PROFILI I NAUM PRIFTIT NË LETËRSINË SHQIPE PËR FËMIJË E TË RINJ
Profesor Kastriot Gjika
Universiteti i Tiranës/
Përkujtimi e nderimi i shkrimtarëve e personaliteteve të letrave shqipe siç është rasti i Naum Priftit është njëherazi edhe një mundësi e mirë dhe e volitshme për rivlerësimin dhe ridimensionimin e trashëgimisë së tij letrare. Përgëzoj për këtë arsye organizatorët e kësaj veprimtarie dhe i falenderoj që më ftuan të sjell dhe unë kontributin tim modest. Përzgjedhja e kësaj teme erdhi, së paku, nga dy shtysa të vetëdijshme: së pari, nga shkaku i interesimeve të mia personale në studimin e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj e së dyti, nga shkaku se shpesh, kur flasim e përkujtojmë një shkrimtar të përmasave si ato të Naum Priftit, kontributet e tij në letërsinë për fëmijë në përgjithësi i nënçmojmë e i minimizojmë, duke ia nënrenditur vlerat e tij në këtë fushë vlerave e dimensioneve të tij në letërsinë e përgjithshme. Kjo është një problematikë që haset ngado në studimet tona letrare.
Kur flasim për Naum Priftin si shkrimtar për fëmijë, gjëja e parë që mund të theksojmë është angazhimi i tij si krijues në disa zhanre e lloje letrare. Ai la vepra të spikatura në tregimtarinë për fëmijë, në novelistikë, në dramaturgji, në përrallën për fëmijë etj.
Naum Prifti erdhi në tregimtarinë për fëmijë me reputacionin e një zëri origjinal e të spikatur në tregimtarinë për të rritur. Ai u bë shpejt një mjeshtër edhe në letërsinë për fëmijë, përfaqësues i dinjitetshëm i saj. Vëllimi i parë i tij në prozën e shkurtër “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun” (1979) qe me krijime të mbështetura te folklori shqiptar. Më tej, autori botoi dy përmbledhje me tregime. “Erë mali, erë fushe” (1985) është një kthim emocional në fëmijërinë e shkrimtarit Naum Prifti – një pjesë e tregimeve fokusohen te Lufta Antifashiste dhe te pjesëmarrja e fëmijëve dhe të vegjëlve në këtë epope historike. Një vit më pas vëllimi “Si ylber që vezullon” i kushtohet një grupmoshe më të re.
Kthimi dhe referenca te vetvetja, duke e konsideruar atë si fokus të rrëfimit, i ka dhënë veprës së tij tregimtare besueshmëri e intimitet. Duke ndjekur një praktikë të sprovuar në letërsinë për fëmijë, Naum Prifti ndërton një strukturë të thjeshtëzuar të tregimit. Rrëfimi në vetën e parë e bën personazhin një pjesëmarrës aktiv të ngjarjeve dhe jo thjesht një kundrues të jashtëm e të paanshëm të tyre. Personazhi rrëfimtar kalon nga njëri tregim në tjetrin, në disa prej tyre, duke bërë që vëllimi me tregime të konceptohet edhe si një vepër e unifikuar. Përmbledhja na shpërfaq një larmi tipash e karakteresh. Duket qartë që tregimtari kërkon t’iu ikë shablloneve letrarë, në kërkim të tipave e karaktereve unike. Prozat tregimtare të Naum Priftit shquajnë edhe për një tis të hollë humori që i vesh ato, zaten si krejt veprën e tij. Shkrimtari eksploron duke depërtuar në botën e brendëshme, në mendimet dhe ndjenjat e fëmijëve dhe adoleshentëve. Për një, ndër vlerat që kritika e kohës i njohu vëllimit “Erë mali, erë fushe” është ajo e zgjerimit të tematikës së tregimit për fëmijë.
Përmbledhja me tregime “Si Ylber që vezullon” (1986) duket se synon një grupmoshë pak më të vogël, shkollarë më të vegjël. Aty shkrimtari kërkon të eksplorojë letrarisht ndryshimin e hovshëm psikologjik të moshës më të njomë. N. Prifti ka ditur që në mënyrë shumë inteligjente ta nënvizojë idenë se sado më të zhvilluar të jenë brezat e sotëm, ata janë fëmijë e mendojnë, ndiejnë e përjetojnë si fëmijë. Trajtimi letrar i veçorive të fëmijëve, në fakt e adreson librin edhe te të rriturit, te prindërit dhe edukatorët etj. Temat e trajtuara në tregimet e këtij vëllimi janë tema të ditës. Situatat e treguara janë të përshkuara përherë nga humori. Naum Prifti tregimtar ka stil origjinal, ka profilin e tij vetjak si tregimtar, e njeh mirë veçantinë e tregimit si lloj letrar.
Titulli që e bëri të njohur Naum Priftin në letërsinë për fëmijë është novela “Cikua dhe Beni”. “Cikua dhe Beni” (1964, ribotuar në 1976) është një novelë që i vendos ngjarjet e bëmat e dy heronjve të saj të vegjël në vitet e Luftës Çlirimtare. Me një tis lirizmi e humori rrëfehen ngjarje të verës së vitit 1944. Heronjtë e saj, Cikua 11 vjeç e shoku i tij i ngushtë, Beni 9-vjeçar, jetojnë në një fshat të Kolonjës. Pranë tij, në Ersekë, janë vendosur gjermanët, ndërsa në anën tjetër të fshatit, në male, janë partizanët. Në fshat pllakosin herë njëra palë e herë tjetra. Cikoja, i frymëzuar nga model i një partizani që qëndroi burrërisht ndaj torturave deri në pushkatimin e tij nga armiqtë, i qëndron dhe ai rrahjeve, rrëmbimit të mushqerrës së tij të dashur, Laureshës, etj . Tregimet kanë trajtë aventurore, sepse si e tillë është trajtuar edhe qëndrimi i Cikos dhe i Benit te partizanët në mal. Pas dy ditësh qëndrimin aty, edhe pse s’i pranuan për shkak të moshës, u larguan të lumtur se kishin ç’tu rrëfenin bashkëmoshatarëve të tyre në fshat. Tematika e librit, edhe pse shumë u vlerësua në kohën kur u botua, nuk është pika më e fortë e kësaj novele. Niveli artistik i rrëfimit letrar është merita më e madhe e librit. Autori e njeh më së miri psikologjinë e fshatit, psikologjinë e fëmijëve në fshat dhe psikologjinë e familjes fshatare. Novela pretendon të jetë realiste, por ajo nuk është e çliruar nga njëfarë romanticizmi që buron nga nostalgjia për fshatin e jetesën në të, që në rastin e Naum Priftit, lidhet me përvoja e përjetime personale. Gjuha e veprës është gjithashtu mjaft tërheqëse dhe karakterizuese për ligjërimin e personazheve, si të atyre fëmijë, ashtu edhe të të rriturve.
Personazhi i Cikos është i ndërtuar bukur, me vërtetësi dhe duket që si i tillë ai është ushqyer sa nga prototipa të letërsisë botërore për fëmijë (ai është harakat dhe çapkën si ndonjë Tom Sojer apo Hakëlberri Fin), aq edhe nga vetë jeta vendore dhe letërsia shqiptare për fëmijë. Jo rastësisht ky personazh dhe dyshja e tij me Benin të kujtojnë personazhin fëmijë të Mitrush Kutelit, Çilin.
E ngjashme me novelën e sipërpërmendur është edhe drama për fëmijë “Zani partizani” (1981). E ngjashme jo vetëm për nga tematika, ajo e pjesëmarrjes së të vegjëlve në luftën partizane, por edhe nga fakti që edhe këtu në qendër janë dy djem të vegjël, Zani dhe Fatosi, që duan dhe përpiqen të bashkohen me partizanët. Fabula është e thjeshtë. Gjuha dramatike është e karakterizuar nga një dialog i shkathët, personazhet janë të individualizuar e të karakterizuar bukur. Kjo dramë u vlerësua si një nga më të sukseshmet për kohën e vet.
Është intersant qëndrimi që vetë Naum Prifti ka mbajtur ndaj letërsisë për fëmijë. Në një intervistë të tij në gazetën “Shqip”, më 2 shtator 2006, Naum Prifti pohon se “disa kohë iu shmanga letërsisë serioze, duke u marrë me letërsinë për fëmijë. […] unë letërsinë për fëmijë e përdora në atë kohë si alibi. Pasi shkruaja gjëra të tjera, të cilat nuk mund t’i botoja, i mbaja në sirtar dhe botoja vetëm letërsi për fëmijë”.
Në një kumtesë të tij, mbajtur në Simpoziumin e parë të letërsisë për fëmijë (27-28 maj 1974), Naum Prifti shprehte gjithashtu disa konsiderata që na interesojnë në lidhje me përrallën për fëmijë. Sipas mendimit të tij të shprehur në këtë kumtesë, përralla e kultivuar duhet të ketë edhe karakter njohës. Tek ajo duhet të gërshetohet harmonikisht fantazia me të vërtetën shkencore, ku mjediset dhe situatat duhet të jenë të ngjashme me ato që njohin dhe jetojnë fëmijët.
Kur në përrallë përmendet televizori, automobili, telefoni etj, kjo duhet bërë që të vijë natyrshëm ideja e bashkëkohësisë. Ai mbronte idenë se nuk është shkelje e botës së fantazisë përmendja në përrallë e vendeve dhe sendeve të njohura për fëmijët, si kinema “Partizani”, karamele “Fatosi”, bar kafe “Rozafa” etj. Në përrallën e kultivuar, sipas autorit, duhet që krahas idesë së shëndoshë dhe moralit pozitiv, të gërshetohet edhe karakteri njohës, edhe karakteri shkencor. Të gjitha këto të jepen me fantazi dhe natyrshmëri, mundësisht me një dozë të mirë humori. Saktësisht këto parime shkrimtari Naum Prifti i ndoqi e i zbatoi edhe në veprimtarinë e vet krijuese dhe konkretisht në përrallat që iu dedikoi fëmijëve.
Përmbledhja “Përralla për një muaj” (1989) përmban tridhjetë përralla, nga një për çdo natë, përgjatë një muaji të tërë. Krijimet e tij në këtë zhanër lexohen me endje, janë shkruar bukur e me doza të humorit të shëndetshëm. Lexuesi i moshës së vogël ka rastin të lexojë krijime me ide e mesazhe pozitive. Kështu, fjala vjen, përralla “Cinxëri këngëtar”, me të cilën hapet vëllimi, evokon një situatë nga fabula e njohur e La Fontenit “Gjinkalla e milingona”. Akuzës së Karkalecit se Cinxëri është treguar dembel dhe s’ka punuar gjatë verës, ai vetë i përgjigjet se në fakt, ka punuar fort e është lodhur shumë duke u përgatitur për koncertin e tij, se edhe kënga e të kënduarit është një punë e vështirë që jo kushdo e bën. Kësisoj ai e zgjeron horizontin e fëmijëve edhe me punën artistike dhe estetike, përtej asaj fizike. Përralla “Keri te dentisti” përçon edhe mësimin për kujdesin dhe higjienën e gojës e të dhëmbëve qysh në moshën e vogël. Shembull i bukur i gërshetimit harmonik të fantazisë me shkencën e faktet shekncore është përralla e mirënjohur “Pika e ujit”. Aventurat e personazhit kryesor, Pikës së ujit, në rrugëtimin e saj prej një shpelle të malit Tomorr deri në det e pastaj në qiell e përsëri në tokë, tek e ëma, në fakt janë një ilustrim i qarkullimit të ujit në natyrë. Disa nga përrallat e këtij vëllimi nisin me një situatë reale jetësore e pastaj kjo gërshetohet me një rrafsh fantastik. Kështu, p.sh., përralla “Karkaleci me paterica” nis me një vajzë, Luljetën, që niset t’i çojë bukë të vëllait, Ardit, që punonte me autokombajnë. Teksa ai ha drekën, Luljeta, merr në dorë një karkalec të çalë dhe një brumbull. Bashkëbisedimi i këtyre na çon në nivelin fantastik të përrallës.
Është veçuar si vlerë e stilit përralltar të Naum Priftit kujdesi që ai tregon për onomastikën, për emërtesat e personazheve, çka të kujton disi lojën koniciane me emrat e personazheve. Naum Prifti i formon emrat e përveçëm të personazheve me ndihmën e emrave karakterizues të përgjithshëm të kafshëve, të objekteve, të insekteve etj si Lec Karkaleci, Cin Cinxëri, Mili Milingona, Staf Koku, Strep Koku, Dip Koku, mushkonja Ana Fel, Elefandi Andi, Andre Seni (nga emri i shkrimtarit Andersen), Foka Oka, delfin Dolfi etj.
Në vazhdën e kësaj lloj krijimtarie, Naum Prifti i dha lexuesit të moshës së vogël edhe përmbledhjen “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun” (1979). Në thelb ato janë rrëfime të ritreguara, të rikrijuara, duke u nisur nga një rrëfim popullor, nga një fragment balade, nga disa vargje të një kënge popullore. Përmbledhja përfshin 19 rrëfime. Të gjitha kanë në qendër të tyre Gjergj Kastriotin dhe epokën e lavdishme skënderbejane. Vëllimi ka karakter njohës, duke hedhur dritë mbi historinë dhe gojëdhënat për Skënderbeun dhe bashkëluftëtarë e bashkëkohës të tij, për betejat më të rëndësishme që ai drejtoi, për gjeografinë historike të Arbërisë etj. Libri pati edhe vlera të qenësishme edukative, sa kohë që frymëzonte e edukonte ndjenja krenarie e atdhedashurie, evokohet besa e mbajtja e fjalës së dhënë etj. Rrëfimet kanë një mbështetje aktive të fuqishme në folklor.
E së fundi, nuk mund të mos e përmendim edhe angazhimin e Naum Priftit edhe në diskutimet letrare të kohës që kanë në qendër problematikat e zhvillimit të letërsisë shqipe për fëmijë. Po sjell këtu veç disa nga artikujt që ia shkroi e botoi në vitet ’70, më së shumti si dëshmi e këtij angazhimi:
Prifti Naum – Dramaturgji për të vegjël – Drita, 15 nëntor 1970.
Prifti Naum – Dramaturgjia për fëmijë ka nevojë për heronj frymëzonjës me ideale komuniste – Mësuesi, 20 Janar 1971.
Prifti Naum – Çështje të brendisë socialiste në krijimet për fëmijë – Drita 24 mars 1974.
Prifti Naum – Disa probleme të letërsisë për fëmijë – Zëri i popullit, 15 dhjetor 1974.
Prifti Naum – Për zhvillimin e mëtejshëm të përrallës sonë – Nëntori 6, 1977.
Po të shtojmë edhe përkthimet mjeshtrore prej tij të disa prej kryeveprave të letërsisë botërore për fëmijë, plotësohet në 360 gradë vendi i këtij shkrimtari të shquar në letërsinë shqiptare për fëmijë.