Zgjidhja e kontesteve, në dëm të Shqipërisë
Prof. dr. Haqif Mulliqi
Nga kujtesa
Në vitin 1913, në Londër, Konferenca e Ambasadorëve e Fuqive të Mëdha i caktoi kufijtë e Shqipërisë në vija të përgjithshme, me çfarë njëkohësisht Shqipërisë edhe iu njoh pavarësia. Gjithashtu, kjo konferencë caktoi edhe dy komisione të cilat praktikisht do t’i definonin kufijtë e shtetit shqiptar. Është fjala për komisionet të cilat u cilësuan si: komisioni jugor, për shkak se do t’i tërhiqte vijat e trasha në jug të hapësirës etnike dhe historike shqiptare si dhe komisioni verior, i cili do ta bënte po këtë gjë, ama në pjesën e kundërt të vendit, duke lënë kështu më shumë se gjysmën e tokës dhe popullit shqiptar jashtë kufijve të shtetit që u pranua në këtë konferencë.
Komisioni i kufirit jugor, dmth. atij që tërhiqte vijat e ndarjes ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, e filloi punën në shtator të vitit 1913 dhe e përfundoi në dhjetor të po këtij viti kur u bë edhe miratimi i Protokollit të Firences. Ndërsa komisioni i dytë, që bënte vënien e kufijve ndërmjet Shqipërisë me Malin e Zi, filloi punën pothuaj në të njëjtën kohë, mirëpo nuk ia doli ta mbarojë misionin për shkaqe të dimrit të vështirë i cili mbretëronte atë vit në veri. Në pranverën e hershme të vitit 1914 komisioni iu përvesh punës së pakryer të demarkacionit, mirëpo sërish u pengua. Kësaj radhe këtë komision do ta pengojë në mbarimin e punës fillimi i Luftës së Parë Botërore. Kështu, forcat e ndryshme okupuese nuk u përmbajtën që ta respektojnë neutralitetin e Shqipërisë të garantuar nga fuqitë e mëdha kështu që, edhe një herë u okupuan pjesë të ndryshme të këtij vendi. Por, në mbarim, të gjitha ushtritë okupuese u detyruan të tërhiqen jashtë kufijve të caktuar në vitin 1913. Mirëpo mbeti pezull problemi në tre sektorë: 1) Fshatrat e Korçës, 2) Shën Naumi dhe 3) Vermoshi.
1) FSHATRAT E KORÇËS
Komisioni i kufijve në vitin 1923 gjatë punimeve hasi në vështirësi në përcaktimin e kufijve për 26 fshatra të rrethit të Korçës, fshatra këto që ishin objekt i grindjeve të hapura ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Lidhur me këtë çështje të konflikteve komisioni mori qëndrim të prerë dhe nga të 26 fshatrat, 14 ia ndau Shqipërisë, ndërsa të tjerët Greqisë. Mirëpo Qeveria greke nuk mundi të pajtohet me një vendim të këtillë të komisionit. Madje grekët do të organizojnë edhe vrasjen terroriste të gjeneralit italian Telini me qëllim që ky krim t’u atribuohet shqiptarëve, e që nënkuptonte edhe tërheqjen e pasojave për ta. Mirëpo kjo nuk i dha rezultatet e pritura nga ana e qeverisë greke, e cila, pas presioneve ndërkombëtare, Qeveria greke pranoi vendimin e komisionit, por duke shfrytëzuar të drejtën e ankesës nuk ia dorëzonte Shqipërisë fshatrat në fjalë.
Në prill të vitit 1924 erdhi një komision i ri i cili do t’i ripohojë vendimet e komisionit të mëparshëm. Por grekët sërish refuzuan që fshatrat t’i kalojnë Shqipërisë. Çështja kaloi në Këshillin e Lidhjes së Kombeve, kështu që Greqia definitivisht u obligua të hiqte dorë nga fshatrat, kthimi i të cilave edhe në këtë instancë iu vërtetua Shqipërisë. Definitivisht, më 14 tetor të vitit 1924 të katërmbëdhjetë fshatrat iu kthyen Shqipërisë, sado që edhe dymbëdhjetë të tjerat që mbetën nën grekët ishin fshatra shqiptarë të banuar nga shqiptarët.
2) VERMOSHI
Vermoshi ishte pasuri e bajraqeve të Kelmendit që kryesisht këtyre malësorëve u shërbente si vend kullosash për bagëti. Ky vend ishte gjithmonë objekt i konflikteve ndërmjet shqiptarëve të kësaj ane dhe malazezëve. Madje gjatë sundimit turk kjo pjesë edhe ishte shpallur si një zonë neutrale. Sado që u duk se gjithçka përfundoi atëherë kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër e caktoi këtë hapësirë që të vihet brenda territorit shqiptar, megjithatë Qeveria e Beogradit këmbëngulte që të mos e bëjnë dorëzimin e Vermoshit Shqipërisë. Pretendimet e atëhershme të Mbretërisë së Serbëve Kroatëve dhe Sllovenëve ndërlidheshin gjoja me rëndësinë ekonomike të këtij territori për shtetin e sllavëve të jugut. Në fakt, Beogradi thoshte se nëpër këtë vend do të ndërtohej një hekurudhë e cila do t’i lidhte pjesët jugore të Serbisë me Malin e Zi. Pra, Beogradi sërish refuzonte ta zbatonte vendimin e vitit 1922 dhe gjithnjë kërkonte rishqyrtimin e tij.
Çështja e Vermoshit mori një shkallëzim drastik atëherë kur më 25 shtator të vitit 1924, herët në mëngjes, banda forcash civile malazeze (rreth një mijë syresh), kryesisht të fiseve Vasojeviq, Triepsh dhe Kuq, natyrisht të ndihmuara edhe nga forcat e rregullta të ushtrisë, e sulmuan regjionin kufitar të Shqipërisë me qëllim që ta pushtojnë Vermoshin. Po me këtë sulm u pretendua që komisioni për përcaktimin e kufijve të vihet para një akti të kryer dhe që këtë pjesë t’ia lë Malit të Zi, gjegjësisht Mbretërisë SKS. Lidhur me rastin e përmendur, qeveria shqiptare urgjentisht njoftoi të gjitha fuqitë e mëdha. Më 3 tetor të po këtij viti, në seancën e Këshillit të Lidhjes së Kombeve, merret në shqyrtim protesta e qeverisë shqiptare në lidhje me incidentin e Vermoshit.
Përfaqësuesi i Mbretërisë së SKS-së, Kamanudi, mbajti një fjalim të gjatë në Këshillin e Lidhjes, duke ekspozuar aty një version plotësisht të konstruktuar dhe joreal. Ai u mundua ta argumentojë këtë sulm të fiseve malazeze me faktin se gjoja një bandë shqiptarësh paskësh shkelur kufirin e Malit të Zi, me ç’rast kishin plaçkitur ca bagëti si dhe grabitur ca baresha të reja. Një nga bareshat malazeze, sipas Kamanudit, arriti të shtie me pushkë, me ç’rast u alarmuan pjesëtarët e fisit të Kuqit, të cilët u paskëshin dalë në ndihmë bareshave. Mirëpo fjala e tij nuk ishte fare bindëse, aq më tepër i ngjasonte një monologu të zbehtë romanesk.
Në emër të qeverisë shqiptare foli Fan Noli, i cili, gjatë atyre ditëve në Gjenevë, bënte përçapje që ta sigurojë njohjen ndërkombëtare të Qeverisë së tij. Noli vuri në lojë “argumentet” e përfaqësuesve të Beogradit, madje Kamanudin e solli në një pozitë tejet qesharake para anëtarëve të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Pas kësaj, sërish u vendos që Vermoshi t’i mbetej Shqipërisë, por zgjidhja e problemit pasoi shumë vonë dhe lidhej me zgjidhjen e konfliktit tjetër kufitar të Shën Naumit, e që, sipas shumë analitikëve, përfundoi në kuadër të “kompromisit” të cilin e bëri Mbreti Zog me Qeverinë e Beogradit.
3) SHËN NAUMI
S’do mend se problemet kufitare rreth Shën Naumit zgjuan më së tepërmi dilema dhe diskutime. Madje kjo çështje më së tepërmi u zvarrit nëpër sallat e konferencave, Lidhjes së Kombeve si dhe gjykatave, për të përfunduar në dëm të interesave të Shqipërisë. Në fillim mendohej se rreth liqenit të Ohrit nuk do të ketë probleme rreth kufijve. Por, kur në verë të vitit 1922 doli komisioni për caktimin e kufirit në fjalë, u pa qartë se Serbisë as që i shkonte ndërmend t’i tërheqë trupat e saj ushtarake nga Shën Naumi. Qeveria e Beogradit potenconte se thënia “deri në manastirin e Shën Naumit” nuk ishte plotësisht e qartë. Sipas Beogradit, me këtë formulim nuk shprehej qartë se Shën Naumi duhej t’i takonte Shqipërisë apo Serbisë. Të dyja palët sillnin argumentet e tyre para Konferencës së Ambasadorëve. Kështu, vendimi i kësaj konference, që mban datën 22 dhjetor 1922, thotë se Shën Naumi i takon Shqipërisë. Në fillim të prillit të vitit 1923 Qeveria e Beogradit e informon konferencën se nuk dakordonte me këtë vendim. Qeveria e Tiranës dhe ajo e Beogradit sërish u mblodhën dhe në konferencë sollën argumentet e tyre si dhe parashtruan shumë memorandume. Kështu, çështja edhe një herë doli para Lidhjes së Kombeve, me ç’rast u autorizua edhe Gjykata Ndërkombëtare që ta sjellë vendimin meritor lidhur me kontestin shqiptaro-serb rreth manastirit të Shën Naumit.
Në fjalimin e prof. Zhidel, një avokat i shkëlqyeshëm frëng me një përvojë të madhe, të cilin e kishte autorizuar pala shqiptare që ta prezantojë interesin e saj në gjyqin ndërkombëtar, më 23 korrik të vitit 1924, para trupit gjykues solli argumente shumë të forta e të përpunuara me një precizitet dhe stil të lartë akademiko-teorik. Gjykata natyrisht dëgjoi edhe përfaqësuesin e palës jugosllave, i cili quhej Spalaikoviq, i cili në këtë kohë ushtronte funksionin e ministrit të SKS-së në Paris. Këtu patjetër duhet përmendur edhe destruktivitetin e përfaqësuesit grek Kapsambelis, i cili nuk qëndroi dot indiferent, por angazhimet e tij gjithnjë ishin në dëm të Shqipërisë. Mirëpo, në fund sërish u konfirmua vendimi i mëparshëm, se Manastiri i Shën Naumit i takonte Shqipërisë. Mirëpo realizimi i këtij vendimi zvarritej dhe vendimi nuk zbatohej dot. Në prill të vitit 1925, Konferencës së Ambasadorëve iu desh që edhe një herë ta marrë këtë çështje në trajtim dhe sërish ta konfirmojë vendimin e dhjetorit të vitit 1922. Mirëpo, me këtë rast u shtua klauzola se vendimi “nuk është i detyrueshëm”. Sikurse edhe u pa më vonë, kjo klauzolë u nxor me qëllim që t’i hapet udha “kompromisit”, i cili edhe do të pasojë më vonë ndërmjet Qeverisë serbe dhe asaj të kohës në Tiranë.
Marrëveshja zyrtare ndërmjet Tiranës dhe Beogradit u lidh në korrik të vitit 1925. Me këtë marrëveshje Ahmet Zogu u akuzua se bëri cedimin territorial të Shqipërisë në favor të Serbisë, e jo shkëmbimin, sikurse u tha. Për Shën Naumin u morën dy fshatra: Peshkopia dhe Fusha e Qeravesë.
Për të pasur një situatë sa më të qartë më poshtë po i sjellim disa citate të kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë, Mehdi bej Frashërit, i cili ishte i autorizuar ta kryejë shkëmbimin e lartpërmendur. Ish-kryeministri i Shqipërisë, Frashëri, në një raport të përgatitur në Romë më 31 janar të vitit 1960, e të botuar në gazetën “Atdheu” numër 22-23 të vitit 1969, në lidhje me çështjen e Shën Naumit, thotë: “Vendimi i Konferencës së Londrës sa i përkiste Shën Naumit thoshte: ‘Fillon në breg të Liqenit të Ohrit, midis katundit bullgar Rodohozhe dhe katundit shqiptaro-mysliman që quhet Lin, dhe vazhdon deri në Shën Naum, pikërisht në gjuhën frënge: ‘Jusq’a Shën Naum’ nuk thotë ‘y compromis Shen Naum’. Qeveria e Beogradit iu drejtua ‘Ball Platz’-it dhe me një notë pyeste qeverinë austriake se ç’kuptonte me shprehjen ‘jusqu’a Shën Naum’. ‘Ball Platz’-i ishte përgjigjur se me këtë shprehje nuk donte të thoshte që Shën Naumi i përkiste Shqipërisë, domethënë i përkiste Serbisë”.
Më tutje, në lidhje me heqjen dorë nga Shën Naumi, Mehdi bej Frashëri vazhdon: “Nuk pashë posibilitete që Shën Naumi të shkëmbehej me katunde sllavo-bullgare. Me të tilla katunde, me popullsi heterogjene Shqipëria jo që nuk forcohej por, përkundrazi, dobësohej. Atëherë unë vendosa që Shën Naumi, me një periferi shumë të ngushtë, t’i mbetet Serbisë. Por ne morëm katundin Peshkupat dhe gjithë luginën e Cerovesë, të cilat po t’i liheshin Serbisë, me kohë do të sllavizoheshin”. Ndërsa sa i përket çështjes së Vermoshit ish-kryeministri thotë: “Konferenca e Londrës, duke përshkruar kufirin nordik shqiptar, thoshte ‘territoir de Kelmendi’, por me këtë nuk kuptohej Vermoshi, i cili mbetej jashtë si kullotë. Ujërat e Vermoshit rrjedhin në Danub e jo në Adriatik.
Në mbrëmje, kur shkova në Vermosh, i mblodha bajraktarët shqiptarë të asaj ane dhe i pyeta se, sipas tyre, si mund që Vermoshi të vërtetohej si tokë shqiptare. Mes këtyre malësorëve ishte njëfarë Uc Turku, i cili në luftërat që kishte bërë me malazezët, ishte plagosur dhe kishte mbetur sakat. Ai thoshte se të vrarët shqiptarë kanë varre në tokat malazeze. Kur erdhi komisioni për t’i pyetur palët, malësorët tanë me Uc Turkun dhanë arsyetimet siç i kisha porositur unë. Kurse serbët, ndër ta një avokat, një oficer dhe një gazetar, dhanë argumente qesharake e të palogjikshme. Komisioni vendosi që në bazë të anketës që Vermoshi t’i mbetej Shqipërisë. Mbi këtë vendim malësorët okupuan luginën e Vermoshit dhe filluan të ngrenë shtëpia. Pas një kohe atje u ndërtuan 600 shtëpi shqiptare duke përfituar nga qetësia në Shqipërinë e Lirë. Mirëpo, të arratisurit politikë botonin të kundërtën, duke thënë se Mbreti Zog Vermoshin ia la Serbisë. Një rrenë kolosale”. Kështu, Mehdi bej Frashëri përfundonte raportin e tij në lidhje me kontestet kufitare të Shqipërisë e të cilat, është e qartë se u zgjodhën në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
(Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës)
Please follow and like us: