme qe martuar në një fshat tjetër dhe ai jetonte i vetmuar në kasollen e tij. Siç dhe kuptohet, rrëfimin e tregimtarit të njohur e përshkon koncepti i burimit jetësor që kanë tregimet e tij, të cilët më së shumti ai i ka gjetur mes njerëzve ku ka jetuar, por që mjeshtërisht ai i ka kthyer në tregime dhe në novela të mrekullueshme, siç thotë dhe për tregimet “Gërvishtje prapa derës” dhe “I Plotfuqishmi në shkollën tonë”.
Naum Prifti gjatë gjithë jetës mbeti tek zhanri i tregimit dhe në ndonjë rast dhe tek novela dhe pse disa nga novelat apo tregimet e gjata, ku ngjeshën ngjarjet dhe personazhet mbartin fuqi dhe përçojnë ide të rëndësishme, kritika i ka quajtur dhe romane. Ai nuk i kushtoi kurrë rëndësi gjinisë në të cilën shkruante. Kur ai thotë se “…te të gjitha tregimet e mia bërthama e ngjarjes është e vërtetë”, çka nënkupton se ai nuk ka krijuar (shpikur) subjekte, shqisa e tij prej tregimtari, ka arritur që të gjejë gjithmonë mes njerëzve motivet, zakonisht ato “që lidheshin me ndryshimet morale të shoqërisë sonë”, siç thotë ai, tregime në të cilët karakteret shfaqeshin përmes dialogëve të zhdërvjellë dhe të kursyer, të cilët parathoshin dhe dramaturgun, e që në të vërtetë Naum Prifti shkroi dhe drama, që krahas sukseseve pati dhe konsekuencat e tij për shkakun e censurës dhe vëmendjes së shtuar që ideologjia e kohës kishte veçmas ndaj artit dramatik dhe skenës ku ato luheshin. Ndoshta një nga tregimet më të bukur, me një lloj flladi që e përcjell gjithë hapësirën kohore dhe njerëzore që ai zë është tregimi “Erë mali-erë fushe”, një tregim jetësor, me detaje të imta në mjedise dhe në karakteret njerëzore, për të cilin autori thotë se në atë tregim, ai ka pikturuar adoleshencën e tij, dhe se të gjithë ngjarjet dhe karakteret njerëzore ishin të vërtetë, tregim për të cilin Dritëro Agolli thoshte se është më i miri i llojit të tij, të shkruar ndonjëherë në prozën shqiptare.
Duke qenë një njohës i mirë i tregimtarëve të çmuar të botës si: Mopasan, Alfons Dode, Çehovi, Tolstoi, Turgeniev, Shollohov, London, Xh. Gollsuorth dhe të tjerë, në stilin e tregimtarit të njohur Naum Prifti do të kishte gjithmonë një përvojë të tregimit më të mirë botëror, e cila kishte gjetur shprehjen e vet në një tregimtar të talentuar siç ishte Prifti. Lidhur me tregimin, Naum Prifti tregonte se në praktikën e tij, duke mos qenë shumë ithtar i çështjeve teorike dhe artificiale mbi krijimtarinë letrare në përgjithësi, dëshmonte, se tregimi është një motiv interesant, që ngjan me vrapimin dhe që duhet të kryhet menjëherë, ndërsa nevoja për të krijuar dhe ruajtur ritmin e brendshëm, përveçse e bën atë interesant dhe tregon se ka zbulesë, në përvojën e tij, kjo lidhej dhe me gjetjen dhe prurjen e personazheve që kishin një lloj harmonie me idetë e autorit, dhe kjo kishte shumë rëndësi për të.
Naum Prifti u shqua për krijimin e personazheve komplekse, ku bie në sy (sipas Vath Koreshit) një prirje e sinqertë e tregimtarit për njerëzit e thjeshtë dhe të mirë, prandaj njerëzit e kësaj natyre zënë vend të dukshëm në tregimet e tij. Lidhur me konceptin e të bukurës në prozë, e cila është vërtetë e vështirë t’i afrohet poezisë, mjeshtri i tregimit, Naum Prifti, tregon se proza shqiptare ka tregimtarë të tillë, si: Mitrush Kuteli, Jakov Xoxe, Petro Marko, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi, Dhimitër Xhuvani, Sotir Andoni, Vath Koreshi, Ismail Kadare, Nasi Lera e Gazmend Kongoli, duke mos harruar atë që thoshte Çehovi lidhur me tregimet e tij, se “… ndërsa unë përpiqesha të zbuloja anët pozitive të shoqërisë sonë, përballesha me anët e shëmtuara të jetës ruse”. E bukura, si nocion estetik është e thjeshtë, prandaj ajo mbahet mend shumë shpejt, kështu ai kujton, se në rininë e tij e kishte mësuar përmendësh fillimin e romanit “Kasollja” të Ibanjezit, si një rrëfim i çmuar mbi pasionin dhe këmbënguljen e tij, lidhur me letërsinë dhe veçmas tregimin e prozën.
Naum Prifti ishte novelist, tregimtar, dramaturg, skenarist, kritik, fabulist, gjurmues i folklorit, mjeshtër i shqipërimit, i cili falë talentit dhe mjeshtërisë arriti t’i rezistojë ndëshkimit në ekstrem të censurës, jo se nuk u ndëshkua. Ai përveçse ishte dhe mbetet një tregimtar i talentuar, ai është një nga mjeshtrit e lëvrimit të gjuhës shqipe, e cila në veprat e emrave të mëdhenj të letërsisë shqipe merr vlera dhe forcë. Vepra e Naum Priftit, në gati 100 tituj të njohur i ka rezistuar kohës, një vlerë për të cilën prof. dr Jorgo Bulo shkruan: “Naum Prifti, i cili ia përkushtoi jetën lëvrimit të fjalës shqipe, është protagonist i kulturës shqiptare me një vepër që i ka qëndruar kohës, e papërdhosur dhe e shëndetshme”, duke nënvizuar stilin lirik që i ngjan vendlindjes së tij, Kolonjës. Ai filloi të shkruajë në kohë të vështira, ndoshta me një entuziazëm të tejkaluar, por përvoja e gjatë, siç duket ia ndryshoi utopinë.
Në librin e tij jetësor, të titulluar “Midis dy kohësh” ndër të tjera shkruan: “Pohimet e kritikëve, se Gëteja, Balzaku, Tolstoi, Dikensi, Migjeni etj., i kishin ndier vite më parë ndryshimet që po sillte koha, më dukeshin spekulime sa isha letrar i ri. Mos vallë shkrimtarët kishin një shqisë të gjashtë apo antena të posaçme për të parandier shndërrimet që po ravijëzoheshin në horizontin e largët? Më vonë, nga përvoja e jetës nën diktaturë, fillova të besoj se në ato pohime s’kishte asgjë metafizike. Ata janë në gjendje të vërejnë shenjat e sigurta që paralajmërojnë ndryshimet e regjimeve dhe të sistemeve, si tatëpjeta ekonomike, paraliza e mendimit, konformizmi, dualizmi midis mendimeve dhe fjalës, bjerrja e virtyteve, arbritariteti i shoqëruar me dogmatizëm të hekurt, egërsia e pushtetit, humbja e idealeve dhe besimit tek e ardhmja”, e cila në tregimet e Naum Priftit është shfaqur përmes ngjarjeve dhe personazheve që ai i ka njohur vetë në mjediset jetësor. Pa dyshimin më të vogël, kjo konsideratë e imët, që lidhet me misionin që ka letërsia artistike, domosdo është dhe një lloj vetërrëfimi, i cili e ka shoqëruar tregimtarin në pjesën më të madhe të jetës, duke vërejtur realitetin në të cilin ka jetuar.
Duke qenë njëri nga mjeshtërit e tregimit, pjesa më e madhe e tregimeve të tij janë bërë skenarë filmash, me temë nga lufta dhe realiteti në të cilin ai ka jetuar. Drama e tij e parë “Rrethimi i Bardhë” (1964) u shkrua në kohën më të rëndësishme të saj, por dhe më problematike, pasi ajo ishte vënë nën vëzhgimin e hollë të kritikës, për t’i imponuar kursin ideologjik të parimeve te realizmit socialist. Pas vënies në skenë nga teatri “Skampa” në Elbasan dhe atij “Andon Zako Çajupi” në Korçë, krahas suksesit, ajo u kritikua, pasi në një sens të hollë, në të kishte një moment që autori shfaqte dyshimin, se partia ishte larg klasës punëtore, shpirtërisht dhe fizikisht, kështu që targa e ashpër “dramë e gabuar” do ta ndiqte atë për shumë kohë nga pas, jo vetëm kur u dërgua për riedukim.
Të shkruarit e dramës nga Naum Prifti buronte nga talenti prej tregimtari, veçmas nga dialogët e tij të mrekullueshëm në tregim, kështu që mjaft nga dramat e tij, si “Mulliri i Kostë Bardhit” (1969), “Plumbat e shkronjave” (1978), “Një verë e thatë” (“Zani– Partizani”) (1981), “Luftëtari më i ri” (1981), komeditë “Dasmë pa nuse” (1969), “Talenti i rrallë” (1980) dhe vepra të tjera, kanë një ind narrative prej tregimi. Ai po ashtu shkroi dhe letërsi për fëmijë, në të cilën la shenjën e tij, duke e nxjerrë atë nga kllapia dhe skematizmi. Në kujtesën dhe shkëlqimin e filmit shqiptar, skenarët e Naum Priftit në filma të tillë, si “Pylli i Lirisë”, “Ndjekësi i kalit” (tregim i Naum Priftit, i skenuar për film nga Nasi Lera), “Tokë e përgjakur” etj., plotësojnë me një lloj shkëlqimi profilin e shkrimtarit Naum Priftit, i cili i ka lënë kaq shumë vlera letrare kulturës shqiptare. Gjithsesi i nderuar me çmime dhe medalje, Naum Prifti arriti ta lërë veten në letërsinë dhe kujtesën e shkëlqyer të shqiptarëve që nga krijimi i parë deri tek ai i fundit. Tregimi i tij do të vijojë të mbetet një shkollë e çmuar për tregimin që shkruhet sot dhe do të shkruhet më vonë, prandaj hulumtimet dhe studimet bashkëkohore duket t’i orientojnë studentët dhe doktorantët drejt vlerave të tilla, të cilat kanë ende shumë për t’i zbuluar. Askush më mirë se Naum Prifti nuk arriti të bënte bashkë në një alkimi ekzistenciale natyrën memuaristike të motiveve të tij me atë që ai jetoi vetë. Vetëm një krijimtari e mirë mund të komunikojë në mënyrë të tillë, duke u bërë një i epërm në lëvrimin e prozës shqiptare.
Tiranë-Vlorë, 11 mars 2024/exlibris.al