Çerçiz Loloçi: Natasha Lako, një emër i spikatur në letrat shqipe
Sot, në ditën ndërkombëtare të librit isha në një takim me poeteshën Natasha Lako, një mikeshë e hershme, në ish bibliotekën e vjetër. E kam njohur adoleshent nga poezia e saj, që sillte një përmbysje në krijimtarinë e asokohshme, por edhe që mbetet sot një majë e paarritshme nga gjeneratat që kanë ikur.
S’ka asnjë dyshim se ajo është një krijuese sipërore, pavarësisht se mban një pozicion asnjëanjës, e pabujshme dhe gëzohet e mbështet gjithçka që krijohet në atdheun e saj dhe më gjerë.
Poezitë e para të Lakos, në moshë shumë të hershme, janë publikuar nga një majë e letërsisë botërore si Ismail Kadare e megjithatë ajo nga viti në vit, nga libri në libër ka përsosur vargjet e veta, ka zgjeruar tematikën e krijimeve dhe ka mundur të ballafaqohet denjësisht me krijimin letrar në rajon, Europë e më gjerë.
Kushdo që lexon një poezi të Natasha Lakos e kupton menjëherë emrin e autores, e admiron në heshtje dhe i shfaqet menjëherë forma e përkryer e shprehjes, shqetësimi njerëzor kundrejt padrejtësive, reflektimi poetik ndaj të shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes dhe vlerat universale që mbart çdo krijim i saj.
Natyrisht se poezia nuk është domen i vetëm i pangjashëm, skenaret dhe artikujt eseistikë janë gjithashtu një ndihmesë tjetër e pakonkurueshme ku eleganca e fjalës ka mjeshtërinë e saj, por edhe një tekst që të bën të mendohesh jo vetëm në kohën kur i lexon, por edhe kur i rikthehesh më pas.
Faleminderit Natasha Lako që na i zbukurove ditën botërore të librit, ku disa autorë shqiptarë, përfshi edhe ty, janë tashmë planetarë dhe pjesë e letrave universale botërore!
Takim letrar me Natasha Lakon, ndër zërat e parë femërorë të letërsisë