Sejmen Gjokoli: DUKE LEXUAR LIBRIN “ALIZOT EMIRI”
Saktë nuk e mbaj mend por me siguri duhet të kem qenë në gjysmën e dytë të shkollës së mesme kur jam futur për të parën herë në dyqanin e tij.
Kisha nisur të dashuroja shumë poezinë, por edhe reportazhet që shkruheshin herë pas herë në gazeta dhe aty merrja të përditshmet e shtypit, sidomos të dielave kur e kishte radhën “Drita”.
Këtë punë bëja sa herë që ndodhesha në qytet, në Gjirokastër, gjatë pushimeve verore.
Në librari shiteshin edhe të përditshmet e shkruara, ndaj disa për gazeta e të tjerë për libra, zakonisht rrinte e mbushur plot.
Vonë, shumë vonë e kam mësuar se ay që tregtonte librat dhe gazetat, Alizoti kishte emrin, gjithëherë e dija se Ali-Zoti ishte emir dhe mbiemri bashkë.
Emirin që në fakt ishte mbiemri, të paktën unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë.
Kjo edhe për faktin se emir i tim eti ishte Ali dhe unë mendoja se ky ishte adsh me atin tim.
Kaq shumë kishte bërë emër emiri i tij sa mbiemri dukej i pa nevojshëm, mbase një rast unik ky i librarit legjendar gjirokastrit.
Atë kohë s’kishte si ta mendoja që pikërisht gjysëm shekulli më pas do të më binte në dorë libri kushtuar jetës dhe veprimtarisë së këtij njeriu, shkruar me aq shumë dashuri e mjeshtëri nga dy djemtë e tij, Shpëtim e Ibrahim Emiri.
Më dërgo adresën se do ta postoj – më shkroi përpara pak ditësh Shpëtimi prej Tiranës ku jeton, njëri prej djemve dhe autorëve të librit.
E tha dhe e bëri dhe s’vonoi kur libri me autografinë e tij më mbriti te dera në banesën time në Vlorë.
As vetë nuk e mendoja se do më tërhiqte kaq shumë, sidomos kur duhet të lexosh gati 400 faqe të shkruara.
Në fakt Pëllumb Kulla që është edhe autori i parathënies e paralajmëron këtë gjë ,por tjetër të të thonë e tjetër ta provosh.
Kam mbetur i befasuar prej këtij leximi dhe njëherësh kam marrë një emocion të veçantë. Ndonjëherë qëllon që historia e një njeriu të zakonshëm ka kaq shumë lëng jete sa të duket si një univers më vete.
Kështu edhe historia e Alizot Emirit, librarit me famë të Gjirokastrës, njeriut që jeta e tij shkon përtej jetës së një njeriu.
Ajo të kujton sa e sa njerëz të cilët në thjeshtësinë e jetës së tyre jo vetëm kanë bërë historinë e tyre, por janë kthyer njëkohësisht edhe në pika referimi.
Siç historia e jetës së këtij njeriu të thjeshtë ka rrezatuar përtej vetes, familjes apo farë e fisit të vet.
Veç të tjerash, siç del qartë në tërësinë e të bëmteve të tij, të shumtat të ndodhura përmes një humor fin po nga ata të hollët fare e që hera herës të kujtojnë si të ishin të Xhebro Gjikës me shokë, vërtetohet se si individi ka rolin e tij në zhvillimet shoqërore qoftë edhe të një qyteti të tërë.
Njerëz me dhunti të veçanta e që imponues bëhen me mençurinë dhe intelektin e tyre.
…Kalvari familjar i Alizot Emirit, një histori më vete, me shumë pika kulmore e në jo pak raste dramatike.
Zierja e ujit në sobë nga Aneja, gjasme se po ziente diçka për fëmijët për t’u shtruar për darkë, por që ziente e ziente deri sa t’i zinte gjumi (në mungesë të ushqimeve) pa dyshim mbetet diçka dramatike, tronditëse, unikale.
Po sa e sa ndodhi të tjera na rrëfehen mes faqeve të librit dhe që të gjitha heroi ynë i kapërcente falë mençurisë së tij dhe optimizmin për jetën e cila duhet të jetohej me çdo çmim.
Por më duhet të them se edhe mënyra e të shkruarit, gjuha dhe stili i të rrëfyerit, përshkrimi deri në detaje i ndodhive dhe situatave, mbeten për librin një vlerë e shtuar.
Është një libër që të emocionon, të gëzon, të intrigon, por edhe të pezmaton.
Nuk i kemi më në qarkullim këto lloj “specie”, nuk i kemi më këto modele njerëzore që punën e tyre të thjeshtë ta bëjnë me kaq shumë pasion e me kaq shumë dashuri dhe kryesorja që përmes punës së tyre të bëhen nxitës dhe përçues për më shumë dituri e kulturë.
Njerëz që gati kthehen në institucion kulturor më vete.
Të vjen keq se nuk po duken më këta njerëz të etur për dije e kulturë, nuk i gjejmë dot më këto grupe e rrethe shoqërore që transmentonin kulturë e bëheshin promotorë të të mirës në shoqëri.
Siç, bie fjala, ishte kthyer libraria e Alizotit aty në Qafën e Pazarit ku kohë e pas kohe mblidheshin profesorët, doktorët, artistët, krijuesit e sa e sa intelektualë të qytetit të gurtë.
Alizot Emiri, njeriu që përmes botës së tij të madhe, humorit, satirës së tij brilante e jetës aktive shoqërore, mbetet përherë i kujtuar e i nderuar nga të gjithë.
Vlorë; 18.03.2024.
Please follow and like us: