Milazim Krasniqi: Si e shkrova dramën mbi kampin e Bllacës?
Drama “Bryma e vdekjes” ka qenë e ngulitur në mendjen time para se të shndërrohej në tekst, si përvojë jetësore, si traumë. Një polici maqedonas që ishte cinik përballë turmës së dërrmuar në kampin e Bllacës, i pata thënë se do t’ua përjetësoja turpin, për atë që po bënin, pasi atë vend e patën shndërruar në një kamp përqendrimi. Ndoshta në atë moment më është dukur se ajo që po më ndodhte mua dhe gjithë asaj turme, ishte një skenë teatri, ku luhej një tragjedi. Pak a shumë ashtu ka ndodhur edhe në kohën e Eskilit dhe me vetë Eskilin: ai i përjetoi misteret e tempullit të Eleuzinës, mandej atë përvojë e shndërroi në teatër. Raporti ndërmjet jetës konkrete dhe artit, teatrit në veçanti, është lehtësisht i identifikueshëm. Megjithatë, për t’u shndërruar shenjat e jetës konkrete në vlera artistike, duhet të kalojnë nëpër një proces transponimi artistik. Përvoja ime-trauma ime me Bllacën, ka kaluar nëpër atë proces, duke marrë vetëm disa shenja prej realitetit e duke e krijuar një realitet që funksionon me logjikën e artit.