Albspirit

Media/News/Publishing

Ilva Tare: 140, komunizëm demokratik?

Ashtu si dy anët e medaljes, 140 votat unanime dhe unike në historinë e pas komunizmit janë dëshmi e dyfytyrësisë, që shoqëron pafytyrësinë e elitës politike në Shqipëri. Një votim historik dhe ndoshta më i rëndësishëm se anëtarësimi në NATO, i konsideruar fillimi i fundit të tranzicionit për ndërtimin e një shteti ligjor dhe demokracie funksionale.

140 votat pro reformës i ngjajnë njëkohësisht një komunizmi demokratik, ku në vend të një partie tani kemi disa që reflektojnë mentalitet të kohës së vjetër. Disa syresh që janë duke konsumuar mandatin e radhës në sallën e Kuvendit dhe që mbahen mend gjatë qeverisjes përveçse akuzave për arrogancë e ca të tjerë për korrupsion u përbetuan se nuk do ta votonin KURRË një reformë që cënonte sovranitetin e vendit.

Në mëngjesin e 22 Korrikut, kundërshtarët e përbetuar votuan pro, në rresht me linjën urdhëruese të partisë, duke gëlltitur dhe batutat pa shije dhe akuzat në emër të ambasadorëve që kishin negociuar reformën në drejtësi. Ashtu si dikur në kohën e diktatorit Hoxha apo në ditët e sotme në Korenë e Veriut, konsensusi i paprecentë është elementi përbashkues i falsitetit ndaj frikës në rastin më të mirë dhe rreshtimi si në repart ushtarak për komandën “Gatitu!” në strukturat partiake me demokraci të dobët.

Shija e konsensusit ndërpartiak është padyshim e munguara e madhe në këto dy dekada demokraci dhe meriton të përshëndetet dhe inkurajohet si një ogur i mirë i dialogut politik në Shqipëri. Porse shifra absolute prej 140 votave absolute, e bën edhe më të pavërtetë, sesa pamja e fytyrave të mërzitura të atyre që votuan në favor të asaj çfarë kishin sulmuar dhe përpjekur për ta sabotuar deri në minutën e fundit.

Nëse do të zbardhen të gjitha minutat e takimeve me korrektësi dhe transparencë për publikun nga negociatat mes palëve në 48 orët vendimtare për reformën, shqiptarët do të mësojnë të vërtetën e një votimi të padëshiruar dhe një gjuhe të pamendueshme ndaj diplomatëve të vendeve më të rëndësishme në botë. Në fund, të gjithë bërtasin fitore në forma karikaturash dhe bejtesh që tregohen nga konsumatorë darkash të paguara dhe që skicojnë nga pjatat e boshatisura fituesit e mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël të një beteje të jashtëzakonshme.

Ndaj, nëse sesioni i ri i Parlamentit do të nisë sërish me zë të ngritur dhe pamje të shfytyruar të përbetuarish kundër ligjeve të emergjencës dhe ato pasuese të reformës në drejtësi, mos u besoni dhe as mos u shqetësoni sepse janë pjesë e sjelljes së reparteve ushtarake në politikë. Sërish kur t’i thërrasë frika dhe partia edhe trimat në mbrojtje të sovranitetit do të votojnë me kartonin e gjelbër dhe më pas do të përpiqen të bindin qytetarët se e bënë për hir të interesit kombëtar dhe të ardhmen europiane të vendit.

Votimi 140-ësh dëshmon se ishte rezultat i një presioni të paprecendentë ndërkombëtar, veçanërisht të SHBA dhe BE dhe që elita politike në masën më të madhe është jo vetëm e papjekur dhe e përlyer, por edhe shpërfilli vullnetin e mbi 91% të qytetarëve shqiptarë, të cilët u treguan të dobët dhe të pamundur për të përfunduar një reformë që u arrit falë këmbënguljes euro-amerikane.

Please follow and like us: