Kristaq Balli: GJON MILI NЁ HOLLIVUD
Ёshtë viti 1942. Gjon Mili ka hedhur themele solide profesionale e artistike në revistën LIFE, madje është bërë i famshëm me një shpejtësi të furishme. Në Janar të këtij viti ai ka çelur ekspozitën vetiake “Dancers in Movement” (Valltarët në Lëvizje) në Muzeun e Artit Modern MoMA, Nju Jork, e cila është konsideruar si një ngjarje e rëndësishme artistike për zhvillimet e reja në fotografinë artistike në lëvizje. Sidoqoftë po të kthehemi pas në kohë, do të na kujtohet ai djaloshi i gjatë, i brishtë, me syze, vegimtar që, duke u përgatitur për të ardhur në Amerikë të studionte inxhinieri, kishte edhe pengun e pasionit të tij për Hollivudin. Ndoshta, sepse, gjatë asaj kohe, Hollivudi ishte bërë sinonim i zhvillimit dhe rrezatimit të ngjarjeve botërore kulturore dhe i shpërthimit të avangardës së artistëve më të mëdhenj të planetit. Veçanërisht ata të kinematografisë. Një ëndërr e lakmuar për rininë. E njëjtësuar me industrinë më të madhe botërore të filmit, përballja me këtë realitet metropolitan, ku arti kinematografik ishte një prej industrive më të mëdha artistike dhe limfa e jetës sociale me kultura e mendësi të skajshme jetese e krijuese, arena konkuruese e dhjetra filmave promotorë dhe studiove prodhuese të tyre si Metro-Goldwyn-Mayer. Paramount Pictures,, 20th Century Fox, MGM., Warner Bros., Walt Disney Pictures(animation), etj., e tejkalonte imagjinatën e çdo njeriu. Gjon Milit nuk i shqitej nga mendja vlerësimi i Faik Konicës mbi vendin dhe rolin udhëtregues të kinematografisë si një art kolektiv e kompleks pamor në formimin kulturor të shoqërisë.
Para pak kohësh në Los Axhelos kishte mbërritur edhe një prej regjisorëve anglezë më të njohur në botë, Alfred Hitçkok, për të realizuar një prej filmave të tij thriller. Pra ishte kjo arsyeja pse revista LIFE kishte dërguar Gjon Milin për të fotografuar Hitçkok-un dhe filmin e tij në sheshxhirim në Santa Rosa, por edhe si një motiv më tepër që, nëpërmjet Gjon Milit, të promovohej jo vetëm mjeshtëria e tij, por edhe risitë dhe evolucioni i teknologjisë së sofistikuar dhe aparaturave fotografike të reja të revistës LIFE, që në ato vite botohej me një tirazh shumë të madh. Ja si e ka përjetuar vetë Gjon Mili mbërritjen dhe aktivitetin në Hollivud:
“Ishte kurioziteti dhe një rizgjim i ëndrrës sime të vjetër për filmin që më bëri të shkoj përmes kontinentit në Hollivud në vitin 1942. U ktheva tek vendi i pasioneve të mia rinore. Tërhiqja zvarrë “një qerre” me paisje elektronike…
…Të gjithë ishin të entusiazmuar për teknikat e reja, siç u shpreh një prej tyre: “një vështrim i ri për klishe të vjetra”. (1) (Gjon Mili: Movies, Photographs & Recollection p. 68).
Suksesi fotografik i Milit në Hollivud ishte i epërm për artistët që iu ofruan eksperimenteve të këtij fotografi të magjishëm. Ai fotografoi me teknikat e tij stroboskopike, jo edhe aq të njohura në ato sheshe xhirimi, aktorë, balerina, fëmijë kuriozë, skenografi e skena xhirimi, regjisorin Alfred Hitçkok, etj., duke habitur gjithkënd, por duke kaluar edhe vetë një kohë të mrekullueshme e të frutshme që pati jehonë surprizuese në mediat e kohës. Në artikullin e botuar posaçërisht në revistën “LIFE” – “High-Speed Camera Goes to Hollywood” (Aparati Fotografik me Shpejtësi të Lartë Shkon në Hollivud ), midis të tjerash shkruhet: “…Në Hollivud puna e aparatit me blic nuk ishte diçka e re, por Mili që ishte gjysmë fotograf dhe gjysmë inxhinier, bëri shumë më shumë se sa fotografimi i topave fishkëllyes të tenisit dhe zhdukja e bliceve të dritës. Duke fotografuar aktoren Aleksis Smith në një piruetë në ajër, ai demonstroi që mund të kapte në një kuadrat filmi negativ më shumë hijeshi e bukuri sesa mund të përfshinte në shumë metro film një kameraman i Hollivudit. Sekreti i aksionit “të ngrirë” është drita stroboskopike e zbuluar teknikisht nga profesori i M.I.T. Harold E. Edgerton dhe e çuar përpara me fuqinë më të madhe editoriale nga Mili. Për të bërë këto foto, një dritë si vetëtimë sinkronizohet nga blici me intervale. Ekspozimet bëhen sa herë blici ndriçon dhe shpejtësia e tij është e barabartë me atë të objektit, në këtë mënyrë objekti duket sikur është i ndalur.
Duke punuar në studio filmash, Gjon Mili vulosi zotërimin e metodës me njohuritë e tij inxhinierike, yjet me një fotografi të tipit të ri për albumet e tyre. Mbi të gjitha ai i detyroi regjisorët të ulen dhe të mbajnë shënime, sepse në fotografitë e tij me “ngrirje” të aksionit ata panë diçka që mund t’i çonte në një nisje të re për studimin e teknikës dramatike. Për shembull…, fundja, shikoni ekspozimet “stroboskopike” të Gjon Milit mbi veprimin më universal në një film, puthjen”. (2) ( High-Speed Camera Goes to Hollywood: LIFE December 24, 1942, pp. 35-37).
Atë verë kur në Santa Rosa xhirohej filmi “Shadow of a Doubt” (Hije dyshimi) i Hitçkokut me aktorët Teresa Wright dhe Joseph Cotten, i cili për vetë regjisorin Hitçkok ishte filmi më favorit personal nga të gjithë të tjerët, Gjon Mili realizoi fotoreportazhin stroboskopik për Hitçkok-un, të cilin vetë regjisori e shndrroi në një insert aksioni filmografik, por edhe të një atmosfere gazmore. Mili, mjeshtërisht, e shfrytëzoi pamjen dhe karakterin e tij për të realizuar me një shije të hollë artistike portretin autentik dhe setin e fotove të kineastit hollivudian, që befasoi mediat e shkruara amerikane për origjinalitetin dhe personalitetin human e profesional të të dy artistëve. Ai gjithashtu, u fotografua me vajzën e tij të vetme, Patricia, si dhe me aktoren e vogël Edna May Wonacott, pjesëmarrëse në film. “Në Hollivud takova Alfred Hitçkok, i cili idenë e të qenurit i drejtuar (komanduar) nga një regjisor e konsideroi zbavitëse dhe u soll në mënyrë korrekte”. (3) (Gjon Mili: Movies, Photographs & Recollection p. 68).
Foto strobe të një sinkronizimi preçiz e estetik të veçantë, Gjon Mili realizoi me aktoren 21 vjeçare Alexis Smith, si dhe me çiftet e aktorëve Nancy Coleman dhe Helmut Dantine nga filmi “Edge of Darkness” (Skaji i Errësirës) dhe “Action in the North Atlantic” (Aksion në Atlantikun e Veriut).
Një foto skenografike të një skene masive i kushtoi Mili filmit të Hitçkok në process xhirimi “Shadow of a Doubt” (Hija e Dyshimit).
Vizitës së Gjon Milit në Hollivud, revista tjetër shumë e njohur amerikane e modës “Vogue” i ka kushtuar dy faqe të plota me foto stroboskopike të Alfred Hiçkok dhe Edna May duke provuar rolin: “Fotot tregojnë veprimet e Hiçkokut që ngutet të nxjerrë shaminë, të qajë, të fshijë sytë. Ekspert suprem anglez, ai solli në Hollivud një famë të madhe, duke e manovruar trupin e tij të rrumbullt për drejtimin e hijshëm të veprës “39 Hapat”. Filmi i tij i fundit është “Hija e Dyshimit”. Por Hitçkoku bën më shumë se zakonisht: ai luan çdo rol. Nëpërmjet fytyrës së tij buçkane regëtin hija e lehtë e emocionit, duart e tij bëjnë një gjest “Madonna”, këmbët e tij kërcejnë si një i ri. Këtu ai i tregon një dhjetëvjeçareje si të qajë, si të fshijë lotët…(4)(Alfred Hittchcock Directs to Young Edna May Wonacott: Vogue 1 May 1943.
Jehonë të posaçme i ka bërë Gjon Milit dhe fotove të tij në Hollivud gazeta franceze “Nuit et Joir” (Natë dhe Ditë), e dt. 12 Korrik 1945, e cila ka botuar në f. 8 një artikull me titull: “Ces Photos On Éttoné Hollywood” (Këto foto kanë çuditur Hollivudin) të shoqëruar edhe me foto të Gjon Milit. Midis të tjerash aty thuhet: “Të çudisësh Hollivudin nuk është një ndërmarrje dhe aq e zakonshme. Në vendin e superlativës, nuk është e lehtë të emocionosh ose të befasosh dhe duhet një lloj dhurate qiellore për ta bërë një amerikan të lëshojë një “oh” që shpreh habi për Alexis Smith me ‘Vallëzimin e maces’ dhe Humphrey Bocaert me Julie Bishop në filmin e tyre të ri “Action in the north Atlantic”…
…Duke përdorur një proces që mund të duket relativisht i thjeshtë, Gjon Mili arriti në këtë rezultat. Duke publikuar në një revistë amerikane fotot që ne riprodhojmë këtu, ai provokoi në qarqet kinematografike të Hollivudit reagime shumë të gjalla kurioziteti. Por, si u realizuan këto foto? Gjon Mili, i cili në të njëjtën kohë është inxhinier dhe fotograf, përdori “dritën blic”, e cila është një shpërthim drite e çastit, me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe. Një sistem i shpikjes së tij shkakton reagimin e diafragmës së hapur në të njëjtin kuadrat filmi, sa herë shfaqet kjo dritë, gjë që i lejon atij të ndajë në një numur të madh fraksionesh një gjest a lëvizje që mezi zgjat një sekondë…Për ta bërë demonstrimin e procesit të tij më spektakolar, Gjon Mili u kërkoi yjeve më të mëdhenj të Hollivudit që të pozonin për të dhe zbërthimi i çuditshëm i lëvizjeve që bënë ata para aparatit të tij na lejon të ndjekim në një mënyrë më të vëmendshme sesa në kinema larminë e shprehjeve që një fytyrë mund të marrë në një kohë që matet në të dhjetat e sekondës.Ky proces mund të kryejë shërbime të mëdha për kërcimtarët që të studiojnë lëvizjet, dhe për krijuesit e filmave vizatimorë.” (5) (Aurenc Bebja: Gjon Mili, fotografi që çuditi Hollywood-in… Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania).
Përveç revistave të ndryshme disa foto të Milit për Hitçkok janë vendosur si ilustrime në librin gjithëpërfshirës “Alfred Hitchcoock – The Complete Films” me botues Paul Duncan. (6)(Paul Duncan: Alfred – “The Complete Films”, Taschen, 2019).
Përvoja e suksesit dhe famës së Gjon Milit në Hollivud do të përsëritet dy vite më vonë, kur ai do të realizonte aty filmin e tij të famshëm “Jammin’ the Blues”.
Please follow and like us: