Astrit Lulushi: Olimp
Mali i Olimpit
Me sa duket, Kroni nuk kishte mësuar asgjë për fuqinë e rrezikshme të pikëllimit të nënës. Kjo solli rënien e tij. Sepse Rea donte që fëmijët e saj të jetonin dhe kur lindi fëmija i saj i gjashtë, Zeusi, ajo e çoi atë në Kretë, duke i dhënë Kronit një gur që ta gëlltiste në vend të tij. Më pas Rhea nuk lindi më fëmijë. Zeusi u ngrit në historinë e tiranisë së babait të dhe dëshpërimit të nënës, dhe u betua për të korrigjuar të gabuarën. Kur u rrit, gjyshja e tij Gaia e ndihmoi ta detyronte Kronin të villte fëmijët që kishte gëlltitur. Pastaj Zeusi dhe vëllezërit e motrat e tij bënë luftë kundër Kronit dhe Titanëve. Ishte një luftë e tmerrshme, e cila tronditi tokën, qiellin dhe botën dhe iu afrua shkatërrimit dhe kthimit të universit në kaosin fillestar. Ne mes të kësaj lufte, Zeusi u dëshpërua, kur Prometeu dezertoi në anën e perëndive të reja, duke marrë me vete edhe vëllanë e tij Epimeteun. Prometeu, si perëndia e paramendimit, ishte në gjendje të shihte se në cilën anë anonte fitorja. Por më vonë ai tregoi dhembshuri për të dobëtit dhe të shtypurit edhe kur i kushtoi atyre gjithçka, u bashkua me perënditë e reja.
Sido që të jetë, Zeusi dhe aleatët e tij më në fund fituan dhe e hodhën Kronin dhe pjesën tjetër të Titanëve në Tartarus, një gropë e zezë në thellësi të tokës. Një Titan, Atlasi, u dënua për të mbajtur peshën e qiejve mbi supe. Të lirë mbetën vetëm Prometeu dhe Epimeteu.
Origjina e emrit Olimp (Olympos) nuk dihet. Një teori sugjeron se ajo është e përbërë nga ‘ou lyma’ (lumë, larje); dhe ‘pous’(putër, këmbë), që do të thotë “këmbë e larë, e pastër”, kjo në përputhje me përshkrimin e Hesiodit për tokën si një lloj stoli i këmbëve për qiellin nga i cili ngrihen Zotërit.
Në malin Olimp, hyjnitë fitimtare krijuan kështjellën e tyre, e cila u bë shumë e mbrojtur. Më pas ata u quajtën Olimpianë. Pas rënies së Titanëve pati rebelime nga gjigantët, por olimpianët i mposhtën të gjithë dhe më në fund, pati paqe në qiell dhe në tokë. Sipas një historie, Prometeu dhe Epimeteu, ishin ata që krijuan kafshët dhe njerëzit për të banuar në botën që ishte pastruar nga përbindëshat. Epimeteu, një lloj ‘mendjemadhi’, por i shkujdesur, u dha dhurata të gjitha kafshëve; disa mund të fluturonin, disa mund të merrnin frymë nën ujë, disa ishin me kthetra, disa me koracë të pathyeshme; dhe më pas ai erdhi te njerëzit dhe kuptoi se nuk kishte asgjë për t’u dhënë këtyre krijesave të zhveshura. Kur Prometeu e pa këtë këtë gjendje, i ngriti njerëzit që të ecnin drejt si perënditë dhe të shikonin qiejt. Ai gjithashtu u dha atyre dhuratën e zjarrit, i cili u përkiste vetëm perëndive, dhe e mashtroi Zeusin që t’i lejonte njerëzit t’u siguronin perëndive yndyrën dhe kockat e flijimeve të tyre, ndërsa vetë hanin mishin. Zeusi ishte mirënjohës kur Prometeu e mëshiroi atë dhe vëllezërit e motrat e tij, por u zemërua për keqardhjen që ndjente për njerëzit. Zeusi e lidhi Prometeun në një majë mali, ku një shqiponjë i hante mëlçinë çdo ditë – mëlçia ripërtëritej me magji çdo natë, kështu që jeta dhe dhimbja e Prometeut të mos mbarronin kurrë. Por nuk u pendua për atë që kishte bërë, ose nuk i kërkoi falje Zeusit; dhe mbi tokë, burrat dhe gratë u deshën dhe u shumuan, u përhapën dhe u bënë të mençur. Ndërsa drita e zjarrit u bë simbol i dijes, e cila sjell përparimin.
Please follow and like us: